OpEd

Koktej zgjedhjesh

Sa mirë që u kryen zgjedhjet në Evropë, dhe mbase do të shohim ndërrime njerëzish në pozitën e Borrellit dhe shkaktarit të të gjitha lëmsheve, Lajçakut. Por, duke e ditur Evropën, shumë zor se do të ketë ndonjë lëvizje përpara në këtë drejtim. Pos nëse përfshihet Amerika (fatmirësisht Escobari shkoi) me një qeveri ku nuk ka hise dikush si Grenelli. Shumë gjëra do të varen nga zgjedhjet në SHBA. Besoj se fitorja e Harrisit do të ishte më e favorshme për Kosovën. Besoj se ajo e di se Kosova është në Evropë, e jo në Lindje të Afërt

Sezoni i festivaleve e mbërriti pikun tash nga fundi i korrikut e fillimi i gushtit. Edicioni i radhës i festivalit RLIOF nisi javën e shkuar; parmbrëmë nuk gjendej taksi “as për ilaç” në Prishtinë, sepse dukej se e gjithë rinia kishte shkuar në Bërnicë në Festivalin Sunny Hill, ndërkohë që Dokufesti në Prizren do të nisë të premten e ardhshme. I vetmi defekt kësaj radhe qe moskoordinimi mes festivalit të operës dhe atij të dokumentarëve sa u përket datave: i pari mbyllet po atë natë kur i dyti hapet. Mëkat.
Fatmirësisht, aktiviteti kulturor po na sjell kënaqësi në këtë verë përvëluese, një far lloj flladi i sojit të vet. Njëmend kënaqësi kur sheh se sa shumë talent ka ky vend, që mund të shpërthejë vetëm nëse udhëzohet si duhet, edhe atëherë kur i mungon infrastruktura bazë, si një sallë koncertale a teatër, për shembull. 

Po e paramendoj situatën kur do t’i kishim këto godina, e do ta kishim një program vjetor koncertesh, operash, shfaqjesh e të ngjashme, pa pasur nevojë të improvizohet asnjë gjë, për shkak se duhet menduar se a duhet dalë në rrugë për të kënduar, apo duhet hyrë në hapësira të vogla e të papërshtatshme për të performuar.

Dhe njëmend, sa paraja ka shkuar kot në këtë shtet për sende kot, është marre, marre e madhe që hala nuk e kemi një objekt për koncerte. Ta merr mendja se në vend të sallës e kishin pasur në plan ta ndërtonin një raketë...

* * *

Lajmi i javës gjithsesi qe tërheqja e Joe Bidenit nga gara për kryetar të Amerikës. Presioni i madh nga bashkëpartiakët, dhe sipas “New York Timesit”, këshilla e këshilltarëve të tij kryesorë që i sinjalizonin se po të mbeste në garë, do t’i humbte zgjedhjet, bënë që deri dje kandidati më i moshuar për kryetarin e shtetit më të fuqishëm në botë, t’i lëshonte rrugë “rinisë”.

Kamala Harris, nënkryetarja aktuale e SHBA-së, ka më së shumti gjasa që të shpallet kandidate e demokratëve tash në Konventën që do të mbahet në gusht. Fakti se Bideni ia dha përkrahjen përnjëherë, e më pas kësaj përkrahjeje iu bashkua edhe një numër i konsiderueshëm kongresmenësh, senatorësh e guvernatorësh, bëri që Harris t’i mblidhte madje 100 milionë dollarë donacionesh brenda dy ditësh dhe që vetëm pas një jave ta zvogëlojë dallimin në sondazhe dhe t’i afrohet shumë afër Trumpit.

Do të kujtojmë se Trumpi garoi kundër Hillary Clintonit dhe u zgjodh kryetar më 2016. Clinton qe gruaja e parë që kishte kandiduar ndonjëherë në historinë amerikane që nga pavarësia më 1776. Pra, shteti më demokratik në botë, më 2009 zgjodhi për herë të parë një kryetar me ngjyrë dhe nuk ka pasur kurrë një grua për shefe të shtetit. Mbase i ka ardhur radha në këto zgjedhje. 

Harris është e bija e dy migrantëve në SHBA, dy doktorëve të shkencave. Babai xhamajkan kishte qenë profesor i ekonomisë në universitetin me nam Stanford, kurse nëna indiane, me doktoratë në endokrinologji dhe nutricionizëm, ishte marrë me hulumtimin për zbulimin e shërimit të kancerit në gji. Ishin shkurorëzuar kur Harris kishte qenë 8 vjeç, dhe së bashku me motrën, i kishte rritur nëna, e cila, ironia e deshi, vdiq nga kanceri në zorrë të trashë.

Harris, e cila mban mbiemrin e babait, u martua me një avokat, një burrë i bardhë me prejardhje hebraike, por që është baptist, dhe u bë njerka e fëmijëve të tij nga martesa e parë.
Pra, një kombinim i jashtëzakonshëm kulturash e traditash të cilat janë shkrirë në shtetësinë që mban, atë amerikane – pra vendit mbase më shumëkulturor dhe shumetnik që njeh bota. Përkrahësit e saj e mbajnë mend si prokurore të guximshme dhe të suksesshme në Kaliforni, që u katapultua në politikë para më shumë se 15 vjetësh.  

