OpEd

Kosova me pavarësi multilaterale

Jo vetëm në Serbi, por edhe nga disa qarqe të BE-së vazhdon të përmendet termi “shpallja unilaterale e pavarësisë së Kosovës”. Është term krejt i gabueshëm, sepse pak ka pasur shpallje të pavarësisë që kanë qenë më pak bilaterale, apo më shumë multilaterale sesa ajo e Kosovës. Edhe tash kur Kosova ndërmerr hapa që një shtet i pavarur ka të drejtë t’i ndërmarrë, rikujtohet se ata duhet koordinuar. Pra, edhe pas 16 vjetësh Kosova ka një lloj të pavarësisë multilaterale

Mosha 16-vjeçare në disa vende është madhore mbi të cilën të rinjve u jep mundësi të votojnë në zgjedhjet evropiane këtë vit. Në Austri, Belgjikë, Gjermani dhe Maltë ata që kanë mbushur 16 vjet mund të votojnë tash. Kosova si shtet i pavarur ka mbushur 16 vjet. Por pak ka të drejtë të votojë në shumë organizata ndërkombëtare. Pasi për këta 16 vjet nuk ka arritur ta rrumbullakojë në tërësi subjektivitetin e saj ndërkombëtar, edhe pse në këtë drejtim ka arritur sukses të konsiderueshëm. Por pritjet kanë qenë më të mëdha para 16 vjetësh.

Në 16-vjetorin e Pavarësisë do të duhej rikujtuar disa rrethana dhe fakte për të cilat gjithnjë e më shumë njerëz në Bruksel dhe vende të tjera evropiane nuk dinë. Dhe për këtë i marrin si fakte disa gjëra që janë pjellë e propagandës së Serbisë. Për shembull, thënia se shpallja e Pavarësisë së Kosovës ishte akt i njëanshëm. Se ishte shkelje e të drejtës ndërkombëtare.

Jo vetëm në Serbi, por edhe nga disa qarqe të BE-së vazhdon të përmendet termi “shpallja unilaterale e pavarësisë së Kosovës”. Është term krejt i gabueshëm, sepse pak ka pasur shpallje të pavarësisë që kanë qenë më pak bilaterale, apo më shumë multilaterale sesa ajo e Kosovës. Edhe tash kur Kosova ndërmerr hapa që një shtet i pavarur ka të drejtë t’i ndërmarrë, rikujtohet se ata duhet koordinuar. Pra, edhe pas 16 vjetësh Kosova ka një lloj të pavarësisë multilaterale.

Dy herë në “Koha Ditore” e kishim shkruar datën se kur do të shpallej pavarësia e Kosovës. Dy herë, disa javë para shpalljes së pavarësisë e kishim shkruar se kjo do të ndodhte më 17 shkurt. Dhe këtë nuk e kishim shkruar nga burimet kosovare, por nga ato të BE-së. Sepse shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte jashtëzakonisht e koordinuar. Dhe koordinimin e kishte bërë Bashkimi Evropian, së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa autoritetet e Kosovës ishin akterët kryesorë në shfaqjen e shpalljes së pavarësisë. Deri në hollësi ishte planifikuar secili hap. Edhe se duhej shpallur të dielën pasdite, një ditë para se të ketë takim të rregullt të Këshillit të Ministrave të BE-së. Edhe himni e flamuri ishin dizajnuar dhe kompozuar sipas udhëzimeve të dakorduara multilaterale. Dihej edhe cili shtet në cilin moment do ta bënte publik qëndrimin për njohje dhe kur do ta bënte njohjen formale. Kjo shpallje e pavarësisë ishte bërë në bazë të një propozimi ndërkombëtar, pas një procesi ndërkombëtar të udhëhequr nga i dërguari i posaçëm i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së. Krejt kjo e bën këtë pavarësi të Kosovës të jetë shumë më pak unilaterale sesa, për shembull, ajo e Kroacisë apo Sllovenisë. E askush nuk përdor termin “unilaterale” kur flet për shpalljet e pavarësisë së Kroacisë dhe atë të Sllovenisë. Ndoshta për shkak se nuk kanë pasur elemente “multilaterale” Kroacia dhe Sllovenia kishin pranuar që për një kohë të shpallnin edhe moratorium në pavarësinë e tyre.

