Marrëdhëniet dhe negociatat Kosovë-Serbi mund të vazhdojnë me kahun e njëjtë - vetëm përpara, drejt çrregullimeve të reja - apo të ndërrojnë binarë. Kosova, Serbia dhe BE-ja duhet të kenë harta të njëjta për cakun ku duhet të mbërrihet
Jemi sërish, për kush e di të satën herë brenda kush e di sa vjetëve, në krizën e radhës të negociatave e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Në vend të elaborimit të gjatë se ku gjenden negociatat dhe marrëdhëniet (hollësitë për këto tashmë përtypen çdo orë në media konvencionale dhe ato sociale), do të përpiqem t’i përmbledh dilemat me katër thënie hekurudhore.
1. “Nëse treni yt është në binarë të gabuar, të gjitha stacionet në të cilat mbërrin do të jenë të gabuara” (Bernard Malamud, shkrimtar amerikan)
Kosova dhe Serbia në shkurt dhe mars të këtij viti u nisën në një rrugë që BE-ja e quajti të normalizimit. Prijësit e të dyja vendeve, sipas interpretimit të BE-së , u dakorduan në Bruksel në shkurt të këtij viti rreth një dokumenti të normalizimit, pastaj në mars të këtij viti në Ohër rreth dokumentit tjetër përcjellës të normalizimit. Në interpretimin e BE-së, Kosova dhe Serbia kishin arritur marrëveshje, dhe jo gjithfarë marrëveshjesh , por një nën ombrellën e Konventës së Vjenës për traktate, pra një marrëveshje mes shtetesh.
Treni i Normalizimit (në interpretimin e BE-së) u nis, por të gjitha stacionet e këtij treni qe tre muaj ishin një cikël krize pas tjetrit. Stacioni ku gjendet sot ky tren është në Leposaviq, para ndërtesës së Kuvendit Komunal, me tel gjembor që mbron ushtarët e KFOR-it që mbrojnë policët e Kosovës, të cilët mbrojnë një kryetar komune që u bë i tillë sepse shumica e qytetarëve të Leposaviqit nuk deshën të dilnin në zgjedhje e të zgjidhnin një tjetër. Apo stacioni është në paraburgimin e Kralevës, ku mbahen tre policë të Kosovës të rrëmbyer brenda territorit të Kosovës dhe të mbajtur peng me akuza të paqëndrueshme , si formalisht të akuzuar nga autoritetet e Serbisë.
Për tre muaj Treni i Normalizimit është nisur prej Ohrit dhe ka mbërritur në stacionet e çrregullimeve ku kërkohet lirim, tërheqje policësh nga Kraleva, tërheqje policësh nga Leposaviqi, tërheqje kryetarësh të komunave, tërheqje akuzash dhe kundërakuzash...
Kosova dhe Serbia kanë hipur, sipas BE-së , në Trenin e Normalizimit . A ka pyetur kush se në cilët binarë ishte treni?
2. “Nëse nuk di për ku je nisur, të gjitha drejtimet do të të çojnë aty” (Lewis Caroll, shkrimtar britanik)
A nuk pyeti kush për binarët?
Në interpretimin e BE-së, Kosova dhe Serbia ishin dakorduar në Bruksel dhe Ohër se po niseshin në binarin e Normalizimit. Kosova u ofrua që këtë dakordim ta nënshkruajë, Serbia refuzoi ta nënshkruante, refuzoi se ndonjëherë është dakorduar në cilëndo formë të shprehjes orale. Serbia tha se në parim do të shqyrtonte më tej rrugëtimin.
Për BE-në, fakti që njëra palë pranonte dhe pala tjetër nuk pranonte ishte sinjal se të gjithë kishin pranuar dhe se të gjithë po niseshin drejt një caku, ende të panjohur, të Normalizimit , të atij ku njëra palë pranon dhe ku pala tjetër nuk pranon dhe ku ai që interpreton thotë se të gjithë janë dakord.
Për BE-në me rëndësi është që Treni të niset. Nuk qe me rëndësi në çfarë drejtimi e as në çfarë binarësh.
3. “Nëse nuk di për ku je nisur, mund të përfundosh në vend të gabuar” (Yogi Berra, bejsbollist)
Sipas BE-së, Kosova dhe Serbia kishin një hartë të dakorduar në Bruksel dhe një hartë të dakorduar në Ohër. Kosova i lexoi hartat në mënyrën e vet, Serbia në mënyrën e vet dhe BE-ja në mënyrën e vet. Edhe ashtu, treni u vendos në binarë, pa u pyetur kush se ku do të çonin.
Në mënyrë të pashmangshme do të mbërrinte këtu ku është sot.
E ku është sot?
Gjatë javës do të marrim vesh. Mund të ndodhë që çdo njëri do t’i lexojë hartat në mënyrën e vet dhe në fund BE-ja do të konstatojë se autoriteti final i leximit të hartave qëndron tek BE-ja. Rrjedhimisht, se duhet vazhduar me vendosmëri në drejtimin e duhur, përpara.
Me rëndësi përpara, më pak me rëndësi se në çfarë kahu. Dhe, kështu me radhë deri te konstatimi i radhës se treni që nuk di për ku është nisur, por ecën vetëm përpara, do të mbërrijë pashmangshëm në vend të gabuar.
4. “Nëse një tren nuk ndalet në stacionin tënd, atëherë nuk është treni yt” (Marianne Williamson, autore amerikane)
Treni i Normalizimit duhej të ndalej në stacione të normalizimit, jo në stacione të çrregullimit.
Rrjedhimisht nuk është Tren i Normalizimit.
Rrjedhimisht, duhet ndalur ecja e mëtejme dhe duke mos insistuar që ky Tren të vazhdojë më tutje pa e definuar kahun.
Sepse po të vazhdojë më tutje, në drejtimin në të cilin është nisur, do të përfundojë në vend të gabuar.
Sepse, për të fshehur se po përfundon në vend të gabuar, mund të thuhet se është duke arritur në vendin e duhur, meqë - krejt njëjtë - edhe ashtu nuk është e qartë se ku është nisur.
Sepse, ky tren është vendosur në binarë të gabuar dhe çdo stacion ku do të mbërrijë do të jetë i gabuar.
Dhe, për të përfunduar me analogjinë e trenave, Kosova, Serbia dhe BE-ja mund të shfrytëzojnë këtë pauzë për të bërë korrigjimin e nevojshëm. Korrigjimi nuk është shumë i vështirë. Treni duhet të vendoset në binarë të Normalizimit. Për ta bërë këtë, Kosova dhe Serbia duhet të dakordohen me shkrim se ky është destinacioni i tyre. Për t’u dakorduar Kosova, Serbia dhe BE-ja duhet të dakordohen për hartën që do ta çojë këtë tren në stacionin e Normalizimit, në fund të këtij viti. Në fund të këtij viti, në njërin prej kryeqyteteve të mëdha dhe të bukura të kontinentit, Kosova dhe Serbia do të formalizojnë me shkrim se po i normalizojnë marrëdhëniet si dy shtete që nuk e njohin njëra-tjetrën, por që e respektojnë sovranitetin e ndërsjellë.
E për ta bërë këtë rirregullim të trajektores së trenit - aspak të vështirë në kuptimin mekanik siç do të dijë çdokush që ka qenë në një stacion hekurudhor - nevojitet një detaj i vogël. Pranimi i gabimeve bazike në qasje, i cili bën që Treni i Normalizimit të mos jetë i tillë.