OpEd

Kënga e sirenës për autoritarizmin klimatik

Autoritarizmi i klimës gjithashtu mund të rezultojë i kundërt në mënyra më pak të dukshme. Në shtetin me çfarëdo lirie, opozitarizmi është i pashmangshëm. Nëse autoritetet konsiderojnë kufizime të reja të nevojshme për të shuar kritikat ose rezistencën, ato mund të përfundojnë duke gërryer liritë e tjera themelore, duke përfshirë lirinë për të prodhuar dhe shkëmbyer ide potencialisht transformuese.

Kjo verë – me temperaturat e veta rekorde, përmbytjet vdekjeprurëse dhe zjarret e furishme, të cilat vetëm në Kanada kanë djegur barabartë me të gjithë drunjtë në Gjermani – mund të jetë dukur si paralajmërimi i fundit: pa veprime urgjente dhe drastike, emergjenca aktuale klimatike mund të bëhet katastrofë e pakalueshme klimatike. Disa mund të tentojnë të mendojnë se kemi arritur në pikën kur reagimi ynë mjaft i shpejtë dhe i fuqishëm ndaj kërcënimit është të lejohet autoriteti vendimtar shtetëror, madje edhe autoritarizmi i plotë. Mirëpo nocioni se autoritarët me mendësi ekologjike do t’i kalojnë liderët demokratë sa i përket klimës, është fantazi e rrezikshme.

Shqetësimet për kapacitetin e demokracive për të vepruar me shpejtësi dhe efikasitet nuk janë asgjë e re. Qeveria që lejon të gjithë të marrin pjesë (në teori, nëse jo gjithmonë në praktikë) krijon sistem jo të përkryer dhe të ngadaltë. Lojtarët me ndikim shpesh mund të vënë veton ndaj veprimeve që shumica i mbështet. Në anën tjetër, pikëpamja se masat irracionale zotërojnë shumë pushtet – e shprehur prej kohësh si ‘sotto voce’ – është pranuar në epokën e Donald Trumpit. Për shembull, votuesit priren të ndëshkojnë politikanët për marrjen e masave për të parandaluar katastrofat dhe t'i shpërblejnë ata për dukjen heroike gjatë një fatkeqësie, edhe pse ndihma për fatkeqësitë është shumë më e shtrenjtë se parandalimi.

Përveç paragjykimeve të mirënjohura – të moçme sa shkrimet e Platonit – mund thuhet se disa nga përfitimet e demokracisë nuk llogariten shumë në emergjencën klimatike. Demokracitë krenohen me faktin se çdo vendim mund të rishikohet – se politikat mund të përditësohen dhe përmirësohen, dhe se humbësit në zgjedhje mund të bëhen fitues në zgjedhjet e ardhshme (dhe kështu të kenë arsye të vazhdojnë të luajnë lojën demokratike). Mirëpo vendimet e lidhura me klimën kanë pasoja të mëdha dhe të pakthyeshme, kështu që edhe nëse zgjedhjet e këqija – të tilla si të bësh shumë pak – rishikohen më vonë, dëmet serioze do të jenë shkaktuar tashmë.

Kritikat tjera kontemporane janë të qarta. Demokracitë bazohen në kompromis, por pazaret shpesh rezultojnë jokoherente, veçanërisht në sistemet shumëpartiake, sepse shumë lojtarë të ndryshëm politikë duan të arrijnë fitoren. Koalicioni aktual qeverisës i Gjermanisë do të duket të jetë rast i tillë. Korrigjimi i moskoherencës të tillë kërkon kohë, të cilën demokracitë mund ta kenë në rrethana normale, por sigurisht që nuk e kanë kur planeti po bëhet më i nxehtë dhe më apokaliptik dita-ditës.

Një shqetësim tjetër kyç buron nga dominimi de fakto i interesave të biznesit në demokracitë kapitaliste. Duke pasur parasysh se veprimi klimatik do të dëmtojë në mënyrë të pashmangshme të paktën interesat e disa kapitalistëve, këto interesash duket se do të parandalojnë hapat e nevojshëm që të ndërmerren në kohë – ose ndoshta ndonjëherë.

