OpEd

Koalicioni sekret i LVV-së me Listën Serbe dhe sekretet e tjera qeveritare

LVV-në nuk e ka votuar askush për ta kapur shtetin. Vota e dhënë për LVV-në ka qenë çlirimi i shtetit nga ata që janë perceptuar realisht apo si pasojë, siç po shihet tani, e propagandës së LVV-së, si kapës të shtetit dhe shndërrimi i tij në shërbyes të mirë të qytetarëve. Mirëpo nga ajo që po shihet qysh në përfundim të mandatit të saj të parë si parti në pushtet, LVV-ja është duke e bërë mu atë për çka i ka kritikuar të tjerët sa ka qenë në opozitë

Velloja e fshehtësive që po e mbulon Qeverinë e Kosovës është  shumëdimensionale dhe përfshin si aspektin politik, ashtu edhe atë ekonomik. Sado që është premtuar transparencë qeverisëse dhe udhëheqje në bazë të parimeve politike të ndershmërisë e të sundimit të ligjit, qeverisja e LVV-së po del se nuk po iu përmbahet parimeve të qeverisjes së mirë e transparencës. Jo se qeveritë dhe udhëheqësit e kaluar kanë qenë gjithaq transparentë e parimorë, por që qytetarët e Kosovës kanë pritur nga LVV-ja diçka më ndryshe. Ajo që kanë fituar është, jo vetëm jotransparenca, por edhe mashtrimi politik. Duke qenë se e kontrollon shumicën në Kuvendin e Kosovës dhe me një opozitë numerikisht të pafuqishme për t’ia imponuar Qeverisë llogaridhënien efektive, kryeministri Kurti ka zgjedhur që shumë procese dhe vendime t’i mbajë sekrete dhe të kryejë punë në mënyrën që në gjuhën angleze do të quhej “deep state”.

Pika e parë e jotransparencës së LVV-së është koalicioni sekret me Listën Serbe. Kur është krijuar Qeveria, kryeministri Kurti ka thënë publikisht se LVV-ja nuk hyn në partneritet koalicioni me Listën Serbe në Kuvendin e Kosovës, por se e ka për detyrim kushtetues që të emërojë ministra nga kjo listë. Kjo e ka domethënien se LVV-ja kishte shpallur se nuk e konsideron Listën Serbe partnere politike dhe se nuk do të kishte bashkëpunim me të në procesin legjislativ. Mirëpo nga faktet që dolën në media të bisedave të shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së, znj. Mimoza Kusari, me ish-shefin e Grupit Parlamentar të Listës serbe, Slavko Simiq, dhe me ish-nënkryetarin e kësaj liste, Milan Radoiçiq, tregojnë se ky partneritet ka funksionuar dhe është mirëmbajtur, por është mbajtur larg syve të opinionit publik. 

Përderisa publikisht LVV-ja e përjashtonte Listën Serbe nga partneriteti, në mënyrë sekrete ajo kultivonte një partneritet të ngushtë, për të arritur synimet e veta qeverisëse. Nuk janë problematike bisedat e znj. Kusari me Slavko Simiqin, sepse komunikimi, madje edhe me kundërshtarët politikë, është pjesë përbërëse e procesit politik. Problematik është mashtrimi i qytetarëve se LVV-ja nuk e ka Listën Serbe partnere të koalicionit. Ky shkrim nuk do të merret me pyetjen përse znj. Kusari ka komunikuar dhe është marrë vesh për miratimin e ligjeve me Milan Radoiçiqin, edhe pse, ky komunikim shpërfaq një dimension tjetër të mashtrimit politik të LVV-së, e cila ka përfituar politikisht duke e sulmuar një ish-kryeministër tjetër. Z. Ramush Haradinaj, për takimin që  kishte pasur me Radoiçiqin në zyrën e tij. Të paktën Haradinaj e kishte bërë këtë takim publikisht. Kurti, në anën tjetër, komunikimin me Radoiçiqin e ka mbajtur sekret. Këtu është me rëndësi pyetja se cili është qëllimi i mbajtjes së bisedave me Listën Serbe sekret? 

