OpEd

Karl Jaspers duhet të luajë në kombëtaren serbe

Pse nuk janë Distria Krasniqi e Nora Gjakova Bobby Charlton dhe Bobby Moore?

1.

Është shumë lehtë të kuptohet gjendja e Ballkanit Perëndimor nëpërmjet një ndeshjeje futbolli të zhvilluar më 1966. Ishte finalja e Kupës botërore dhe në të, Anglia në Londër mundi Gjermaninë perëndimore për t’u bërë kampione e botës. Kam ende në mbamendjen e një pesëvjeçari emrat e Bobby Charltonit dhe Bobby Mooreit, lojtarë anglezë që dilnin nga ekranet bardh e zi për të hyrë në amshim.

Po të ishin Anglia dhe Gjermania perëndimore vende të Ballkanit Perëndimor, 21 vjet pas luftës do të ishin të zëna duke zhvilluar rrëfimet mbi luftën e papërfunduar. Anglia ende do të ishte duke kërkuar kërkimfalje nga Gjermania për bombardimet e Londrës (duke vrarë me mija civilë) e Gjermania do të zhvillonte rrëfimin se si të gjitha shtetet evropiane (dhe shumë botërore) kanë marrë pjesë në luftë dhe se si disa kombe kanë vrarë disa të tjerë dhe anasjelltas; që të gjithë kanë marrë pjesë në atë luftë si vrasës e viktima njëkohësisht.

Njëzet e dy vjet pas luftës, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova, fituese të medaljes së artë në Lojërat Olimpike të Tokios në mediat serbe quhen përfaqësuese të “të ashtuquajturit shtet Kosova”. Në analogji, Bobby Charlton dhe Bobby Moore më 1966 do të duhej të quheshin në “Frankurter Allgemeine Zeitung” si lojtarë të “së ashtuquajturës kombëtare të Anglisë”.

Dallimi më i thjeshtë i identifikueshëm mes të dyja rasteve - Gjermanisë e Anglisë 21 vjet pas lufte dhe Ballkanit Perëndimor 21 vjet pas lufte - është thjeshtësia e konstatimit se në rastin e parë, lufta përfundoi dhe kishte një shtet që humbi luftën me emrin Gjermania e Hitlerit, dhe kishte shtete që përkundër humbjeve të mëdha njerëzore e materiale, si Anglia (Britania e Madhe), atë e kishin fituar.

Në Ballkanin Perëndimor lufta, së paku në rrëfim, ende nuk ka përfunduar. Serbia, shteti qendror i Ballkanit Perëndimor, në të cilin u kthyen ushtarët e mposhtur nga luftërat e Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjë e Hercegovinës e Kosovës dhe ushtarët e tërhequr nga shtetet e sapopavarësuara të Maqedonisë dhe Malit të Zi ende proklamon se si në zhbërjen e ish-Jugosllavisë “të gjithë luftuan kundër të gjithëve”. Gjykuar sipas ushtarëve të kthyer në Serbi, pas luftërave të humbura dhe territoreve të humbura nga perspektiva e Serbisë së Madhe, ishte një vend që luftoi kundër të gjithëve dhe ai vend qe Serbia, qoftë me emrin e Republikës së Serbisë , qoftë me atë që donte të ishte atëbotë, Serbistani, toka e të gjithë serbëve.

2.

Në të folmen e përditshme serbe të shekullit XX dhe tashmë në të hyrë thellë në pjesën e parë të atij XXI ende ekzistojnë dilema thelbësore mes “serbizmit” dhe “serbianizmit”, pra të asaj që i përket kombit serb si tërësi dhe asaj që i përket Republikës së Serbisë si shtet. Serbia është, s’do mend, shtet i cili ka peshën e shtetit kombëtar serb, por për nga natyra, siç nuk mund të përfshijë çdo shtet tjetër evropian, nuk mund të jetë shtet i të gjithë serbëve. Pra, është shtet kombëtar serb dhe i të gjithë qytetarëve të tjerë që jetojnë në të, përfshirë shqiptarët, por nuk është shtet i serbëve të tjerë - të Sllovenisë, Hungarisë, Rumanisë, Bosnjë e Hercegovinës, Kroacisë, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë e Amerikës dhe Argjentinës dhe cilitdo shtet tjetër.