Është gruaja e parë nënkryetare e Amerikës. E shanset janë, nëse ia del ta tërheq votën e grupeve etnike dhe të grave, se mund të bëhet madje edhe kryetarja e parë e Amerikës.
Do të jetë një fushatë interesante.

* * *

Ndërkohë në anën tjetër të botës, konkretisht në Kosovë e rajon, ende përmendet e përflitet emri i Lajçakut dhe, ende flitet për një marrëveshje që është, por nuk është, që pranohet, por nuk pranohet.
Gjatë javës, në një mbledhje në Kuvendin e Serbisë, kryeministri i Serbisë e tha këtë: “Ta them edhe njëherë shumë qartë – dhe kjo do të regjistrohet diku me audio apo transkriptim – Republika e Serbisë nuk e ka pranuar Marrëveshjen franko-gjermane... edhe njëherë nuk e kemi pranuar marrëveshjen franko-gjermane, nuk e kemi nënshkruar dhe i kemi përcaktuar drejtimet, përkatësisht kemi dhënë vërejtjet tona për dokumentin dhe e kemi thënë qartë se nuk është i papranueshëm pranimi implicit a eksplicit i çfarëdo pavarësie të të ashtuquajturës Kosovë.  Kjo është vijë e kuqe për Republikën e Serbisë. Se a duhet biseduar, bisedojmë. Shikojmë ta shfrytëzojmë cilëndo hapësirë manovrimi që të mos na e varrosin shtetin për kushedi të satën herë në historinë e re... që të mos na përndjekin, të mos na dënojnë, të mos na sanksionojnë, që të mos humbim diçka shumë të vlefshme për qytetarët e Serbisë. Kuptoni se nuk duhet përherë t’i zbulojmë krejt letrat, sepse është kundërproduktive për pozicionin serb...”

Ndaj kësaj deklarate reagoi zv.kryeministri Bislimi me një status në “X”: “Kryeministri i Serbisë po i pyet përfaqësuesin e BE-së dhe shefin e Politikës së Jashtme: Edhe çka tjetër duhet bërë për t’iu bindur se për Serbinë nuk ka marrëveshje bazë? Se pjesëmarrja e tyre në dialog është e shtirur vetëm për t’i shmangur sanksionet eventuale? Edhe sa propozime të planeve sekuencuese janë nevojshme para se të zbulohet e vërteta të gjitha shteteve anëtare?” 

Pra përderisa reagimi i Bislimit është një që përsëritet ka mbi një vit, kjo deklaratë e kryeministrit të ri serb ka qenë më e qarta që e kemi dëgjuar deri tash: ajo që e vërteton se Serbia nuk e do marrëveshjen dhe se atë nuk e ka pranuar, ndërkohë që insiston se Kosova ka obligimin për themelimin e ASK-së. Evropa u kundërpërgjigj, duke thënë se tashmë kjo marrëveshje është pjesë e obligimeve që i kanë përpara të dy shtetet në rrugën për në Evropë.

E këta në BE, thuajse janë duke jetuar në planet tjetër dhe thuajse mendojnë se kjo marrëveshje njëmend është miratuar, pasi që Borrelli dhe Lajçaku e bënë llom krejt procesin në marsin e 2023-s, duke ndryshuar dokumentin në çastin e fundit, natyrisht duke ia mbajtur anën Serbisë.

Sa mirë që u kryen zgjedhjet në Evropë, dhe mbase do të shohim ndërrime njerëzish në pozitën e Borrellit dhe shkaktarit të të gjitha lëmsheve, Lajçakut. Por, duke e ditur Evropën, shumë zor se do të ketë ndonjë lëvizje përpara në këtë drejtim. Pos nëse përfshihet Amerika (fatmirësisht Escobari shkoi) me një qeveri ku nuk ka hise dikush si Grenelli. Shumë gjëra do të varen nga zgjedhjet në SHBA. Besoj se fitorja e Harrisit do të ishte më e favorshme për Kosovën. Besoj se ajo e di se Kosova është në Evropë, e jo në Lindje të Afërt.

* * *

Gushti do të jetë muaj pushimi për Kuvendin. 

Boll mirë, tash dembelët do ta kenë edhe arsyetimin ligjor që të mos punojnë. E puna e tyre ka gjasa të kufizohet shpejt, e që megjithatë të kemi shpallje të zgjedhjeve sipas afateve ligjore, por më pas edhe një mundësi teorike që Kuvendi të shpërndahet, e që zgjedhjet tona të përfundojnë para atyre amerikane. 

Pra, po më duket se pas pauzës verore, shpejt do t’i hyjmë rundit të ri të zgjedhjeve edhe në Kosovë.
E vetmja e mirë këtu është se në rast të zgjedhjeve të parakohshme, fushata do të zgjasë, zyrtarisht, vetëm 10 ditë.

[email protected]