Disa nga ju lexues të nderuar të Ditarit tim mund të ma shihni për të madhe që kohëve të fundit jam marrë kryekëput me temën e agresionit rus në Ukrainë. E kuptoj edhe atë lloj kritike, mirëpo i mbes besnik bindjes sime se pikërisht kjo luftë është ajo që do ta shënojë një rirreshtim të ri të rendit botëror e edhe të vendeve demokratike perëndimore, pjesë dhe rrjedhë e së cilave Republika e Kosovës mëton që të jetë. E ne duhet që të vazhdojmë të jemi të vëmendshëm dhe vigjilentë për të gjitha këto rrethana, sepse djalli fshihet në detaje
Ndonëse lajmëtarët e parë të pranverës veçse kanë lulëzuar – si drunjtë e qershisë – dimri në realitet duket se ende nuk është dorëzuar dhe se nëpër Evropë ka vendosur që të bëjë edhe një xhiro të fundit.
Atë është duke e bërë edhe në Londongrad, një metropol ky që, krahas pranverës së vonuar, po mundohet ta përmirësojë imazhin e një ishulli strehues të oligarkëve rusë dhe të parave të tyre, duke e rikthyer namin e dikurshëm.
Sot mbase secili politikan britanik po e ndien një pjesë të fajësisë për mbylljen e syve karshi oligarkëve rusë, përkrahës të Putinit, dhe të strehimit e të shtrirjes së ndikimit të tyre nëpërmjet kapitaleve të pista në sferën e interesave të shoqërisë britanike.
Kur flitet për dimrin, nuk ka sesi të mos kujtohet Ukraina, kundër së cilës po kryhet një agresion dhe pushtim i tmerrshëm. S’ka sesi të mos kujtohet numri i madh i civilëve e fëmijëve të vrarë, si dhe të luftës gjenocidale që po e ndërmerr makineria ushtarake e Vladimir Putinit kundër popullit liridashës ukrainas.
Mbijetesa e kësaj popullate duhet të jetë e tmerrshme, kurse qytetet e tyre granatohen dhe bombardohen pamëshirshëm, qoftë nga artileria e rëndë, qoftë nga aeroplanët luftarakë. Vetëm gjatë këtyre ditëve ka filluar që të dalë në pah brutaliteti i vërtetë i krimeve të ushtruara nga ushtria ruse ndaj popullatës civile ukrainase. Me dështimin për ta okupuar Kievin dhe pas humbjeve të mëdha që i pësoi si në makinerinë ushtarake ashtu edhe në personelin ushtarak, Rusia u shtrëngua që ato forca ushtarake që hynë në Ukrainë nga Bjellorusia t’i tërheqë prapa. Apo që, siç proklamojnë shumë ekspertë ushtarakë perëndimorë, t’i rigrupojë për ta përqendruar luftën dhe fitoren në pjesën lindore të Ukrainës, në rajonin e Donbasit dhe në provincat ukrainase që e shpallën pavarësinë dhe u njohën nga ana e Rusisë, pak para 24 shkurtit kur filloi edhe okupimi dhe pushtimi rus ndaj Ukrainës.
Sigurisht se pas katastrofës së përjetuar të ushtrisë ruse në rrethimin dhe pushtimin e Kievit, Putinit do t’i nevojitet një lloj fitore për ta arsyetuar dhe për ta shitur këtë aventurë të tijën para popullit rus, nëpërmjet propagandës.
Rrjedha e logjikshme e luftës së mëtutjeshme do të jetë ajo e bartjes së saj në anën lindore të Ukrainës, si dhe në atë jugore, në mënyrë që Rusia t’i sigurojë vetes qasje tokësore në Krimenë e aneksuar më 2014. Si dëshmi të përpjekjes për këtë arritje ushtarake e kemi rrethimin dhe granatimin e Mariupolit. Kryetari i Komunës në Mariupol deklaroi se “qyteti i tij sot është shndërruar në një Aushwitz të ri” dhe se një krizë e papërshkrueshme humanitare i ka goditur 100.000 banorët e saj që janë ende të ngujuar. E se çfarë krimesh mund të ketë kryer dhe është duke kryer ushtruar ushtria ruse aty e patëm rastin që të shohim në qytezat dhe paralagjet e Kievit, Bucha dhe Borodyanka. Aty u kryen krime të llahtarshme ndaj civilëve. Trupat e tyre të pajetë u lanë nëpër rrugë, pasi u qëlluan dhe u vranë qëllimshëm. Shumë prej tyre shfaqnin edhe shenja të torturës. Kjo gjë, në fakt, bëri që bashkësia ndërkombëtare, e prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të irritohej edhe më shumë dhe të thellonte sanksionet ndaj presidentit Putin dhe Qeverisë ruse. Nga Çekia pamë edhe një lëvizje të parë të këtillë. Si një shtet aleat i NATO-s, i nisi në drejtim të Ukrainës 20 e më shumë tanke të prodhimit rus që ushtarët ukrainas do të kenë njohurinë se si t’i përdorin.
