OpEd

Kujtim lufte 25 vjet pas (5)

Me të hyrë në oborr, thuajse shkela në një dimension e vend tjetër në hapësirë. Vetëm njëra shtëpi brenda mureve kishte mbetur e paprekur. Të tjerat o nuk kishin mure, o nuk kishin shkallë përbrenda, o nuk kishin kulm e diku-diku as tavan. O nuk kishin asgjë. O s’ishin më

Kisha vendosur që këtë javë t’u kthehesha zgafelleve “klasike” e të merresha me atë që kishte ndodhur në disa javët e fundit, megjithatë përkujtimi i djeshëm i masakrës së Pastaselit, më ktheu sërish 25 vjet pas.

Shtegtimi im shumëvjeçar nëpër fshatrat e Kosovës ma kishte zbuluar një gjë për të cilën nuk kisha qenë e vetëdijshme më herët: toponimia e fshatrave kosovare thuajse në shumicë kishte rrënjë sllave, pavarësisht faktit se në të shumtën e lokaliteteve, shumicën absolute të popullatës e bënin shqiptarët. Kështu ishte puna me shumicën e fshatrave të Rahovecit dhe me vetë emrin e Rahovecit.

Jo rrallë do t’ia përmendja këtë fakt nënës sa herë që kthehesha prej terrenit – se kisha vizituar këtë apo atë fshat, e që kishte emërtim sllav, emër që më pas do të shtrembërohej e disi do t’i përshtatej një shqipe të çalë, me asnjë kuptim të vetëm.

Nëna më thoshte se ky kishte qenë rezultat i punës së Jovan Cvijiqit, gjeografit e etnologut serb, që kishte qenë kryetar i Akademisë Mbretërore serbe të shkencave dhe rektor i Universitetit të Beogradit. Ishte përkrahës i ekspansionizmit serb në dëm të tokave shqiptare. Pra asgjë e jashtëzakonshme nga një anëtar i një akademie famëkeqe që asimilimin, diskriminimin dhe dëbimin etnik i kishte arsye të ekzistencës.

* * *

Elementet thelbësore të ekzistencës së akademisë u përvetësuan nga policia dhe ushtria serbe. Ndërkohë, ato u “pasuruan” edhe me një veçori: eksterminimin e të gjithë atyre që nuk ishin serbë, e në rend të parë shqiptarët.

Deri në fillimin e sulmeve të NATO-s ishin shënuar disa masakra me numër të madh viktimash. Krimet më makabre ndodhën gjatë kohës së bombardimit, kur në Kosovë më nuk kishte dëshmitarë të huaj. E një nga to, me 106 njerëz të pushkatuar kishte ndodhur në atë që ishte zyrtarisht i shënuar si Pusto selo, i quajtur Pastasel nga fshatarët, kurse tash i evidentuar në faqen zyrtare të komunës si Pastasellë.

Rahoveci ra më 19 korrik, kurse Malisheva një javë më vonë, së bashku me Grykën e Llapushnikut. Kjo nënkuptonte se tash rruga Prishtinë–Pejë ishte hapur për depërtimin e makinerisë ushtarake e luftarake të serbëve, përderisa synimi ishte të merreshin Deçani me Gjakovën. Natyrisht, me marrjen e kësaj ane nën kontroll, ndalej edhe depërtimi i armatimit nga Shqipëria, që kalonte nëpër fshatrat malorë Gjocaj e Jasiq.

Juniku ra më 16 gusht 1998. Trupat e UÇK-së u tërhoqën nga fshatrat e Gjakovës. Fshati, i cili atëherë kishte qenë më i madhi në Kosovë, me 900 shtëpi e rreth 12 mijë banorë, u mor nën kontrollin e ushtrisë serbe. Në fshat, që nga ofensiva, kishin mbetur krejt pak banorë, për të mos thënë asnjë. Shumica ishin larguar për në fshatrat e Gjakovës, si dhe në Isniq, Prapaçan e Broliq të Deçanit.

* * *

Një muaj më vonë, na u lejua hyrja në Junik. Më 18 shtator, u nisëm me detyrën për të kuptuar se çfarë po ndodhte aty. Propaganda serbe, trushpëlarëse, trumbetonte se rendi dhe rregulli ishin kthyer në Junik dhe se gjithçka ishte në rregull. Për pasojë, njerëzit do të mund t’u ktheheshin menjëherë shtëpive të tyre.

