OpEd

Koha për të vepruar është tani

Koha për të vepruar është tani. Me një strategji të qartë dhe bashkëpunim të ngushtë ndërmjet institucioneve, vendeve të rajonit dhe sektorit privat, Kosova mund të pozicionohet si një histori suksesi në transformimin digjital, Inteligjencë Artificiale dhe inovacion

Në dhjetor të vitit të kaluar, një grup aktivistësh nga diaspora dhe të gjitha viset shqiptare, përfshirë autorin e këtij shkrimi, i drejtuan një letër të hapur përfaqësuesve politikë shqiptarë, duke ngritur shqetësime mbi rritjen e tensioneve gjeopolitike dhe ndikimin e tyre te ne. Konfliktet në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, forcimi i bllokut BRICS, destabiliteti politik në Bashkimin Evropian, veçanërisht në Gjermani dhe Francë, si dhe përshkallëzimi i rivalitetit midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, po e riformatojnë rendin global me një shpejtësi të paprecedentë, thuhej në këtë letër.

Letra paralajmëronte se rikthimi i presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë do të përshpejtonte këto dinamika, duke ndryshuar në mënyrë të thellë mënyrën e ndërveprimit midis shteteve dhe institucioneve ndërkombëtare. Ky kontekst i ri, thuhej më tutje në letër, ka pasoja të drejtpërdrejta për stabilitetin politik dhe zhvillimin në Evropën Juglindore, përfshirë Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Luginën e Preshevës. Përballë këtyre sfidave, rekomandohej që përfaqësuesit shqiptarë nga të gjitha viset të zhvillojnë një strategji të përbashkët për të mbrojtur dhe avancuar interesat kombëtare.

Ndryshimet dhe efektet e para

Edhe pse letra u mbështet nga qytetarë të tjerë përmes një peticioni, ajo sikur ra në vesh të shurdhër. Por, as vetë autorët e saj nuk e kishin marrë me mend se sa shpejt do të ndodhnin këto ndryshime pas rikthimit të presidentit Trump në detyrë. Sot, bota është dëshmitare e urdhrave të njëpasnjëshëm ekzekutivë të administratës së tij, të cilët po tronditin themelet e institucioneve amerikane dhe të vetë rendit botëror.

Brenda dy javësh, Uashingtoni ndryshoi rrënjësisht qasjen e tij ndaj ndihmës zhvillimore, duke ngrirë një buxhet prej 40 miliardë dollarësh dhe duke ndaluar projekte të rëndësishme në të gjithë globin. Kosova, e cila gjatë katër vjetëve të fundit kishte përfituar ndihma amerikane rreth gjysmë miliardë dollarësh, po përballet me pezullimin e projekteve në fushën e drejtësisë, demokratizimit dhe zhvillimit ekonomik, me një vlerë prej rreth 150 milionë dollarësh.

E ndodhur edhe nën sanksionet e BE-së, të cilat bllokojnë fonde të tjera me vlerë prej 150 milionë eurosh, Kosova humbi një mbështetje që përfaqëson rreth 3% të GDP-së së saj. Ndërsa e ardhmja e ndihmës amerikane mbetet e paqartë, heqja e sanksioneve të BE-së duket një perspektivë e largët, sidomos për shkak të kundërshtimit të mundshëm të vendeve anëtare si Hungaria dhe Sllovakia.

Rreziku i luftërave tregtare dhe kërcënimi për institucionet ndërkombëtare

Rikonfigurimi gjeopolitik që po ndodh shoqërohet me kërcënimin e një lufte tregtare globale, e nxitur nga tarifat amerikane ndaj Kinës, Kanadasë dhe Meksikës, të cilat mund të prekin edhe Bashkimin Evropian. Përvoja ka treguar se luftërat tregtare nuk sjellin fitues. Përkundrazi, ato rrezikojnë ta zhysin botën në recesion të thellë dhe krizë financiare. Njëkohësisht, ashpërsimi i tonit të administratës së re në Uashington ndaj Grenlandës dhe Panamasë mund t’i frymëzojnë edhe më shumë politikat ekspansioniste të Rusisë dhe Kinës, njëra në Evropë, tjetra në Azi. E ardhmja e NATO-s është e mjegullt, po ashtu edhe e institucioneve të Bretton Woods-it, si Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Megjithëse nuk ka ende shenja të një tërheqjeje të SHBA-së nga këto institucione, largimi i saj nga Organizata Botërore e Shëndetësisë shërben si një paralajmërim serioz. Një tërheqje eventuale ose një zvogëlim i mbështetjes financiare amerikane, si dhe një ulje e prezencës ushtarake në Evropë, mund të kenë pasoja të paparashikueshme për sigurinë dhe ekonominë globale.

