OpEd

Kundërthëniet brenda BE-së dhe ndikimi në terren (3)

Njohja e Kosovës nga pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) mbetet një çështje kyçe për stabilitetin dhe të ardhmen e rajonit. Aktualisht, qëndrimet kontradiktore të disa shteteve të BE-së lidhur me njohjen e Kosovës kanë penguar një proces të qartë dhe të unifikuar të integrimit të Kosovës në institucionet ndërkombëtare dhe të sigurimit të një paqeje afatgjatë në Ballkanin Perëndimor. Për këtë arsye, është jashtëzakonisht e nevojshme që ky qëndrim evropian të ndryshohet në përputhje me opinionin juridik të GJND-së dhe përqendrimi të jetë te njohja dhe jo te asociacioni, pasi ky i fundit vetëm sa e dezintegron shtetin e Kosovës

Përkundër pretendimeve të BE-së për masat e përkohshme dhe të bazuara në zhvillimet në terren, kundërthëniet brenda bllokut dhe ndikimi i aleatëve të Serbisë, si Viktor Orbani, kanë komplikuar çdo mundësi për heqjen e këtyre masave. Në anën tjetër, Serbia vazhdon të refuzojë të sjellë para drejtësisë përgjegjësit e sulmit në Banjskë, duke injoruar thirrjet për drejtësi, edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Për të kapërcyer këtë situatë të ngarkuar dhe të paqartë, Kosova duhet të rishikojë strategjinë e saj dhe të forcojë bashkëpunimin me aleatët perëndimorë, veçanërisht me SHBA-në, si aktori kryesor në dialogun Kosovë-Serbi. Një qasje pragmatike dhe konstruktive, që synon njohjen reciproke si pjesë e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, është mënyra e vetme që mund të sigurojë stabilitet dhe integrim të plotë të Kosovës në komunitetin ndërkombëtar.

Fakti që pesë shtete anëtare të BE-së nuk e njohin ende pavarësinë e Kosovës, e bën të qartë se politika e Brukselit është e pamjaftueshme dhe e paqartë. Ky ndikim i njëanshëm është një pengesë serioze për proceset e paqes dhe stabilitetit në rajon, dhe minon ndjeshëm të ardhmen e dialogut Kosovë-Serbi. BE-ja ka dështuar të zbatojë një politikë që është në harmoni me parimet e saj të vetëdeklaruara të paqes dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Përkundër rëndësisë së Kosovës në stabilizimin e Ballkanit, BE-ja ka zgjedhur një qasje minimaliste dhe jo ambicioze në zgjidhjen e këtij konflikti. Marrëveshjet e propozuara deri tani janë formuluar për të lehtësuar pranimin e Serbisë pa imponuar detyrime të qarta që do të siguronin një zgjidhje afatgjatë dhe të drejtë për të dyja palët. Kjo dobësi i ka afruar disa shtete të BE-së me politikën e Rusisë dhe aktorëve të tjerë autokratë.

Paradoksalisht, politikat e BE-së në raport me Kosovën kanë kontribuar në përhapjen e ndikimit rus dhe serb në rajon. Pas investimeve të mëdha të BE-së dhe NATO-s për stabilizimin e Ballkanit, mungesa e njohjes së pavarësisë së Kosovës është një pengesë për integrimin e plotë të rajonit në bashkësinë ndërkombëtare.

Njohja nga pesë vendet e BE-së e ndihmon dialogun e Brukselit

Nëse dialogu i Brukselit në dy vjetët e parë prodhoi disa marrëveshje të vlefshme, në dhjetë vjetët e fundit ai ka qenë stagnues dhe pa ambicie. Që ky dialog të ketë kuptim dhe të ketë sukses, atëherë duhet ndryshuar qasja, një herë njohja nga pesë vendet e BE-së në përputhje me opinionin e GJND-së, pastaj rikthim të dialogut nën drejtimin e BE-së, më pas asociacioni dhe marrëveshja Kosovë-Serbi. Për më tepër, dështimi i BE-së dhe OKB-së në luftërat në ish-Jugosllavi shtroi nevojën e themelimit të Grupit të Kontaktit më 1994, në mënyrë që problemi, ngjashëm si tani me BE-në, të nxirrej jashtë OKB-së, ku nuk ekzistonte vullnet dhe vendosmëri për zgjidhjen e problemeve dhe konflikteve në ish-Jugosllavi. Natyrisht, pa njohje edhe nga 5 vendet anëtare të BE-së, jo vetëm se nuk mund të ketë përparim të dialogut për normalizim, por as nuk është reale të pritet ndonjë hap thelbësor drejt anëtarësimit në BE dhe në NATO.

Njohja e Kosovës nga pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) mbetet një çështje kyçe për stabilitetin dhe të ardhmen e rajonit. Aktualisht, qëndrimet kontradiktore të disa shteteve të BE-së lidhur me njohjen e Kosovës kanë penguar një proces të qartë dhe të unifikuar të integrimit të Kosovës në institucionet ndërkombëtare dhe të sigurimit të një paqeje afatgjatë në Ballkanin Perëndimor. Për këtë arsye, është jashtëzakonisht e nevojshme që ky qëndrim evropian të ndryshohet në përputhje me opinionin juridik të GJND-së dhe përqendrimi të jetë te njohja dhe jo te asociacioni, pasi ky i fundit vetëm sa e dezintegron shtetin e Kosovës. Mbi këto premise, është e pritshme që të arrihet progres i prekshëm në proceset e integrimit evropian dhe, më pas, sukses në dialogun e Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo do të thotë se njohja nga pesë vendet e BE-së është ajo që do të ndihmojë progresin në dialogun e Brukselit, dhe jo e kundërta, siç shpesh e përsërisin burokratët ndërkombëtarë për ta bërë këtë një zakon retorik.

Njohja e Kosovës nga këto pesë shtete të BE-së, para se të vazhdojë dialogu me Serbinë, është jetike për arsye strategjike të mëposhtme:

-          Njohja nga pesë vendet e BE-së e ndihmon anëtarësimin e Kosovës në NATO

Njohja e Kosovës nga shtetet që ende nuk e kanë bërë këtë hap është një parakusht për integrimin e Kosovës në NATO. Pa njohjen ndërkombëtare të plotë, përfshirë atë nga shtetet kyçe të BE-së, rruga për të siguruar anëtarësimin e Kosovës në NATO mbetet e bllokuar. Anëtarësimi në NATO është një hap i rëndësishëm për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës dhe të gjithë rajonit, duke garantuar mbrojtjen kolektive dhe paqen afatgjatë. Kur Kosova pranohet nga të gjithë anëtarët e BE-së, kjo do të forcojë legjitimitetin e shtetit dhe do të mundësojë një dialog më të sinqertë dhe më të drejtë.

-          Njohja nga pesë vendet e BE-së e evropianizon rajonin e Ballkanit Perëndimor

Njohja e Kosovës është një hap thelbësor në procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE. Pa një njohje të plotë të Kosovës, procesi i zgjerimit të BE-së mbetet i fragmentuar dhe i pasigurt, duke cenuar stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik të rajonit. Njohja do të krijonte mundësi për një integrim më të shpejtë dhe më të thellë të Kosovës dhe të shteteve të tjera të rajonit në strukturat evropiane, duke përmirësuar ndjeshëm bashkëpunimin dhe qëndrueshmërinë e Ballkanit Perëndimor.

-          Njohja nga pesë vendet e BE-së e ndihmon arritjen e marrëveshjes finale për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi

Njohja e Kosovës nga këto shtete do të hapte mundësitë për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obligative të qëndrueshme për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Njohja e plotë e Kosovës do të evitonte taktikat zvarritëse dhe manovruese të Beogradit në dialogun e Brukselit, pasi hapja e perspektivës për integrim euroatlantik të Kosovës do ta bënte të parëndësishëm dhe do ta margjinalizonte rolin e Beogradit dhe në të njëjtën kohë do të kuptohej nga të gjithë se Kosova mund të jetojë edhe pa njohe nga Serbia. Në fund të fundit, shtetësia e saj nuk varet nga marrëveshja e normalizimit. Shembull për këtë shteti i Izraelit, i cili jeton edhe pa njohje nga Irani.

-          Kosova dhe Palestina: Qasja me dy standarde e BE-së                                                       

Bashkimi Evropian, për të cilin kosovarët ende kanë pritshmëri të larta, ndoshta edhe për faktin se jemi një popull dhe vend evropian, dëshmon për probleme të thella të brendshme kur pesë nga shtetet e saj anëtare, me ndonjë përjashtim të rrallë, kanë përvetësuar qasje të ngjashme me atë ruse dhe serbe për çështjen e shtetësisë së Kosovës, në vend që të ndjekin modelin amerikan dhe atë të 22 vendeve të tjera anëtare të BE-së që e kanë njohur Kosovën.

Për më tepër, BE-ja, ndryshe nga Kosova, trajton Palestinën si shtet, megjithëse ajo është njohur vetëm nga 10 shtete anëtare të unionit, ajo i njeh, po ashtu, simbolet e Palestinës dhe ka pranuar akreditimin e ambasadorit palestinez në Bruksel. Në nëntor të vitit 2024, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, gjatë pranimit të letrave kredenciale të ambasadores palestineze nga presidenti Abas, në platformën X shkroi: “BE-ja ka qenë gjithmonë një mbështetëse e fortë e shtetësisë palestineze dhe e ndërtimit të institucioneve të saj.” Me një qasje të tillë shumë diskriminuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, së cilës  nuk i njihen atributet shtetërore, duke mos i njohur as simbolet dhe të drejtën të ketë ambasador të Kosovë pranë BE-së, është joserioze dhe aspak bindëse pritja se Brukseli  mund t’ia imponojë Serbisë kërkesën për njohje, për aq koha sa një gjë e tillë nuk ndodh nga vetë shtete anëtare të BE-së. Sipas kësaj qasjeje, BE-ja po e trajton Kosovën ende si të ishte ajo në fazën e para adresimit të statusit final dhe kështu pavarësinë e mban në inkubacionin e moratoriumit të pa afat.

Për të qenë edhe më skandaloze, në BE ishte manifestuar nervozë dhe një lloj xhelozie kur Kosova mbi bazën e marrëveshjes së Washingtonit e mori njohjen nga Izraeli. Ky qëndrim me dy standarde, ku BE-ja në njërën anë mbështet shtetësinë e një vendi në Lindjen e Mesme, ndërsa në anën tjetër mohon ekzistencën e shtetit të Kosovës, një vendi evropian, paraqet dështimin të madh të Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së në dy dekadat e fundit.

Prandaj, BE-ja, nëse vërtet e dëshiron suksesin në dialogun Kosovë-Serbi, po ashtu, duhet të heqë dorë nga e normalizimit të idesë së mosnjohjes, ngase një qasje e tillë minon suksesin e Perëndimit dhe të BE-së në rajon dhe veçanërisht në Kosovë dhe si e tillë pengon integrimin e rajonit dhe afrimin e tij më të shpejtë me BE-në. Vazhdimi i qëndrimeve të paqartë për Kosovën dhe mbështetja e pozitave të ndryshme nga shtetet anëtare, veçanërisht nga ato që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, krijon një hendek të thellë mes qëndrimeve të Brukselit dhe realitetit politik të Kosovës, duke krijuar pasoja negative për të gjithë rajonin. Nëse BE-ja nuk do të jetë në gjendje të veprojë e bashkuar për Kosovën, atëherë ajo do të bëhet e parëndësishme dhe pa ndikim jo vetëm aktor global, por as rajonal. Derisa përfaqësueses së lartë për politikë të jashtme dhe siguri të BE-së, Kaja Kallas, i nevojitet konsensusi i të gjitha vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për të marrë një vendim për Ballkanin apo Kosovën, një emisari amerikan i mjafton vetëm një adresë: Shtëpia e Bardhë në Washington, e cila që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë vazhdon të jetë më e rëndësishmja për rajonin, veçanërisht për Kosovën.

Për më tepër, me qasjen e deritanishme të BE-së në dialogun e Brukselit, e cila nuk shkon përtej mirëmbajtjes së një status quoje politike, pritshmëritë për arritjen e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet palëve, ashtu siç ishte përcaktuar në rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në shtator 2010, mbeten të ulëta.

Një situatë e tillë, natyrisht, imponon natyrshëm nevojën për një paradigmë të re në dialogun e Brukselit, ashtu siç ndodhi në Dejton, Rambouillet dhe Vjenë, ku proceset paqësore u zhvilluan nën drejtimin dhe dinamikën e diplomacisë amerikane. Sidoqoftë, që një skenar i tillë të ndodhë edhe në dialogun e Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kjo mbetet e kushtëzuar nga epilogu dhe mënyra e zgjidhjes së krizës në Ukrainë. Vetëm një kundërpërgjigje e fuqishme amerikane ndaj vendeve armiqësore që kërcënojnë të minojnë sigurinë e rajonit dhe pamundësojnë etablim të suksesshëm të Perëndimit në rajon dhe në Kosovë, i jep shans të ri dialogut të Brukselit dhe bashkë me të edhe qasjes asimetrike të BE-së ndaj shtetit të Kosovës.