OpEd

Kriza e rendit moral dhe reforma e drejtësisë: Një vështrim kritik dhe analitik

Për të arritur një drejtësi të qëndrueshme dhe efikase, është e rëndësishme të kuptohet se rendi moral duhet t’i paraprijë çdo përpjekjeje për reformën e drejtësisë. Një shoqëri pa bazë të fortë morale do të hasë vështirësi në zbatimin e ligjit dhe në përmirësimin e institucioneve të drejtësisë, pasi morali është shtylla që ndikon drejtpërdrejt në sjelljen e qytetarëve dhe funksionimin e institucioneve. Ka mbi njëzet vjet që fjala reformë, sundim i ligjit, të drejta të njeriut, shtet ligjor përdoren vend e pa vend, sidomos nga politikanët. Mësimet nga dijet e lashta na mësojnë se përdorimi i shpeshtë i fjalëve të njëjta do të thotë demagogji.

Roli i rendit moral në shoqëri

Rendi moral është kushti kryesor për të funksionuar një shoqëri e drejtë. Rendi moral përfaqëson normat, vlerat dhe parimet që udhëheqin sjelljen e individëve në jetën e tyre të përditshme. Nëse qytetarët dhe drejtuesit institucionalë veprojnë mbi bazën e parimeve morale, si ndershmëria, drejtësia dhe përgjegjësia, kjo do të ndikojë drejtpërdrejt në efektivitetin e çdo reforme në drejtësi. Një sistem i drejtësisë që përpiqet të përmirësohet në një shoqëri me baza morale të dobëta është i destinuar të dështojë. Kjo është vërtetuar disa herë, deri më tani. Reforma në drejtësi bëhet me veprime konkrete, fjalët boshe dhe demagogjike nuk kryejnë punë.

Reforma në drejtësi mund të sjellë ndryshime në strukturat e institucioneve, por, nëse morali i shoqërisë nuk është në nivelin e duhur, këto ndryshime do të jenë të pavlefshme. Ligji mund të ndëshkojë sjelljet josociale (politikanët dhe disa të tjerë do të thoshin sjelljet kriminale), por nuk mund ta edukojë ndjenjën e përgjegjësisë, respektit dhe integritetit që vjen nga vlerat morale. Pa një angazhim moral nga të gjithë pjesëtarët e shoqërisë – qytetarë, politikanë, gjykatës, prokuror, avokatë, zyrtarë publikë – reforma në drejtësi, sapo të fillojë, do të dështojë, siç edhe po ndodh.

Reforma në drejtësi pa moral

Çfarë ndodh kur reforma në drejtësi ndodh pa një bazë morale të fortë? Përgjigjja është: korrupsioni dhe keqpërdorimi i pushtetit do të përhapen. Për më tepër, qytetarët do të humbin besimin në drejtësi, pasi do të ndiejnë që ligji nuk zbatohet në mënyrë të drejtë dhe të barabartë. Në këtë kontekst, reforma në drejtësi nuk do të jetë as e qëndrueshme, as e efektshme. Reforma në drejtësi nuk bëhet me fjalë dhe as me zhurmë, por, me plan shtetëror, veprime serioze dhe konkrete. Pse nuk merret model suksesi, sado minimal që është dhe lufta kundër korrupsionit në Rumani. Edhe pse sektoriale, ka dhënë rezultate konkrete. Është rritur besimi në drejtësi dhe ka shenja të dukshme se morali publik ka dhënë efektet e tij. Shoqëria rumune në mesin e saj e gjeti një anëtare normale, një qytetare normale, patriote, një juriste, Laura Codruța Kövesi, e cila në pozitën e kryeprokurores së Agjencisë Kombëtare kundër Korrupsionit arriti të hetojë dhe të arrestojë: kryetarë bashkie, deputetë, ministra, ish-kryeministra dhe dhjetëra e qindra zyrtarë të tjerë publikë të mesëm dhe të lartë. Kjo është vetëm njëra anë e kuptimit të reformës në drejtësi. Kjo metodë e nxit forcimin e rendit moral dhe forcimin e besimit në drejtësi dhe krijon shoqëri të organizuar dhe të përgjegjshme. Në popull fillon biseda dhe llafi se: “po funksionon, kujdes se, shkon në burg për këtë apo atë sjellje...” Kështu brenda pak viteve, ndoshta pesë deri në tetë vite i shohim efektet e reformës në drejtësi. Këto veprime në Rumani kanë ndodhur brenda pesë viteve, ndërmjet 2013-2018, pra, nuk është shumë moti. Kryeqyteti i Rumanisë nga Prishtina është rreth 700 km, afërsisht sa të shkosh deri në Tiranë dhe të kthehesh. Pra, Rumaninë e kemi afër, ta marrim shembullin e tyre.

