OpEd

Këshilla e Shekerinskes

Rruga jonë integruese rrezikon të “maqedonizohet”. Askush nuk e di këtë më mirë sesa një maqedonas. Ata e kanë parë këtë film. E dinë saktë si do të përfundojë. Prandaj, zgjidhja tani ngelet e jona. E vetmja gjë që nuk do të mund ta themi nesër është se miqtë nuk na kanë paralajmëruar

Jemi në ditët e fundit të Qeverisë Kurti 2. Rrjedhimisht, është kohë e duhur për të bërë një vlerësim të performancës së saj në fushën e integrimit evropian. Mënyra më e drejtë për ta bërë këtë është që Qeveria të vlerësohet karshi objektivave që ia ka vendosur vetes. 

Në këtë drejtim, më 7 maj të vitit 2021 Qeveria e miratoi programin e saj qeverisës për periudhën 2021-2025. Aty, në mes tjerash, ajo ravijëzoi objektivat e saj në fushën e integrimit evropian. Ato mund të grupohen në tri objektivat kyç: (1) liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, (2) avancimi i marrëdhënieve kontraktuale me BE-në, dhe (3) rritja e fondeve të BE-së.

Le të fillojmë me liberalizimin. Ky është objektiv të cilin Qeveria e përmbushi plotësisht. Dymbëdhjetë vjet pas lansimit të procesit të liberalizimit të vizave, ky udhëtim u përmbyll më në fund. Ndonëse qeveritë e mëparshme përmbushën pjesën dërrmuese të kritereve, ato nuk arritën ta kalojnë “finish linein”. Ky privilegj i takoi Qeverisë Kurti 2. Një pjesë e meritës i takon patjetër Qeverisë Kurti 2, pasi që ajo arriti t’i bindë skeptikët përbrenda BE-së se kishte vendosur një standard të ri në luftën kundër korrupsionit – kriter ky i fundit në të cilin insistonte BE-ja lidhur me liberalizimin e vizave. Por një pjesë e meritës – sikur shpesh në jetë - i takon edhe fatit. Pas pushtimit rus të Ukrainës, rëndësia e zgjerimit mori një peshë krejt tjetër brenda BE-së. BE-ja vendosi që të merrte një sërë vendimesh në procesin e zgjerimit për ta afruar rajonin me BE-në edhe më shumë. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut formalisht i hapën negociatat e anëtarësimit. Bosnjë-Hercegovina e mori statusin e kandidatit, ndërsa ne morëm liberalizimin e vizave. Kësisoj, një ngjarje e paplanifikuar dhe e pandërlidhur me Kosovën e krijoi një mjedis të favorshëm politik për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Objektivi i dytë i Qeverisë në fushën e integrimit evropian ishte “avancimi i marrëdhënieve kontraktuale me BE-në”. Në këtë kuadër, Qeveria u zotua se “brenda mandatit të parë të qeverisjes, Kosova do të jetë e gatshme që ta marrë statusin e shtetit kandidat”. Ky qëllim qartazi nuk u përmbush. Ndonëse në dhjetor të vitit 2022 kryeministri Kurti e dorëzoi kërkesën për statusin e vendit kandidat, kjo kërkesë ngeli e pluhurosur në sirtarët e institucioneve të BE-së. Arsyeja kyç është mungesa e progresit në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Në fakt, jo vetëm se Qeveria nuk “i avancoi marrëdhënie kontraktuale me BE-në”, por ajo i degradoi ato, duke e futur për herë të parë Kosovën nën regjimin e masave ndëshkuese, të cilat iu vendosën në vitin 2023 nga ana e BE-së. 

Objektivi i tretë i Qeverisë ishte “rritja e përfitimeve nga fondet e IPA III”. As ky qëllim qartazi nuk u përmbush. Jo vetëm se fondet nuk u rritën, por ato edhe u pezulluan si pasojë e masave ndëshkuese të BE-së. Kontraktimi i projekteve nacionale të IPA-s u pezullua. Po ashtu, Kosovës iu bllokua miratimi i aplikimeve në kuadër të fondeve rajonale infrastrukturore nën Kornizën Investuese të Ballkanit Perëndimor. Qeveria po ashtu abdikoi nga përgjegjësia e saj për koordinimin e donatorëve. Ndonëse Qeveria kishte ngritur strukturat përgjegjëse për koordinimin e donatorëve në Kosovë, ajo nuk arrit ta vendoste një dialog të strukturuar, të rregullt dhe efektiv me partnerët zhvillimorë ndërkombëtarë.
Pra, kështu mund të arrijmë ngadalë në përfundim se nga tri objektivat e vendosura, Qeveria arriti të përmbushë vetëm njërin prej tyre: liberalizimin e vizave. Dy objektiva të tjera nuk u përmbushën, për shkak të mungesës së progresit në kuadër të dialogut me Serbinë. Dhe këtu, patjetër, Qeveria do të arsyetohet se përgjegjësinë për mosavancimin e rrugës evropiane të Kosovës e ka BE-ja. 

BE-ja, nga ana tjetër, patjetër se do të këtë qëndrim të kundërt. Por duke e lënë këtë cicmic anash, ngelet fakt që Kosova tani hyn ngadalë në vitin e dhjetë pa e avancuar rrugën e saj integruese. Vitin tjetër do të “festohet” dhjetëvjeçari i hyrjes në fuqi të MSA-së, hapi i fundit që shënoi progres në rrugën tonë integruese. Kësisoj, rruga integruese e Kosovës rrezikon të “maqedonizohet”. Pra, rrezikojmë që e ardhmja jonë integruese të sakrifikohet për hir të marrëdhënieve bilaterale me Serbinë. Dhe në këtë drejtim nuk është e paimagjinueshme që edhe katër vjet të tjerë të na kalojnë, duke qëndruar pikërisht këtu ku jemi. 

Së paku BE-ja nuk po jep asnjë indikacion që do të ketë ndonjë ndryshim në qasjen e saj për dialogun. Hiç më larg se këtë javë, përfaqësuesja e lartë e BE-së, znj. Kallas, tha se “ajo që është e rëndësishme për ne, është normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sepse pa këtë asnjëra prej tyre nuk mund të vazhdojë në rrugën e tyre evropiane”. 

Provoni gjeni këtu ndonjë dallim me atë çfarë thoshin Borrelli, Mogherini apo Ashtoni. Pra, BE-ja është e qartë: kursi ngelet i njëjtë. Ajo çfarë mbetet është që Kosova të vendosë se çfarë dëshiron të bëjë? 
Dhe në këtë drejtim, liderët e Kosovës duhet t’i japin fund iluzionit se e ardhmja jonë integruese do të avancohet pa kompromise të dhimbshme në kuadër të dialogut. Dhe për këtë nuk duhet t’u besoni fjalëve të vogëlsisë sime, por pikërisht një maqedonaseje, e cila i ka mësuar në lëkurën e saj gabimet tona. “Ndonjëherë kompromiset janë të dhembshme, por ia vlejnë...Andaj, po, kompromiset politike janë të kushtueshme, janë të kushtueshme për ne si politikanë, porse janë përherë përfituese për qytetarët”, tha javën e kaluar për KOHËN zëvendëssekretarja e përgjithshme e NATO-së, znj. Radmila Shekerinska. Këshilla e znj. Shekerinska nuk është e rastësishme. Ajo e ka parë këtë film. E di saktë si do të përfundojë. Prandaj, zgjidhja tani ngelet e jona. E vetmja gjë që nuk do të mund ta themi nesër është se nuk jemi paralajmëruar.