Është paksa e habitshme lehtësia me të cilën analistët e ndryshëm prognozojnë se sa njerëz do të largohen nga Kosova, si pasojë e liberalizimit të vizave. Largimi relativisht i madh ka ndodhur edhe para liberalizimit. Prandaj, ky fenomen do të vazhdojë, ndoshta edhe të rritet, por kjo nuk e bën liberalizimin të jetë shkaktar
Para diku rreth 15 vjetësh, Kroacia, e cila po negocionte anëtarësimin në BE, kishte numër të njëjtë të banorëve sa edhe Irlanda. Diku 4.4 milionë banorë. Për këtë arsye, Irlanda ishte marrë si bazë edhe kur llogaritej se sa vota do t’i ketë Kroacia në Këshillin e BE-së dhe sa vende në Parlamentin Evropian. Sepse kjo varet nga popullsia e një vendi anëtar. Sot dallimi është hiç më pak se 1.2 milion banorë në favor të Irlandës. Irlanda e ka kaluar numrin prej 5 milionë banorëve, ndërsa Kroacia ka rënë në shifrën prej 3.8 milionë banorëve. Kroacia, si shteti më i ri anëtar i Bashkimit Evropian e ka problem serioz largimin e njerëzve, sidomos të rinjve. Prej kur është bërë anëtare e BE-së më shumë se gjysmë milioni shtetas të Kroacisë janë larguar nga vendi. Trendi i tillë ishte edhe para se të bëhej anëtare. Në këtë mënyrë Kroacisë i ka ndodhur i njëjti fenomen që u pati ndodhur edhe vendeve të tjera nga lindja evropiane (me përjashtim të Sllovenisë dhe Çekisë) kur ato u bënë anëtare të BE-së. Por ky largim ka disa anë të medaljes e jo vetëm një apo dy.
Së pari duke u larguar nga një vend me ekonomi në krizë, ku papunësia ishte shumë e lartë, ata gjeten punë në një vend tjetër të BE-së, duke shfrytëzuar mundësinë e lëvizjes së lirë të punëtorëve në tregun unik të BE-së. Në këtë mënyrë, papunësia e Kroacisë që ishte mbi 17 për qind para hyrjes në BE ka rënë tash në nivelin prej vetëm 6 për qind, që është niveli më i ulët në histori. Të rinjtë që janë larguar nga Kroacia, siç ishin larguar më herët edhe nga Bullgaria, Rumania, Lituania apo Polonia, kanë zgjidhur një problem të tyre personal, gjetjen e një vendi të punës. Jo vetëm se nuk ishin më barrë e prindërve të tyre, apo të sistemit social, por nisën të kontribuojnë duke ndihmuar familjet dhe duke ndikuar me remitencat e tyre edhe në ekonominë e vendit. Edhe në Kroaci, paratë që dërgohen nga diaspora kanë ndikim të madh në ekonomi, dhe supozohet se mund të jetë kontribuuesi i tretë pas turizmit dhe mjeteve investuese nga fondet e BE-së. Shumë njerëz kanë shkuar për të gjetur një vend pune. Por disa edhe për të gjetur një vend më të mirë pune. Ku jo vetëm paguhet më mirë, por edhe ku respektohet më shumë punëtori dhe ku puna jashtë orarit zyrtar paguhet ekstra.
Nëse flasim për ndikimin pozitiv, largimi kaq i madh i fuqisë punëtore ka ndikuar në rritjen e shpejtë të rrogave në Kroaci, respektimin më të madh të punëtorëve dhe vetëdijesimin e punëdhënësve. Rrogat mesatare në Kroaci tash e kanë kaluar nivelin prej 1.000 euro në muaj.