Për të ndodhur një reformë e suksesshme në drejtësi, nevojitet një angazhim i gjithanshëm për të rivendosur vlerat morale në qendër të shoqërisë. Ky proces fillon me edukimin e brezave të rinj mbi rëndësinë e etikës, përgjegjësisë dhe barazisë. Institucionet, përfshirë shkollat dhe familjet, duhet të kenë një rol aktiv në promovimin e këtyre vlerave. Vetëm atëherë kur individët ndiejnë detyrimin moral për të vepruar në mënyrë të drejtë, reforma në drejtësi mund të sjellë rezultatet e dëshiruara.

Ndërlidhja e rendit moral dhe reformës në drejtësi

Reformat në drejtësi duhet të shkojnë krah për krah me përmirësimin e rendit moral. Ligjet e drejta kanë nevojë për njerëz të drejtë nëse dëshirojmë t’i zbatojmë ato. Pra, për të krijuar një sistem që funksionon, duhet të fillohet me forcimin e ndërgjegjes morale në shoqëri. Vetëm atëherë, reformat në drejtësi do të kenë efektin e synuar, duke krijuar një mjedis ku drejtësia nuk është vetëm një fjalë demagogjie, por një ndjeshmëri dhe një veprim që krijon një realitet për të gjithë.

Krijimi i një rendi moral të qëndrueshëm është një proces kompleks që varet nga disa faktorë të ndërlidhur në shoqëri. Në vijim po paraqes disa nga faktorët kryesorë që ndikojnë në konsolidimin e një rendi moral të fortë dhe të qëndrueshëm:

1. Familja dhe Edukimi: Familja është institucioni bazë ku individët formojnë për herë të parë vlerat dhe parimet morale. Familja kosovare sot gjendet në një krizë të rendit moral. Një edukim i mirëfilltë, që promovon ndershmërinë, respektin për të tjerët dhe përgjegjësinë, është thelbësor për të zhvilluar individë të ndërgjegjshëm dhe më moralë. Po ashtu, shkollat duhet të luajnë një rol të rëndësishëm në edukimin moral, duke mësuar nxënësit jo vetëm për njohuritë, aftësitë dhe shkathtësitë, por edhe për përgjegjësitë e tyre ndaj shoqërisë. Njëjtë si familja, edhe shkolla kosovare gjendet në krizë dhe pa rend moral. Dhuna në familje tani është dukuria më negative dhe rritja e saj është e pallogaritshme. Janë edhe dhjetëra probleme të tjera, me të cilat familja përballet çdo ditë.

2. Institucionet publike: Institucionet e shtetit kanë një rol qendror në forcimin e rendit moral dhe atij që e njohim si “morali publik”. Qeveria dhe zyrtarët e zgjedhur duhet të demonstrojnë ndershmëri dhe përgjegjësi, duke qenë si model për qytetarët. Nëse liderët publikë janë të përfshirë në skandale korrupsioni ose nepotizëm, kjo minon rendin moral shoqëror dhe veçanërisht moralin publik dhe dërgon mesazhin se shkeljet etike tolerohen, promovohet amoralizmi. Kjo ndikon negativisht në besimin e qytetarëve ndaj institucioneve publike dhe rrit cinizmin në shoqëri. Shoqëria kosovare çdo javë e përjeton këtë. Mjafton të dëgjohen bisedat e zyrtarëve publikë dhe sjelljet e tyre në takime publike dhe private, veçanërisht sjellja me qytetarin kur merr ndonjë shërbim publik.

3. Sistemi i drejtësisë: Një sistem drejtësie i drejtë dhe i pandikuar politikisht është një tjetër faktor kyç për ruajtjen e një rendi moral të qëndrueshëm. Drejtësia duhet të zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjithë, pa favorizime dhe pa ndikime. Kur njerëzit shohin se ligji zbatohet me padrejtësi dhe pandashmëri, ata nuk ndihen të detyruar të veprojnë në përputhje me normat etike dhe morale. Përndryshe, një drejtësi e dobët nxit abuzimin dhe ul ndjenjën e përgjegjësisë. Shoqëria kosovare çdo javë e përjeton këtë. Mjafton të shihen statistikat se sa shumë kërkesa (ankesa) ka për shkeljen e së drejtës për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm. Këtë të drejtë e pamundëson institucioni që për mision e ka drejtësinë. Kjo është një e drejtë elementare. Stërzgjatja e proceseve gjyqësore (kontesteve juridiko-civile) dhe ngarkesa e gjykatave me punë dhe me presion e rrit nivelin e korrupsionit dhe e ul gati në zero besimin në drejtësi.

