OpEd

Kosova në lavjerrësin e (ar)miqësive

Pllakat tektonike në lëvizje

Tashmë është e qartë se bota po hyn në një rend të ri botëror. Rirreshtimi i aleancave është në fluks të vazhdueshëm. Gara për dominim politik, ushtarak apo ekonomik (në nivel rajonal dhe botëror) është intensifikuar. S’ka fjalë se militarizimi aktual i shteteve çon drejt rritjes së mundësisë së shpërthimit të një konflikti në përmasa botërore. Ajo që deri dje dukej e paimagjinueshme, sot po bëhet realitet. Aleatët tradicionalë – SHBA-ja dhe BE-ja (nëpërmjet Danimarkës) duket sikur janë buzë një konfrontimi të rrezikshëm (edhe pse jo ushtarak) rreth fatit të Grinlandës. Kanadasë i kërkohet gati si me zor që të bëhet pjesë e shtetit të fuqishëm jugor, pra që faktikisht të pushojë së ekzistuari si shtet. 

Në anën tjetër, agresioni imperialist i Rusisë mbi Ukrainën vazhdon të kërcënojë kontinentin evropian. Administrata e re amerikane duket se ka marrë pozicion që deri dje dukej i paimagjinueshëm: Ukraina është ajo që akuzohet për agresion dhe mosgatishmëri që të përfundojë luftën (ani çka se çmimi që i kërkohet është tejet i lartë). E përderisa të tjerët janë të zënë me këto konflikte, Kina sikur përgatitet në heshtje për dominim global në ekonomi, inteligjencë artificiale e, pse jo, edhe në shumë aspekte ushtarake.    

Si kur pllakat tektonike lëvizin në rast tërmeti, ashtu edhe tash në hyrje të rendit të ri botëror blloqet e aleancave, miqësive e armiqësive janë në rirreshtim e sipër. Vetë ekzistenca e Aleancës Perëndimore është në dyshim. Ajo mbase si aleancë edhe mund të mbijetojë, por është e sigurt se kontrata e kësaj aleance po pëson rishikim rrënjësor. Rregullat janë duke ndryshuar, e me to edhe rolet e përgjegjësitë.

Neoliberalizmi në zmbrapsje

Njëkohësisht, këto lëvizje tektonike po përcillen me goditje të njëpasnjëshme të paradigmës neoliberale. Ajo paradigmë, që mori hov pas rënies së komunizmit, promovonte demokracinë liberale e të drejtat e njeriut si vlera të pakompromis në një botë unipolare të prirë nga SHBA-të. Kosova përfitoi nga kjo paradigmë – ajo u bë arenë e implementimit të saj që mundësoi shtet-ndërtimin dhe ndërtimin e institucioneve. Mirëpo, tash kjo paradigmë është duke u minuar së brendshmi nga vetë krijuesit e saj – nga administrata e re amerikane - por edhe nga elemente të pushtetit apo opozitës respektivisht në një sërë shtetesh evropiane si Gjermania, Franca, Hungaria, Polonia, Suedia, etj. Një pjesë e spektrit të tyre politik – dhe jo vetëm partitë ekstreme të djathta – vlerësojnë se është koha për tërheqje brenda vetes. Duhet vëmendje dhe buxhet shtesë për sigurinë e vendit, ndërsa projektet zhvillimore për vende si Kosova, promovimi i demokracisë, të drejtat e njeriut, barazia gjinore, shoqëria civile etj., papritmas nuk janë më aq prioritare. 

Pra, nuk është vetëm rendi botëror në rirreshtim e sipër. Në një botë çdo herë e më të ftohtë nga kërcënimi i shumëfishtë si ai rus, kinez, kibernetik, nuklear, apo vendor-autoritar, vlerat neoliberale fillojnë të ngjasojnë si dalldisje luksi. Tash duket se është koha për tërheqje brendapërbrenda dhe politika më izoluese. Kjo nënkupton se vlerat demokratike neoliberale janë duke u zhvlerësuar. Ka mundësi që ato të zëvendësohen me një botë më të thatë që udhëhiqet nga praktika kryesisht transaksionale dhe merkantiliste marrëdhëniesh ndërkombëtare. ”Cili është interesi im imediat?” do të jetë parimi orientues i ndërveprimit të shteteve me njëra tjetrën, aleatë apo jo. 

Nga kjo nënvizojmë se demokracia liberale po i nënshtrohet një sfidimi serioz – kësaj radhe nga vetë gardianët e saj. Vlerat e saj mbeten sipërane, por se në çfarë forme do të mbijetojë ajo në këtë rend të ri botëror mbetet të shihet.          