Por ka pasur edhe ndikime negative. Largimi i fuqisë së re punëtore, krahas plakjes së shpejtë të popullsisë, ka ndikuar që të rritet presioni mbi sistemin pensional. Megjithatë, ekonomia ka krijuar një rezistencë, duke e gjetur fuqinë punëtore jashtë vendit. Në fillim, Kroacia ka marrë shumë punëtorë nga ai që quhet “baseni rajonal” ku hynë kryesisht Bosnjë Hercegovina, Kosova, Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Ky basen është shterur shpejt. Sepse nga këto vende punëtorët kanë shkuar edhe në Slloveni, Gjermani, Austri, Zvicër dhe vende të tjera ku kanë mundur të marrin viza pune apo të sigurojnë mundësinë e emigrimit legal përmes martesave apo ndonjë mënyrë tjetër. Kroacia vitin e kaluar ka lëshuar më shumë se 120.000 leje pune për shtetasit e huaj, pra ata që nuk janë nga BE-ja.
Kjo Kroaci, nga e cila për dhjetë vjet janë larguar gjysmë milioni njerëz në vitet e fundit ka qenë destinacion i preferuar për shumë kosovarë. Sepse nëse rroga prej 1.600 eurosh në Gjermani është më shumë se ajo 1.000 euro në Kroaci, rrogat në Kroaci janë magnet për kosovarët. Tash jo vetëm Kroacia, por edhe vendet shumë më të varfra të rajonit të Ballkanit Perëndimor kanë mungesë të fuqisë punëtore në disa sektorë. Kjo i detyron të kërkojnë punëtorë nga jashtë. Por autoritetet e këtyre vendeve duhet të jenë të kujdesshme që të mos lejojnë të krijohet një situatë ku kërkohet vetëm fuqi shumë e lirë e punës. Duhet gjetur një balancë për stimulimin e kosovarëve që të punojnë edhe në Kosovë. Sepse një ngritje racionale e rrogave, respektimi i orarit dhe kushteve të punës, mund të jetë një motiv për shumë njerëz që të qëndrojnë në Kosovë. Sidomos duke e pasur parasysh se shumica e kosovarëve jetojnë në shtëpitë e tyre për dallim prej vendeve perëndimore ku shumica jetojnë si qiraxhinj. Në Bruksel për shembull mbi 60 për qind e banorëve jetojnë në objekte që i kanë me qira. Banimi në vendet perëndimore dhe shpenzimet e tjera të jetës do t’i bëjnë shumë njerëz që të mendojnë mirë para se të pranojnë një ofertë pune.
Lëvizja e njerëzve edhe e fuqisë punëtore, është një fenomen aq i vjetër sa edhe vetë njerëzimi. Ai nuk do të ndalet, sepse është i natyrshëm. Shumë qytetarë nga Franca dhe Gjermania, që janë shtete shumë të zhvilluara, shkojnë për të punuar në Luksemburg apo Zvicër, sepse rrogat janë shumë më të larta. Bile janë me qindra mija njerëz që brenda ditës shkojnë në Luksemburg apo Zvicër për të punuar dhe kthehen në mbrëmje. Pra, nuk janë vetëm ata nga vendet e varfra që kërkojnë punë që paguhet më mirë por kjo është e natyrshme edhe për njerëzit nga shtetet stabile me mirëqenie më të lartë sociale.
Këto duhet t’i kenë parasysh edhe në Kosovë, kur bëjnë analiza rreth ndikimit të liberalizimit të vizave. Sikurse Kroacia e ka pasur shembullin e Rumanisë, Bullgarisë e Polonisë se si ndikon anëtarësimi në BE në largimin e fuqisë punëtore, dhe nuk është përgatitur si duhet, ashtu edhe Kosova e ka pasur shembullin e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Bosnjë-Hercegovinës dhe Serbisë. E shembujt e tyre dëshmojnë se liberalizimi i vizave ka pasur një ndikim jo të madh në këtë fenomen, por megjithatë, ka pasur ndikim.
Në Kosovë bëjnë gabim kur në mënyrë paushallë konstatojnë se “gjysmë milioni njerëz do të largohen për tre muajt e parë”. Sepse, sipas përshtypjes së parë, qytetarët e Kosovës megjithatë, janë të njoftuar më mirë sesa të tjerët në rajon se mundësia e shkuarjes pa viza në Evropën Perëndimore nuk nënkupton mundësinë e punës.
