E pra, Kosova nuk do të duhej të pranonte asnjë takim në Bruksel derisa Kosovës nuk i hiqen sanksionet e Serbisë i imponohen. Dhe e dyta, Kosova nuk do të duhej të ulej në tavolinë ku lehtësues është z. Lajčák – i dëshmuar njeri absolutisht i gabuar për punën që supozohet se është dashur ta kryente deri tash në këta tre vjet e gjysmë të shkuar. Ai mund të jetë diplomat i rryer, porse është lehtësues krejtësisht i anshëm. Pra, edhe i dëmshëm
Kaluan thuajse gati dy javë që nga sulmi në Banjskë dhe më në fund dëgjuam reagimin e njëzëshëm të bashkësisë ndërkombëtare që e karakterizoi atë si sulm terrorist ndaj Kosovës dhe sovranitetit të vet. Ideja e një sulmi të shpejtë, derisa vëmendja ishte kthyer tjetërkund, kishte për qëllim aneksimin e veriut dhe sjelljen e situatës para një akti të kryer, ndaj të cilit nuk do të kishte fort reagim. Ashtu siç nuk pati në rastin e Krimesë... derisa Rusia nuk e sulmoi Ukrainën.
Është evidente që shërbimet inteligjente e bënë punën e vet - ndryshe Policia Speciale e Kosovës nuk do të ishte aq e efektshme, siç u tregua të dielën, më 24 shtator. Nga ana tjetër, vetë veprimi i Policisë së Kosovës ishte argumenti më i fuqishëm që e arsyetonte prezencën e saj në veri. Po të njëjtën prezencë për të cilën Kosova u sanksionua me masa, të cilat tash duhen të dalin në rend dite për t’u hequr, ngase u dëshmua se ishin absurde. E për t’u hequr do të jetë zor, sepse kërkohet pajtimi i të gjithëve, e pajtimin do të mund të mos e japë Hungaria. Shteti, ushtarët e të cilit për pak sa nuk u kasapitën në veri para disa muajsh.
Sa më shumë flitet për sulmin terrorist, aq më evidente bëhet se përshkallëzimi i situatës në pranverë ndodhi për shkak se Serbia ashtu e deshi. Por, bashkësia ndërkombëtare me ngulm vazhdonte të përpiqej ta gjente fajtorin te Kosova. Pra, tek ajo Kosovë e cila përpiqej ta shtrinte sovranitetin në pjesën nga e cila, për shumë arsye, ishte izoluar për së paku dy dekada.
Ngjarja në Banjskë i qiti Serbinë dhe Vuçiqin lakuriq.
I gjithë ai armatim, i gjithë ai organizim dhe të gjitha ato përgatitje nuk janë punë që bëhen brenda natës. Janë punë të menduara prej kohësh, ndërkohë që pritej momenti kur duhej goditur. Por, u dekonspiruan dhe shumë mirë që u bë kështu.
* * *
Por, megjithatë, mbetet shija e hidhur e mosreagimit të duhur të njësive të KFOR-it, të cilat janë përgjegjëse për ruajtjen e kufijve të Kosovës.
Fillimisht ndodhi kidnapimi i tre policëve brenda territorit të Kosovës dhe KFOR-i nuk u bë i gjallë. Para dy javësh u gjet armatim për shkatërrim në masë, ndërkohë që është evidente se ato armë as nuk kanë qenë në Kosovë e as nuk kanë mbirë në manastir. Do të thotë se janë futur nga Serbia, kontrabandë ose jo, dhe janë futur për një periudhë jo të shkurtër kohore. Kah? Dhe pse nuk u ndaluan nga ata që e kanë mandatin për të reaguar?
Komandanti i KFOR-it në ikje, Ristuccia, dje deklaroi se po bëhen hetime nga kanë ardhur armët (ende, pra, pas dy javësh). Gjithashtu tha se po bëheshin hetime se si u bë që veturat e terroristëve të mbanin mbishkrimin KFOR kur u futën në Kosovë. Si është e mundur që nuk janë dalluar veturat e kontingjenteve të KFOR-it? Si është e mundur që pas gjithë këtyre viteve të mos dihen rrugët e kontrabandës në veri? Apo dihen, por janë lënë hapur me ndonjë qëllim që ne nuk e dimë.
Për Kosovën është lajm i mirë që më shumë trupa të KFOR-it do të sillen e vendosen në vend. Në mungesë të autorizimit të lëvizjes së FSK-së në veri, duhet të mbështetemi në mbrojtjen që do të na e ofrojnë trupat e NATO-s.
Dhe nëse në maj, me plagosjen dhe lëndimin e mbi 90 ushtarëve të KFOR-it u kalua disi nëpër to, një sulm frontal i Serbisë apo i paramilitarëve të saj ndaj këtyre ushtarëve do të ishte sulm kundër NATO-s. Pra, luftë kundër NATO-s.
Serbia njëherë u mposht nga ajri dhe nga ajri sërish do të mund të mposhtej, si kundërreagim ndaj sulmit, në vetëmbrojtje.
Nuk e di nëse ky është plani i Rusisë, që nëpërmjet Serbisë, ta zhvendosë vëmendjen nga Ukraina. Nëse është, nuk e di nëse Vuçiqi i ka peshuar gjërat mirë.
Kosova nuk është ajo e 1998-s. Gjërat janë, jo pak, por shumë më ndryshe se atëherë. Ajo që nuk ka ndryshuar është fashizmi i Vuçiqit.
