OpEd

Kufizimet e shpresës

Që nga publikimi i lajmit se Borut Pahor do të jetë përfaqësuesi i ri special i BE-së për dialogun, në Kosovë lindi një shpresë e re se tani gjërat do të jenë më mirë për Kosovën. Por historia na ka mësuar se në kuadër të dialogut, emrat e përveçëm janë të parëndësishëm. Ata nuk e ndryshojnë dot kursin e përgjithshëm strategjik. Në mes Catherine Ashtonit, Federica Mogherinit dhe Miroslav Lajçakut dallimet kanë qenë vetëm në stil dhe nuanca

Çfarë është motivacioni më i madh i njeriut? Shpresa, është përgjigjur Viktor Frankl, psikiatri i famshëm austriak. Frankl, si i mbijetuari i Holokaustit, ka observuar gjatë qëndrimit të tij në kampe të koncentrimit se çfarë është ajo që e motivon njeriun kur ai ekspozohet ndaj kushteve ekstreme të mbijetesës. Të ishe i burgosur në kampe të koncentrimit ishte të përjetosh se si do të dukej vetë ferri po të ekzistonte ai: dhoma gazi, ekzekutime në masë, dhunë e shfrenuar, mohim i ushqimit. Dhe duke observuar kështu të burgosurit në kampe naziste, Frankli ka pyetur veten se përse njerëzit kur ekspozohen ndaj kushteve të tilla të tmerrshme të dhunës disa mbijetojnë e disa dorëzohen dhe vdesin? Përgjigjja e tij ishte se dallimin në mes të jetës dhe vdekjes e bënte shpresa. Të burgosurit, të cilët ishin të aftë të motivonin veten më fort me një shpresë të caktuar për të cilën ia vlen të mbijetosh tmerrin e kampeve naziste, gjenin forcën që të duronin dhunën e nazistëve. Të tjerët, të cilët nuk e kishin këtë motivacion, i dorëzoheshin vdekjes. 

Diçka e tillë ishte duke ndodhur në nënvetëdijen tonë kolektive kur kuptuam se emisari i ardhshëm potencial i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë do të jetë ish-presidenti slloven, Borut Pahor. Nga paraqitja e emrit të tij në diskursin tonë publik lindi një shpresë kolektive se tani gjërat do të janë më mirë për Kosovën në kuadër të dialogut. Kjo shpresë abstrakte shumë shpejt u shoqërua me argumentet praktike. Disa thanë se tani pasi që Pahori – ndryshe nga Lajçaku – vjen nga një vend njohës dhe mik i Kosovës, ai do të jetë më përkrahës ndaj Kosovës. Disa të tjerë shtuan se duke ardhur nga një vend i cili e njeh shumë mirë mentalitetin politik serb, z. Pahor do të jetë më pak tolerant ndaj sjelljes dhe taktikave destruktive serbe. E kështu  në diskursin tonë publik filloi një inflacion i argumenteve për të mbështetur shpresën tonë se tani më në fund dielli po lind për Kosovën në kuadër të dialogut.

Kam frikë se një shpresë e tillë është e pavend. Këtë e them për katër arsye. E para, problemi i dialogut nuk është lehtësuesi, por faktorët strukturorë impersonalë që janë duke i formësuar dinamikat e dialogut dhe të cilat burojnë nga interesat gjeopolitike të aleatëve tanë perëndimorë. Këto interesa momentalisht janë në favor të Serbisë, pasi që aleatët tanë perëndimorë janë të bindur se duke i ofruar Serbisë disa koncesione në kuadër të dialogut, ata do të sigurojnë ankorim më të fortë e më të shpejtë të Serbisë brenda strukturave perëndimore. Rrjedhimisht, nga kjo buron natyrshëm se Kosova do të jetë strukturalisht palë e pafavorizuar në kuadër të dialogut, pa marrë parasysh se kush është emri i përveçëm nga BE-ja që caktohet me detyrën e përfaqësuesit special. E dyta, mandati i përfaqësuesit special, siç thotë titulli i tij, nuk është që t’i krijojë qëndrimet e veta individuale, por t’i përfaqësojë qëndrimet kolektive të vendeve anëtare të BE-së. Kjo është edhe arsyeja përse nuk është aq e rëndësishme se kush është lehtësuesi, pasi që ajo apo ai thjesht do të sigurojë vazhdimësi të qëndrimeve të 27 vendeve anëtare të BE-së të cilat tashmë janë të ndërtuara ndër vite. E treta, dialogu nuk vuan nga qasja e gabueshme e lehtësuesit të kaluar sikur që liderët e dy vendeve shpesh kanë dashur ta portretizojnë në publik. Dialogu vuan nga kalkulimet politike të palëve, të cilat preferojnë status quon para progresit në kuadër të dialogut. Kjo është në veçanti e vërtetë në rastin e Serbisë. Prandaj, përderisa kalkuluesi i palëve nuk ndryshon, nuk do të ndryshojë as dinamika e dialogut. Dhe e fundit, historia na ka mësuar se emrat e përveçëm nuk janë të rëndësishëm në kuadër të dialogut. Ata nuk e ndryshojnë dot kursin e përgjithshëm strategjik. Në mes të Catherine Ashtonit, Federica Mogherinit dhe Miroslav Lajçakut dallimet kanë qenë vetëm në stil dhe nuanca. E mbaj mend me ardhjen e presidencës Biden dhe ambasadorëve Hovenier dhe Hill, Kosovën e pati kapluar një shpresë se tani gjërat do të ndryshonin në favorin tonë. Siç e kuptuam me kalimin e kohës, pak gjëra ndryshuan.

E gjithë kjo nuk do të thotë se përfaqësuesi special i BE-së është pozitë totalisht e parëndësishme. Mënyra se si përfaqësuesi e përcakton kornizën negociuese, prioritetizon temat e dialogut dhe ndërton kompromise mbi qëndrimet e kundërta të palëve patjetër se ka një rendësi të veçantë, por çfarë dua të them është se e gjithë kjo nuk e ndryshon dot pikturën e madhe apo kursin e përgjithshëm të dialogut. Prandaj, në vend që përsëri të rrisim shpresat e paqëndrueshme për një përfaqësues special, i cili do të jetë në favorin e Kosovës, është më mirë të shikojmë në sy realitetin dhe të përgatitemi për sfidat e dhimbshme që na presin në kuadër të dialogut.