Refugjatët përfaqësojnë një nga kategoritë politike më të margjinalizuara të shoqërisë, si në vendin nikoqir po ashtu edhe në atë të origjinës. Me aktin e kërkimit të azilit statusi i tyre aty për aty shndërrohet në rezident joqytetar pa të drejtë të plotë shprehjeje politike. Përderisa nuk natyralizohen, ata vazhdojnë ta kenë të cunguar shprehjen e tyre politike në vendin nikoqir. Dhe gjithmonë derisa të jenë refugjatë, ata tashmë pothuaj janë politikisht të humbur karshi vendit të origjinës
Luftërat dhe trazirat e viteve të fundit në vende si Siria, Iraku, Afganistani, Somalia apo Sudani Jugor kanë rezultuar në miliona njerëz të zhvendosur nga vatrat e tyre. Dëbimet dhe persekutimet e njerëzve në baza etnike, nacionale apo fetare kanë shkaktuar miliona refugjatë që ballafaqohen me çështje ekzistenciale si p.sh. a do të kenë ushqim për darkë, ku do të flenë sonte, e ç’do të ndodhë me fëmijët e tyre.
Vende si Turqia akomodojnë një numër jashtëzakonisht të madh të refugjatëve nga konflikti në Siri, me më shumë se 3 milionë sosh sipas shifrave të UNHCR-së nga fundi i vitit të kaluar. Po ashtu, shteti i vogël i Libanit ka pranuar së paku një milion sirianë. Mbi 500.000 refugjatë (kryesisht nga Somalia dhe Sudani Jugor) jetojnë në kampe masive në Keni, ndërsa Uganda ka akomoduar rreth 1.5 milionë sosh kryesisht nga vendet fqinje të Republikës Demokratike të Kongos, Sudanit Jugor e Somalisë.
Vitet e fundit edhe në Evropë është folur me të madhe për “krizën e migrimit”. Krizë këtu është quajtur përballja me numër të madh emigrantësh që ilegalisht futen brenda shteteve si Gjermania apo Britania e Madhe, me qëllim të kërkimit të azilit dhe përfitimit të statusit të refugjatit. Kjo valë migrimi, kulmi i së cilës ishte rreth vitit 2015, nuk është parë në Evropë në këtë numër dhe intensitet që nga Lufta e Dytë Botërore. Na kujtohet vendimi i njëanshëm dhe fisnik i kancelares gjermane Merkel që të hapë kufijtë e shtetit të saj dhe të pranojë rreth 1 milion refugjatë kryesisht nga Siria brenda një periudhe rreth njëvjeçare. Sigurisht se një vendim i tillë nuk u prit mirë nga qarqet më konservatore dhe nxiti zëra populistë e radikalë brenda vendit të saj. Në anën tjetër, kryeministri hungarez, Orban, vendosi të barrikadojë kufijtë e shtetit të vet dhe të mos lejojë refugjatë atje, duke e njollosur kështu historinë e re të shtetit të tij me ngjyra ksenofobe dhe raciste. Por akti i mikpritjes u përsërit edhe në vende të tjera në Evropë, si p.sh. në Suedi, shtet i cili ka pranuar numrin më të madh të refugjatëve për kokë banori në këtë kontinent.
Është e qartë dhe e kuptueshme se çështjet për të cilat diskutohet më së shumti nga qarqet vendimmarrëse e politikëbërëse kanë të bëjnë me aspektet humanitare e të sigurisë së refugjatëve. Kur kemi të bëjmë me përkrahjen e ofruar refugjatëve, qeveritë nikoqire si dhe organizatat ndërkombëtare, si UNHCR-ja e IOM-i kanë kryesisht këto çështje në konsideratë. Edhe për refugjatë, zgjidhja e dilemave si kulmi mbi kokë, ushqimi, shëndeti, rehabilitimi (mental e fizik) nga traumat e luftërave të përjetuara në vendet e origjinës, janë me rëndësi prioritare. Pastaj ato pasohen me prospektet për të ardhmen e tyre: a do t’u lejohet qëndrimi në vendin ku kanë kërkuar ekzil? Kur do të marrin vendimin nga shteti nikoqir? A do të mundë të integrohen në shtetin e ri, në shoqërinë e re, larg njerëzve të tyre?
Një temë që zakonisht nuk diskutohet nga qarqet vendimmarrëse dhe politikëbërëse është pjesëmarrja politike e refugjatëve në vendet nikoqire dhe ato të origjinës. Nuk diskutohet, sepse siç u përmend më lart, janë shumë çështje të tjera të cilat për rrethanat e refugjatëve konsiderohen më emergjente. Mirëpo, edhe shprehja e tyre politike, artikulimi i qëndrimeve të tyre mbi rrethanat politike në vendin ku jetojnë dhe në vendin prej nga vijnë, janë tejet të rëndësishme, sepse kanë të bëjë me ushtrimin e të drejtave bazike të njeriut. Para ca ditësh Instituti Ndërkombëtar për Demokraci dhe Asistencë Elektorale (International IDEA) botoi një studim krahasimor në këtë temë, të titulluar “Pjesëmarrja politike e refugjatëve: përafrimi i diferencave”, studim i cili analizon pikërisht pjesëmarrjen politike të refugjatëve, sfidat dhe mundësitë.
