Po ta kishim menduar seriozisht peshën që e ka shëndetësia për Kosovën, kishim investuar në aftësimin e shumë profesionistëve për të kryer ndërhyrje e për të ofruar shërbime me aso cilësie, saqë askujt nuk do t’i kujtohej të merrte rrugë kudo për të kërkuar zgjidhje. Por jo. Kjo nuk ka ndodhur, sepse në krye të institucioneve sikur Fondi kemi vendosur njerëz që kur ftohen për të dhënë llogari, “ftohen badihava”, apo njerëz që bëhen “dikushi” në atë strukturë për shkak se janë dhëndurë të dikujt
Prishtina, me një klimë tropikale të këtyre ditëve, u bë qendër e kulturës jo vetëm e Kosovës, por edhe e rajonit, e besa edhe e Evropës. Qyteti po vlon nga mërgimtarët, të cilët edhe kësaj radhe erdhën, edhe pse duket në numër më të vogël, ndërkohë që qyteti po frymon njëfarë atmosfere më të shtendosur.
Nuk e di nëse është efekti i “Manifestës”, e cila u bë e dukshme qëkur qyteti u mbush me rrumbullakë të gjelbër nëpër trotuare; i festivalit të Operës i Ramë Lahajt apo edhe i prezencës më të shpeshtuar të reklamave që ftojnë për pjesëmarrje në “Sunny Hill Festival”... nuk e di, porse është një ambient i këndshëm që nuk e kemi përjetuar prej kohësh.
E gjithë kjo kur COVID-i nuk po lëshon pe, duke i rritur numrat e të infektuarve për çdo ditë. Dhe nuk do shumë mend për të konstatuar se i gjithë ky aktivitet, të gjitha këto lëvizje njerëzish do ta rrisin numrin edhe më tej...
* * *
Megjithatë, një ishte tema, kujtoj, që pati më së shumti jehonë javën e shkuar, dhe lidhet me shëndetësinë.
Investigative Reporting Laboratory – një OJQ që merret me gazetari hulumtuese në Maqedoni, e publikoi një dokumentar për trajtimin e pacientëve me COVID nëpër institucionet shëndetësore private në Maqedoni. Hulumtimi, i cili kishte nisur me ankesat e 24 pacientëve nga Maqedonia e Kosova, mori dy vjet për t’u përmbledhur në këtë dokumentar, i cili mbase do të jetë nisur për një gjë dhe në fund doli t’i qiste në sipërfaqe shumë gjëra të tjera që nuk janë ditur e që, megjithatë, kanë rëndësi të madhe. Madje edhe jetike.
Dokumentari tregonte se si një kirurg i ri kishte vendosur të kthehej në Maqedoni për ta ndihmuar shtetin e vet që ta hapte klinikën kardiokirurgjike ashtu që të parandalonte që pacientët të kërkonin ndihmë profesionale jashtë vendit. Qeveria e para 23 vjetësh ia miratoi idenë dhe investoi me miliona marka në pajisjen e spitalit. Ideja ishte që spitali të ishte publik. Pas jo shumë kohësh do të shndërrohej në spital privat.
Pra, paratë e buxhetit që i shkojnë një individi për të bërë karrierë e biznes, e që askush të mos merrej në përgjegjësi, në rend të parë, për paratë, e më pas edhe për pronën. E kjo do të thotë, logjikisht, vetëm një gjë: se të gjithë, pushtet, gjyqësi e biznes i ishin futur kësaj pune së bashku.
Mjeku bëri emër, posaçërisht me operacione të zemrës. E ndërtoi një ndërtesë që disa nga pacientët e tij më kishin thënë se i ngjante një hoteli me pesë yje dhe vazhdoi t’u ofrojë shërbime atyre që kishin para, ose që disi i siguronin paratë për mjekimin e shtrenjtë. Ndër ta edhe shumë kosovarë që nuk u besonin shëndetësisë në vend, ose thjesht nuk kishin zgjidhje për telashet e veta në spitalet kosovare.
