“Më ka ardhur turp nga vetja kur kuptova se jeta është një festë me maska dhe unë merrja pjesë me fytyrën time të vërtetë” (Franz Kafka)
Një dëshmi, pjesë të së cilës u bënë virale e u shndërruan në humor të zi, e dëgjuam në Gjykatën Speciale në nëntor të 2023-s nga një aktivist kontrovers politik, zyrtar qeveritar e ambasador. Para Dhomave të Specializuara, ai tha se është pishman për një pjesë të dëshmive të dhëna më herët dhe se në shumicën e tyre nuk ka qenë në gjendje të mirë psikike.
“Në 90 për qind të deklaratave që i kam dhënë pas luftës nuk kam qenë normal” – kjo dhe të tjera deklarata të tij, në mënyrën dhe me emocionin si u thanë, të krijonin sa neveri për njeriun që i janë besuar shumë herë poste publike, po aq edhe një ndjenjë keqardhjeje. Prandaj edhe nuk i them dot emrin atij që seancën gjyqësore e shndërroi në cirk klounësh. Për më tepër, që për episodin për të cilin ishte ftuar në Hagë, ai kishte folur disa herë publikisht e po aq herë kishte thënë se do të vijë dita kur do të tregonte më shumë detaje.
Kjo shfaqje tragjikomike me ish-ambasadorin ka zgjatur disa ditë në Hagë.
Dikush thoshte se ai u bëri më shumë sherr se hair të akuzuarve, meqë edhe mohonte se ai dhe 13 zyrtarë të atëhershëm të LDK-së janë maltretuar gjatë ndalimit në Qirez në vitin 1998, e edhe tregonte vuajtjet dhe presionin nëpër të cilin kanë kaluar ai dhe familja e tij.
E dikush thoshte se dëshmitari e hoqi maskën e tij, e pavetëdijshëm edhe maskën e të akuzuarve.
Nuk di nëse e hoqi apo e vuri maskën. Por nga rrjedha e deritashme, shumicës së protagonistëve të politikës, të para e të pasluftës, të atyre që shaheshin ditën e bënin pazar natën, u shkon për fytyre fjala – maskarenj.
* * *
Maskat, gjatë këtij viti iu hoqën edhe Serbisë e satelitit të saj në Kosovë, Listës Serbe.
Të promovuarit nga ndërkombëtarët si partnerë me të cilët mund të arrihet paqja, treguan fytyrën e vërtetë në formën më brutale, duke rrezikuar sigurinë dhe cenuar sovranitetin e Kosovës. Ata që planifikuan, organizuan dhe zbatuan sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, për shumë vjet ishin promovuar si partnerë edhe nga qeveritë e dikurshme të Kosovës. Përfaqësuesit politikë serbë që doli se kanë organizuar sulmin në koordinim me pushtetin në Beograd ishin çelësi i krijimit institucioneve të reja pas mbajtjes së shumicës së zgjedhjeve. Ishte krijuar bindja se pa ta s’bëhet punë.
Po ato parti politike që bënin “kumari” me Listën Serbe, jo një herë kritikuan Qeverinë e tashme pse po imponon reciprocitetin, pse po merr vendim për ndërrimin e tabelave të jashtëligjshme...
Në vend se ta vinin në siklet për çështjet ekonomike e sociale, ata i viheshin në qafë Qeverisë se ka minuar “progresin” e arritur me “integrimin” e serbëve në institucionet e Kosovës dhe për pasojë, po përkeqëson marrëdhëniet me aleatët.
E pikërisht “të integruarit” – deputetë e ministra në qeverinë Thaçi, Mustafa e Haradinaj, doli të ishin organizatorë e autorë të dhunës në veri, të sulmit ndaj policisë dhe pengues të vendosjes së ligjshmërisë në atë pjesë. Doli se ata kontrollonin të gjitha aktivitetet ilegale dhe se legjitimitetin politik e kishin fituar dhe mbajtur me kërcënime e shantazhe ndaj komunitetit serb e me mbështetjen e regjimit në Serbi dhe të liderëve të Kosovës.