Bazuar në gjetjet e raportit, refugjatët në përgjithësi nuk kanë të drejtë vote në vendin nikoqir, pa marrë parasysh gjatësinë e qëndrimit atje. E drejta e votës është ekskluzivisht e ndërlidhur me natyralizimin e tyre dhe marrjen e nënshtetësisë së vendit nikoqir. Një përjashtim të vogël këtu e bën Suedia, e cila u jep mundësi refugjatëve me qëndrim së paku trevjeçar në vend që të votojnë në zgjedhje lokale (jo nacionale). Përndryshe, në vende si Uganda, Afrika e Jugut, Turqia apo Libani, është mjaft e zakontë që të jesh refugjat për 10-20 vjet e më shumë dhe kurrë të mos përfitosh të drejtën e votës. Kjo për faktin e thjeshtë se në vende të tilla mundësia për natyralizim dhe përfitim të nënshtetësisë së re është pothuaj joekzistente. Përkthyer ndryshe, këto vende nikoqire mund t’u ofrojnë strehim refugjatëve, por ky strehim gjithmonë do të jetë i përkohshëm. Pra, edhe nëse “qëndrimi i përkohshëm” nënkupton se refugjatët kalojnë pjesën më të madhe të jetës së tyre në vendin nikoqir, ai qëndrim ngërthen në vete kthimin eventual në vendin e origjinës, në momentin kur atje të përfundojë konflikti dhe të arrijë paqja. Në ndërkohë, gjithë ato dekada të kaluara në vendin nikoqir refugjati de facto ka status të qytetarit të rendit të dytë apo, thënë më saktë, të jo-qytetarit rezident.
Këto praktika janë në kundërshtim me Konventën Ndërkombëtare për Refugjatë të vitit 1951, më saktësisht Nenin 34 që stimulon se shtetet nënshkruese të Konventës “do të mundësojnë sa më shumë që të jetë e mundshme asimilimin dhe natyralizimin e refugjatëve”. Mirëpo, konventat ndërkombëtare shpesh kanë një fat të tillë: ato edhe kur të nënshkruhen nga shtetet, janë të interpretueshme në forma të ndryshme, varësisht nga shteti dhe rrethanat politike të tij.
Refugjatët, përderisa janë refugjatë, jetojnë në këtë zonë të të qenit joqytetar edhe karshi vendit prej nga vijnë. Rrallë ndodh që shteti i origjinës të krijojë mundësi që ata të votojnë nga distanca në zgjedhjet nacionale të tyre. P.sh. Afganistani, në zgjedhjet e para demokratike të vitit 2004, ua mundësoi miliona qytetarëve të tij që jetonin në shtetet fqinje të Pakistanit e të Iranit që të votonin nga distanca. Por një mundësi e tillë nuk u përsërit në zgjedhjet e mëvonshme të tij. Si në këtë rast edhe në raste të tjera, arsyet e këtyre lëshimeve janë politike, ideologjike (vota nga larg është më zor e menaxhueshme për pushtetin), por edhe thjesht logjistike e financiare (vota nga distanca është ndërmarrje tejet komplekse dhe e kushtueshme, që kërkon koordinim të shumë faktorëve si shteti nikoqir e shteti i origjinës, organizata ndërkombëtare si IOM-i, OSBE-ja etj.).
Siria, në anën tjetër, ua mundësoi refugjatëve sirianë që nëpërmjet ambasadave të saj të votonin në zgjedhjet presidenciale të vitit 2014. Kjo me gjithë faktin se vendi tashmë ishte kapluar nga terrori i luftës civile. Por rezultati ishte i pritshëm: shumica dërrmuese e atyre që votuan në vende si Libani dhanë votën për diktatorin Al Asad. Ky është vetëm një rast kur vota e diasporës kërkohet atëherë kur mund të manipulohet me të (nëpërmjet ambasadave), dhe kur pushteti nxjerrë përfitimet që ai dëshiron nga ajo votë.
Është e qartë, pra, se refugjatët përfaqësojnë një nga kategoritë politike më të margjinalizuara të shoqërisë, si në vendin nikoqir po ashtu edhe në atë të origjinës. Me aktin e kërkimit të azilit statusi i tyre aty për aty shndërrohet në rezident joqytetar pa të drejtë të plotë shprehjeje politike. Përderisa nuk natyralizohen, ata vazhdojnë ta kenë të cunguar shprehjen e tyre politike në vendin nikoqir. Dhe gjithmonë derisa të jenë refugjatë, ata tashmë pothuaj janë politikisht të humbur karshi vendit të origjinës.
(Armend Bekaj është zyrtar i lartë programi në institutin International IDEA (www.idea.int)ku në mes tjerash bashkëdrejton kërkimet për studimin “Gjendja globale e demokracisë” (Global State of Democracy), që rezulton në publikim çdo dy vjet të raportit me të njëjtin emër. Ai është bashkautor i studimit të sapopublikuar “Political participation of refugees: bridging the gaps” që mund të shkarkohet këtu: https://www.idea.int/publications/catalogue/political-participation-refugees-bridging-gaps?lang=en)