Pohimet që dëgjohen nga njerëz të afërt me përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrell, dhe me të dërguarin e posaçëm për dialogun, Miroslav Lajçak, se termi “shpallje unilaterale e pavarësisë” në rastin e Kosovës përdoret për shkak se “me këtë nuk është pajtuar Serbia” ishin dëgjuar si argumente edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë. Ishin dëgjuar nga Rusia, Spanja, Serbia, Sllovakia dhe nga disa vende të tjera. Por shumica e vendeve të tjera thanë një fakt historik. Se shumë shtete janë krijuar në rruzullin tokësor pa lejen e ndonjë shteti fqinjë apo pa pajtimin e një shteti i cili e kishte nën administrim atë territor.

Natyrisht se do të ishte mirë sikur Serbia të pajtohej me pavarësinë e Kosovës. Asnjë njohje nuk do të ishte më e rëndësishme për Kosovën sesa njohja nga Serbia. Por të pohosh se pa lejen e Serbisë, Kosova nuk mund të jetë shtet është një gabim. Është pohim i dëmshëm, por për fat të keq është mendim që gjen mbështetje të madhe në një pjesë të rëndësishme të BE-së në Bruksel, sidomos në Komisionin Evropian dhe në Shërbimin e Veprimit të Jashtëm të BE-së. Dhe mendimet e tilla nuk do ta afrojnë, por vetëm do ta vonojnë edhe më shumë normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

pohimet e Serbisë që shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte shkelje e të drejtës ndërkombëtare janë krejtësisht të pabaza dhe propagandë e thjeshtë. Nuk ka nevojë këtu për shumë analizë, sepse mendimin për këtë e ka dhënë GJND-ja, pikërisht duke u përgjigjur në pyetjen e parashtruar nga Serbia. E nuk ka në këtë botë trup më të thirrur për ta interpretuar të drejtën ndërkombëtare sesa GJND-ja. Edhe fakti se Këshilli i Sigurimit i OKB-së nuk e ka njohur Kosovën nuk është akt ligjor, por politik. KS i OKB-së nuk e ka bërë këtë jo për shkak të respektimit të parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe të demokracisë, por për shkak të shkeljes së këtyre parimeve. Në rastin e Kosovës, nga Rusia e cila ka keqpërdorur të drejtën e vetos, duke mos pranuar as propozimin e të dërguarit të posaçëm të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së (Athisaarit) e as Mendimin e GJND-së, që po ashtu është trup i OKB-së. Mënyra se si bllokohet Kosova në Këshillin e Sigurimit është padrejtësi ndërkombëtare e jo respektim i së drejtës ndërkombëtare.

Kosova gjithmonë duhet rikujtuar se si u shpall pavarësia, kush çfarë roli pati. Që të mos mendohet se disa njerëz u çuan një ditë dhe vendosën thjeshtë ta shpallin pavarësinë. Këtë duhet rikujtuar edhe partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës. Pikërisht për shkak se ata kanë të drejtë të kërkojnë që Kosova të mos bëjë hapa unilateralë, sepse forcimi i shtetit vazhdon të jetë projekt i përbashkët, edhe Kosova ka të drejtë t’ua kujtojë disa partnerëve se as ata deri në fund nuk i kanë përmbushur të gjitha obligimet e tyre nga ajo shpallja e përbashkët e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008 sipas Pakos së Ahtisaarit. BE-ja, për shembull, asnjëherë nuk e ka pranuar as Pakon e Ahtisaarit dhe atë ndarje që pati para 16 vjetësh vazhdon ta ketë edhe sot. Dhe kur BE-ja ka hezitime dhe paqartësi në këto qëndrime, atëherë kjo ndikon edhe në kontinentet e tjera dhe kjo ia ka vështirësuar Kosovës forcimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar. BE-ja vepron sikur shumica e vendeve të mos e kishin njohur pavarësinë e Kosovës e pakica ta kishin njohur. Dhe kjo duhet të ndryshojë nëse vërtet BE-ja dëshiron që të ketë sukses procesi i dialogut, të cilin pa sukses po e lehtëson pikërisht Bashkimi Evropian.