Prej javës tjetër do të jemi në fushatë jozyrtare dhe do të nisim të lodhemi ende pa nisur ajo përnjëmend. Dhe përderisa shumëkush do të brengoset se si t'i ikë virusit, kandidatët do të shtiren se virusi nuk ekziston. Sepse e vetmja gjë që do ta shohin para vetes do të jetë vota, përcjellë nga ëndrra se nesër do të bëhen me pushtet që qarkullon shumë para
Në katër ditët e fundit, Kosova regjistroi 3587 raste të të infektuarve me COVID-19, pas një rënieje të çuditshme që e kishte përcjellë fillimin e vaksinimit në Kosovë.
Jo pak njerëz ia atribuuan uljen e rasteve menaxhimit të suksesshëm të Ministrisë, porse vështirë do të mund të thuhej se kjo ka qenë vërtet kështu. Ka qenë valë e uljes së rasteve gjithandej dhe kjo gjendje u ndryshua me rastin e lirimit të masave dhe lejimit të organizimit të dasmave dhe ahengjeve, ndër të tjera.
Siç tashmë e përmenda edhe javën e shkuar, për Kosovën ka qenë shumë e rëndësishme ardhja e diasporës për pushime. Vlerësohet të kenë ardhur mbi 400 mijë njerëz, që nëse kanë ndenjur 30 ditë në Kosovë dhe duke supozuar se e kanë shpenzuar nga një euro në ditë, i kanë lënë 12 milionë euro në qarkullim. E me siguri se i kanë lënë shumë më shumë, porse në gjendjen në të cilën është Kosova momentalisht, 12 milionë janë si të ishin 1.2 miliardë.
Porse për ta mundësuar ardhjen e tyre masive, si dhe pjesëmarrjen masive të tyre nëpër dasma e ahengje, u hoq një pjesë e madhe e kufizimeve, që u kamuflua me disa masa numrash, distancash e mbajtje maskash që nuk u respektuan. Ose nuk u respektuan fare, ose do të jenë gjetur disa raste të rralla, që zakonisht shikohen thuajse kanë rënë prej Marsit, që u janë përmbajtur udhëzimeve të kujdesit shëndetësor.
Dhe ndodhi kjo që ndodhi. Varianti Delta, shumë më ngjitës dhe që përhapet më shpejt, e gjeti rrugën për të ardhur në Kosovë dhe për t'i infektuar zyrtarisht mbi 3500 persona. Një e keqe tjetër e kësaj statistike është se nuk po e dimë se sa prej të infektuarve janë të pavaksinuar.
Mbase, po ta kishim këtë shënim, njerëzit do të mendonin më seriozisht se mbrojtje më të mirë nga ky virus nuk ka, sesa ta marrin vaksinën, e cila nuk u kushton asgjë.
* * *
Pra, siç edhe do të pritej, erdhi reagimi i menjëhershëm i Qeverisë. U mbajt një mbledhje të enjten dhe u vendos që të ndërmerren disa masa të cilat thuajse a priori e dimë se nuk do të respektohen. Sipas udhëzimit, të gjithë ata që duan të hyjnë në lokale dasmash e klubesh, e mbase edhe kafehanesh, duhet ta dëshmojnë se e kanë marrë së paku një dozë vaksine apo edhe ta paraqesin PCR-në jo më të vjetër se 72 orë, apo edhe dëshminë se e kanë kaluar COVID-in para 6 muajsh, thuajse ndërkohë nuk mund t'u bjerë prapë.
Se kush do të sigurohet se këto masa të respektohen, me gjasë u është lënë kamerierëve apo edhe shefave të lokaleve. Që ta luajnë rolin e rojtarit e t'i kthejnë prapa ata që nuk i plotësojnë këto kushte. A u besohet atyre që kryesisht nuk kanë respektuar masa sa herë janë imponuar se do t'i përmbahen kësaj?
Dhe njëmend, a e beson kush se mund të mbahet një dasmë ku të gjithë i mbajnë maskat (e ato janë të obligueshme brenda), përfshirë edhe nusen e dhëndrin? E dyshoj shumë se kush e beson dhe e dyshoj edhe më shumë se dikush do ta respektojë.
Për të qenë absurdi edhe më i madh, masat e propozuara nga Qeveria do të nisin së zbatuari më 20 gusht - pra thuajse dhjetë ditë pasi merret vendimi. Me ritmin me të cilin po shkojmë, do të jenë edhe 10 mijë të infektuar të rinj. E për çka? Për t'i akomoduar dëshirat e gastronomisë, që është bërë grupi më i fuqishëm i interesit që mund të diktojë edhe masa, e edhe plot gjëra të tjera. Për shkak se ekonomia e shkretë e Kosovës nuk ka prodhim, e ka shumë kafe e sallone dasmash që qarkullojnë miliona. Do të ishte mirë që prej këtyre milionave, një pjesë e mirë e parave të kthehej në formë tatimi ndaj shtetit. Atëherë edhe këto far gjysmë-masash e kishin pasur një shpagim.
