Çdoherë që dikush pretendon ta shtrijë Perëndimin në tërë Evropën, aty është Rusia për të treguar se nuk bën, gjegjësisht se nuk bëhet gjë pa të
1.
Nëse Evropa shikohet nga zyra e Vladimir Putinit, në të është një territor i madh, fillimisht hapësira “post-sovjetike” e tash gjithnjë e më shumë si hapësirë e “botës ruse”, pastaj një territor më i vogël i quajtur Ballkan Perëndimor, pastaj një territor i madh i quajtur BE, po aty dikur ishte edhe Britania e Madhe, por prej kohës së Josif Visarionoviç Xhugashvilit, të njohur si Stalin, ky “ishull” ishte gjithsesi Perëndim - madje me shumë peshë - por jo aq edhe Evropë.
Sidoqoftë, në vizionin gjeopolitik të Vladimir Putinit, të ndërtuar gjatë Luftës së Ftohtë dhe të rindërtuar pas fundit të saj, këto tri hapësira kundrohen në thjeshtësimin që e bëri i ndjeri Xhugashvilli duke vlerësuar se ose do të jenë me Rusinë ose do të jenë kundër saj.
Ky thjeshtësim i ardhur nga kohë krejtësisht të tjera e me mungesë sofistikimi diplomatik, megjithatë funksionon, apo funksionon pjesërisht. Në hapësirën “post-sovjetike” apo të “botës ruse”, shtetet si Ukraina e Gjeorgjia kanë mësuar se në momentin kur orientohen kah NATO-ja, qoftë si aspiratë anëtarësimi, qoftë si partneritet, do të trajtohen si vende armiqësore ndaj Rusisë dhe do të ndëshkohen. Në dhjetëvjetëshin e kaluar Ukraina dhe Gjeorgjia kanë pësuar humbje të kontrollit të pjesëve të territorit të vet; asnjëra nuk ushtron sovranitet të plotë mbi territorin e shtetit.
2.
Në hapësirën e Ballkanit Perëndimor çdoherë që në Bosnjë-Hercegovinë është përmendur çfarëdo mundësie normalizimi të shtetit apo madje edhe rruge anëtarësimi në NATO, është vënë në funksion destabilizimi i shtetit nëpërmjet Republikës Serbe dhe liderit të saj Dodik. Në Kosovë, të mbrojtur nga NATO-ja, pengohet vendosja e normalitetit në funksionimin e shtetit duke arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi, që do t’i hapte rrugë Kosovës për anëtarësim në NATO, si mënyrë që të përfundojë njëkohësisht misioni i tanishëm i NATO-s në Kosovë. Pengesat bëhen me veprime të herëpashershme fërkimi në marrëdhëniet mes autoriteteve të vendit dhe grupeve serbe nën kontroll të presidentit Vuçiq apo duke mbajtur në formë mirëmbajtje të thjeshtë negociatat në Bruksel mes “Prishtinës dhe Beogradit”.
Ndërkaq, hapësirën e BE-së presidenti rus e vëzhgon në formë zbavitjeje. Çdo ditë del diçka nga kjo hapësirë që e bind për nivelin e ulët të unitetit e forcës në politikën e jashtme e të sigurisë, saqë ndonjëherë do të duhej të ndihej i mërzitur se nuk ka çka të bëjë më për BE-në që vetë anëtaret e BE-së nuk e bëjnë për të. Herë pas here, gjegjësisht dimër pas dimri, e rikujton Evropën se ai kontrollon çelësin e furnizimit të kontinentit me një sasi kritike gazi.
3.
Këto ditë, për ta ilustruar forcën e vet ai ka ndezur katër drita të kuqe në kontinentin evropian. Në Bjellorusi, regjimi i afërt me të i presidentit Lukashenko i ka mbushur kufijtë e këtij shteti me Poloninë (dhe Lituaninë e Letoninë) me emigrantë kurdë, sirianë e irakianë, duke i përdorur si armë destabilizuese ndaj Polonisë (e BE-së dhe politikës së saj të paunifikuar ndaj imigrimit, posaçërisht të popullatës myslimane). Në Ukrainë, mbi njëqind mijë ushtarë rusë janë vendosur në kufirin me këtë shtet e janë vënë në manovra ushtarake që paralajmërojnë mundësinë e krijimit të një fait accompli (akti të kryer) të ri, pas atij të aneksimit të Krimesë.
Në Ballkanin Perëndimor dy operacionet e Policisë së Kosovës në pjesën veriore të vendit gjetën përgjigje disproporcionale të shtetit të Serbisë në kufi me Kosovën, prej fluturimeve të MIG-ve afër hapësirës ajrore të vendit e deri te mobilizimi i xhandarmërisë dhe i njësiteve speciale në kazermat afër Kosovës. Një sinjal i tillë u mbikëqyr nga ambasadori rus në Beograd, një sinjal ndaj NATO-s se ky është territor me interes gjeopolitik rus.
Dhe, gjatë pothuajse të gjithë muajit Bosnjë-Hercegovina po jeton në ethet e shkaktuara nga Miroslav Dodik, lider i Republikës Serbe, me planet e tij për suspendimin e ligjeve (sovranitetit) të BeH në territorin e Republikës Serbe, si formë e zhbërjes së vendit dhe pavarësimit të RS. Veprimi fillestar i paralajmëruar do të ishte dalja e RS nga ushtria e BeH, ngase ajo tashmë është pjesë e planit aksional përgatitor, si parakusht përgatitor për anëtarësim në NATO.
4.
Përse i bën këto Putini dhe përse tash? Ja tri shpjegime të kondensuara.
Një, sepse kjo është formë e operimit të Rusisë (Bashkimit Sovjetik) që nga koha e Stalinit. Përgjigjja e Stalinit ndaj mundësisë së shtrirjes së Planit Marshall në Çekosllovaki, për shembull, ka qenë vrasja e ministrit të Jashtëm Masaryk. Në kontekstin e sotëm do të ishte rrëzim i çdo qeverie apo prishje të sovranitetit të çdo shteti të “interesit gjeopolitik rus” që aspiron të jetë në NATO.
Dy, sepse të krijosh probleme është të shndërrohesh në palë dhe Rusia herë-here e rikujton Perëndimin se kërkon të jetë fuqi, e cila konsultohet për çdo gjë, posaçërisht në tërë hapësirën që fillon në brigjet e Atlantikut e përfundon në “botën ruse”. Çdoherë që dikush pretendon ta shtrijë Perëndimin në tërë Evropën, aty është Rusia për të treguar se nuk bën, gjegjësisht se nuk bëhet gjë pa të.
Dhe tre, si rikujtues që në këtë shekull ku SHBA-ja (dhe deri diku BE-ja) ka përcaktuar se është në garë me Kinën, mes këtyre dy hapësirave të mëdha gjendet shteti me 11 zona kohore i quajtur Federata Ruse. Dhe se kjo garë a konflikt nuk mund të zhvillohet pa e gjetur edhe Rusia një rol a pozicion të vetin në të.