* * *
Ai i cili ka ndryshuar vetëm deklarativisht është Miroslav Lajčák, lehtësuesi sllovak i dialogut të dështuar. Mbase edhe një ndër fajtorët se përse na u imponuan sanksionet. Dhe përgjegjësi kryesor, krahas Borrellit, që dialogun dhe propozimin franko-gjerman e bënë përshesh. E, megjithatë, ende insistonin se duhej vazhduar me negociata.
Hiç më larg se dje u lajmërua sërish dhe e përsëriti atë që e tha më 24 shtator (sic!): se palët duheshin kthyer dialogut. Cilit dialog, zotëri? Atij me raketahedhës?
“24 shtatori nuk ishte aksident. Ishte gjë e tmerrshme që ndodhi dhe duhet të hetohet siç duhet. Fakti është se shumë gjëra kanë ndryshuar dhe do të ketë ndikim në vazhdimin e dialogut në shumë aspekte, por ka një gjë që nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë, është se normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi kërkon një marrëveshje, që nënkupton kompromis, që mund ta arrijmë vetëm përmes dialogut”, tha dje.
Siç po shihet, në asnjë vend nuk e përmendi fjalën terrorizëm, por e përsëriti domosdonë e vazhdimit të një diçkaje që nëse ndalet e lë pa punë.
Për më tepër, për t’i cytur palët në dialog, tha se: “Në rrethanat aktuale nuk duket mirë që Kosova është nën masa negative të BE-së dhe kjo çështje duhet adresuar. (Heqja e sanksioneve). Kjo është njëra mundësi që unë personalisht do ta mbështes”.
Sa lehtë apo jo? Ky do të lobojë për heqjen e sanksioneve për të cilat loboi që të na imponoheshin dhe pa e përmendur Serbinë në asnjë vend në kontekst negativ insiston që të vazhdohet aty ku kanë mbetur.
E pra, Kosova nuk do të duhej të pranonte asnjë takim në Bruksel derisa Kosovës nuk i hiqen sanksionet e Serbisë i imponohen. Do të ishte shumë, shumë absurde për cilëndo demokraci në botë ta përkrahte dënimin e përpjekjes për të shtrirë sovranitetin e të mos e përkrahte dënimin e agresionit ndaj një shteti fqinj. Dhe e dyta, Kosova nuk do të duhej të ulej në tavolinë ku lehtësues është z. Lajčák – i dëshmuar njeri absolutisht i gabuar për punën që supozohet se është dashur ta kryente deri tash në këta tre vjet e gjysmë të shkuar. Ai mund të jetë diplomat i rryer, porse është lehtësues krejtësisht i anshëm. Pra, edhe i dëmshëm për procesin.
* * *
Asaj që duhet ikur me çdo kusht është dëmi që ne vetes mund t’ia bëjmë me sjelljet tona politike.
Banjska do të duhej të ishte çasti i kthesës dhe i unifikimit të faktorëve politikë në Kosovë. Duket se kurrë më të mirë nuk e kemi pasur pozicionin në negociata sesa tash, pas sulmit ndaj nesh, dhe pas ndryshimeve në State Department dhe ardhjes së Jim O’Brienit në postin e ndihmëssekretarit të Jashtëm amerikan. Njeri i cili ka qenë emisar presidencial dhe këshilltari kryesor i Madeleine Albrightit.
E çka bëjmë ne?
Ne çojmë inat në Kuvend.
Kjo që po ndodh në javët e fundit dhe kjo që ndodhi dje në seancën plenare janë thjesht një turp, papërgjegjësi dhe pafytyrësi e atyre që janë ulur në kolltukë për të marrë vendime për jetën tonë.
Përderisa PDK dhe AAK refuzojnë t’i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare, me një arsyetim që Banjska ua hodhi në ujë – pra për shkak të sanksioneve të BE-së ndaj Kosovës për shkak se Qeveria nuk i tërhiqte forcat speciale prej veriut, dje kryeministri dhe kabineti qeveritar vendosën që të mos u përgjigjeshin pyetjeve të deputetëve të këtyre dy partive, duke e shkelur detyrimin kushtetues.
Fundja, ato pyetje mund të jenë të interesit të ngushtë partiak, por janë gjithashtu të interesit publik. Pra, nuk mundet thjesht të vendoset se nuk do të jepen përgjigjet në seance plenare dhe të zgjidhen rrjetet sociale për të komunikuar me publikun.
Kjo është thjesht vazhdimi i politikës së inateve me të cilën na kanë ngopur qe sa vjet. Tregon për një papjekuri shumë serioze të të gjithë të përfshirëve – që të bën të frikohesh për të ardhmen që na pret. Politika është shumë më shumë sesa teke personale dhe shtyrje me argumente kot që nuk çojnë askund.
* * *
Kur nga jashtë e shikojnë cirkusin tonë politik, kush do të na marrë seriozisht?
Nuk jeni për t’u marrë seriozisht as nga votuesit në Kosovë. Boll bre ma, se njëmend na keni lodhur. Tregoni se bile diçka keni mësuar, që bile pak jeni pjekur, se pallavra jemi ngopur.
Është çasti i fundit të bëheni bashkë. Dhe bashkë vendosni nëse duam të ecim para e ta shfrytëzojmë çastin e krijuar, apo doni të shkoni në zgjedhje sërish, për shkak se dikush po ka qejf me u ba kryeministër.
Bashkësia ndërkombëtare tashmë na ka dëshmuar, jo një herë, që di të ngopet shpejt nga ne. Posaçërisht nga fizkulturat tona. Dhe atëherë nuk e ka hiç zor të emërojë lehtësues si Lajčáku, që nuk ka veshë për të dëgjuar atë që nuk do që ta dëgjojë.
(*google translate – “Lajçak, shko në shtëpi!”)