E për ironi, ndërsa situata në Banjskë dhe rreth saj ishte kritike, opozita insistonte të trajtoheshin në Kuvend, çështje si ta zëmë, koeficienti i pagave.
* * *
Në traditën tonë nuk jam në dijeni që maskat, hiq ato që përdoren në “Natën e Shtrigave”, janë përdorur ndonjëherë si pjesë e rekuizitave në festa, në mort, apo edhe në lojëra-argëtime. Në komunikim e hasim shprehjen “i hoqën maskat”, edhe atë në kuptimin figurativ për gënjeshtarët, mashtruesit, hajnat...
Por historia e shoqërive njeh popuj e tradita me “maska”.
Maskat prej materialeve e formave të ndryshme kanë zënë vend dhe janë shndërruar në vlerë identitare e kulturore, ta zëmë në Venedik, afro tetë shekuj më parë, derisa nuk janë ndaluar në shekullin XVI. Ato ishin pjesë edhe e ritualit hebraik që prej shekullit XV, ndërsa fise në Amerikën e Veriut i kanë përdorur për qëllime shërimi. Në Himalaje e në Afrikë “funksionuan” si ndërmjetëse mes njerëzve dhe forcave të mbinatyrshme.
Maskat në gjuhën arabe (maskhara) kanë kuptimin e talljes e satirës, por edhe të transformimit. Në literaturë, me shqiptim të përafërt, thuhet se vjen nga italishtja si “maschera”, e nga spanjishtja “más que la cara” (më shumë se fytyra ose fytyrë e shtuar), e cila evoluoi në shprehjen e përmbledhur “mascara”. Maskara ka kuptimin edhe të bojës së zezë për qerpikë.
Maska nuk është vetëm një simbol frike e mashtrimi. Studiuesit thonë se ka qenë gjithmonë një nga elementët në kostumin e aktorëve, se e ka origjinën nga teatri klasik grek – përbëhej nga një fytyrë e zbrazët me tipare monstruoze, e vendosur për të fshehur tiparet njerëzore.
Për grekët e lashtë shfaqjet e para teatrale, që u zhvilluan në Athinë gjatë festave për Dionisin, kishin vlerë fetare. Maska, në shpjegimet e studiuesve thuhet se i jepte mundësi një burri të vetëm të luante role të shumta dhe të kompensonte mungesën e grave, të cilat e kishin të ndaluar të dilnin në skenë. Po ashtu, maska i lejonte aktorët të ndryshonin “statusin” e tyre dhe të shpreheshin në një mënyrë që përndryshe konsiderohej e pahijshme.
E njëjta gjë ndodhte në Festën e Budallenjve në disa vende të Evropës, që ishte një ditë kremte më 1 janar, e organizuar nga kleri. Fjala “budalla” përdorej si sinonim për të përulurin, e që sot përdoret edhe si term për kloun. Kloun-in, fjalori e shpjegon si artist cirku që i bën spektatorët të qeshin me lëvizjet, me veshjen dhe me veprimet e tij.
* * *
As në Japoninë e largët nuk është se janë rehat me “maskat” dhe pasojat e saj. Qeveria në maj të vitit 2023 ka hequr zyrtarisht kufizimet e imponuara nga sëmundja COVID që shkaktoi krizën më të madhe shëndetësore në botë në 100 vjetët e fundit. Megjithatë, shumica e qytetarëve vazhdojnë të mbajnë maska kirurgjikale gjatë lëvizjes në publik.
Por, përtej dëmeve të shkaktuara në njerëz e ekonomi, në Japoni është ngritur një shqetësim tjetër, që për “jonormalët” tingëllon absurd. Disa prej tyre druajnë se duke fshehur gojën pas maskave për tre vjet rresht, kanë humbur aftësinë e buzëqeshjes. Dhe për të hequr ngrysjen e fytyrës dhe kthyer pamjen gazmore, tash kanë nisur të marrin mësime nga profesionistët.
Në Kosovë ka mjaft klounë pa maska që ngjajnë me karakteret e aktorëve të shfaqjeve në antikë e mesjetë. Me ta në skenë, vështirë që na kthehet buzëqeshja, edhe sikur të vinin e të na trajtonin për kohë të gjatë ekspertët japonezë.