Tani, me përshkallëzimin e shpejtë të krizës klimatike, thirrjet e pandërprera për vendimmarrje më autoritare po shpeshtohen. Disa mbrojnë qasje më teknokratike dhe e mbajnë Kinën si shembull të shndritshëm. (Ironia se Kina është emetuesi më i madh i gazeve serrë në botë, me sa duket nuk e shohin këtë). Të tjerë – sidomos, mendimtari suedez Andreas Malm – parashikojnë formë të re të komunizmit leninist-kundër luftës.

Këto propozime ngrenë pyetje të dukshme, të cilat përkrahësit e tyre kurrë nuk i adresojnë plotësisht. Nëse, për hatër të veprimit klimatik, pushteti përqendrohet në duart e shtetit që nuk u përgjigjet njerëzve, çfarë do t’i parandalonte abuzimet me atë pushtet? Pse, në mungesë të ndonjë mekanizmi të përgjegjshmërisë, regjimi autoritar do të trajtonte njëmend ndryshimet klimatike? A pret vërtet dikush që interesat e fuqishme që po pengojnë aktualisht veprimet klimatike të mos jenë po aq të fuqishme, nëse jo më shumë, nën autokracinë klimatike?

Regjimet autoritare janë të korruptuara deri në palcë. Pra, është i papranueshëm nocioni se sistemi i tillë do të ishte i lirë nga “interesat e veçanta” dhe do të drejtohej nga teknokratë neutralë dhe racionalë. Në fakt, larg nga forcimi i veprimit klimatik, zhvendosja drejt vendimmarrjes të stilit autoritar ka mundësi t’i përkeqësojë gjërat.

Autoritarizmi i klimës gjithashtu mund të rezultojë i kundërt në mënyra më pak të dukshme. Në shtetin me çfarëdo lirie, opozitarizmi është i pashmangshëm. Nëse autoritetet konsiderojnë kufizime të reja të nevojshme për të shuar kritikat ose rezistencën, ato mund të përfundojnë duke gërryer liritë e tjera themelore, duke përfshirë lirinë për të prodhuar dhe shkëmbyer ide potencialisht transformuese.

Imagjinoni këtë. Një grup shkencëtarësh të klimës i dënojnë si të pamjaftueshme politikat e diktatorit për klimën dhe përpiqen të mobilizojnë të tjerët për të kërkuar veprime më të forta. Në përpjekje për të rivendosur “rendin”, diktatori vendos masa që kufizojnë lirinë akademike dhe lirinë e asociacionit. Tani, jo vetëm që ekspertët janë më pak të aftë të ndikojnë në reagimin e shtetit ndaj klimës; ata mund të mos kenë mundësi për të zhvilluar ose ndarë ide dhe inovacione që mund të rrisin aftësinë tonë kolektive për të përballuar sfidën e klimatike.

Vërtetë, asnjë nga këto nuk do të thotë domosdo se sistemet demokratike janë veçanërisht të pajisura mirë për të çuar përpara veprimet klimatike. Në vend të kësaj, mund të arrihet në përfundimin se nuk ka fare instrumente të mira politike. Por kjo neglizhon pikën kyç: pengesat për veprim efektiv klimatik në demokracitë e sotme nuk janë koherente. Përkundrazi, ato nuk janë në përputhje me idealet demokratike dhe në demokracinë që funksionon mirë, duhet të hiqen.

Për shembull, ndikimi joproporcional i industrisë së karburanteve fosile në procesin politik, nuk është vetëm i dëmshëm për mjedisin; është gjithashtu thelbësisht jodemokratik. Edhe pa nevojën urgjente për të adresuar emergjencën klimatike, qytetarët do të kishin arsye të mira për të kërkuar ndryshim. Përfundimi është i qartë: nëse nuk merremi seriozisht me urgjencën klimatike, nuk do të shpëtojmë demokracinë dhe nëse nuk i marrim seriozisht idealet demokratike, nuk do ta shpëtojmë klimën.

Jan-Werner Mueller, profesor i politikës në Universitetin e Princetonit, është autor i librit “Democracy Rules” (Farrar, Straus and Giroux, 2021; Allen Lane, 2021). Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”. Përktheu: Gent Mehmeti)