Madje pasojat do të jetë shumë të larta nëse e keqpërdorin këtë. Natyrisht se kur të shkojnë për vizitë mund të gjejnë ndonjë kontakt për punë, por pastaj prapë duhet të pajisen me leje pune, siç u desh të pajisen edhe kur nuk kishte liberalizim vizash.
Është paksa e habitshme lehtësia me të cilën analistët e ndryshëm prognozojnë se sa njerëz do të largohen nga Kosova si pasojë e liberalizimit të vizave. Largimi relativisht i madh ka ndodhur edhe para liberalizimit. Prandaj, ky fenomen do të vazhdojë, ndoshta edhe të rritet, por kjo nuk e bën liberalizimin të jetë shkaktar. Njerëzit nga Kosova edhe para liberalizimit kanë emigruar dhe atë në numër shumë të madh. Kjo ka qenë, është dhe do të jetë sfidë për punëdhënësit në Kosovë. E le të jetë. Sepse kjo do t’i vendosë punëtorët në një pozitë më të favorshme. Kështu ka ndodhur edhe në vendet e tjera evropiane.
E sa i përket nevojës, Evropa ka vërtet nevojë. Por nuk ka nevojë për secilin profil të punëtorëve. Vitin e kaluar në BE në mënyrë legale kanë shkuar për të punuar 3,5 milionë të huaj. Këtu nuk llogariten edhe mbi 5 milionë ukrainas që janë strehuar në vendet e BE-së, por kanë mundësi edhe për të punuar. Secilin vit, BE-ja do të ketë nevojë për së paku po kaq punëtorë. Por tash kërkohen më shumë punëtorë të kualifikuar e jo më vetëm fuqi e lirë e punës. Është paska e padrejtë që BE-ja tash ta sheh zgjidhjen e problemeve të saj demografike, duke tërhequr trurin nga vendet të cilat kanë investuar në shkollimin e atyre punëtorëve. Tash është pyetje tjetër sa ka Kosova fuqi të kualifikuar punë që kërkohet në BE, sa janë ta gatshëm të migrojnë nëse të tillët gjithnjë e më të mira i kanë kushtet edhe në Kosovë, është një çështje që duhet studiuar hollësisht. Jo të flitet dhe bëhen analiza paushallë për largimin masiv të gjysmë milioni njerëzve brenda disa muajve. Edhe me anketa duhet pasur kujdes, sepse qytetarët kanë tendencë që në pyetje të përgjigjen në mënyrë sipërfaqësore. Në pyetjen “A keni plan të largoheni nga Kosova pas liberalizimit të vizave?“, shumë lehtë përgjigja mund të jetë “paj, nëse paraqitet mundësia isha largu”. Dhe çka është largimi nga Kosova? A është shpërngulja e përhershme apo edhe vizita familjes apo një udhëtim. Shumë shpejt do të vijë fundi i marsit e atë ditë duhet të bëhen hulumtime për të parë se a janë larguar apo jo hiç më pak se 400.000 kosovarë në tre muajt e parë të liberalizimit të vizave. Nëse vërtet ndodh kjo, dhe dëshmohet se liberalizimi ka qenë shkaktar, atëherë ka mundësi që në BE seriozisht të mendojnë për suspendimin e liberalizimit të vizave për kosovarët. Natyrisht nëse kjo bëhet në mënyrë ilegale, e mënyrë ilegale është udhëtimi pa viza dhe angazhimi në punë.
Problemet demografike janë dhe do të mbeten sfida serioze për shumë vende, sidomos për Kosovën, me apo pa liberalizim. Kosova është ndër vendet e rralla në Evropë që, përkundër rënies, ka akoma një natalitet të lartë. Dhe përkundër kësaj, numri i banorëve të Kosovës është zvogëluar në mënyrë dramatike. Është gabim që për këtë tash të fajësohet liberalizimi i vizave.