Në mendimin politik të shumicës në Serbi, pra edhe në diskursin e asaj shumice, ekziston ende një rrafsh i pasqaruar i definimit të kolektivitetit serb - në ka ose jo shteti i quajtur serb përgjegjësi për tërësinë kombëtare?

Kjo dilemë e ndërlikimit identitar - çka janë “serbizmi” dhe “serbianizmi”- pëson ndërlikim të mëtejmë dhe ngarkon popujt e Ballkanit Perëndimor në shekullin XXI, ngase dilemat prekin thellë në luftën e papërfunduar të ish-Jugosllavisë. A ka përgjegjësi Republika e Serbisë e Milosheviqit për luftërat në ish-Jugosllavi apo ka përgjegjësi populli serb, i cili zhvilloi dhe zhvillon luftë të armatosur apo politike kundër të gjithë popujve të tjerë të ish-Jugosllavisë?

3.

Me një dilemë të ngjashme u ballafaqua filozofi gjerman (dhe zviceran) Karl Jaspers pas Luftës së Dytë Botërore. Ai e zbërtheu në formën që ende vlen për të gjitha shoqëritë që kanë kaluar nëpër ngjashmëri historike. Sipas tij, ekziston përgjegjësia kolektive e gjermanëve, në shtetin e quajtur gjerman e në kombin që ngërthen ai, për sjelljen e nazizmit. Pra, kombet prodhojnë regjimet e këtilla, madje deri në shkallën e një si nazizmi që zhvilloi Holokaustin. Por, njëkohësisht, përgjegjësia juridike për veprime të krimeve kundër njerëzimit nuk është kolektive, por u përket administratorëve civilë e ushtarakë, çdonjëri me emër e mbiemër të vetin.

Ky është një problem për Serbinë e sotme dhe tashmë politikën serbe në regjion. Në fakt, nuk është “ky”, por janë “që të dyja” probleme. Pra, është definimi se politika e Serbisë dhe serbëve në regjion përgjatë zhbërjes së ish-Jugosllavisë përbën thirrje për përgjegjësi kolektive. Serbët dhe Serbia në shumicë në ish-Jugosllavi kishin hyrë në një dalldi që lehtë emërtohet fashizëm; është përgjegjësi e shoqërisë në shumicë për një dalldi të tillë. Por, njëkohësisht, ndonëse Serbia dhe populli serb në shumicë janë përgjegjës për fashizmin që udhëhoqi shkatërrimin e dhunshëm të ish-Jugosllavisë, përgjegjësia për krimet e bëra në këto luftëra është individuale. Pra, jo çdo serb është përgjegjës për gjenocidin në Srebrenicë; të kundërtën, janë përgjegjës komanduesit e ushtrisë së Republikës serbe në krye me gjeneralin Mlladiq dhe të gjithë ekzekutorët e gjenocidit.

4.

Serbia e sotme është në hall me Karl Jaspersin, madje me të dyja përshkrimet e tij të obligimit moral ndaj krimit. Në të folmen e sotme zyrtare serbe janë problem fajësia dhe përgjegjësia kolektive; Valentin Inzko si administrator ndërkombëtar i Bosnjë e Hercegovinës lëshoi një urdhër administrativ me të cilin mohimi i gjenocidit në Srebrenicë përbën shkelje ligjore dhe kjo për politikën serbe në shumicë përbën një vijë konfrontimi. Në politikën e shumicës serbe lëre se nuk ekziston gjenocidi në Srebrenicë (përkundër aktgjykimit të GJND), por pastaj është e pamundur që qytetarët serbë të mund të jenë përgjegjës për një politikë që çoi në gjenocid.

Ndaj, versioni më komod është “lufta ishte e tmerrshme, të gjithë ushtruan dhunë kundër të gjithëve”.

Ndaj, çdoherë që ngrihet kërkesa gjenerike, atë që duhet ta kalojmë që të gjithë, e të “ballafaquarit me të kaluarën”, në Serbi të shumicës politike kjo konsiderohet si një konspiracion kundër Serbisë.

Sikur Serbia të ishte komode në të kaluarën e vet të pazbuluar e të lërë të vazhdojë si një e tashme, e legjitimuar, e pranuar nga të gjithë si një luftë që nuk ka përfunduar.