4. Mediet dhe roli i tyre: Mediet kanë një ndikim të madh në formësimin e rendit moral plus moralit publik, pasi ato përcjellin mesazhe dhe modele të sjelljes për publikun. Kur mediet promovojnë figura të moralshme dhe raportojnë në mënyrë të pavarur dhe objektive për çështjet e korrupsionit dhe padrejtësisë, ato luajnë një rol të rëndësishëm në krijimin e një kulture të përgjegjësisë. Realiteti është ndryshe. Media promovon çdo ditë gjuhën e dhunës. Media promovon persona me probleme të shëndetit mendor. Media promovon çdo ditë persona me sjellje josociale. Shoqëria kosovare çdo javë e përjeton këtë. Mjafton të dëgjohen “debatet” nga e hëna deri të premten, ku gjithçka tjetër mund të thuhet dhe bëhet, përveç debatit.

5. Feja dhe organizatat shoqërore: Për shumë njerëz, besimet fetare dhe organizatat shoqërore ofrojnë një udhëzues moral dhe etik për jetën e përditshme. Janë kontribuuesit kyç në konsolidimin e rendit moral, drejtësisë sociale dhe barazisë. Në shoqëritë normale dhe me rend moral dhe moral publik, feja dhe organizatat qytetare shpesh promovojnë vlera si ndershmëria, bashkëpunimi dhe respekti ndaj të tjerëve. Këto institucione mund të luajnë një rol të rëndësishëm në krijimin e një shoqërie ku morali dhe etika janë prioritet. Çfarë ndodh në shoqërinë kosovare, e cila përbëhet nga shqiptarët dhe të tjerët (kështu është përkufizimi kushtetues). Vetëm këto që do të duhej t’i bënte feja dhe organizatat shoqërore nuk i bëjnë. Pra, po e luajnë rolin që nuk duhet. Politizimi është i pallogaritshëm, ndërsa pasojat dhe dëmi ndaj rendit moral do të jetë afatgjatë.

6. Kultura dhe normat shoqërore: Kultura, në të cilën jeton një individ, formon mënyrën se si ai i percepton dhe i zbaton vlerat morale. Një kulturë që promovon ndershmërinë, përgjegjësinë dhe respektin për të drejtën e përbashkët krijon një bazë të fortë për rendin moral. Shoqëria kosovare, e përbërë nga shqiptarët dhe të tjerët, çdo javë e përjeton justifikimin e amoralizmit, skandalit dhe korrupsionit.

7. Pjesëmarrja e qytetarëve në jetën publike: Qytetarët që angazhohen aktivisht në jetën publike dhe politike kontribuojnë në rritjen e rendit moral. Pjesëmarrja aktive në zgjedhje, në organizatat e shoqërisë civile dhe në iniciativat për transparencë dhe llogaridhënie ndihmon në forcimin e normave morale dhe rrit ndjenjën e përgjegjësisë kolektive. Ndoshta, ky është sektori ku shoqëria kosovare, e përbërë nga shqiptarët dhe të tjerët, sipas të gjitha gjasave, qëndron pak më mirë. Këtu bëjnë pjesë edhe organizatat dhe forumet ndërkombëtare me veprimtari në shoqërinë kosovare.

Përfundim

Në përfundim, është e qartë se reforma në drejtësi nuk mund të ketë sukses pa një rend moral të fortë. Është provuar edhe në shoqëritë perëndimore. Vlerat morale janë thelbësore për çdo shoqëri që aspiron të ketë drejtësi të vërtetë dhe një drejtësi të besueshme. Prandaj, duhet të jetë prioriteti ynë që të kultivojmë moralin në shoqëri përpara se të kërkojmë ndryshime në ligje dhe në drejtësi. Së pari rendi moral, pastaj reforma në drejtësi.

Për të pasur një rend moral të qëndrueshëm, kërkohet një përpjekje kolektive nga të gjitha segmentet e shoqërisë, përfshirë familjen, sistemin edukativo-arsimor, institucionet shtetërore, sistemin e drejtësisë, mediet dhe organizatat e shoqërisë civile. Një kulturë morale nuk krijohet brenda natës, por është produkt i një edukimi të vazhdueshëm, veprimit etik të liderëve dhe një sistemi të drejtësisë që ofron drejtësi dhe barazi për të gjithë. Vetëm atëherë mund të krijohet një rend moral i qëndrueshëm, mbi bazën e të cilit mund të krijohet një shoqëri e drejtë dhe e përgjegjshme.

(Autori është profesor i teorisë së shtetit dhe së drejtës në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës)