OpEd

Kosova e kohërave interesante

Dikur në të 66-ën e hershme presidenti amerikan, Robert F. Kennedy, po përballej me një botë të ngërthyer nga të gjitha anët prej problemeve. Si i pari i shtetit më të fuqishëm në glob, mundohej ta jepte njëfarë përkufizimi për të. Uronte nëpërmjet mallkimit të njohur kinez: “Jetofshi në kohëra interesante”. E Kosova sot po që po jeton në kohëra interesante

E vë kapelën e kuqe dhe e kreh edhe njëherë mjekrën e bardhë borë. Pasi e shtrëngon mirë edhe grykën e thesit gjigant me dhurata, Babadimri nga Finlanda e largët e nis misionin e përmotshëm. Në listë i kishin mbetur vetëm edhe të vegjlit nga Kosova.

“Vend i vogël, kryej punë shpejt”, thotë ai dhe e merr sajën e shpejtë si rrufeja edhe niset.

Rrëshqet e rrëshqet… e sa hapë e mbyllë sytë mbërrin në një vend me shkëmbinj plot. Aty seç e tradhton mbamendja, rruga nuk po i kujtohej kurrsesi. Ecën ca hapa tutje, e para syve i shfaqet një tabelë e vogël.

“Cccccc… aaakorrr”, e lexon mezi shkrimin në tabelë. Ama se ku ndodhej ky vend as idenë më të vogël nuk e kishte. Derisa po e çante kokën çfarë të bënte, befas një zë i thellë burri ia pret nga prapa: “Nije Cakor stari” (Nuk është Cakor, plakush). “Nego Čakor” (Po Çakorr). Siç e dini, Babadimri çdo gjuhë të botës di dhe nuk pati telashe ta kuptonte burrin. Prandaj e pyet: “A u kojoj sam ja to državi?” (E në cilin shtet jam kështu?). “U Crnoj Gori” (Në Mal të Zi), i përgjigjet burri.

“Vaj halli”, mendohet Babadimri, “...unë në Kosovë duhej të mbërrija”. Sa e thotë ndër dhëmbë këtë fjali, një burrë tjetër mustaqethinjur e me plis nis të bërtasë gjaknxehtë.

“Pooo çfarë Mali i Zi moreeee. Kjo tokë hon’ e don e Kosovës o konë”. Babadimri edhe plakun e nxehur e kupton mirë fort, ama çfarë nuk kuptonte fare është se nga duhej t’ia mbante. Fëmijët po e prisnin, nuk kishte kohë të dëgjonte grindjet e dy burrave. Kështu që vendos të lëshohet krye në vete rrugës teposhtë. Por në natën e errët korb rrugën nuk arrinte ta kujtonte. Dikur saja e shpien drejt një shtegu të dekoruar me dritat vezulluese të fundvitit, diku në kryeqytetin e shtetit që kishte arritur ta gjente. Aty i bie në sy një godinë e vogël, por më shumë se godina vëmendjen ia tërheq një erë e rëndë tymi. Kjo erë e drejton brenda një salle të madhe me karrige druri luksoz. Aty disa burra me kravata të kushtueshme dhe gra me veshje zyrtare dukej se kishin njëfarë halli. Diçka po diskutonin furishëm dhe asnjëri pe nuk po lëshonte.

“Kalon...”, thotë njëri. “Nuk kalon...”, bërtet tjetri. Babadimri nuk kupton se çfarë kalonte a nuk kalonte, por edhe ishte me ngut, s’kishte kohë për të humbur. Me mendjen e bërë lëmsh, plaku kthen kurrizin dhe i jep përsëri sajës. Sa mendon që më të keqen ka lënë prapa supeve, një sallë e ngjashme, ama pak më modeste, ia hap dyert. Edhe aty “diçka po zihej”. Nja tre burra të veshur me mantel të zinj po e lexonin njëfarë vendimi që askujt në sallë duket se nuk po i pëlqente. Befas shpërthejnë britmat e besa edhe të sharat. Babadimrit topolak ia skuqin faqet këto të shara dhe vendos t’ia mbathë sa më shpejt. Por grindjet e pareshtura që e kishin shoqëruar ngado përgjatë rrugëtimit të tij në Kosovën fare të vogël, nuk po ia linin mendjen rehat. Ama prapëseprapë e ruan optimizmin.

