Sikur të ishte film konspiracioni, me pëshpëritje që ma thau thuajse krejt fytin, i tregova se çfarë kisha parë dhe çfarë kisha biseduar me ushtarët në Abri. Ende më ushtonte ajo e fundit që ma thanë: “Kemi të plagosur dhe kemi nevojë për material shëndetësor”. Mjekët vendas tashmë ishin në qarkullim aty ku shfaqej nevoja. E pyeta Ganiun se a do të kishte mundësi të niste kontingjent materiali sanitar e barnash për atje. Përgjigje tjetër as nuk kam mundur të prisja: PO, e prerë. Qysh dhe kah, nuk e pyeta. Sa më pak njerëz që e dinin, aq më mirë... Ngado vinte era luftë. Ishte luftë
Një pjesë të madhe të fshatrave të Drenicës kisha pasur rastin t’i vizitoja më 1996-n, kur falë angazhimit të pashoq të dr. Gani Demollit dhe mbi 7 mijë aktivistëve të “Nënës Terezë”, u realizua fushata e vaksinimit masiv kundër paralizës së fëmijëve.
Ishin kohë tejet të këqija, nën kushte të okupimit, ndërkohë që Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe UNICEF-i e kishin shpallur fushatën për zhdukjen e polios. Duhej siguruar që në dy rrathë të vaksinoheshin të gjithë fëmijët e moshave 0-5 vjeç. Evidenca në shërbimin shëndetësor publik, nën administrimin e dhunshëm, ishte e mangët - shumë fëmijë as nuk ishin regjistruar e as nuk kishin marrë vaksinë ndonjëherë.
Në kushtet kur personeli mjekësor shqiptar ishte përjashtuar nga sektori publik, duhej bindur prindërit se vaksinimi ishte shpëtim për fëmijët e më pas duhej evidentuar fëmijët në secilin cep të Kosovës. Pra, për një kohë që nuk e besoj ta ketë kaluar dyjavëshin, 7 mijë aktivistët e “Nënës Terezë” shkuan derë më derë dhe i “gjetën” diku rreth 70 mijë fëmijë të asaj moshe që nuk figuronin në lista e që gjatë fushatës do të vaksinoheshin dhe do të regjistroheshin në librat amë të lindjes.
Në kohën kur po ndërmerrej i gjithë ky organizim, Ganiu bashkë me bashkëpunëtorët e tij më të afërm, prej të cilëve nuk do të ndahej deri në ditën e fundit, tashmë kishte hapur diku rreth 70 ambulanca nëpër thuajse të gjithë Kosovën. Shërbimet shëndetësore në to ofroheshin pa asnjë kompensim dhe i gjithë stafi mjekësor punonte në baza vullnetare.
Ganiu ishte çelësi i cili hapte shumë rrugë nëpër terren. Kështu ndodhi edhe në Drenicë. Në Gllogovc, tash Drenas, qysh më 1994 e kishte hapur ambulancën në shtëpinë e Selim Lekut, aktivist i “Nënës Terezë” dhe bashkëpunëtor i afërt i Xhemajl Bajramit, Bacës Xhemë, kryetarit të degës së “Nënës Terezë” aty. Disa muaj më vonë, me insistimin e dr. Hafir Shalës, do të hapej edhe ambulanca në Krajkovë, në shtëpinë e Halit Elshanit.
Dr. Shala kishte qenë student i Zagrebit dhe qysh atje kishte nisur të aktivizohej politikisht. U arrestua dhe u dënua. Mbas mbajtjes së burgut vazhdoi ta ushtronte profesionin në ambulancat në Drenas dhe Krajkovë. Do të ishte mjeku i parë që do t’u ofronte ndihmë të plagosurve në masakrat e Likoshanit dhe të Qirezit.
* * *
Kur ndodhi Likoshani e Qirezi, unë isha pjesë e ekipit të UNICEF-it. Kërkova leje nga eprorja ime që të shkoja në Drenicë. Lufta tashmë kishte shpërthyer. Të gjithë e kishim të qartë, pos agjencive të OKB-së. Na e ndaluan daljen në terren.