Presioni mbi NATO-n sa vjen e shtohet, ashtu që ndihmat ushtarake që i jepen Ukrainës të përfshijnë edhe armatimin më të rëndë, i cili do t’i mundësonte ushtrisë ukrainase që ta konfrontonte dhe në fund edhe ta dëbonte ushtrinë pushtuese ruse nga territori.
Pikërisht tani hapet ajo dritarja e mundësisë për ushtrinë ukrainase që edhe ajo të rigrupohet, riorganizohet dhe që, pas furnizimit me armatimin e duhur, të përqendrohet në çlirimin e pjesës së saj lindore dhe asaj jugore. Pas disfatës së ushtrisë ruse, të shënuar në rrethimin dhe okupimin e Kievit, edhe morali është në anën e çlirimtarëve të Ukrainës për të vazhduar me suksese në betejat e luftës kundër agresorit rus.
Në Evropën ende të zënë në gjumë dhe në habi nga Putini, vazhdojnë dëbimet e personelit diplomatik rus nga shtetet ku ata përfaqësojnë Rusinë. Dëbimet janë ndërmarrë për shkak të aktiviteteve të tyre që nuk ishin konform normave diplomatike. Sanksionet ndaj Rusisë gjithashtu sa vijnë e shtohen. Mirëpo, ende nuk është ajo finalja e madhe e tyre, kur Evropa do ta marrë vendimin për ndarjen definitive nga burimet energjetike ruse, prej të cilave varen disa prej shteteve anëtare, si Gjermania.
Nga ana tjetër, në zgjedhjet e mbajtura në Hungari fitoi përsëri Viktor Orbani, i cili me qasjen e tij pro-ruse do t’i shkaktojë telashe të reja Bashkimit Evropian. Edhe në zgjedhjet e mbajtura në Serbi, po të njëjtën fundjavë, fitoi Aleksandar Vuçiqi, një piun tjetër i Putinit në Ballkanin Perëndimor. Evropa si me butësi dhe në heshtje po i kalon të gjitha këto ngjarje. Apo mbase dëshiron që të portretizojë se lufta në Ukrainë nuk ndërlidhet me liderët e rizgjedhur të shteteve evropiane që janë përkrahës të Putinit dhe të politikës ruse. Rasti i presidentit Vuçiq është veçanërisht eklatant, pasi vendi i tij vazhdon me avazin e vjetër që edhe të kërkojë rrugë dhe ndihma monetare evropiane, por që njëkohësisht të mos ia kthejë shpinën aleatit të saj që dikur ia përkrahte krimet e shkaktuara nëpër vendet e ish-Jugosllavisë. Serbia tani nuk i është bashkuar Evropës me sanksionet ndaj pushtetit rus. Kurrë nuk e kam pasur të qartë këtë dyfytyrësi të Perëndimit dhe nuk e kam as sot.
Sipas logjikës sime, në situatën gjeopolitike në të cilën ndodhemi sot si vende evropiane, nuk mund të mbahet qëndrim neutral dhe të llogaritet në shpërblimet e projekteve monetare të Evropës Perëndimore. Tani është koha për të qenë ose me agresorin ose kundër tij, ngase një rrugë tjetër e mesme për stabilitetin evropian nuk ka.
Pas gjithë kësaj që po ndodh në Ukrainë dhe së cilës fundi ende nuk i dihet, një qasje normaliteti me Rusinë druaj se do të kërkojë me dekada kohë për t’u arritur. Lufta e Ftohtë u bë përkundër faktit se shtetet perëndimore dhe Rusia ishin aleatë në luftimin e Gjermanisë naziste. Sot e kemi një agresion rus ndaj një shteti sovran me qasje demokratike dhe pro-perëndimore. Kjo Lufta e Dytë e Ftohtë Botërore, siç e quaj unë, mendoj se do të jetë edhe më e ftohtë sesa ajo e para. Kjo pasi që tashmë ndërlidhshmëritë ekonomike dhe financiare botërore janë shumë më të ndërlidhura, sesa që ishin në shekullin e kaluar. Kësisoj, Rusisë medoemos do t’i nevojiten shumë vjet për t’i ndërruar kursin dhe mendësinë.
Disa nga ju lexues të nderuar të Ditarit tim mund të ma shihni për të madhe që kohëve të fundit jam marrë kryekëput me temën e agresionit rus në Ukrainë. E kuptoj edhe atë lloj kritike, mirëpo i mbes besnik bindjes sime se pikërisht kjo luftë është ajo që do ta shënojë një rirreshtim të ri të rendit botëror e edhe të vendeve demokratike perëndimore, pjesë dhe rrjedhë e së cilave Republika e Kosovës mëton që të jetë. E ne duhet që të vazhdojmë të jemi të vëmendshëm dhe vigjilentë për të gjitha këto rrethana, sepse djalli fshihet në detaje.