OpEd

Komisioni Evropian – Grup burrash i udhëhequr nga një grua

Ursula Von der Leyen do të udhëheqë një kolegj të përbërë kryesisht nga burrat, sepse vendet anëtare kanë injoruar thirrjen që të propozojnë më shumë gra për postet e komisionarëve. Kjo do të jetë një njollë për Komisionin i cili tërë botës i mban ligjërata për barazinë e grave, e vetë do të ketë në përbërje mbi dy të tretat burra

Tri nga katër postet më të rëndësishme në institucionet e Bashkimit Evropian do të udhëhiqen nga gratë. Roberta Metsolla tashmë ka nisur mandatin si kryetare e Parlamentit Evropian. Ursula von der Leyen është konfirmuar të jetë në krye të Komisionit Evropian edhe në një mandat të ri pesëvjeçarë. Kaja Kallas do të jetë Përfaqësuese e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri. Kjo në shikim të parë duket si një dëshmi se sa rëndësi Bashkimi Evropian u jep grave dhe përfaqësimit sa më të madh të tyre në postet kryesore. Por duket se kjo ka qenë vetëm një koincidencë e jo rezultat i planeve të vendeve anëtare të BE-së të cilat e kanë fjalën kryesore në zgjedhjen e krerëve të institucioneve. Sepse edhe Bashkimi Evropian është akoma larg arritjes së qëllimit që gratë të jenë të përfaqësuara në mënyrë të barabartë në postet e larta. Fakti se tri nga katër postet udhëheqëse do t’i kenë gratë, madje mund të bëhet vetëm një argument i mirë për të mbuluar faktin tjetër, atë që shumicën e madhe të posteve të larta dhe të mesme në strukturat e Bashkimit Evropian akoma i kanë burrat.
Tash Komisioni Evropian, si institucioni më i madh i BE-së për nga numri i nëpunësve, do të përballet me një sfidë të madhe për të dëshmuar se vetë respekton barazinë gjinore dhe përfaqësimin sado pak të barabartë të grave në postet udhëheqëse. Në bazë të propozimeve që vendet anëtare të BE-së i kanë dhënë deri me tash për kandidatët e tyre për komisionarë të BE-së shumica e madhe pritet të jenë burra. Kanë mbetur vetëm edhe disa ditë deri kur presidentes së zgjedhur Von der Leyen vendet anëtare duhet t’ia dërgojnë kandidatët e tyre. Këtë e kanë bërë 23 shtete dhe 16 prej tyre kanë propozuar burra. Edhe katër të cilat nuk kanë dërguar akoma emrat e kandidatëve të tyre pritet të nominojnë burra, së paku tri prej tyre. Dhe kështu, komisioni i ardhshëm Evropian, nga 27 anëtarë, mund të ketë afro 20 burra dhe vetëm 7 apo 8 gra, përfshirë edhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Secili vend anëtarë ka të drejtë të ketë një anëtar të Komisionit Evropian. Ky parim është ruajtur, përkundër tentimeve që numri i komisionarëve të zvogëlohet, në mënyrë që komisioni të bëhet më efikas dhe të mos ketë nevojë të zbulohen portofola të çuditshëm vetëm për të siguruar post për secilin komisionar. Vendet e vogla anëtare kanë qenë kundër reformave të propozuara për zvogëlimin e numrit të komisionarëve, sepse me këtë kanë pasur frikë se do të humbin ndikimin e tyre.
Në parim secili anëtar i Komisionit Evropian kur merr atë post përfaqëson interesat e BE-së, e jo atë të vendit të tij. Por në praktikë secili komisionar është një lloj ambasadori apo “spiuni“ joformal i qeverisë, e cila edhe e dërgon në atë postë ku rroga është hiç më pak se 24 mijë euro në muaj. Nuk zgjedh Komisioni Evropian e as presidentja se kush do të jetë komisionar, por këtë e bëjnë qeveritë e vendeve anëtare. Prandaj ato edhe injorojnë sugjerimet që bëhen nga jashtë se cilin kandidat duhet dërguar në Bruksel.  

Ursula Von der Leyen do të udhëheqë një kolegj të përbërë kryesisht nga burrat, sepse vendet anëtare kanë injoruar thirrjen që të propozojnë më shumë gra për postet e komisionarëve. Kjo do të jetë një njollë për komisionin i cili tërë botës i mban ligjërata për barazinë e grave, e vetë do të ketë në përbërje mbi dy të tretat burra.

Ursula von der Leyen ndoshta ka gabuar kur u ka sugjeruar qeverive të vendeve anëtare që të dërgojnë nga dy emra për kandidatë të tyre për anëtarë të Komisionit Evropian, një grua dhe një burrë. Sepse kjo do t’i bënte qesharakë burrat kandidatë, duke e ditur se ajo për të siguruar një balancë do të zgjedhë gratë. Dhe me të drejtë disa kandidatë potencialë burra kanë thënë se nuk duan të jenë kandidatë, nëse nuk janë i vetmi kandidat nga vendi i tyre. Do të ishte më mirë sikur Von der Leyen t’u kishte kërkuar direkt që të kandidojnë sa më shumë gra.

Tash Von der Leyen mund të luajë lojën, duke u dhënë atyre pak grave postet kryesore në Komisionin Evropian, siç janë: Ekonomia, Financat, Kohezioni, Konkurrenca, Bujqësia  dhe Tregtia, e burrave ato që janë më pak të rëndësishme. Por vështirë që ajo do ta bëjë një gjë të tillë. Dhe i vetmi shpëtim për të parandaluar që Komisioni i ri Evropian të jetë një grup burrash që do të udhëhiqet nga një grua do të jetë Parlamenti Evropian. Pasi të kompletohet lista e kandidatëve Von der Leyen do t’u ndajë atyre edhe fushat për të cilat do të jenë komisionarë, e pastaj ata duhet të kalojnë procesin e dëgjimit dhe aprovimit në Parlamentin Evropian. Mund të ndodhë që të refuzohen edhe për shkak se nuk ka sa duhet gra në përbërje të Komisionit. Por edhe kjo do të ishte e padrejtë sepse komisionarët aprovohen apo refuzohen në bazë të posedimit apo të mungesës së kompetencave, e jo në baza gjinore. Gjithsesi, kjo po bëhet një temë e cila do t’i shkaktojë kokëçarje presidentes së Komisionit evropian tash, dhe do ta ndjekë gjatë gjithë mandatit të dytë. Dhe kritikët e Komisionit Evropian do të kenë një argument shtesë për të akuzuar Komisionin se të tjerëve po u predikon atë që vetë nuk e bën.