OpEd

Kërthiza e Adamit, “Ballkani i hapur” dhe shija e pudingut

Narracioni kosovar në bashkëpunim regjioni po bëhet transhe mbrojtjeje. Ekziston formë tjetër e veprimit që mund të jetë më produktiv

1.

Në Rilindjen evropiane doli në mesin e artistëve besimtarë të krishterë një pyetje e thjeshtë që kishte nevojë për zbërthim teologjik: a kishte Adami kërthizë? Pyetja rrodhi nga përshkrimi i dhiatës së vjetër ku Zoti krijoi njeriun e parë, Adamin, nga brinja e tij, një akt që përcakton se nuk ka pasur lindje mëmësie, rrjedhimisht nuk ka pasur lidhje umbilikale, rrjedhimisht nuk ka pasur kërthizë. Në interpretimin rigjid biblik Adami nuk mund të pikturohej me kërthizë, por çka të bëhet atëherë me të gjitha ato piktura në të cilat Adami është me kërthizë, e çka të bëhet me nevojën që njerëzimi i sotëm të paraqitet si fëmijë të Adamit dhe Evës - nëse Adami nuk ka kërthizë, mos kjo do të shkaktojë mosbesim te njeriu i rëndomtë që nuk është pjesë e debatit teologjik?

Zgjidhja e përkohshme për këtë pyetje u gjet në një apo disa raste me fletën e fikut, po atë që zakonisht mbulon pjesët intime të mashkullit e femrës në pikturën rilindëse. Fleta tashmë funksionale e fikut do të mbulojë edhe kërthizën, ekzistuese apo jo.

Kjo pyetje teologjike në dijen time nuk u zbërthye më shumë në debat më të ngritur, por historia e krishterimit, posaçërisht me Reformën e Lutherit, ishte përplot debate teologjike. Në fund edhe aso si pyetja se a janë buka dhe vera, mishi dhe gjaku i Krishtit në të kuptuar të fjalëpërfjalshëm apo simbolik? Për kryepeshkopin protestant, Thomas Cranmer, ithtarin e kuptimit simbolik, përcaktimi ishte tragjik, ngase u dogj për së gjalli nga Mbretëresha katolike Mary e Skotlandës, ithtare e interpretimit të fjalëpërfjalshëm.

2.

Diçka si debati teologjik më përngjet narracioni i këtoditshëm i pranishëm në Kosovë lidhur me iniciativën e quajtur “Ballkani i hapur” (i quajtur dikur Mini-Shengen). Iniciativa, e shtyrë përpara nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, tashmë e konkretizuar me disa marrëveshje që kanë të bëjnë me hapjen e tregjeve të punës të këtyre tri vendeve, është quajtur nga nivele të larta politike si projekt i hegjemonisë serbe. Në sferën publike, madje pjesërisht edhe atë intelektuale, kryeministri i Shqipërisë është quajtur tradhtar, gjegjësisht pjesëmarrja e tij në këtë projekt si akt tradhtie.

Përcaktimet mbi hegjemonizmin dhe tradhtinë vështirë se mund të përshkruajnë substancën e marrëveshjeve të arritura. Marrëveshjet kanë të bëjnë me një sërë profesionesh - të themi një dentiste dhe një murator - që pa marrë parasysh se a janë nga Manastiri, Shkodra apo Arangjellovci, kanë të drejtë të punojnë në hapësirën e shteteve nënshkruese. Por, pa hyrë fare në substancën e materies (pra çka është “Ballkani i hapur”, cilat janë konkretisht avantazhet apo të metat e këtij projekti), narracioni kosovar i është afruar asaj pjese të debatit teologjik që përfshin ortodoksinë dhe ekskomunikimin. Pra, “Ballkani i hapur” nuk i përmbush standardet tona besimtare ngase, duke qenë projekt hegjemonist serb e ne jemi kundër hegjemonizmit, posaçërisht atij serb, ky projekt është kundër nesh. Për më tepër, pjesëmarrja e Shqipërisë në të e cilëson këtë vend si prishës të besimit tonë dhe kështu kryeministri i këtij vendi i shërben projektit hegjemonist serb që e cilëson atë natyrisht si tradhtar.

