OpEd

Korniza e tretë

Shenjat e para janë që pas karotës për anëtarësim në BE dhe asaj për treg të përbashkët të Ballkanit Perëndimor, dialogu Kosovë-Serbi të hyjë në territor të paqartë të një koncepti që është ende ide e presidentit Macron: Komuniteti politik evropian

1.

Nëse do lexuar shenjat e para të asaj që e pret Evropën (dhe hapësirën e Ballkanit Perëndimor në të) pas zgjedhjeve në Gjermani e Francë dhe me luftën në Ukrainë të filluar pas zgjedhjeve parlamentare gjermane e para zgjedhjeve presidenciale franceze, atëherë mbase do kombinuar dy gjeste, atë të presidentit francez dhe atë të kancelarit Scholz.

Presidenti Macron zgjodhi Ditën e Evropës për të shpalosur besimin e tij për ndërtimin e një sistemi institucional që do të akomodonte në “Evropë” ato vende që nuk janë në BE. Në mandatin e tij të parë, Macron kishte shprehur disi besimin e tij në “Evropën e dy shpejtësive”, pra që në BE-në e sotme të zhvillohej një integrim më i thellë i shteteve bosht si Franca, Gjermania, Holanda e të tjera, që ishin të gatshme për këtë. Ky integrim do të shkonte drejt një federalizmi, ndërsa jashtë tij do të mbeteshin ato shtete të BE-së që nuk kanë shpejtësi të mjaftueshme për t’iu adaptuar këtij sistemi. Tash, në mandatin e dytë, presidenti Macron shpalosi idenë për një “Komunitet politik evropian”, jashtë BE-së, që do të akomodonte shtetet që nuk janë në BE e që me gjithë dëshirën për të qenë (dhe me gjithë statusin e kandidatit, MSA apo ndonjë niveli tjetër integrimi) nuk kanë gjasa që të integrohen shpejt në BE.

Kancelari Scholz disa ditë më herët zgjodhi t’i thërriste kryeministrin e Kosovës dhe presidentin e Serbisë në mënyrë që të ringjallë njëkohësisht “dialogun” Kosovë-Serbi dhe procesin e Berlinit për integrim regjional të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

2.

Të dyja gjestet janë të ndërlidhura mes vete në një kthesë të rëndësishme gjeopolitike.

Invadimi rus në Ukrainë nxiti reagime të atilla uniteti dhe emocioni në BE, saqë shkuarja e U.von der Layen në Kyiv dhe dorëzimi i pyetësorit për anëtarësim në BE presidentit të Ukrainës mund të jetë interpretuar si vënie në përdorim të një procesi të shpejtë anëtarësimi të Ukrainës (si përgjigje ndaj agresionit rus) me çka do të duhej të shpejtohej edhe integrimi i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Macron kishte një përgjigje të thjeshtë për këtë në Ditën e Evropës. Po, Ukraina ka dorëzuar 5.000 (pesë mijë) faqet e përgjigjeve ndaj pyetësorit të BE-së dhe po, të gjithë shpresojnë se ky do të jetë vend kandidat, por këtij vendi do t’i nevojiten vite, madje “disa dhjetëvjetësh” për të qenë gati për të qenë vend anëtar.

Pra, lufta në Ukrainë dhe gjeopolitika nuk kanë ndikuar për anëtarësim të shpejtë, siç ishte rasti te Spanja, Portugalia e Greqia, të sapoçliruara nga diktaturat apo vendet e Evropës Lindore e Qendrore, apo si në rastin e Bullgarisë e Rumanisë anëtarësimi i të cilave qe hapi i fundit për t’i shpëtuar nga rritja e ndikimit rus.

3.

Tronditjet gjeopolitike dhe shpejtësia e integrimit u panë në ftesën e kancelarit gjerman për A.Kurtin dhe A.Vuçiqin. Takimi në Berlin, në kontekstin e fjalimit të mëvonshëm të Macronit, mund të interpretohet me porosi të thjeshta. Njëra është që Kosova dhe Serbia në kohën e luftës në Ukrainë duhet të kërkojnë shpejtim të gjetjes së marrëveshjes, me lehtësim të BE-së. E dyta është që korniza e marrëveshjes mund të mos jetë integrimi i shpejtë në BE, madje ky është fare i pamundur nëse nuk mund të krijohet integrimi i ndërsjellë i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor brenda Procesit të Berlinit.

Llogaria gjeopolitike se lufta në Ukrainë që krijoi unitet të paprecedentë në BE e që kështu do të mund të shpejtonte integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE u kthye përmbys. Ballkani Perëndimor në vizionin e Macronit do të jetë së bashku me Ukrainën dhe pak për shkak të Ukrainës e pak për shkak të vetes pjesë e një krijese të re rrjetësimi institucionesh, komuniteti politik evropian.

4.

Dy janë efektet imediate e me gjasa për efekt afatgjatë në regjionin e Ballkanit Perëndimor.

I pari është eliminimi i idesë së anëtarësimit të shpejtë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, qoftë edhe për motive gjeopolitike. Një gjë e tillë ndikon drejtpërsëdrejti (siç ka ndikuar heshtazi gjatë tërë dhjetëvjetëshit të kaluar) në dialogun Kosovë-Serbi, i cili është mbështetur në idenë se Serbia do të anëtarësohet në BE, në këmbim të njohjes së pavarësisë së Kosovës. Serbia e ka lexuar drejt dobësinë integruese të BE-së dhe ka zhvilluar negociata me Kosovën për aq sa ka përfituar nga to në relacion me BE-në. Në mungesë integrimi të shpejtë, BE-ja nuk ka karota të rëndësishme për Serbinë dhe procesi i dialogut mund të vazhdojë edhe një dhjetëvjetësh me ritëm e rezultate të njëjta.

I dyti është përputhja e Procesit të Berlinit me Komunitetin e Macronit. Në javët dhe muajt e ardhshëm do të shohim elaborim të mëtejmë të një procesi, i cili mund të përfundojë në sintezë, pra si do të integrohet Procesi i Berlinit (që është një proces politik, i cili duhet të ringjallet e të marrë versionin 2.0) në procesin e konceptualizimit, debatimit, dizajnimit e në fund miratimit të konturave të diçkaje që do të jetë Komuniteti politik evropian, diçka si muri i jashtëm evropian, që ndan kontinentin prej Evro-Azisë, e cila fillon aty ku fillon Rusia.

Nëse është kështu atëbotë është duke u definuar korniza e tretë e dialogut Kosovë-Serbi. Në të parën, Kosova dhe Serbia do të mbërrinin marrëveshjen e ndërsjellë në kuadër të anëtarësimit në BE (me shpejtësitë e veta, respektive). Në të dytën, Kosova dhe Serbia do të ishin shtete me marrëdhënie të normalizuara brenda tregut të përbashkët të Ballkanit Perëndimor. Tash fillon sfida e ardhshme: Kosova dhe Serbia do të kenë marrëdhënie normale brenda një komuniteti që sot ekziston vetëm si ide e shqiptuar nga presidenti Macron.

Nëse nuk ka ndonjë forcë politike plotësuese për t’i nxitur Kosovën dhe Serbinë drejt marrëveshjes, korniza e tretë mund ta konsumojë dhjetëvjetëshin e vet.