Gjithë ajo dashuri. Gjithë ai motiv për t’ia dhënë më të mirën. Gjithë ajo dëshirë për ta parë të lumtur.
Nuk ka planprogram. Nuk ka “kurrikulë”. Për të dashur, për të dhënë e për të dëshiruar.
Por dikur nis të rritet. Ti e kupton që duhet të nisësh ta lëshosh. Ta largosh nga bota pa “kurrikulë”. Është e pashmangshme, siç ka qenë edhe për ty.
Shikon përtej. Në sistemin ku po e lëshon.
Së pari të shfaqen sekuenca sekondëshe të së kaluarës të kahershme. Të kujtohen copëza përshtypjesh. Duhet të kalosh nëpër atë tunel në përpjekjen për të dalë të e tashmja.
Të shfaqet tepihu i korridorit të çerdhes. Ngjyra krem që përzihej me okerin e të kuqërremtën për t'i formësuar disa lule të çrregullta. I zbathje këpucët. I mbathje papuçet. Gjoksi të shtrëngohej. Po largoheshe nga zona e rehatisë. Nuk refuzoje sepse e dije që për një arsye ishe aty. Nuk të pëlqente. Hyje brenda. Dhoma e madhe kishte fëmijë të ulur nëpër dysheme. Luanin me lodrat e lejuara për paradite. Ormanët e vegjël të drurit mbanin nëpër rafte lodrat e ndaluara. Vinte koha e shujtës së mëngjesit. Ushqimi nuk mbante aromën e shtëpisë. Tasat ishin të metalikë, ngjashëm si edhe pjatat. Refuzoje të haje. Dikush edhe kishte oreks. Vinte koha e gjumit. Ai ishte obligativ. Duhej ta mbuloje kokën. Ishte e ndaluar të lëvizje. Për një orë. Nuk ndieje ndonjë dashuri. Luaje me fëmijë e komunikoje me edukatore pa ndonjë lloj ndjenje. Çdo gjë ishte teknike. E kundërta e shtëpisë.
Nuk e di nëse kjo ka qenë “kurrikula” e atëhershme. Por e sigurt është që rregulla ka pasur. Të mira apo të këqija. E sigurt po ashtu është që emrin “kurrikulë” nuk e kanë pasur.
Përnjëherë mbërrin te e tashmja. Në realitetin ku je në kërkim të më të mirës. Të asaj që do t’ia jepte të mbarën në sistemin që në fakt më shumë është një kaos.
E kupton që shteti u dashka t’i ketë disa “kurrikula”. Veç sa për ta sqaruar, “kurrikula” është termi i pasluftës për atë që në shqip quhet planprogram. Pasi u çliruam, kur studentët apo zyrtarët bëheshin ekspertë të arsimit e preferonin si fjalë që mbase do t’i paraqiste më të dijshëm. Kështu edhe u instalua si term zyrtar i institucioneve. Ke sot për shembull dokumentet e Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë që parashohin se shteti duhet t’i ketë pesë “kurrikula bërthamë” për të gjitha nivelet formale të arsimit parauniversitar. Ato janë:
- “Kurrikula bërthamë për edukimin në fëmijërinë e hershme (lindje -5 vjeç)”;
- “Kurrikula bërthamë për klasën përgatitore dhe arsimin fillor”;
- “Kurrikula bërthamë për arsimin e mesëm të ulët”;
- “Kurrikula bërthamë për arsimin e mesëm të lartë-gjimnaze”,dhe
- “Kurrikula bërthamë për arsimin e mesëm të lartë-shkolla profesionale”.
Puna në realitet është se nuk ka kurrfarë planprogami për edukimin e fëmijëve në moshë të hershme. Ke numër shumë të vogël të çerdheve publike dhe numër e cilësi të pakontrolluar të çerdheve private. Ke përpjekje mbi dyvjeçare të Ministrisë për ta përpiluar “kurrikulën”, por draftet u hidhen poshtë në dëgjime publike. Nëse e shikon një draft të saj e sheh që bibliografia e vetme të cilës i është referuar janë disa dokumente të MASHT-it. Kaq për fëmijët deri në moshën 5 vjeç.