Kësaj pyetjeje më së miri do t’iu kishte përgjigjur vetë kryeministri Kurti, i cili, së bashku me znj. Kusari, kur dolën përgjimet e para të bisedave të saj me Simiqin dhe me Radoiçiqin, kishin thënë publikisht se kjo ka qenë vetëm një bisedë dhe se me Radoiçiqin biseda ishte zhvilluar një herë përmes interfonit të Slavko Simiqit, ndërkaq që kohëve të fundit dolën fakte edhe për biseda të tjera e marrëveshje në mes të LVV-së dhe Listës Serbe, ku interlokutori i tyre kryesor ishte Milan Radoiçiq. Kjo domethënë se as z. Kurti e as znj. Kusari nuk e kanë ndërmend që qytetarëve të Kosovës t’ua tregojnë të vërtetën lidhur me partneritetin e LVV-së me Listën Serbe, por që kanë zgjedhur që mashtrimin ta çojnë deri në fund, madje edhe pasi që të zihen prima facie. Nuk ka dyshim që ky partneritet sekret me Listën Serbe është zhvilluar me dijeninë e plotë, e mbase edhe me direktivë të kryeministrit Kurti. Tekefundit, Mimoza Kusari është vetëm një mjet përmes të cilit kryeministri Kurti i ka arritur qëllimet e veta politike. Ai ka zgjedhur që të mbulojë këtë partneritet me vellon e fshehtësisë për t’i mashtruar qytetarët dhe votuesit e LVV-së se gjoja ai e refuzon Listën Serbe si partner të koalicionit për shkak se ai u përmbahet parimeve politike, përmes të cilave edhe i ka fituar votat e gjysmës së votuesve kosovarë. Për më tepër, përfshirja e Radoiçiqit në këtë partneritet pas sulmeve që i kishte bërë si politikan opozitar ndaj pushteteve të tjera për të njëjtën arsye, shpërfaq një dyfytyrësi politike. Mashtrimi qëndron aty se përderisa të mbetet sekret, mashtrimi nuk ka ndodhur. Madje, edhe nëse ai zbulohet, gjasat të ketë ndodhur janë më të vogla nëse ai mohohet. Kjo të paktën për ata njerëz të cilët e kanë të vështirë të heqin dorë nga besimi i verbër në parimet e deklaruara publikisht nga lideri i LVV-së. 

Se ka ekzistuar një koalicion sekret ndërmjet LVV-së dhe Listës Serbe, dhe se z. Kurti përmes znj. Kusari ka komunikuar me Milan Radoiçiqin, kjo më nuk ka dyshim. Kjo qeveri ka edhe sekrete të tjera, siç janë kontratat e negociuara dhe njëburimore, me të cilat mbytet konkurrenca e lirë si parimi kryesor i ekonomisë së tregut, dhe i rrit gjasat për korrupsion, furnizimi me rezerva shtetërore dhe qeverisja me ndërmarrjet publike nga zyrat e partisë, me njerëz të cilët nuk kanë autorizim ligjor të merren me çështjet e Qeverisë. Ky stil i qeverisjes tregon se LVV-ja është larg parimeve të qeverisjes së mirë, siç janë transparenca dhe sundimi i ligjit, ai i parimeve, proklamimi i zëshëm i të cilave e ka sjellë atë në pushtet. Komunikimi sekret i koordinatores partiake të komiteteve të LVV-së, znj. Dejona Mihali, me ish-kryeshefin ekzekutiv të KEK-ut, z. Nagip Krasniqi, tashmë të akuzuar dhe nën hetime shtesë për korrupsion, nuk është asgjë tjetër përveç kapje partiake e ndërmarrjes më të madhe publike në Kosovë. 

LVV-në nuk e ka votuar askush për ta kapur shtetin. Vota e dhënë për LVV-në ka qenë çlirimi i shtetit nga ata që janë perceptuar realisht apo si pasojë, siç po shihet tani, e propagandës së LVV-së, si kapës të shtetit dhe shndërrimi i tij në shërbyes të mirë të qytetarëve. Mirëpo nga ajo që po shihet qysh në përfundim të mandatit të saj të parë si parti në pushtet, LVV-ja është duke e bërë mu atë për çka i ka kritikuar të tjerët sa ka qenë në opozitë. Qëllimi i saj, sipas metodave të veprimit, është, as më pak, as më shumë se kapja e shtetit. Krejt kjo tregon se qytetarët e Kosovës, sidomos ata që ia kanë dhënë votën e tyre LVV-së në emër të parimeve të qeverisjes së mirë, kanë qenë të mashtruar dhe vazhdojnë të jenë të mashtruar. Pyetja është, a do t’i qëndrojë LVV-së kungulli mbi ujë edhe më 9 shkurt e tutje.