Me të plasur pandemia, Maqedonia autorizoi edhe spitalet private të merreshin me trajtimin e COVID-it. Spitali i kirurgut të zemrës Mitrev, i njohur publikisht si akademik, ofronte pako shërimi: 12 mijë euro paradhënie për t’u vendosur në spital, e më pas pako 3, 4, e 5 mijë eurosh për trajtimin me hemofiltrim, pra pastrim të gjakut. Nga dokumentari del se aty ka pasur pacientë që kanë qëndruar mbi dy muaj e gjysmë dhe për ta janë paguar deri në 40 mijë euro për trajtim. E megjithatë nuk kanë mbijetuar.
Rrëfimi i gjatë për Mitrevin përmbyllet asisoj që zbulohet se titullin “akademik” e kishte blerë, sikurse edhe plot dekorata e certifikata; se kishte testuar trajtimin me pastrim gjaku edhe te pacientët që nuk kanë qenë në gjendje kritike dhe, për më tepër, pa e informuar as pacientin e as familjen dhe se në fund një pjesë e pacientëve janë infektuar me baktere brenda në spital, përderisa asnjë infeksion brendaspitalor nuk është paraqitur te institucionet gjegjëse. Dokumentari përfundon me një shifër shokuese: spitali nga 2002-ta deri më 2021-tën kishte realizuar 32 milionë euro fitim. 17 milionë i kishte pasur fitim vetëm për dy vjetët e pandemisë. Shumë.
* * *
Ende nuk dihet se sa kosovarë kanë mundur të kenë pësuar nga eksperimentet e paautorizuara dhe se prej tyre ia kishin dalë të mbijetonin, pas sa kohësh dhe me çfarë çmimi. Ajo që dihet është se sigurimet shëndetësore private nuk i kanë mbuluar kostot e shërimit të COVID-it në Kosovë edhe te rastet kur pacientët janë shtrirë në spitale publike, porse janë detyruar t’i blejnë të gjitha barnat për shërim. Pra, si pate, si nuk pate sigurim, njësoj ishte: krejt duhej blerë vetë.
Gjatë pandemisë ka pasur shumë luajtje me çmime të barnave që u bënë shpëtimtare për disa – duke i bërë farmacitë përfituesit më të mëdhenj. Sepse kur kërkohej remdesiviri e nuk mund të gjendej në farmaci, atëherë gjendej në treg të zi me çmime anormale. Njerëzit në kërkim të shpëtimit ose i blinin, ose transportoheshin urgjentisht në Shkup te klinikat private që tash po dalin se nuk paskan qenë krejt shpëtimtare.
E megjithatë, gjatë pandemisë në Kosovë u bë një punë, tash mund të thuhet, kolosale. Me gjithë kushtet jo të mira që i kemi në QKUK dhe në spitalet rajonale, megjithatë numri i të vdekurve nga pandemia nuk ka qenë aq i madh sa ka mundur të ishte. E po t’i kishim pasur kushtet më të mira, mbase ky numër do të ishte më i vogël.
* * *
Pra, i gjithë rrëfimi i klinikës në Shkup në këtë kolumne u nis për t’u lidhur me gjendjen e shëndetësisë kosovare që nga paslufta e këndej dhe dështimin e secilës qeveri që ta aktivizojë sistemin e sigurimeve shëndetësore dhe futjen e shëndetësisë në rend.
Javën e shkuar ndodhën tri gjëra që lidheshin me Fondin dhe që ishin pasojë e drejtpërdrejtë e raportimit të KOHËS për keqpërdorimet me Fondin për shërimin në institucionet jopublike, si dhe jashtë vendit.
Ngjarja e parë u lidh me raportimin para Komisionit të Kuvendit të drejtorit të Fondit për Sigurime Shëndetësore, Fatmir Plakiqi. Anëtarët e Komisionit i kishin kryer detyrat mirë dhe i kishin lexuar tekstet e botuara në KOHË – dhe e bombarduan me pyetje. Ai zgjodhi t’i shmangë përgjigjet; t’ia hedhë fajin Bordit të vet mbikëqyrës dhe të kërcënojë me kallëzim penal gazetaren dhe KOHËN për “informata tendencioze”. Aq insistonte të mos jepte përgjigje, saqë ish-ministri i Shëndetësisë, e tash deputet, Armend Zemaj, i tha: “Ju kërkojmë falje që ju paskemi thirrë badihava”.
Nuk vonoi shumë pas kësaj paraqitjeje, porse vonoi mbi një muaj që nga hulumtimi, Ministria e Shëndetësisë e suspendoi Plakiqin dhe emëroi një ushtrues detyre aty. Disi në të njëjtën kohë, u bë e ditur se një tavolinë operacioni në Klinikën e Ortopedisë, me vlerë prej 18 mijë eurosh, më në fund ishte blerë dhe se më nuk kishte asnjë arsye që pacientët të referoheshin në klinikat private për intervenime ortopedike, për shërbime që mbuloheshin nga Fondi.
Po qe se Bordi i ri dhe cilido komision që do të bënte auditimin e punëve të këtij Fondi i vërteton të gjitha faktet e botuara që janë mbështetur mbi dokumentet zyrtare të Fondit, nuk do të ketë as akuza e as kërcënime me kallëzime penale, por do të ketë veprim të menjëhershëm të drejtësisë. Me miliona euro janë shpenzuar për intervenime jashtë vendit, ku pos parave të shtetit janë shpenzuar edhe paratë e familjarëve për sekserë e shpenzime të tjera nëpër spitale.
Paramendoni po të ishte përdorur një pjesë e konsiderueshme e këtyre 100 e kusur milionëve në ngritjen e kapaciteteve në institucionet shëndetësore kosovare, nuk do të kishte pasur nevojë as për transporte urgjente jashtë, e as për shkuarje private nëpër klinikat e Maqedonisë që, sipas dokumentarit, i shkelin ligjet e vendit të vet, përderisa i marrin në qafë pacientët me eksperimente të turlillojshme.
* * *
Kaosin e kemi krijuar vetë në shëndetësi, duke lejuar hapje klinikash ku janë transplantuar veshkat e ku janë praktikuar ngjizjet in vitro; e ku janë marrë me miliona euro për stenta edhe atëherë kur këto nuk janë aplikuar fare; ose ku me vendime politike të kryeministrit, në kundërshtim me ligjin, janë dhënë leje për ndërtim spitalesh private brenda oborrit të spitalit publik...
Këto vetëm dëshmojnë se për vendimmarrësit tanë primare ka qenë biznesi prej të cilit kanë mundur të përfitonin duke u bërë favore personave të caktuar në këmbim për një diçka që ne nuk e dimë saktësisht se çfarë është, por që mund ta imagjinojmë.
Po ta kishim menduar seriozisht peshën që e ka shëndetësia për cilindo vend, e sidomos për Kosovën, kishim investuar në aftësimin e shumë profesionistëve për të kryer ndërhyrje e për të ofruar shërbime me aso cilësie, saqë askujt nuk do t’i kujtohej të merrte rrugë kudo për të kërkuar zgjidhje.
Por jo. Kjo nuk ka ndodhur, sepse në krye të institucioneve sikur QKUK kemi vendosur njerëz që punën e parë që e kanë bërë është ta blejnë një xhip 50 mijë eurosh, ose kanë qenë kontabilistë të mirë partiakë. Apo edhe sikur te Fondi, ku kemi vendosur njerëz që kur ftohen për të dhënë llogari, ftohen badihava apo se bëhen “dikushi” në atë strukturë për shkak se janë dhëndurë të dikujt, si meritë të vetme për punësim.
Nuk e di edhe çfarë do të dalë me punën e spitaleve në Maqedoni. Porse e besoj se ky duhet të jetë moment kthese për ne, sepse duhet nisim të krijojmë besim në kapacitetet tona njerëzore, ndërkohë që investimet duhet t’i orientojmë në ngritje të kapaciteteve teknike dhe ta ndalim pasurimin e një grushti njerëzish që etikën e vetme e kanë paranë.