OpEd

Kroacinë e pret vazhdimi i agonisë në konfliktin mes presidentit dhe kryeministrit

Zoran Milanoviq gati fitoi në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Kroaci, ku mori 49,2 për qind të votave. Por pasi për fitore i duhen mbi 50 për qind, do të shkohet në rundin e dytë. Por Milanoviq e ka gati të sigurt fitoren. Kjo do të thotë që Kroacinë e pret agonia e konfliktit politik mes dy krerëve, atij të qeverisë dhe të shtetit, çfarë ka pasur edhe në katër vjetët e fundit. Po të gjykohej në bazë të diskursit politik në Kroaci, do të fitohej përshtypja se është një shtet joserioz. Por Kroacia po kalon në periudhën më të suksesshme në historinë e saj. Papunësia rekord e ulët, ka rritjen e dytë më të madhe ekonomike në BE, uljen e madhe të borxhit publik, mbi 22 milionë turistë të huaj në vit dhe rritjen rekorde të rrogave, me çka i është afruar shumë mesatares së BE-së

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, dhe kryeministri Andrej Plenkoviq janë ish-kolegë nga Ministria e Jashtme e Kroacisë dhe përafërsisht në të njëjtën kohë u angazhuan në shërbimin diplomatik të shtetit që në fillim të saj. Të dy janë edhe kolegë nga Fakulteti Juridik i Universitetit të Zagrebit dhe e njohin shumë mirë njëri-tjetrit. Por mes tyre në vitet e fundit ka një urrejtje të cilën as njëri e as tjetri as që përpiqen ta fshehin. Nuk ka emërtim me të cilin nuk e kanë fyer njëri-tjetrin në paraqitjet e tyre publike. Konflikti mes presidentit të shtetit dhe kryeministrit është aq i madh, saqë ata nuk arrijnë të pajtohen as për minimumin që është i nevojshëm për funksionimin e disa strukturave të shtetit. Në sistemin e demokracisë parlamentare të Kroacisë, presidenti ka fuqi shumë të kufizuara, përafërsisht sikur në Kosovë. Kompetencat kryesore për qeverisjen e vendit janë në duart e Qeverisë, prandaj pa dyshim se Andrej Plenkoviq është politikani më i fuqishëm në Kroaci. Por ato pak kompetenca që ka presidenti po i përdor maksimalisht dhe në të shumtën e rasteve për t’i bllokuar vendimet. Ka bllokuar për vite emërimin e dhjetëra ambasadorëve të rinj të Kroacisë. Kjo e bën të pamundshme largimin e atyre që u ka skaduar mandati dhe ata po vazhdojnë në shumë vende për vite. Presidenti ka kompetenca në politikën e jashtme, në atë të mbrojtjes dhe të sigurisë kombëtare dhe në emërimin e gjykatësve të Kushtetueses.

Për nga natyra, kryeministri Plenkoviq dhe presidenti Milanoviq kanë shumë dallime. Plenkoviq është më pragmatik, më i matur në qëndrime dhe ka një qasje shumë pozitive ndaj Bashkimit Evropian, NATO-s dhe bashkësisë ndërkombëtare. Por është në krye të Bashkësisë Demokratike Kroate (HDZ), që është një parti mjaft konservatore. Në anën tjetër, Milanoviq është socialdemokrat, pra nominalisht nga qendra e majtë politike, por ka një sjellje krejtësisht populiste me deklarata të pamatura, kontroverse dhe shpesh brutale. Me qasjen “Kroatët nuk do të luftojnë në luftërat e të tjerëve”, ai ka refuzuar të mbështetë dërgimin e dy oficerëve ushtarakë të Kroacisë në bazë ushtarake në Gjermani për t’i stërvitur kolegët ukrainas. Milanoviq e ka quajtur këtë si “hyrje në luftë në Ukrainë”.

Është e pasaktë dhe e padrejtë të krahasohet presidenti i Kroacisë, Milanoviq, me presidentin e zgjedhur amerikan Donald Trump. Sepse Milanoviq kurrë në jetën e tij nuk ka punuar asgjë tjetër pos në politikë. Dhe, pa marrë parasysh akrobacionet që bën, Milanviq mbështet më shumë vlerat liberale sesa Trumpi. Aty ku ngjason pak me liderët e Hungarisë, Viktor Orban dhe atë të Sllovakisë, Robert Fico, është qëndrimi kritik ndaj BE-së që e quan “burokraci e Brukselit”. Milanoviq, ndonëse i majtë, është më shumë suverenist dhe angazhohet për mosdorëzimin e kompetencave të shtetit në duar të organizatave ndërkombëtare.  

Milanoviq dhe Plenkoviq dallojnë shumë në qasjen ndaj luftës në Ukrainë. Përderisa Plenkoviq angazhohet për ndihmë maksimale Ukrainës, Milanoviq kërkon që ajo të kufizohet vetëm në kujdesin për refugjatë dhe në ndihma humanitare, por jo edhe ushtarake. Milanoviq e sheh luftën në Ukrainë si “konflikt i të mëdhenjve”, mendon në Rusinë dhe Amerikën dhe, sipas tij, “Të vegjlit duhet të rrinë nën tavolinë dhe të mos përzihen”.

Këto dallime në mes të dy krerëve në Kroaci do të vazhdojnë, sepse pa dyshim Milanvoiq do të jetë përsëri për një mandat të ri pesëvjeçar president i Kroacisë, ndërsa Plenkoviq me HDZ-në para më pak se një viti i ka fituar zgjedhjet parlamentare dhe do të jetë në pushtet për disa vjet me radhë.   
Zoran Milanoviq gati fitoi në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Kroaci, ku mori 49,2 për qind të votave. Por pasi për fitore i duhen mbi 50 për qind, do të shkohet në rundin e dytë. Por Milanoviq e ka gati të sigurt fitore. Kjo do të thotë që Kroacinë e pret agonia e konfliktit politik mes dy krerëve, atij të qeverisë dhe të shtetit, çfarë ka pasur edhe në katër vjetët e fundit. Po të gjykohej në bazë të diskursit politik në Kroaci do të fitohej përshtypja se është një shtet joserioz. Por Kroacia po kalon në periudhën më të suksesshme në historinë e saj. Papunësia rekord e ulët, ka rritjen e dytë më të madhe ekonomike në BE, uljen e madhe të borxhit publik, mbi 22 milionë turistë të huaj në vit dhe rritjen rekorde të rrogave, me çka i është afruar shumë mesatares së BE-së.

Në anën tjetër, Kroacia përballet me shumë sfida nga të cilat më të mëdha janë ato demografike. Prej kur ka hyrë në BE, Kroacia ka humbur më shumë se gjysmë milioni banorë. Mplakja e popullsisë po shkon me shpejtësi të madhe. Kroacia ka rënë në vetëm  3,8 milionë banorë, ndërkohë që kur ishte nisur në rrugëtimin drejt anëtarësimit në BE kishte 4,5 milionë. Përderisa më shumë se gjysmë milioni kroatë kanë shkuar në vende të tjera të BE-së për të punuar, mbi 200 mijë të huaj kanë ardhur për të punuar në Kroaci, shumë prej tyre edhe nga Kosova. Rritja e madhe e rrogave ka shkuar krahas inflacionit dhe qytetarët në jetën e tyre nuk po i ndiejnë frytet e suksesit të cilin e tregojnë të dhënat statistikore.

Fitorja e Milanoviqit në zgjedhjet presidenciale dhe mandati i ri për të nuk do të ndryshojë shumë në këtë drejtim, pasi kompetencat i ka Qeveria.

Sa i përket Kosovës, të dy, si Milanoviq ashtu edhe Plenkoviq, janë mbështetës të mëdhenj dhe angazhohen për anëtarësimin e Kosovës në BE dhe në NATO. Për çudi nuk kanë dallim as rreth angazhimit të Ushtrisë së Kroacisë në Kosovë në misionin e NATO-s. Milanoviq ka pasur një “aksident” kur ka thënë se “Kosova i është grabitur Serbisë”, por e ka thënë këtë më shumë për të dalë në anën e kundërt të Qeverisë, e jo kundër Kosovës. Qasja e Kroacisë ndaj Kosovës nuk do të ndryshojë as pas këtyre zgjedhjeve.