Kur më në fund, fati duket se i buzëqesh. Saja kësaj radhe është aty ku duhet. Para dyerve të njëfarë shkolle në njërën prej lagjeve periferike e të stërngarkuara të kryeqytetit. Menjëherë futet brenda dhe aty fëmijët fytyrëbuzëqeshur i hidhen në përqafim. E ai pa humbur fare kohë e nis punën e zakonshme. Hap grykën e thesit dhe fillon t’i thërrasë një nga një fëmijët.

“Adea???”, thërret Babadimri. Vajza faqekuqe dhe me flokë të krehur apostafat për takimin me të, i afrohet ngadalë. “Ho... ho... hoooo”, i buzëqeshë ai siç e ka zakon dhe ia zgjat dhuratën. E gëzuar për shpërblimin që e meritoi, sepse ishte treguar e mirë gjatë gjithë një viti, vajza e përqafon dhe i pëshpëritë në vesh: “E di Babadimër, unë e di që ti nuk je prej vërteti. Je dikush që është maskuar si Plaku i Vitit të Ri, por s’ka lidhje, unë prapëseprapë të dua”.

Fjalët e saj seç i bien si plumb. Ç’mund ta kishte shtyrë një fëmijë vetëm shtatë vjeç të mos besojë në ekzistencën e plakut më të dashur të të vegjëlve, mendohet Babadimri. Mbase ata klonët e dhjetëfishtë të tij që i kishte parë të parakalonin përgjatë një sheshi pak qindra metra të gjatë. Apo ndoshta insistimet e vazhdueshme të nënës e të babait që të mësojë sa më shumë për ta pasur një të ardhme më të mirë se të tyren. Ngase nëna mbase fakultetin e kishte lënë pa përfunduar, për ta ruajtur vendin e rrallë të punës që kishte arritur ta gjente e babai ndoshta fakultetin e kishte mbaruar ama vendin e punës s’e kishte gjetur kurrë.

I shkrumbuar në shpirt, Babadimri vendos ta marrë rrugën e kthimit në Finlandë pa e përfunduar misionin e përvitshëm. Ndonëse e dinte se fëmijët do t’i linte në zhgënjim. I zhgënjyer ishte edhe vetë. Kështu që i hip sajës dhe niset fytyrëngrysur.

Kur përfundon përsëri pranë asaj tabele me germa të kuqe, aty plaku mustaqethinjur dhe fqinji i tij zë thellë duket se qenë lodhur më së debatuari. Ishin ulur këmbëkryq dhe e kishin ndezur nga një cigare, njëri në një anë e tjetri në tjetrën. Sa i ngrenë kokat për ta parë se kush po u kalonte pranë, burrat e shohin Babadimrin dhe nisin grindjen prapë. Mundohej kot të ndërhynte me ndonjë fjalë, zgjidhje nuk mund t’u bënte. E kur më as zëri nuk po arrinte t’i dëgjohej prej furisë së burrave, ikën ngadalë e pa u vërejtur.

Në kasollen e tij të drunjtë në Finlandë mbërrin shumë shpejt. Ulet në kolltukun pranë oxhakut, ama rehatinë e zakonshme atë natë nuk po e gjente. Mendja po i rrinte te gumëzhimat e një vendi kaq të vogël e të ri në moshë, si dhe te filloristja që nuk po arrinte ta jetonte fëmijërinë.

“Euuu po ç’vend interesant që qenka ky”, thotë ai, ndonëse nuk ia del assesi ta definonte interesanten e Kosovës. Ky mendim ia rikujtoi fjalimin e hershëm, dikur në të 66-ën, të presidentit amerikan, Robert F. Kennedy. Bota atë vit ishte ngërthyer nga të gjitha anët prej problemeve të pareshtura dhe Kennedy, si i pari i shtetit më të fuqishëm në glob, mundohej ta jepte njëfarë përkufizimi për të. Uronte nëpërmjet mallkimit të njohur kinez: “Jetofshi në kohëra interesante”.

Tingëllon si një lloj bekimi, por i dashur Babadimër, Kosova po jeton në kohëra interesante.