OpEd

Kriza e opozitarizmit

Konsolidimi i opozitës qoftë përmes veprimeve të përbashkëta, qoftë përmes reformave të brendshme që rikthejnë besimin e qytetarëve në opsionet e tyre politike, tregon shëndetin e jetës politike. Zgjedhjet janë prapa derës dhe përderisa LVV-ja e ka komoditetin e numrave, opozita nuk mund t’ia lejojë vetes komoditetin e pafuqisë në të cilin ka që është futur që gati katër vjet

Nuk po them asgjë të re me argumentin se opozitarizmi në Kosovë gjendet në krizë të thellë. Kjo krizë e opozitarizmit mund të vërehet jo vetëm në Kosovë, por edhe në vendet fqinje. Fitoret bindëse zgjedhore zakonisht prodhojnë edhe krizë të opozitarizmit. Për dallim nga vendet fqinje, siç janë Shqipëria, Serbia apo Maqedonia e Veriut, ku një parti fiton bindshëm zgjedhjet në mënyrë konsekutive, në Kosovë zgjedhjet e fundit prodhuan një ndryshim politik, duke e sjellë në pushtet një parti politike e cila sa ishte në opozitë, karakterizohej me qëndrimet e saj antisistem. Pra, ndryshimi politik ishte i thellë. Ky ndryshim jo vetëm që solli në pushtet një parti të re politike, por votuesit me këtë e shprehën edhe zhgënjimin e tyre me sistemin e jo vetëm me forcat politike, të cilat e kishin ndërtuar atë sistem. Në këtë mënyrë, partitë politike që e bënin rotacionin në pushtet prej njëzet vjetësh – LDK, PDK dhe AAK – kryesisht përmes koalicioneve paszgjedhore, ranë në një përqindje të konsiderueshme të votave përballë LVV-së, e cila mori mbi 50% të votave, duke u shndërruar në parti të vogla opozitare, që së bashku përbëjnë 42 ulëse parlamentare, nga 120 sa i ka Parlamenti i Kosovës. Mirëpo, nuk është gjithçka vetëm te numrat. Këto parti politike gjenden në krizë të veprimit opozitar sepse ende nuk janë adaptuar me rregullat e reja të lojës, në të cilën një parti politike e vetme ka arritur që ta kontrollojë shumicën në parlament dhe të formojë qeverinë me koalicionin e detyrueshëm me partitë e komuniteteve joshumicë.

Që prej vitit 2002, kur u formua qeveria e parë me një koalicion gjithëpërfshirës, LDK, PDK e AAK kanë kontrolluar jetën politike në Kosovë. Dallimet mes tyre kanë qenë nominale me shumë ngjashmëri për sa i takon ofertës së tyre politike. Lufta kryesore ka qenë për përqindjen e votave në zgjedhje, të cilat pastaj kanë përcaktuar se si do të duket koalicioni paszgjedhor. Është ditur se të paktën dy prej këtyre partive politike do të jenë gjithmonë në koalicion qeverisës duke e bërë jetën politike në Kosovë të njëtrajtshme, pa reforma domethënëse në politikat publike. 

Raportimet mbi shkallën e lartë të korrupsionit, nepotizmin dhe punësimet partiake pa ndonjë kriter profesional kanë bërë po ashtu që këto parti të perceptohen negativisht nga elektorati. Në anën tjetër, fushata sistematike dhe agresive e LVV-së, e cila ka përfshirë mjetet parlamentare dhe jashtëparlamentare me protesta shpeshherë të dhunshme, kanë pasur sukses për sa i takon krijimit të një perceptimi se Kosova ka nevojë për një ndryshim të madh. Ky perceptim e ka përcaktuar rezultatin zgjedhor të vitit 2021, duke katandisur partitë politike tradicionale të Kosovës. Kjo katandisje nuk ka qenë vetëm zgjedhore, por edhe në aspektin e ideve politike përmes të cilave do të mund të luftojnë në mënyrë të suksesshme qeverinë e udhëhequr nga LVV-ja. Tekefundit, asnjëra nga partitë e tanishme opozitare nuk ka luftuar për pushtet me ide. Pothuajse, misioni i tyre përfundoi me shpalljen e pavarësisë. Ato nuk po arrijnë të artikulojnë qartë se për çfarë idesh politike angazhohen dhe në çfarë mënyre do t’i zbatojnë ato ide përmes programeve të qarta politike. Të shohim shkurtimisht gjendjen e secilës prej partive kryesore opozitare të Kosovës.

PDK-ja gjendet në një krizë të thellë të lidershipit. Atë e ka dobësuar mungesa e liderëve të saj emblematikë, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli. PDK-ja është parti që e ka të vështirë të reformohet, qoftë me praninë apo me mungesën e liderëve të saj, për shkak se ajo që prej pavarësisë nuk ka pasur një proces të brendshëm zgjedhor kompetitiv, në të cilin, kandidatët do të garonin për lidership në bazë të programeve të tyre. Gjithmonë ka qenë e ditur se kush do të jetë lideri i partisë. PDK-ja, madje, as që ka mbajtur kuvende zgjedhore si kulminacion i një procesi të brendshëm zgjedhor demokratik. Zakonisht, këto kuvende janë mbajtur sa për të përfunduar një formalitet ligjor për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare. Emërimi i Memli Krasniqit në krye të partisë nuk ka sjellë një frymë të re në këtë parti politike, e cila vazhdon të jetë me imazh të dëmtuar për shkak të procesit gjyqësor kundër liderëve të saj. Së fundmi, PDK-ja e vuri emrin e Bedri Hamzës si kandidat për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. 