Ke një planprogram të ri që mbulon periudhën prej parashkollorit e deri në maturë, e që është në çakordim me librat. Pra për një mësim që e shpjegon mësuesja në klasën e katërt nxënësi duhet ta ketë librin e klasës së shtatë. Apo mësimi i klasës së gjashtë e kërkon librin të së nëntës, e kështu pa ndonjë radhë. Ke një proces të hartimit e botimit të librave të rinj për shkollën fillore e të mesme. Proces në të cilin përveçse ka pasur keqpërdorim dhjetëra mijëra eurosh për udhëtime të recensentëve në Durrës, ka pasur keqmenaxhim deri në atë masë sa këshilltarët e Ministrit kanë marrë përsipër vendimet për tekstet fituese. Detyrë kjo e Këshillit vlerësues të ekspertëve. Por jo, ekspertëve u është lënë numërimi i poenëve. Qëllimi i këtij procesi ka qenë që t’ia akordojnë librat “kurrikulës” edhe të përmirësojnë gabimet në përmbajtje. Për shembull ato të llojit: “Muzika rok, pornografia, dhuna në televizion - që janë akte jo të mira - janë provuar plotësisht si kriminale” – Libri i Edukatës Qytetare të klasës së 10.
Situata është e tillë që ekspertët e arsimit, shoqëria civile, anëtarët e Këshillit vlerësues, deputetë të Kuvendit konsiderojnë që me anulimin e procesit të hartimit të librave të ri dëmi do të ishte më i vogël për nxënësit.
E sa i përket “kurrikulës” së fundit në listën e MASHT-it, pra të kësaj për arsimin e mesëm të lartë-shkolla profesionale: ajo nuk ekziston. Nëpër shkolla profesionale nxënësit marrin shënime sikur që, në disa lëndë, ia kemi bërë ne të shkollimit paralel të mijëvjeçarit të kaluar. Atëherë ka pasur planprograme por nuk ka pasur libra. Arsyet kanë qenë tjera, nëse ju kujtohet.
Pashmangshëm kthehesh sërish në kohën kur “kurrikulës” i kanë thënë planprogram.
Nuk është se në çerdhe pata qëndruar deri para se të hyja në shkollë. Vëllai im dhe unë patëm bërë marrëveshje me prindërit. Patëm kuptuar e pranuar të gjitha rregullat e qëndrimit vet në shtëpi. Ashtu e patëm shtyrë deri në klasë të parë. Asokohe mëhalla ishte tejet e sigurt. Njerëzit njiheshin dhe vetura kishte pak. Në klasën e parë pata shkuar me një fustan të bardhë. Në orën e parë në klasë kishte edhe prindër. Rendi ishte që fëmijët ta recitonin nga një vjershë. Unë isha e ulur në rendin e trete të bankave. Kur më erdhi radha, mësuesja u afrua dhe më kapi butësisht për duarsh. Derisa po ecja kah tabela e zezë më tha “sikur një flutur e bukur”. Në ata pak hapa shikova kah mami. Ajo po buzëqeshte. Po i qeshte edhe zemra. Shikimi i saj më shfaqet më i qartë tani, kur emocionin ia kuptoj më mirë. E pata recituar vjershën për Abetaren, e para në lekturën “Vallja shkronjave”.
Kështu pati nisur për mua. Pata qenë e dashur; mu pat dhënë më e mira; mu pat dëshiruar lumturia.
Nuk ka qenë e lehtë për nxënësit e studentët e viteve nëntëdhjetë. Por na shtynte motivi e shpresa për një të ardhme më të mirë. E mendonim të tillë ku së paku arsimin do ta kishim të përkryer. Aq shumë patëm bërë që ta mbanim të gjallë. Mendonim se nuk do të brengoseshim për shkollimin e brezave të ri. Nuk e dinim që “kurrikulat” do t’i kapnin institucionet.