I ramë rrugës nga Peja dhe pa ndonjë telash arritëm në Deçan. Qyteza ishte “e vdekur”, me pak lëvizje njerëzish dhe me plot policë të përqendruar te stacioni i Policisë, pak para kthesës që çonte në Manastirin e Deçanit, nëse ende më mban mirë kujtesa. E vazhduam rrugën drejt Gjakovës, kaluam bri Rastavicës e kthyem nga Baballoçi – “kibuci i Buba Morinës” – siç e quanim, një lagje me një duzinë shtëpish, që ishin ndërtuar për kolonët serbë të ardhur nga Kroacia. Nuk kishte njeri aty... kush e di nga ishin larguar.

Me t’u afruar hyrjes në Junik, së pari na ndali një patrullë policore, më pas e kaluam një postbllok policor, për të arritur te postblloku ushtarak në hyrje në fshatit. Dallimi mes policëve dhe ushtarëve ishte diametral: policët ishin të vrazhdë në sjellje, të veshur shkujdesshëm dhe të parruar. Nuk flisnin. Bërtisnin. Ushtarët ishin të rinj, edhe këta të parruar, por pse s’kishin çfarë të rruanin në fytyrat djaloshare. Teni i lëkurës krejtësisht i zbehtë ishte kontrast i madh me bojëkafenë e fytyrave të përzhitura të policëve. Këta nuk flisnin. Me gjeste tregonin drejtimin nga duhej shkuar.

Mbërritëm te “Qendra për shpërndarjen e ndihmave humanitare”, që kishte hapur qeveria e Millosheviqit. Na priti një malazez, i Deçanit me gjasë, e na tregoi se si njerëzit po ktheheshin vullnetarisht dhe se për një muaj tashmë ishin kthyer 120 familje. Na tregoi se si shkollat dhe ambulanca (që të gjitha ishin në anën e djathtë të fshatit) ishin të paprekura dhe se fëmijët mund të shkonin në shkollë.

Donim t’i shihnim objektet. Nuk na lanë. Ushtria ishte vendosur në to dhe nuk lejohej kalimi në zonën ushtarake.

Deshëm të shkonin nga e majta, drejt Batushës. Nuk na lanë. Na thanë se “operacionet e spastrimit” po zhvilloheshin në Batushë e Kosharë. Njëmend dëgjoheshin të shtëna sporadike, por nuk mund të thuhej se kishte shkëmbim intensiv zjarri.

* * *

Vendosëm të dilnim prej aty. Ishte e pështirë të shihej i gjithë ai inskenim humanizmi e përkujdesjeje të shtirur për viktimat e dhunës të po atij pushteti.

Shiu vetëm sa e bënte edhe më të pikëlluar pamjen e Junikut, që me kullat e veta muzeore, në rrethana e kohë të tjera, do të ishte atraksion i njëmendtë turistik.

Megjithatë, nuk do të largoheshim pa u takuar bile me ndonjërin që kishte vendosur të kthehej. Nga ana e djathtë e rrugës, ishte vargu i shtëpive që mbroheshin me mure të larta. Na thanë se tri familje ishin kthyer në lagjen që kishte nja 26 shtëpi.

Me të hyrë në oborr, thuajse shkela në një dimension e vend tjetër në hapësirë. Vetëm njëra shtëpi brenda mureve kishte mbetur e paprekur. Të tjerat o nuk kishin mure, o nuk kishin shkallë përbrenda, o nuk kishin kulm e diku-diku as tavan. O nuk kishin asgjë. O s’ishin më.

Në asnjërën mbetje të shtëpisë, rezultat i “spastrimit me tanke”, nuk mund të gjendej as një orendi e vetme. E megjithatë, të kthyerit ia kishin bërë disi të vendoseshin.

Dy familje të gjera numëronin nga mbi 20 anëtarë secila dhe kishin vendosur të ktheheshin pasi që ishin zhvendosur pesë herë derisa kishin arritur në Gjakovë, prej nga kishin ardhur. Ishin pishman që ishin kthyer, ndiheshin, sërish të prerë në besë.

