OpEd

Ka mundur të ishte ndryshe

Në përgjime, pos mohimit të strukturës organizative komanduese, shërbimit sekret të UÇK-së, marrjes së përgjegjësisë nëpërmjet komunikatave, Thaçi udhëzon që të përmendet Demaçi si shef. Mbase do ta ketë menduar atë si xhoker i nxjerrë nga mënga. Kjo, ngase bëhet fjalë për një figurë të rëndësishme historike të Kosovës, por që ka pesë vjet e gjysmë që nuk jeton më. Por Demaçi e kundërshtoi Rambouilletnë. Po të kishte qenë shef i UÇK-së, atëherë ajo nuk do të merrte pjesë në bisedimet në kështjellë, e aq më pak do ta nënshkruante kush nga UÇK-ja marrëveshjen atje

Në mbledhjen e ekzekutivit, të mërkurën, një ditë para se të mbusheshin 32 muaj të qeverisjes së tij, Kurti tha: “Janë data si këto që na shërbejnë si moment reflektimi mbi atë se çfarë kemi arritur si ekip. Por edhe na kujtojnë se koha për të përmbushur zotimet tona dhe për të respektuar pritjet e qytetarëve tanë brenda mandatit të parë sa vjen e pakohet”.

Dhe do të pakohet edhe më shumë duke e pasur parasysh se nëse dimri do të jetë dimër përnjëmend, tre muaj do të jenë të pashfrytëzueshëm për kryerjen e punëve publike dhe se asnjëra nga rrugët e nisura, sa moti, e sa më rishtazi, nuk do të përfundojë.

Është fakt se ka pasur shumë arsye për të kritikuar investimet në asfalt me çmim stratosferik që kishin ndodhur në të kaluarën, porse gjithashtu ka shumë arsye për ta kritikuar këtë qeveri që nuk ia ka dalë, për thuajse tre vjet, ta realizojë asnjë projekt kapital, dhe jo për t’u mburrur, por për t’ua lehtësuar jetën qytetarëve.

E thënë disa herë deri tash në këtë kënd kolumnesh, një nga problemet më të mëdha të kësaj qeverie ka qenë financimi i skemave sociale, subvencioneve dhe transferimeve, me efekt afatshkurtër dhe pa substancë. Do t’i kujtojmë rastet e ndihmave për fëmijë, 10 euro në muaj. Nënat që detyroheshin t’i hapnin llogaritë për t’i marrë këto para, do t’u paguanin deri në 5 euro mirëmbajtje mujore bankave. Dhe, më pas, pyetet njeriu: Çfarë mund të blejë një nënë me 10 euro në muaj për fëmijën e vet (në raste më të mira deri në 10 litra qumësht, nëse banka nuk ia ha paratë).

Copëtimi i buxhetit në këso forme dhe shpenzimi i madje një të tretës së tij për subvencione, që nuk ndikojnë substancialisht në mirëqenien e popullatës, mund të shikohen si mosdije apo edhe keqmenaxhim i qëllimshëm i buxhetit shtetëror, variante që ndikojnë drejtpërdrejt në mospërmirësimin e kushteve të jetesës, moshapjen e vendeve të reja të punës dhe mospërkrahjen e sektorit privat, që është gjeneruesi i pjesës më të madhe të të hyrave të shtetit. E ajo që është e qartë është se deri në fund të këtij mandati, që mbase edhe mund të përfundojë disa muaj më herët, nuk do të ketë ndryshim në qasjen e zgjedhur.

* * *

Qasja “modeste dhe krenare” duket të jetë ajo e përzgjedhur nga ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, kur mori ta arsyetonte angazhimin e një personi për konsulent kulturor dhe për media për shtetet e Beneluksit (e sipas aneksit edhe për një numër shtetesh mosnjohëse, lista e të cilave përfundon me etj.).