Transformimi digjital si mundësi

Por, çdo krizë sjell edhe mundësi. Krahas këtyre zhvillimeve gjeopolitike, bota po përjeton një transformim të paprecedentë përmes revolucionit të Inteligjencës Artificiale (IA). Ekspertët e fushës e shohin këtë si një epokë të re transformimi teknologjik, shumë më të fuqishme se revolucioni digjital i fundshekullit të kaluar.

Ndërsa SHBA-ja dhe Kina po japin tenorin në këtë fushë, Evropa duket e papërgatitur dhe rrezikon të humbasë edhe atë ndikim të vogël që ka. Për vende të vogla të Evropës Juglindore, si Kosova, ky zhvillim paraqet një mundësi të jashtëzakonshme për të ndjekur modelin e suksesit të Koresë së Jugut, Tajvanit apo Singaporit, por në rastin tonë duke u fokusuar në digjitalizim, inovacion dhe IA.

Për tre dekada liri, Kosova ka dështuar të gjejë një drejtim të specializuar ekonomik për të çuar përpara agjendën zhvillimore. Një nga parimet themelore të ekonomisë është teoria e përparësisë krahasuese e David Rikardos, e cila sugjeron që çdo shtet duhet të specializohet në një sektor të veçantë për t'u integruar në zinxhirët globalë të vlerës dhe tregtisë. Gjermania e zbatoi këtë strategji pas Luftës së Dytë Botërore, duke u specializuar në industrinë e teknologjisë dhe automobilave. Produktet “Made in Germany” edhe sot janë shembull i cilësisë, vlerës dhe qëndrueshmërisë. Tani, ndërsa ekonomia gjermane po përballet me recesion për shkak të krizës energjetike, tregjeve të dobësuara aziatike dhe konkurrencës në rritje, zhvendosja e kompanive gjermane (nearshoring) drejt vendeve me kosto më të ulët të fuqisë punëtore përfaqëson një mundësi për ne. Te ne, fuqia punëtore është ende më e lirë dhe taksat janë më të përballueshme, përderisa infrastruktura – përjashto energjinë elektrike – ka pësuar një përmirësim të dukshëm.

Prandaj, Inteligjenca Artificiale dhe Nearshoring janë dy mundësi historike, një rast i artë për Kosovën dhe rajonin për të ndërtuar ekonomi të zhvilluara dhe të qëndrueshme, që ofrojnë punësim, mirëqenie, siguri e dinjitet.

Prioritetet për veprim

Por, politika duket e paaftë të kuptojë këto zhvillime. Në fushatat zgjedhore në Kosovë e Shqipëri partitë politike nuk dëshmuan largpamësinë për të identifikuar këto trende dhe për të forcuar faktorët lokalë, që lehtësojnë investimet në këto fusha. Ende nuk është vonë, por veprimi urgjent është i domosdoshëm në tri drejtime:

Së pari, siguria energjetike duhet t’iu garantohet investitorëve duke ndërtuar kapacitete të reja dhe duke rritur bashkëpunimin energjetik rajonal. Dihet se edhe prodhimi edhe teknologjia e inteligjencës artificiale, posaçërisht qendrat e të dhënave (data centers), janë konsumues të mëdhenj të energjisë elektrike.

Së dyti, kërkohet aftësim dhe edukim në teknologji. Krahas ngritjes së cilësisë në shkolla dhe një fokusi më të madh në shkencat ekzakte, nevojiten masa afatshkurtra për të trajnuar të rinjtë në fushat moderne të teknologjisë informative. Pavarësisht se Inteligjenca Artificiale Gjenerative është duke i rrezikuar një mori profesionesh, nevoja për programerë të zotë, qoftë për zhvillim të produkteve të reja apo për siguri kibernetike (cyber security) do të vazhdojë të jetë e lartë dhe beteja globale për talente do të intensifikohet.

Së treti, nevojitet kthim i trurit dhe tërheqje e investimeve. Kosova dhe Shqipëria duhet të zhvillojnë programe për kthimin e trurit, të ngrenë programe për nomadët digjitalë dhe të mobilizojnë investimet, përfshirë ato të diasporës. Kjo duhet të shoqërohet me aktivitete promovuese agresive jo vetëm në Evropën Perëndimore, Izrael dhe SHBA, por edhe në ato vende, që ndodhen sot në një proces gjigant tranformativ dhe diversifikues, si Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Këto të fundit janë duke investuar miliarda në këto fusha në SHBA dhe Evropë dhe nga kjo hise mund të përfitojnë edhe Kosova, Shqipëria dhe vendet e rajonit.

Koha për të vepruar është tani. Me një strategji të qartë dhe bashkëpunim të ngushtë ndërmjet institucioneve, vendeve të rajonit dhe sektorit privat, Kosova mund të pozicionohet si një histori suksesi në transformimin digjital, Inteligjencë Artificiale dhe inovacion.