Pas ca ditësh ndodhi Prekazi. Raportet që vinin nga terreni, e më pas edhe fotografitë që u botuan në “KOHA Ditore”, dëshmonin për një krim kundër njerëzimit të përmasave që brezi im nuk i kishte përjetuar në tokë të veten. Vijonte ndalesa për të dalë në terren.
Situata me popullsinë civile filloi të komplikohej. Organizatat e OKB-së që vepronin atëbotë në Kosovë (UNHCR, UNICEF, WHO) mbështeteshin mbi shënimet e Kryqit të Kuq të Serbisë për numrin e personave të zhvendosur nga vendbanimet e tyre. Në mungesë të shefes japoneze unë mora pjesë në mbledhjen koordinuese.
Fillimisht nuk e kuptoja se çfarë po koordinonin në atë mbledhje. Më pas nuk mund ta besoja se mbështeteshin në shifra absolutisht të pasakta për të organizuar koordinimin e asaj që nuk e di se çfarë koordinonin. E kishim “Nënën Terezë” në terren – aktivistët e shoqatës e dinin me shumë saktësi se sa njerëz dhe ku ishin strehuar, sepse përkujdeseshin për të siguruar ushqim dhe pako sanitare. Nuk donin ta pranonin për partnere të besueshme. I besonin Kryqit Kuq të Serbisë.
Ishte hera e parë dhe e fundit që më lejuan të merrja pjesë në këto mbledhje.
Mediumet ndërkombëtare nisën të shkruanin me më shumë zell për këtë që po ndodhte në Kosovë, ndërkohë që organizatat ndërkombëtare rrinin të ngujuara nëpër zyrat e veta. Më në fund dikush nga New Yorku e thirri shefin në Beograd dhe e qortoi. Shefi ishte rus – aq i bënte atij për luftën. Por, qortimi mund t’ia rrezikonte karrierën. Erdhi në Prishtinë dhe kërkoi të dilte në terren.
E thirra Ganiun. Më udhëzoi që ta thërrisja dr. Pajazit Pllanën, shefin e degës së “Nënës Terezë” në Vushtrri dhe njëkohësisht mjek i ambulancës aty dhe në Mitrovicë. U morëm vesh me Pajazitin dhe ua mësymë fshatrave Dubovc e Galicë – edhe këto Drenicë. E udhëzova shefin rus që kishte ardhur me shoferin serb që të komunikonin vetëm në anglisht. Asnjë gjuhë sllave nuk ishte e mirëpritur as në atë trevë e as në ato rrethana.
Me mijëra refugjatë kishin kaluar në fshatrat e Vushtrrisë derisa të përfundonte operacioni i “spastrimit” në Prekaz. E ai operacion zgjati shumë, shumë kohë. Prekazi i Poshtëm te lagjja e Jasharëve nuk do të ishte i qasshëm për shumë kohë, kurse tehut të lagjes së Lushtakëve mund t’i afroheshim nga Prekazi i Epërm. Shtetrrethim i egër. Gjithkund era luftë.
* * *
Ardhja e rusit paradoksalisht na e hapi rrugën për në terren. Më 13 mars do të niseshim bashkë me Gazmend Bunjakun për në Gllogovc. “Nëna Terezë” raportonte për numër të madh të zhvendosurish në Abri të Epërme. Baca Xhemë nuk kishte qenë aty. Shkuam në Shtëpi të Shëndetit. E takuam dr. Lec Ukajn, drejtor, dhe dr. Arsim Haxhiun.
Iu treguam se nga ishim nisur dhe Arsimi tha se do të vinte me ne. Ai dinte diçka që ne nuk dinim: kishte postbllok në hyrje të Abrisë, nën kontrollin e UÇK-së. Nuk do të na lejonin kalimin aq lehtë po të mos e kishim dikë të besueshëm me vete.