Shuma prej 90 mijë eurosh i është akorduar Gani Jakupit në emër të një projekti, siç e quajti Gërvalla, që i bie 7.500 euro bruto në muaj. Është detyrim i z. Jakupit të paguajë tatimin për shumën e marrë, por çështja është nëse z. Jakupi e lidh këtë kontratë si shtetas i Kosovës, apo shtetas i huaj (nuk di çfarë shtetësie ka, por në kontratë shkruan se është nga Prishtina dhe se jeton në Barcelonë, Spanjë). Kjo është relevante për të ditur se ku duhet ta paguajë tatimin konsulenti i angazhuar.

Sipas kontratës, zotit Jakupi do t’i kompensohen edhe “shpenzimet e arsyeshme” të udhëtimit dhe të vendosjes, që do të thotë se vlera e kësaj kontrate përfundimisht do të jetë shumë më e madhe sesa figuron në letër.

Ta quash këtë vlerë “modeste”, është jo pak irrituese. Në fakt, është skandaloze.

Vlera nuk do të ishte modeste po qe se do të dinim për rezultatet fantastike të konsulentit (të cilat ministrja i quan të mëdha dhe me të cilat krenohet). Por meqë nuk dimë gjë për punën e tij pesëmujore, vetëm mund ta përcjellim të gjithë rrjedhën e angazhimit të tij me shumë befasi, sepse nuk e kemi ama bash asnjë informatë për kapacitetin lobues të z. Jakupi, e as për ndikimin e tij te personalitetet e institucionet që do ta ndihmonin afirmimin e Kosovës në Beneluks (që të tri shtetet na njohin) apo edhe në shtetet e tjera mosnjohëse (prej atyre evropiane përmendet vetëm Qipro, kurse supozoj se të tjerat janë në grupin “etj.”).

Angazhimi i këtillë vetëm dëshmon se MPJD-ja nuk ka strategji si t’u qaset shteteve mosnjohëse.

Dhe, e dëshmon se znj. Gërvalla nuk është dashur të ngarkohej me këtë detyrë. Sepse për të kjo mund të jetë punë e përkohshme në botën e jashtme, ngase vendbanimin e përhershëm e ka në Gjermani.

* * *

E vendbanim të përkohshëm, por me afat të gjatë, kanë nisur ta shndërrojnë Hagën të akuzuarit e Speciales.

Pas një sërë aksionesh e bastisjesh në Kosovë, në të cilat janë konfiskuar telefona e shënime nga persona të caktuar nën dyshimin për pengimin e administrimit të drejtësisë, me kërkesë të Prokurorisë Speciale, që nga kjo javë tre të akuzuarve, Thaçit, Veselit e Selimit, u janë ndaluar vizitat e kujtdo tjetër pos avokatëve të tyre.

Kjo për shkak se që nga fillimi i këtij viti, Prokuroria ka përzgjedhur të përgjojë një pjesë të takimeve që këta i kanë pasur me vizitorë të ndryshëm që u kanë shkuar në Hagë. Në disa prej atyre rasteve kanë nxjerrë edhe transkriptime nëpërmjet të cilave i kanë dëshmuar gjykatës se bisedat e realizuara kanë pasur për qëllim që të ndikojnë te dëshmitarët nëpërmjet “korrierëve”. Të akuzuarit, pos që i kanë zbuluar identitetet e dëshmitarëve të mbrojtur, i kanë zbuluar edhe deklaratat e tyre paraprake, e që janë dokumente konfidenciale.

Të vetëdijshëm se mund të jenë të përgjuar, janë përpjekur që me zhurmë ta pengojnë incizimin e bisedave brenda, apo edhe duke pëshpëritur. E megjithatë, gjasat janë se teknologjia e avancuar e bëri të mundshëm transkriptimin e asaj që flitej në dhomat e vizitës. E në fund edhe vendimin e gjykatës.

Për më tepër, është propozuar që të akuzuarit të izoloheshin nëpër qelitë e tyre, por gjykata nuk e mori një vendim kaq drastik. Por kjo tregon se, nëse të akuzuarit do të bëjnë më shumë përpjekje të këtij lloji, ky do të mund të jetë një hap krejt i mundshëm të cilin nuk do të ketë kush ta ndalojë.