Menjëherë pas rënies së Junikut, serbët kishin organizuar transportimin e pleqve nga Gjakova për në Junik, për t’i bindur që të ktheheshin në fshat. Ishin aq perfidë, sa kishin përzgjedhur njerëzit shtëpitë e të cilëve nuk kishin pësuar apo edhe kishin pësuar krejt pak dëme. I sollën, ua treguan shtëpitë dhe i kthyen pas që t’i bindnin të tjerët që të ktheheshin. U kthyen ata që ishin më së shumti në zor dhe me shumë anëtarë që bëheshin barrë për nikoqirët kudo që ishin dyndur. U kthyen në tokën e tyre, por jo edhe në shtëpitë e tyre.

* * *

Me të dalë nga dera e madhe e pamë një grua në moshë. Në mes të rrugës dhe me lot në sy. U afruam për të pyetur në mos ishte sëmurë e në mos kishte nevojë për ndihmë: “O jo bre, s’un ëm ndihmon. Më ka hupë lopa... jam kah e lypi kahmos, po s’po e gjej”, dëneste. Njëra nga familjet e mëdha, që i kishte ofruar strehim gruas, që të vetmen shoqëri e kishte lopën, e kishin gjetur një, prej shumë sish, që ishin shpërndarë gjithandej gjatë luftimeve. Ia kishin dhënë duke menduar se mund ta mashtronin disi. “Nuk o kjo lopa jeme. E kqyri, se gjynah, po s’o e jemja. S’kâm qare pa e gjetë”, fliste me zë të thyer.

Tregonin se përditë shkonte livadheve andej kah Kosharja për ta gjetur lopën. Për çdo pasdite kthehej e pikëlluar. Lopa ishte krejt çfarë kishte, shumë më e vlefshme edhe se shtëpia që më nuk ishte.

* * *

U nisëm rrugës së asfaltit për të dalë nga fshati, kur papritur nga kthesa dhe në mes të rrugës na u shfaqën dy pleq. Burri ishte bërë dyfish dhe mezi mbahej për një bastun, kurse gruaja përpiqej ta ndihmonte për të ecur. Dolëm nga vetura dhe praktikisht e mbajtëm burrin për krahësh, e shkallëve lart, për në shtëpinë e tyre.

Shtëpia ishte e ftohtë, e zymtë dhe e paajrosur. Kishte qenë e mbyllur mbi pesë muaj.

Nuk e kishin përjetuar fillimin e luftës në Junik, sepse kishin qëlluar në Gjakovë te vajza. Burri plak kishte qenë i sëmurë dhe i kishte kaluar nja katër muaj në spital.

Pas pesë muajsh, e mbasi i kishin pa në televizor se njerëzit kishin nisur të ktheheshin, kishin vendosur me i hipë autobusit e me u vendosë në shtëpi.

Rendi i shtëpive nga ajo anë e rrugës kishte shpëtuar i paprekur, për shkak se nuk kishte mure të larta mbrojtjeje. Ajo që shihej me sy nga rruga, dukej krejtësisht e paprekur. Të gjitha të tjerat, fillimisht ishin plaçkitur, e më pas edhe shkatërruar barbarisht.

Pasi plaku u ngop frymë dhe u qetësua, i pyetëm: “Pse jeni kthy?”.

Përgjigjja iu erdh prej fundit të barkut: “Për me dekë n’shpi”.

* * *

Dolëm nga Juniku krejtësisht të dëshpëruar me atë që kishim parë. Njerëzit që ishin kthyer praktikisht u gjetën në një kamp të madh përqendrimi. Pos që ishin të robëruar nga shumë uniforma, ishin të dënuar të jetonin në rrënojat e asaj që kishin ndërtuar me mundin e vet. Nuk e kishin asnjë siguri se nesër dikujt nuk do t’i kujtohej t’u hynte me ekskavator oxhaqeve të mbetura.

E shumë shpesh na thoshin në terren, ku ka oxhak në këmbë, do të ketë rindërtim e jetë...

Derisa mbërritëm në Pejë, pamë një numër të pafund traktorësh me targa të Kosovës. Që të gjithë kishin rimorkio, e këta ishin stërmbushur me makina larëse, shporete, televizorë, antena satelitore, dollapë, llamba e kauçë, e çka mos që do të mund të gjendej në një shtëpi të banuar. Krejt shkonin në një drejtim: një qendër grumbulluese aty nga Peja, ku më pas ngarkoheshin nëpër kamionë.

Këtyre askush nuk ua kërkonte lejen e qarkullimit. Ishin policë me uniforma kamuflazhi. Kjo ishte lufta e tyre.

[email protected]