Mbërritëm deri te kthesa e parafundit para së të hynim në fshat. Nga ana e djathtë na dolën dy persona, pa uniforma, por me armë. U ndalëm. Na thanë të prisnim. Bënim muhabet derisa prisnim që të vinte dikush që tashmë na kishte parë me dylbi nga përbrenda “kombit” të braktisur përbri rrugës. Ua ofrova nga një cigare. Më refuzuan: “nuk marrim asgjë prej askujt”. Pas pak u afrua një mjekrosh. Simpatik. Bartte uniformë me stemën e UÇK-së në njërin krah dhe një radiolidhje në tjetrin. Arsimi na shërbeu si karton i gjelbër për ta kaluar një kufi – me ta parë atë vetëm i kërkoi emrat tanë dhe na lejoi të kalonim tutje.
Hymë në “zonën e lirë” – takuam edhe pesë të uniformuar të tjerë. Pamë edhe shumë e shumë fëmijë e gra që kishin gjetur strehim nga fshatrat e Skenderajt fqinj. Në atë fillim ishim të sigurt aty.
Ishte hera e parë që kisha parë ushtarë të uniformuar të UÇK-së. Deri atëherë flitej e përflitej se UÇK-ja ishte pjellë e imagjinatës së dikujt, se nuk kishte ushtarë të armatosur e me uniforma. Ajo që pashë unë ma vërtetonte të kundërtën. Qe një emocion që nuk di ta përshkruaj.
Vendosa që të mos e raportoja takimin. Po ta bëja do t’i bëja dy gabime: një, do ta zbuloja vendndodhjen e ushtarëve, dhe dy, do të na e ndalonin daljen në terren “për shkaqe sigurie”.
* * *
Megjithatë, kjo ishte informatë që nuk mund ta mbaja të fshehtë nga miku im Ganiu. E thirra dhe e luta të më takonte në ambulancën kryesore të “Nënës Terezë” në “Vranjevc”, apo siç e ndërroi emrin gjatë kohës së represionit në “Kodër të Trimave”.
Sikur të ishte film konspiracioni, me pëshpëritje që ma thau thuajse krejt fytin, i tregova se çfarë kisha parë dhe çfarë kisha biseduar me ushtarët në Abri. Ende më ushtonte ajo e fundit që ma thanë: “Kemi të plagosur dhe kemi nevojë për material shëndetësor”. Mjekët vendas tashmë ishin në qarkullim aty ku shfaqej nevoja. E pyeta Ganiun se a do të kishte mundësi të niste kontingjent materiali sanitar e barnash për atje. Përgjigje tjetër as nuk kam mundur të prisja: PO, e prerë. Qysh dhe kah, nuk e pyeta. Sa më pak njerëz që e dinin, aq më mirë.
Transporti do të nisej nga Prishtina dhe diku rrugës do të devijonte për të hyrë rrugëve të pashtruara që ishin larg kontrollit policor. Devijimin do ta koordinonte dr. Hafir Shala, i cili do të merrej më pas me shpërndarjen e materialit aty ku duhej. Nga mesi i prillit të 1998-s, në njërën prej ditëve kur është dashur të vinte në Prishtinë, për t’u koordinuar për veprimet e radhës, Hafiri u arrestua. Që prej atëherë vazhdon të figurojë në listën e personave të pagjetur.
* * *
Bëheshim ekip sërish me Ganiun, dy vjet pas vaksinimit. Njerëzit të cilët i kishim takuar gjatë asaj fushate na ishin bërë miq. Duheshim gjetur mënyrën që të vazhdohej me shpërndarjen e ndihmave jo vetëm ushqimore, përderisa duheshim kujdesur shumë që “Nëna Terezë” ta ruante neutralitetin si organizatë humanitare që ishte. Vizitën e parë që e bëmë bashkë, pas zhdukjes së Hafirit, qe te baca Xhemë. Te njeriu që do ta mbante gjallë një pjesë të madhe të Drenicës, për shumë muaj, kur doli të siguronte që një furrë në Gllogovc të prodhonte bukë me miellin që e furnizonte “Nëna Terezë”, bukë e cila më pas shpërndahej andej nga kishte nevojë.
Zinxhiri i transportit i barnave dhe gjësendeve të tjera u sigurua. Organizatat e OKB-së më në fund e kuptuan se në Kosovë po ndodhte lufta. Dhe se shënimet e sakta për të zhvendosurit i kishte “Nëna Terezë”, shpesh e ndihmuar nga KMLDNJ-ja.
Ngado vinte era luftë. Ishte luftë.