Bandat serbe u futën në fshat. Kë gjetën nëpër shtëpi e vranë. Madje edhe njerëz të palëvizshëm. Ia futën flakën thuajse secilës shtëpi. Dhe, natyrisht shkollës. I zunë 23 anëtarë të familjes Deliu. I vranë që të gjithë. Por, jo pa i torturuar në formën më çnjerëzore të mundur. Nëntë ishin gra. Pesë ishin fëmijë. Më e vogla ndër fëmijët kishte qenë Dituria, gjashtëjavëshe. Ajo e vetmja e mbijetoi masakrën e mbrojtur nga trupi i nënës. Por, nuk i shpëtoi vdekjes. Dy muaj më vonë do të vdiste në Likoc
Mjerimi i një bote... Dështimi i një ndërmjetësimi... Qyqarllëku i një ushtrie
Tre tituj të një balline me tri fotografi. Dy edhe nuk çojnë aq kandar. E madhja të lë pafrymë e të pafjalë: është e një djaloshi, të veshur me xhaketë që ia mbulon kokën, me duart e çuar, sikur kur fle foshnja. Posa i kishte mbushur dy vjet dhe quhej Valmir. E kishte fytyrën e përgjakur dhe rreth qafës mbante cucllën mashtruese. Nuk flinte. E kishin vrarë.
Gazetën “KOHA Ditore” të datës 30 shtator 1998 e kishim marrë me vete. Si përherë që dilnim në terren. Blinim bile nga dhjetë kopje dhe i fshihnim nën ulëset e veturës, bashkë me bateri të të gjitha madhësive. Ritualin e ruajtëm deri në ditën e fundit kur dolëm në terren, dy ditë para bombardimit.
Atë ditë ishim nisur në Drenicë, prapë. Por, kësaj radhe nuk ishim shumë të sigurt se duhej shpërndarë gazetën. Bateritë po. Ishin shpëtim për ata që kishin marrë transistorët me vete në mal dhe mbanin kontaktin me botën duke dëgjuar se çfarë raportonin mediumet që kishin shqiptarë të punësuar si korrespondentë lufte. Të dëgjosh rrëfim ishte tjetër. Ta shihje foton e djaloshit ishte mbytëse.
Ballinën e kisha parë një natë më parë, derisa përgatitej gazeta për shtyp, ndërkohë që me ekipin e ARTËS, portalit të KOHËS, i përgatisnim lajmet në anglisht. Tronditja që ma shkaktoi më la pa gjumë.
* * *
Ofensiva e shtatorit e pasoi atë të korrikut dhe kësaj radhe ishte më agresive dhe më e përgjakshme. Në Drenicë tashmë ishte shumë më evidente prezenca e ushtrisë krahas policisë dhe paramilitarëve. Vetë përqendrimi i tankeve dhe i artilerisë dhe rrethimi i një pjese të madhe të Gllogovcit tregonte se kësaj radhe agresioni do të ishte edhe më i fuqishëm. Forca, e cila u bënte ballë, nuk mjaftonte. Njësitet e UÇK-së vazhdonin me luftën guerilje dhe me kurthimin e veturave të policisë me mina antitank që “mbilleshin” nëpër rrugët e dheut.
Më 25 shtator 1998, merret vesh për sulmin ndaj një veture të policisë serbe. Në lëvizje prej Abrisë së Epërme për në Likoc, vetura shkeli në minë dhe pesë policë u vranë. Pasoi hakmarrja, ndër më të tmerrshmet që u regjistruan gjatë luftës në Kosovë. Lëvizja e shpejtë e ushtrisë dhe policisë bëri që popullata e mbetur në fshatrat e veta të gjente strehim nëpër pyje e shkurre, kudo, larg shtëpive të tyre. Thuajse të gjitha mëhallët e Abrisë së Epërme ishin boshatisur.
Bandat serbe u futën në fshat. Kë gjetën nëpër shtëpi e vranë. Madje edhe njerëz të palëvizshëm. Ia futën flakën thuajse secilës shtëpi. Dhe, natyrisht shkollës.