3.

Natyra e debatit teologjik kosovar mbi “Ballkanin e hapur” do të kishte tis të lehtë komikeje po të bazohej në analogjinë e Adamit. Pra, a ka “kërthizë” “Ballkani i hapur” (ruse, siç u cilësua në protestat e Tiranës) apo është një akt krijimi nga brinja e një fuqie madhore (Amerika, ndonjë konspiracion oligarkik, etj.)? Por, kam frikë se e ka tejkaluar komiken dhe ka arritur, besoj pa dashje, tek përcaktimi i ortodoksisë së shqiptarizmit, pra, a i kalon “Ballkani i hapur” provat e shqiptarizmit. Dhe, duke pohuar a mohuar, çfarëdo të jetë përgjigjja, vetë pranimi i kësaj pyetjeje si valide përcakton se ekziston një qendër e besimit të sotëm politik që përcakton provën e shqiptarizmit, atë kod vlerash dhe interpretuesin final të vlerave.

Ky narracion nuk i ndihmon Kosovës së paku në tri rrafshe. Në të parin, Kosova e mbyll veten në natyrën e diskursit teologjik që pastaj e lë në manastirin politik nga i cili do ta vështrojë botën dhe të japë vlerësime mbi ortodoksinë a jo të veprimeve që i bëjnë në tjerët. Në të dytin, Kosova antagonizon marrëdhënien me fqiun më të afërt, Shqipërinë, duke e ideologjizuar (teologjizuar) atë. Në të tretin, Kosova paraqet joinvencion në marrëdhëniet ndërkombëtare, duke u paraqitur vetëm si palë mohuese.

Pozicioni teologjik kosovar mund të shërbejë për të ndërtuar një transhe politike në të cilën vendi do të jetë gjithnjë në pozicion mbrojtës duke pritur goditjen e radhës të armikut, gjegjësisht armiqve të bashkëlidhur me hegjemonizmin serb.

4.

Ekziston një qasje tjetër që mund të merret në narracionin e Kosovës dhe është një formulë e përmbledhur në një thënie të vjetër angleze se dëshmia e pudingut vërtetohet duke e provuar atë. Në rastin e “Ballkanit të hapur”, pra, në vend të transhesë që do ta mbrojë Kosovën nga hegjemonizmi serb, sfida do të ishte që me iniciativë pjesëmarrjeje të tregohej natyra e këtij pudingu. A e ka shijen e hegjemonizmit serb apo mund të ketë diçka tjetër në të?

Për këtë mund të përdoret analogjia teologjike e kuptimit të fjalëpërfjalshëm, gjegjësisht atij simbolik. Pra, kur thuhet se “Ballkani i hapur” i mirëpret të gjitha shtetet dhe marrëveshjet janë të barasvlershme për të gjithë, a është ky kuptim i fjalëpërfjalshëm për të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Kosovën me konfliktin e saj të papërfunduar me Serbinë, apo është një kuptim i bartur, simbolik, i cili thotë se në parim të gjithë janë të barabartë, por ka përjashtime nga ky parim, siç është Kosova?

Shija e “Ballkanit të hapur” mund të testohet me një iniciativë të thjeshtë. Meqë ky projekt ka synim vendosjen e katër lirive evropiane deri më 2023, mund të fillohet me diçka që pak a shumë ekziston në regjion, por duhet kodifikim i plotë, lëvizja e qytetarëve të gjashtë vendeve me karta identiteti.

Nëse qytetarët e të gjashtë shteteve mund të qarkullojnë lirisht në atë hapësirë në kushte të njëjta, atëherë shija e “Ballkanit të hapur” merr një shtytje pozitive si dëshmi të barazisë së qytetarëve të shteteve që e përbëjnë. Nëse jo, atëherë shija e barazisë bëhet simbolike dhe selektive njëkohësisht, dëshmi se ky puding nuk është ashtu si paraqitet.