Lufta në Ukrainë mund të jetë ndihmesë për Harrisin, por ajo duhet t’i përmirësojë gabimet e Bidenit dhe t’ia ofrojë Ukrainës burimet shtesë që i duhen për ta mposhtur Rusinë. Duke i sekuestruar mjetet sovrane ruse dhe duke i bindur aleatët e SHBA-së që ta bëjnë të njëjtën gjë, ajo mund ta ndihmojë Ukrainën të fitojë, pa u vendosur amerikanëve ndonjë ngarkesë buxhetore shtesë
Duke i ofruar mbështetje të hershme ushtarake, politike dhe financiare, administrata e presidentit amerikan Joe Biden e shpëtoi Ukrainën nga zaptimi prej Rusisë. Megjithëkëtë, që nga nëntori i 2022-tës konflikti ndodhet në ngërç, gjë që nuk është në avantazhin e Ukrainës. Po qe se zgjidhet presidente e Shteteve të Bashkuara, Kamala Harrisi duhet ta kthejë në synim të veçantë shndërrimin e luftës së tmerrshme të rrënimit në fitore për Ukrainën. Ofensiva e befasishme e Ukrainës në rajonin e Rusisë, Kursk, mund të jetë fillimi i një zhvillimi më premtues.
Synimet e Ukrainës janë të qarta: ta rikthejë integritetin e plotë territorial; t’ua lejojë kthimin të gjithë qytetarëve të zhvendosur të Ukrainës – përfshirë edhe mijëra fëmijëve të rrëmbyer nga Rusia; dhe ta marrë kompensimin e plotë për dëmin që Rusia e shkaktoi. Ndryshe prej kësaj, Shtetet e Bashkuara ende nuk e kanë një strategji për ta shpalosur. Administrata Biden thjesht pretendon se do ta mbështesë Ukrainën “për aq kohë sa nevojitet”, përderisa sfiduesi republikan i Harrisit, Donald Trump, premton t’i japë fund luftës brenda ditës, duke e nënkuptuar kapitullimin e plotë të Kremlinit.
Për Harrisin, ngërçi aktual përbën mundësi. Dy të tretat e amerikanëve janë për fitoren e Ukrainës dhe ajo veçse është marrë gjerësisht me Ukrainën, duke u takuar gjashtë herë me presidentin Volodymyr Zelensky dhe duke e udhëhequr delegacionin amerikan në Samitin e Paqes për Ukrainën, të mbajtur gjatë qershorit në Zvicër. Si nënpresidente amerikane, ajo e ndoqi shtegun e Bidenit; por si presidente, mund ta ndërrojë kahen e luftës dhe ta shndërrojë Ukrainën në njërën prej çështjeve të saja më të mëdha të fitores.
Për ta bërë këtë i nevojitet një strategji gjithëpërfshirëse e mbështetur në burime të bollshme. Politika e administratës Biden (që supozohet të jetë punë e këshilltarit për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan) është që Ukraina të mbrohet pa e provokuar presidentin rus, Vladimir Putin. Duke e pasur parasysh frikën joracionale nga sulmet bërthamore apo nga Lufta e Tretë Botërore, Shtëpia e Bardhë krijoi vija të kuqe imagjinare ruse, duke i ofruar Rusisë një lloj strehimi nga sulmet ukrainase me armët perëndimore. Por duke e pasur parasysh faktin se Putini nuk do ta mbijetonte një luftë bërthamore, ai ka përherë e më pak gjasë që ta zgjedhë këtë shteg.
Një tjetër mangësi fundamentale në politikat e Bidenit është mungesa e një synimi të qartë. Synimi duhet të jetë që Ukrainës t’i ofrohet mbështetje e mjaftueshme për ta mposhtur Rusinë. Harrisi duhet ta caktojë një këshilltar të sigurisë kombëtare që do të jetë i përkushtuar me gjithë zemër në këtë synim. Ukrainasit po luftojnë trimërisht, të vetëm. Ata nuk kërkojnë trupa të huaja; por u duhen armë potente, u duhet e drejta për t’i përdorur ato në shënjestrimin e bazave ruse si dhe financimi i mjaftueshëm nga Perëndimi.