I zunë 23 anëtarë të familjes Deliu. I vranë që të gjithë. Por, jo pa i torturuar në formën më çnjerëzore të mundur. Nëntë ishin gra. Pesë ishin fëmijë. Më e vogla ndër fëmijët kishte qenë Dituria, gjashtëjavëshe. Ajo e vetmja e mbijetoi masakrën e mbrojtur nga trupi i nënës. Por, nuk i shpëtoi vdekjes. Dy muaj më vonë do të vdiste në Likoc.
* * *
Vjeshtë.
Thonë se ngjyrat e vjeshtës janë të bukura. Ndoshta. Shiu, fryma e mjegulla i kishin zhvendosur gjethet në tokë. Sa më shumë mbushej toka, aq më shumë zhvisheshin drunjtë dhe aq më pak vendstrehime mbesnin.
Lugina e Kishnarekës për dallim nga ana tjetër e asfaltit ishte ndryshe. Banorët e dinin mirë se strehimin më të “sigurt” do të mund t’ua jepte bjeshka e Berishës. Aty ku kisha rastisur të shihja një “shleper” përplot me miell në mes të malit. Para se të kriste lufta, dikujt i kishte rënë ndërmend ta çonte kamionin atje. E kur krisi, kishte marrë familjen dhe me traktor ishte “avitë” te kamioni. Kamioni u tregua shumëfunksional: edhe jepte ushqim, por edhe shërbente si “hotel” – ishin kryesisht fëmijët ata që flinin mbi thasët e miellit. Derisa u harxhua.
“Qyteti i najlonit” ishte mbushur lloç e gjethe. Netët po bëheshin përherë më të ftohta, e gjasat për t’u kthyer nga kishin ardhur po zhdukeshin një nga një. Ofensiva nuk ndalej, e më të nuk pushonin as djegia e pashpirt dhe shkatërrimi i objekteve të banimit.
Serbët, shumë më të fortë dhe të pajisur me gjithfarë armësh e mjetesh kimike, kishin kohë të mjaftueshme eksperimentimi. Sikur në Tërdevc. Pas ofensivës, në shikim nga jashtë dukej thuajse asgjë nuk kishte ndodhur. Por, bloza që të ngjitej në duar posa e hapje një derë, ta shpaloste dimensionin e efektit të fosforit të spërkatur: asnjë pllakë kati nuk i kishte bërë ballë temperaturës së lartë. Shtëpitë ishin të papërdorshme. Madje edhe të rrezikshme, sepse mund të shembeshin në çdo çast.
Hymë në lug nga ana e Kishnarekës dhe mbërritëm me xhipa deri diku nga gjysma e shtegut që çonte në Fshat të Ri. Me vete kishim përfaqësuesen amerikane në Bordin Ekzekutiv të UNICEF-it, znj. Maureen White, nënë e katër fëmijëve. Për ne ishte me rëndësi ta shfrytëzonim vizitën e saj për të lobuar për më shumë fonde për Kosovën. Për të vizita u kthye papritur në njëfarë ankthi. Derisa po qëndronim në mal, dëgjoheshin shpërthime e të shtëna. Në bazë të orientimit, shpërthimet vinin nga drejtimi i Malishevës. Por, lehtë kanë mundur të vinin edhe nga ana e Gllogovcit.
Tashmë ishim mësuar me krisma sa herë që dilnim në terren. Sikurse edhe “banorëve” të lugut, as neve nuk është se na shqetësonin shumë. Por ajo u tmerrua. Pas gjithë mjerimit që kishte parë dhe tmerrit që kishte dëgjuar, vendosi që vizita të përfundonte. Ndër lot, i përmendte fëmijët e saj. Nuk e fajësonim pse frikohej. Fundja kjo nuk ishte lufta e saj.
* * *
Gazetat vendosëm të mos i shpërndanim. Zymtësinë nuk kishim pse ta shtonim me një foto kaq tronditëse. Posaçërisht duke ditur se pjesa më e madhe e “banorëve” të lugut ishin fëmijë.