Miqësitë tona – të vjetra dhe të reja

Kosova e pavarur është produkt i dy përpjekjeve. Së pari, i përpjekjes së brendshme paqësore dhe të armatosur për liri dhe pavarësi. Dhe së dyti, i një organizimi ndërkombëtar që lehtësoi negociatat në mes të Kosovës dhe Serbisë, e që pastaj ndëshkoi ushtarakisht këtë të fundit. Dhe në fund, ofroi prani civile dhe ushtarake për Kosovën dhe i priu procesit që rezultoi në pavarësi të vendit. Ky organizim ndërkombëtar udhëhiqej nga Perëndimi dhe mbështetej në paradigmën neoliberale që për qëllim kishte promovimin e vlerave demokratike, të drejtave të njeriut etj. Ne i dimë mirë njerëzit që ishin në ballë të promovimit të këtij projekti: Clinton, Blair, Albright, Cook, Kouchner etj. Kosova dhe liderët e saj pareshtur janë thirrur në miqësinë me ShBA-të dhe shtetet e tjera perëndimore. Orientimi i saj veri-atlantik, siç është thënë shpesh, nuk ka alternativë. Synimi për integrim të plotë në BE dhe NATO është ylli ynë polar. 

Sidoqoftë, ka një kohë që Kosova duket se vendnumëron në aspektin e miqësive të saj. Shumica e liderëve që ndihmuan në çlirimin apo pavarësimin e saj janë ose në pension ose kanë ndërruar jetë. Me gjithë përulësinë që rezervojmë për ta, ka kohë që ata nuk janë më faktorë në jetën publike. Ndërsa ne duket se kemi ngelur ende në sagën e miqësive me figura publike të shpenzuara. Kjo e shpërfaq edhe më të pikëllueshme pamundësinë apo padijen tonë për të krijuar miqësi me liderë të tanishëm botërorë.  

Të gjitha këto lëvizje, ç’do të thonë për ne?

Në sfondin e ndryshimeve tektonike globale, mantra zyrtare e integrimeve euro-atlantike ka filluar të duket e zvetënuar. Janë dy probleme me këtë qëndrim zyrtar.

Problemi i parë qëndron në faktin se, përkundër se vazhdojmë të përsërisim këtë qëndrim në çdo ceremoni zyrtare shtetërore, miqësia jonë me shtetet që sponsorizuan pavarësinë e shtetit ka hyrë në periudhë ftohjeje. Me veprimet e saj qeveria Kurti tashmë është etabluar në syrin e faktorin ndërkombëtar si partner i lëkundshëm, i paparashikueshëm e i pabesueshëm. Këto katër-pesë vjetët e fundit, raportet me amerikanë dhe shtetet mike evropiane janë mbushur me një seri episodesh të keqkuptimeve, konfrontimeve dhe ngatërresave që kanë rritur hendekun e mosbesimit. Në sytë e tyre, Kosova si benefaktore e projektit neoliberal ka arritur atë stad të rritjes (apo çoroditjes) që të rebelohet ndaj vetë përkrahësve/miqve të këtij projekti. Natyrisht se qeveria e ka bërë këtë, si ka deklaruar vetë, në emër të ushtrimit të sovranitetit. Mirëpo, në proces e sipër, nuk ka dyshim se raporti me vendet mike e partnere ka pësuar dëm mjaft serioz.

Problemi i dytë me qëndrimin tonë zyrtar që për ambicie ka integrimin euro-atlantik është se ai qëndrim bazohet kryekëput mbi premisën se aleanca perëndimore është e palëkundshme dhe e përhershme. Ndërsa situata globale sot ka shpërfaqur një mundësi reale se aleanca euro-atlantike mund të jetë në fund të jetës së saj. Kjo, pashmangshëm, na shtyn që ta pyesim veten: çfarë ndodh nëse nesër nuk ka fare ”aleancë euro-atlantike”? Në rast të tillë, ç’të bëjmë ne? Ku na mbetet vendi neve? 

Me gjithë traumat e momentit, aleanca euro-atlantike me siguri nuk vdes. Por ajo gjithsesi se është në rishqyrtim e sipër. Ndërkohë, dilema jonë ende qëndron: në njërën anë kemi dëmtuar raporte me miq e aleatë perëndimorë duke sfiduar, njëkohësisht, bazamentin e projektit neoliberal që i dha shtysë lindjes së shtetit kosovar. Në anën tjetër, nuk jemi fare të sinkronizuar me lëkundjet e tanishme tektonike që do të na mundësonin ripërtëritjen e miqësive me shtetet aleate dhe të tjera. Duhet nënvizuar se vlerat, rregullat, e drejta historike nuk e kanë peshën që e kishin deri dje. Marrëdhëniet ndërkombëtare çdo herë e më shumë po diktohen nga interesa puro merkantiliste e transaksionale. Kosova andaj është në një garë të dyfishtë: që të rikrijojë miqësi me shtete tradicionale mike, dhe që të jetë e hapur për krijimin e miqësive edhe me shtete jashtë boshtit ekskluziv euro-atlantik.