* * *
Pra, është e pritshme që numri i rasteve të rritet në ditët në vijim, bash në kohën kur tashmë po bëhen publike listat e kandidatëve për kryetarë komunash. Bash në kohë shumë të keqe na vjen radha e edhe një palë zgjedhjeve, që ani pse janë të rregullta do të na komplikojnë jetën në muajt në vijim.
Meqë janë zgjedhje të rregullta, fushata duhet të zgjasë 30 ditë. Pos nëse natyrisht nuk merret vendim tjetër dhe për shkak të pandemisë shkurtohet dhe të zgjasë më pak - ashtu që njerëzit të ruhen nga përhapja e virusit. Porse sinqerisht e dyshoj shumë se kjo do të ndodhë. Prandaj edhe këto masa të miratuara në këtë formë javën që shkoi. Për shkak se tubimet do të lejohen nëpër salla të dasmave (ato të sportit i kemi të zëna me vaksinim) e mbase dhe nëpër kafe e hotele. Mbase do të lejohen edhe nëpër sheshe, e për më keq edhe me shëtitje nëpër rrugë, siç kishte ndodhur gjatë zgjedhjeve nacionale - kinse duke mbajtur distancë e maska, që për pasojë pati rritje eksponenciale të rasteve.
Kjo sjellje kalkuluese - demek po kujdesemi për menaxhimin e situatës me COVID, ndërkohë që vetes po ia rregullojmë terrenin për të zhvilluar fushatë kur virusi po vlon gjithandej – është shumë e pasinqertë dhe e dëmshme. Sinqerisht e shoh shumë të kotë humbjen e kohës së kandidatëve dhe partive të dalin e të flasin me qytetarët, tek u japin premtime të turlillojshme, kur ata që kanë vendosur të dalin të votojnë tashmë e kanë të qartë se kë do ta votojnë, pavarësisht se çfarë premtimesh do t'u jepen.
Jam më se e sigurt se do të ketë shumë debate televizive dhe paraqitje individuale të kandidatëve ku do të tregojnë se sa janë të mirë dhe se çfarë mrekullish do t'i realizojnë kur ta marrin pushtetin. Dhe këto do të duhej të mjaftonin për t'ua mbushur mendjen atyre që mund të kenë dilema se kë do të duhej votuar, dhe nëse fare do të duhej votuar.
* * *
Tubimet me vete ngrenë rrezikun e jashtëzakonshëm që virusi të përhapet edhe më fuqishëm e më shpejt dhe t'i godasë të gjithë: e morën ose nuk e morën vaksinën. E kur të afrohet dimri, nuk jam e sigurt se do të mbërrijnë të vaksinohen 1.2 milionë njerëz (deri tash janë vaksinuar me të dy dozat pak më shumë se 10% e popullsisë) që do të duhej ta siguronte popullatën prej 18-vjeçare e më lart. E me popullsi të sëmurë dhe në prag të dimrit, me sistem shëndetësor të çrregulluar dhe me mungesë kronike barnash, pse do të na duhej fushata, kur mund t'i shmangim komplikimet.
Pesë muaj qeverisje nuk është se kanë sjellë ndonjë ndryshim të madh - siç edhe kanë qenë pritshmëritë. Përderisa nuk ka kush shkop magjik për ta ndryshuar gjendjen e përkeqësuar gjatë dy dekadave, një ndryshim është pritur së paku në Kuvend - dhe aty nuk ka pasur shumëçka për t'u lavdëruar. VV-ja, me shumicën për ta krijuar kuorumin, pra edhe për t'i votuar ligjet, ka bërë që në 16 seanca plenare të kalonin 7 ligje gjithsej.
Edhe në këtë legjislaturë kanë dështuar seancat sepse nuk ka pasur kuorum - dhe kjo nuk flet mirë për partinë në pushtet që ka marrë obligimin për të dëshmuar se gjërat mund të jenë më ndryshe dhe duhen të jenë më ndryshe kur varen nga vullneti i shumicës që e propagandon ndryshimin. Porse veprimet tregojnë që kjo që po ndodh është më shumë retorikë sesa veprim konkret.
Prej javës tjetër do të jemi në fushatë jozyrtare dhe do të nisim të lodhemi ende pa nisur ajo përnjëmend. Dhe përderisa shumëkush do të brengoset se si t'i ikë virusit, kandidatët do të shtiren se virusi nuk ekziston. Sepse e vetmja gjë që do ta shohin para vetes do të jetë vota, përcjellë nga ëndrra se nesër do të bëhen me pushtet që qarkullon shumë para.