Zonjën White e përcollëm deri tek asfalti, dhe ajo vazhdoi tutje me veturë diplomatike për në Prishtinë. Ne u nisëm në drejtim të Gllogovcit për t’iu bashkuar ekipit mobil që qarkullonte mes Tërdevcit dhe Obrisë.
Erdhëm te kryqi i Komoranit dhe pa ndonjë telash u futëm rrugës për në Gllogovc. Nuk kishte thuajse fare qarkullim, pra edhe nuk e patëm vështirë që pasi i kaluam shinat të afroheshim te kthesa që do të na çonte në Abri.
Posa deshëm të ktheheshim nga e majta, u aktivizua radiolidhja që kishim në veturë. Kryesisht kurrë nuk na kishte kryer punë, as kur ishim në rrezik. E befasishme qe që funksionoi dhe pikërisht në Drenicë.
Na lajmërohej baza e UNHCR-së me një instruksion të qartë: që për asnjë shkak të mos largoheshim nga asfalti. Një veturë e Kryqit Kuq Ndërkombëtar kishte shkelur në minë, në rrugën Abri-Likoc.
Ramë në kontakt me Gazmend Bunjakun, Gazin tonë, i cili gjendej në Tërdevc. U morëm vesh që të kthehej me gjithë mjekët e infermierët, sepse dita e terrenit kishte mbaruar para kohe. Posa kishte kaluar mesdita. I thamë se e prisnim në Gllogovc. Dalëngadalë dhe në kontakt çdo dhjetëminutësh me bazën, ekipi mbërriti.
Gazi doli prej veturës. E ndezi një. Iu bashkova edhe unë. “A di gjë?”, e pyeta. “Jo, dhe nuk po di as ku me pyet”. Vendosëm të ktheheshim në Prishtinë dhe të prisnim lajme. I thashë që të ecte i pari, kurse ne me Fatmirin do ta përcillnim në veturën e dytë. Diku nga Korrotica e Epërme, Gazi u dëgjua në radiolidhjen mes veturash: “Linda ka qenë në kerr”.
Mirlinda Bunjaku, motra e Gazit dhe shoqja ime e fëmijërisë, që nga fillimi i luftës punonte në Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq. Atë ditë ishte nisur së bashku me dr. Shpëtim Robajn, dr. Ilir Tolajn dhe infermieren Meggie, e cila e ngiste xhipin për në Likovc. Ishin nisur për t’iu dhënë ndihmë të plagosurve që kishin pësuar kur ndodhi masakra e Abrisë.
Kur e kishin kuptuar se kishin hyrë në shteg të minuar, Meggie ishte munduar ta kthente xhipin mbrapa duke shkelur mbi gjurmët që gomat kishin lënë në shteg. Shpëtimi dhe Iliri e kishin hapur derën e prapme për t’i dhënë instruksione nga të ecte. Megjithatë, nuk e shmangën minën. Vetura u hodh në ajër, duke katapultuar jashtë veturës të dy mjekët. Linda e Meggie do të mbesnin të ngujuara në veturën e cila tashmë ishte ndalur me tavan përtokë.
Linda arriti të dilte nga vetura nëpër dritaren që mezi hapej, ndërkohë që Meggie, Iliri dhe Shpëtimi pësuan lëndime të konsiderueshme. Lëndimet e Shpëtimit nga përplasja, megjithatë, ishin shumë më serioze. Ndihma me helikopterë arriti me tri orë vonesë. Nuk mbijetoi.
* * *
Lindën do ta takonim pas një ore në spital. Ishte në këmbët e veta. Shumë e tronditur dhe në vaj. Shpëtimi, që kishte qenë ndër mjekët kyç për organizimin e spitaleve ushtarake në terren, vdiq para syve të saj, në përpjekjen për t’i shpëtuar ata që kishin parë vdekjen me sy.
Ngjyrat e vjeshtës u zhdukën. I kishte hëngër e zeza.