A i morëm 3 mësimet nga Testet Kombëtare?! Sot pritet të publikohen rezultatet e Testit të Maturës, e pas një jave ato të Testit të Arritshmërisë. Këtyre testeve shtetërore u nënshtrohen nxënësit e arsimit parauniversitar: Testit të Maturës- nxënësit që përfundojnë klasën e 12-të, rrjedhimisht nxënësit që përfundojnë shkollimin e mesëm të lartë; dhe Testit të Arritshmërisë - nxënësit që përfundojnë nivelin e mesëm të ulët të shkollimit. Por, janë tri mësime që duhen nxjerrë nga këto teste:
1. Kopjimi
As shpërndarja e nxënësve të një klase nëpër shkolla të ndryshme gjatë mbajtjes së të dyja testeve kombëtare që u praktikua sivjet, nuk kreu punë. Sepse, sërish u kopjua dhe testet sërish u publikuan nëpër grupe të rrjeteve sociale, sikurse viteve të shkuara. Kreativiteti për të kopjuar tejkalon përpjekjet e dikujt për parandalimin e kopjimit. Sepse për të kopjuar organizohet një ndërmarrje e tërë njerëzish, nisur që nga familja e deri zyrtarët që punojnë nëpër institucione. Ata sajojnë lloj-lloj strategjish për t’u “ndihmuar” nxënësve/familjarë të tyre për të kopjuar, duke u thënë: “kopjoni, sepse të gjithë po kopjojnë”. Kësisoj, rezultuan të dështuara një mori tendencash të ndryshme që janë bërë ndër vite, në përpjekje për të mirëmenaxhuar mbajtjen testeve kombëtare dhe për të parandaluar kopjimin. Parimisht, kopjimi po reflekton të jetë bërë mentalitet shoqëror, e jo problem individual apo grupor.
Shigjetat pse u kopjua drejtohen nga administratorët e testeve, meqë ka pasur klasë ku nxënësit nuk kanë mundur të kopjojnë as edhe një shkronjë. Por, e kundërta ka ndodhur në jo pak klasë, ku administratori “i ka mbyllur sytë” dhe në emër të “ndihmës” ka toleruar kopjimin masiv në klasë. Testet e plotësuara janë shpërndarë në rrjetet sociale, që në minutat e parë të fillimit të Testit (koha e fillimit ka qenë e njëjtë në gjithë shtetin). Tani shtrohet pyetja, se si është e mundur që nxënësi të plotësojë testin e 100 pyetjeve me përgjigjet e sakta, brenda pak minutash. Aty është dashur të bëhen një sërë veprimesh të palejueshme: nxënësi të futet në klasë me telefon, pastaj ta nxjerrë telefonin, të fotografojë testin, të futet në grup, e pastaj ta dërgoj atë. Ku ishin administratorët në këto raste?- Apo, ndoshta duhet të ndryshojmë pistat e hetimeve, e të drejtohemi kah hartuesit e këtyre testeve dhe punonjësit e institucioneve që kanë mundur ta kenë pasur testin në dorë, përpara se të fillonte testimi. Ndërkohë, që fokusi dhe energjia më e madhe e mbikëqyrjes është derdhur në Prishtinë-si kryeqytet, ka pasur raste përgjatë viteve të shkuara kur komuna të caktuara kanë dalë me rezultate në teste dukshëm më të larta, duke nxitur hamendësime mbi cilësinë në mësimdhënie dhe mësimnxënie atje krahasuar me Prishtinën.
Të dyja Testet janë treguese që hapin dyert për pranim në shkollimin e mëtejmë. Maturantët nuk mund të konkurrojnë në arsimin e lartë, pa pasur pikë mbi pragun e kalueshmërisë. Pikët e marra dëftojnë renditjen në listat e pranimit, njësoj sikurse edhe pikët e marra në testin e Arritshmërisë për nxënësit që ua mësyjnë shkollave të mesme të larta.
2. Orientimi
Sivjet, për herë të parë është zbatuar aplikimi online për nënshtrimin e nxënësve në testin e Maturës. Nxënësit i janë nënshtruar testit në katër lëndë, tri nga to të detyrueshme: gjuhë shqipe, gjuhë angleze dhe matematikë, si dhe një lënde zgjedhore. Ata vetë e kanë zgjedhur se cila do të jetë ajo, aty ku ata ndihen më mirë të përgatitur. Por, a u kujdes ndokush për të nxjerrë nga këto teste të dhëna që janë tregues shumë të vlefshëm, sidomos për orientimin në karrierë të gjeneratave të ardhshme?! Këto të dhëna kanë mundur të nxirren nga aplikimi i maturantëve për lëndët zgjedhore. Nuk e kemi parë asnjë reflektim të Ministrisë së Arsimit në lidhje me këtë, sikurse që nuk e kemi parë asnjë përpjekje institucionale që nxënësit e talentuar nga shkollat e mesme, të orientohen nëpër fushat ku ata kanë talente dhe prije në arsimin e lartë brenda shtetit. Vendet e zhvilluara derdhin fonde për të tërhequr kuadrot që kanë prirje për fusha të profesioneve të caktuara, ku kërkesa në treg është e lartë. Ofertat për këto fusha prekin majat e investimeve, për shkak të sigurisë së lartë se këto janë investime të kthyeshme, duke thyer barriera dhe hapur dyert edhe për studentët e huaj, se lëre më për ata vendorë.
3. Risitë
Është një numër i konsiderueshëm i nxënësve që nuk kanë mundur t’i nënshtrohen fare Tetit të Maturës, për arsye se nuk kanë pasur mundësi të aplikojnë online, në E-Kosova, ose nuk kanë ditur se si ta bëjnë këtë. Kjo, meqë Ministria e Arsimit njoftoi për këtë risi vetëm pak kohë përpara mbajtjes e testit. Ndërkaq, nxënësit u penalizuan pa fajin e tyre, prandaj duhet nxjerrë mësim edhe nga kjo, në mënyrë që të mos aplikohen risi në nivele të këtilla, pa u përgatitur komuniteti për to. Në këtë rast, Ministria e Arsimit, do të duhej të njoftonte shumë më herët, së paku në fillim të gjysmë-vjetorit të dytë shkollor, se nxënësit duhet të aplikojnë në mënyrë elektronike për nënshtrim të Testit të Maturës. Dhe pastaj, të bëhen përgatitje të tjera të duhura, siç është informimi i nxënësve se si të aplikojnë. Pastaj, është dashur që t’u ofrohet mundësi për qasje në infrastrukturën e shkollës nxënësve që mund të mos kenë pajisje teknologjike . Sikur kjo të bëhej, nuk do të ndodhte që nxënësit të aplikonin me numër të letërnjoftimit të prindit, në vend se të këtë ta bënin me numrin e tij personal. Apo, disa edhe të mbeteshin pa aplikuar fare, siç janë nxënësit e komuniteteve të caktuara në Kosovë.