Shtrohet pyetja, çfarë lideri i partisë është z. Krasniqi kur emri i tij nuk është në krye të fushatës zgjedhore kundër LVV?  

Bedri Hamza është një politikan që gëzon autoritet si ish-ministër dhe tani kryetar i Mitrovicës, i pa përfolur për ndonjë aferë korruptive. Ai gëzon respekt si ekspert. Mirëpo ta vendosësh një teknokrat të garojë kundër një lideri populist çfarë është Albin Kurti, nuk është aspak premtuese.

LDK-ja, në anën tjetër, ka pësuar rënie graduale në rezultatet e saj zgjedhore që prej vdekjes së liderit të saj historik, Dr. Ibrahim Rugova. Përdorimi i emrit të tij si adut politik nga partia që mbështetet në trashëgiminë politike të liderit historik të Kosovës, është përparësi në njërën anë. Mirëpo, në anën tjetër, e tregon mungesën e një vizioni politik post-rugovian që do të apelonte suksesshëm te votuesit, sidomos tek ata të rinjtë. LDK-ja është parti e njerëzve të moshës mesatare dhe më të vjetër, të cilët votën për këtë parti e japin kryesisht për shkak të nostalgjisë që kanë për periudhën kur kjo parti e ka udhëhequr rezistencën paqësore gjatë viteve të nëntëdhjeta. Megjithatë, LDK-ja është partia e vetme e cila ka arritur që të bëjë disa ndryshime në lidershipin e saj përmes proceseve zgjedhore demokratike me më shumë se një kandidat dhe të qëndrojë në këmbët e veta me një strukturë të qëndrueshme organizative. Zgjedhja e Lumir Abdixhikut si lider i partisë në kuvendin e fundit zgjedhor ka demonstruar një synim për t’u modernizuar dhe për një vizion të ri politik të një partie të reformuar. Megjithatë, z. Abdixhiku ka hyrë në politikë nga fusha e ekspertizës e jo nga fusha politike. Ai ende nuk ka arritur të shkëputet plotësisht nga stili i një teknokrati dhe nuk po arrin ta reformojë LDK-në. Për të shënuar një periudhë të re politike për LDK-në, që në këtë rast do të mund të përkufizohej si Rruga e Re në përputhje me sloganin programor të LDK-së, por edhe për të garuar në mënyrë të suksesshme kundër Albin Kurtit, z. Abdixhiku duhet të shpërfaqë vizion politik reformues dhe të shpërfaqë tipare të një lidershipi populist që do të kishte efekt më të madh sesa mbajtja e podkasteve.

AAK-ja ka një konsistencë të rezultateve zgjedhore, por me gjithë fatin e saj që të ketë një lider emblematik, siç është Ramush Haradinaj, ajo nuk ka arritur të dalë nga kufizimi i saj regjional. AAK-ja nuk është parti e numrave dhe as e programeve dhe ideve politike. AAK-ja është parti e dominuar nga karizma e liderit të saj. Fuqia e saj votuese vlen sa për të anuar peshoren politike në njërën anë apo në anën tjetër. Pra, një përqindje e cila mund të përcaktojë shumicën e ngushtë në parlament. 

Me gjithë faktin se është parti e vogël, lideri i saj ka arritur që përmes shkathtësisë politike dhe tipareve populiste, të udhëheqë dy herë qeverinë përmes koalicioneve me partitë më të mëdha. Megjithatë, kjo kohë ka kaluar dhe AAK-ja ka gjasa që ta ketë arritur maksimumin e saj në kuptimin e konsolidimit elektoral dhe politik. Të gjitha gjasat janë që ajo, në koalicion me Nismën e Fatmir Limajt, do të luftojë për ta mbajtur përqindjen e saj elektorale, që është pak mbi pragun zgjedhor. Ndonjë shpresë për arritjen e koalicioneve paszgjedhore mund ta mbajnë këtë parti në skenën politike, por gjasat që ajo të udhëheqë me qeverinë janë minimale, në mos jo edhe joekzistuese. AAK-ja do ta ketë shumë të vështirë mbijetesën si parti parlamentare nëse nuk hyn në koalicion qeverisës, sepse do të përballet me humbje graduale të elektoratit.

Kosovës i duhet opozitarizmi, jo vetëm për të garuar për pushtet por edhe për të ofruar ide politike të reja të cilat mund ta çojnë Kosovën përpara dhe ta përmirësojnë jetën e qytetarëve të Kosovës. Pushteti dominues me kohë bëhet i rrezikshëm për shkak të mungesës së balancës së efektshme politike dhe mungesës së alternativave, që e bëjnë atë të jetë më i vëmendshëm ndaj nevojave të qytetarëve. 

Qeveria e LVV-së me gjasë do të jetë e para që e përfundon një mandat të plotë që prej shpalljes së pavarësisë, gjë që ia siguron mbështetja e shumicës parlamentare. Konsolidimi i opozitës, qoftë përmes veprimeve të përbashkëta, qoftë përmes reformave të brendshme që rikthejnë besimin e qytetarëve në opsionet e tyre politike, tregon shëndetin e jetës politike. Zgjedhjet janë prapa derës dhe përderisa LVV-ja e ka komoditetin e numrave, opozita nuk mund t’ia lejojë vetes komoditetin e pafuqisë në të cilin ka që është futur që gati katër vjet.