Ukraina pranoi rreth 100 miliardë dollarë më 2023 (gjysma e së cilës konsiston në asistencë ushtarake ndërsa pjesa tjetër si buxhet për mbështetje dhe ndihmë humanitare), dhe është afër që të marrë përafërsisht kaq edhe më 2024. Teksa kjo është një shifër substanciale, ajo nuk është e mjaftueshme për ta ruajtur balancën. Për fitore të drejtpërdrejtë, Ukrainës do t’i nevojiten mbase 150 miliardë dollarë në vit, bashkë me dyfishimin e mbështetjes ushtarake në 100 miliardë dollarë. Kësisoj, ajo do të pajisej për ta fituar luftën, e cila më pas do t’i tkurrte kostot e ardhshme (e le të mos i përmendim vuajtjet e ukrainasve).
Nuk është sekret se ku mund të gjenden fondet e këtilla. Perëndimi i ngriu 280 miliardë dollarë të rezervave ruse, dy e treta e së cilës mbahet në sistemin privat Euroclear të Belgjikës. Për më tepër, Kongresi amerikan e kaloi legjislacionin që e autorizon Departamentin e Thesarit për t’i sekuestruar mjetet e ngrira ruse, tek i kërkoi edhe Bashkimit Evropian ta bëjë të njëjtën. Por BE-ja refuzoi, kryesisht shkaku i kundërshtimit nga Franca dhe Gjermania.
Kjo rezistencë evropiane nuk ka kuptim. Përderisa Rusia po e shkel të drejtën ndërkombëtare në baza ditore, Kremlini nuk mund ta kërkojë, në mënyrë të besueshme, mbrojtjen e të drejtës ndërkombëtare. Sikurse SHBA-ja, edhe BE-ja duhet ta miratojë ligjin që e lejon sekuestrimin dhe përdorimin e fondeve ruse në mbështetje të Ukrainës. Ani se vetëm rreth 5 miliardë dollarë të këtyre fondeve ndodhen në SHBA, këto para mund të sekuestrohen dhe të dërgohen në Ukrainë menjëherë për ta vendosur një shembull për evropianët. Ç’është e vërteta, në qershor SHBA-ja i bindi anëtaret e tjera në G7 për t’i huazuar Ukrainës 50 miliardë dollarë, duke u mbështetur në të ardhurat e ardhshme prej fondeve të ngrira ruse. Ky ishte një fillim i mirë. Por Ukrainës paratë i duhen sa më parë që është e mundur për ta mposhtur Rusinë.
Pasi Rusia e ndërmori okupimin e shkallës së plotë në shkurt të 2022-s, SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe Kanadaja ishin burgimet kryesore të ndihmës dhe të trajnimit ushtarak për Ukrainën. Në muajt e hershëm të luftës, ato kuptueshëm se ishin hezituese për t’i furnizuar ukrainasit me armët më të sofistikuara nga frika se Rusia mund t’i kapte. Por kjo drojë është zbutur kah vera e 2022-s. Që prej dy vjetësh tanimë, SHBA-ja mund t’ia kishte ofruar Ukrainës armët që i nevojiten për t’i zmbrapsur rusët.
Shumë pak gjëra do të ndodhin po qe se Amerika nuk prin. SHBA-ja mbetet dominuesja globale në prodhimin dhe eksportimin e armëve, teksa evropianët kanë dukshëm më pak armë për ta ndryshuar balancën në këtë luftë.
Në fund, mbërritëm te defekti më absurd në politikën e Amerikës për Ukrainën: Ndalesa e përdorimit të armëve të siguruara nga SHBA-ja për goditjen e bazave ruse prej të cilave Ukraina po sulmohet. Kjo politikë nuk është as në përputhje me ruajtjen e së drejtës për vetëmbrojtje, të përcaktuar në Kartën e OKB-së. Duhet të revokohet menjëherë.
Lufta në Ukrainë mund të jetë ndihmesë për Harrisin, por ajo duhet t’i përmirësojë gabimet e Bidenit dhe t’ia ofrojë Ukrainës burimet shtesë që i duhen për ta mposhtur Rusinë. Duke i sekuestruar mjetet sovrane ruse dhe duke i bindur aleatët e SHBA-së që ta bëjnë të njëjtën gjë, ajo mund ta ndihmojë Ukrainën të fitojë, pa u vendosur amerikanëve ndonjë ngarkesë buxhetore shtesë.
(Anders Åslund është autor i librit: “Russia’s Crony Capitalism: The Path from Market Economy to Kleptocracy”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).