Në kërkesën e Prokurorisë janë nxjerrë disa shkëputje nga përgjimet bërë Hashim Thaçit, dhe ajo që del na tregon për disa nga porositë që u niseshin personave të ndryshëm nëpërmjet vizitorëve gjithashtu të ndryshëm. Dhe tregon për një diçka që Thaçit mund t’i kthehet bumerang.

[REDAKTUAR] HASHIM THAÇI: [Pëshpërit] “Shefi ishte DEMAÇI [e padeshifrueshme] duhet ta shprehë qartë, sepse ajo që është [e padeshifrueshme]

[REDAKTUAR] HASHIM THAÇI: [e padeshifrueshme] kjo është shumë e rëndësishme. “Unë as nuk jam konsultuar me ta, as nuk më kanë dhënë ndonjë urdhër”.

HASHIM THAÇI: -- [Pëshpëritje] Komunikatat ishin propagandë.

HASHIM THAÇI: Po ashtu është. “Nuk e di; Nuk më kujtohet”. Dhe edhe pse ka dokumente që [e padeshifrueshme], “megjithatë organizimi dhe pjesa tjetër ishte vetëm ambicie”.

[REDAKTUAR] HASHIM THAÇI: [Pëshpërit] [e padeshifrueshme] “Çfarë shërbimi inteligjent, o burrë!. Nuk duhet të gabojë të flasë për këtë, sepse – po na e ha kokën me intervistat e tij, këtu dhe atje.

Pra, pos mohimit të strukturës organizative komanduese, shërbimit sekret të UÇK-së, marrjes së përgjegjësisë nëpërmjet komunikatave, Thaçi udhëzon që të përmendet Demaçi si shef.

Mbase do ta ketë menduar atë si xhoker i nxjerrë nga mënga. Kjo, ngase bëhet fjalë për një figurë të rëndësishme historike të Kosovës, por që ka pesë vjet e gjysmë që nuk jeton më.

Duhet kujtuar se Demaçi ishte zgjedhur përfaqësuesi politik i UÇK-së vetëm më 15 gusht 1998, do të thotë thuajse gjashtë muaj pas shpërthimit të luftës. Kjo nuk do të thotë se nuk ka mundur të ishte shefi, por ka një fakt që mbase e hedh poshtë teorinë e shefit: Demaçi kishte dhënë dorëheqje nga kjo zyrë e ky post më 2 mars 1999, për shkak se nuk pajtohej me Marrëveshjen e Rambouilltesë. Po të kishte qenë shef i UÇK-së, siç e pëshpërit Thaçi, atëherë UÇK-ja nuk do të merrte pjesë në bisedimet në kështjellë, e aq më pak do ta nënshkruante kush nga UÇK-ja këtë dokument.

Ajo që po duket se del në pah në gjithë këtë që ndodh rreth gjykimit, është se përfundimisht të akuzuarit nuk e kishin marrë seriozisht formimin e kësaj gjykate. Vetë e votuan, duke besuar se do t’i shpëtonin (dorën në zemër Selimi e kundërshtoi fuqishëm në Kuvend). E kur u akuzuan, besuan me gjasë se edhe kjo gjykatë do të jetë e njëllojtë me ato në Kosovë, edhe pse e Kosovës me seli në Hagë. Po del të jetë ndryshe. Po del të jetë shumë serioze dhe me procedura shumë të sakta e strikte. Dhe po del tepër e shtrenjtë, dhe jo vetëm në vlerë parash.

* * *

Nuk më besohet se sa kohën e humbim duke u marrë me të njëjtat gjëra, që ndonjëherë vijnë të paketuara në forma të ndryshme. Sa energjinë e humbim duke u munduar ta shtyjmë shkëmbin kodrës përpjetë...

E krejt ka mundur të ishte ndryshe. Qysh moti.

[email protected]