Shembulli i Irlandës Veriore është interesant, porse ka dallime të mëdha me Kosovën për nga konteksti i brendshëm dhe ai jashtëm. Kosova ka çka të mësojë nga rastet e tjera dhe të mendojë se rasti i Irlandës Veriore mund t’i japë Kosovës mësime të vlefshme se çka duhet bërë dhe çka nuk duhet bërë. Në këtë kuptim bashkësia ndërkombëtare është duke u përpjekur që ta paqësojë Ballkanin Perëndimor përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë, e cila nuk pranon ta njohë Kosovën. Në këtë kuptim pala e cila duhet të paqësohet është Serbia, e cila vazhdon të pretendojë se Kosova është territor i saj dhe e thotë hapur se po përgatitet për një luftë të re
Vizita e paradokohshme e kryeministrit Kurti në Irlandën Veriore ndërlidhet me deklaratat pasuese të të dërguarit të posaçëm të Britanisë së Madhe për Kosovën, Stewart Peach, dhe të ambasadorit britanik në Beograd, Edward Ferguson, me të cilat marrëveshja për Irlandën Veriore, që njihet ndryshe edhe si Marrëveshja e të Premtes së Mirë (Good Friday Agreement), u promovua si një shembull se si situatat e vështira është e mundur të zgjidhen dhe se si Kosova dhe Serbia duhet marrin shembull nga ajo marrëveshje.
Nuk dihet se cili ishte qëllimi konkret i vizitës së kryeministrit Kurti në Irlandën Veriore – ishte vizitë që të njihet nga afër me modelin irlandezo-verior apo diçka tjetër. Megjithatë, duket se ky shembull ka vënë në lëvizje Britaninë e Madhe si një shtet aleat, që të kërkojë zgjidhje kreative në mes të Kosovës dhe Serbisë që do të paqësonte Ballkanin Perëndimor.
Megjithëse Marrëveshja e së Premtes së Mirë ka arritur që ta ndërpresë konfliktin e dhunshëm disadekadash ndërmjet protestantëve probritanikë dhe katolikëve proirlandezë, ajo nuk duhet ta fascinojë kryeministrin Kurti e as opozitën, sepse ka të meta të mëdha që janë analizuar hollësisht, mbase më hollësisht se çdo rast tjetër, në studimet mbi shoqëritë e ndara. Po ashtu, ekzistojnë dallime të mëdha në mes të Kosovës dhe Irlandës Veriore, si në kontekstin e brendshëm, ashtu edhe në atë të jashtëm.
Dallimi i parë ndërmjet Irlandës Veriore dhe Kosovës është konteksti politik, demografik dhe regjional. Demografia e Irlandës Veriore dhe orientimi politik i segmenteve të saj demografike ndryshon rrënjësisht nga ai i Kosovës. Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë të vitit 2021, në Irlandën Veriore janë 46% katolikë, shumica e të cilëve janë për bashkimin e Irlandës Veriore me Republikën e Irlandës, kurse 43% janë protestantë apo të ndonjë religjioni tjetër të krishterë, që kryesisht janë për atë që Irlanda Veriore të mbetet pjesë e Britanisë së Madhe. Në këtë mënyrë, për herë të parë, katolikët dolën të jenë më të shumtë sesa protestantët, edhe pse ata ende nuk e përbëjnë shumicën e popullsisë së Irlandës Veriore. Vlen të theksohet se, sipas Marrëveshjes së të Premtes së Mirë, statusi përfundimtar i Irlandës Veriore, pra nëse ajo do të mbetet pjesë e Britanisë së Madhe apo do t’i bashkohet Republikës së Irlandës, është paraparë që të vendoset me referendum.
Konteksti regjional ndërmjet Irlandës Veriore dhe Kosovës po ashtu ndryshon shumë: përderisa fqinjët e parë të Irlandës Veriore dhe garantues të Marrëveshjes së të Premtes së Mirë janë dy demokraci liberale (Britania e Madhe dhe Republika e Irlandës), fqinji i parë me të cilin Kosova duhet të arrijë marrëveshje është një regjim autokratik me një të kaluar të freskët të luftës agresore dhe gjenocidit të cilin vazhdon që ta mohojë.
Vlen te theksohet po ashtu se modeli i Irlandës Veriore zbatohet me vështirësi të mëdha, me gjithë kontekstit më pozitiv në të cilin gjendet Irlanda Veriore krahasuar me Kosovën. Për shkak të problemeve në funksionimin e institucioneve dhe në implementimin e marrëveshjes së bashkëqeverisjes, që prej themelimit në vitin 1998, Asambleja e Irlandës Veriore është suspenduar tetë herë, apo 40% të kohës së funksionimit të saj. Herën e fundit Qeveria dhe Asambleja e Irlandës Veriore janë suspenduar në janar të vitit 2017 dhe janë rivendosur në janar 2020 pas një periudhe suspendimi prej 1.097 ditësh.
Në kuptimin e rregullimit institucional, Kosova dhe Irlanda Veriore kanë të përbashkët rregullimin e tyre të bashkëqeverisjes konsosacionale që përbëhet nga katër shtylla kryesore:
Sistemi zgjedhor: Përderisa Kosova ka një sistem proporcional me lista të hapura dhe me njëzet mandate të garantuara për komunitetet joshumicë, Irlanda ka një sistem proporcional të një lloji tjetër. Ky sistem quhet Single Transferable Vote apo Vota e Vetme e Transferueshme (STV), në të cilën votuesit, të ndarë në shumë zona zgjedhore, mund të votojnë për më shumë se një kandidat që mund të vijnë nga parti të ndryshme politike. Duke qenë se segmentet irlandezo-veriore janë të përafërta për nga madhësia, aty nuk ka mandate të garantuara apo të rezervuara për asnjë komunitet. Që nga viti 2017, numri i mandateve në Asamblenë e Irlandës Veriore ka rënë nga 108 në 90. Modeli irlandez i zgjedhjeve mbase do të mund të ishte atraktiv për Kosovën, sepse do të mund të ndihmonte që njerëzit të votojnë për kandidatët dhe partitë që nuk i përkasin komunitetit të tyre etnik duke bërë zgjedhjen e parë, të dytë, e kështu me radhë. Në Kosovë kjo do të mund të ndihmonte në modernizimin e forcave politike, edhe pse në Irlandë fuqinë kryesore e kanë partitë etno-nacionaliste, kurse partitë me orientim qytetar nuk gëzojnë mbështetje aq të madhe të votuesve. Megjithatë, ia vlen që modeli zgjedhor i Irlandës Veriore, që është karakteristik për vendet me një trashëgimi britanike, të provohet edhe në Kosovë. Është pak më i komplikuar për nga ana e administrimit, por është sistem zgjedhor proporcional dhe Kosova tashmë ka përvojë 24-vjeçare me zgjedhje të lira dhe kapacitetet për të administruar sistemin zgjedhor STV do të mund të ndërtoheshin lehtë.
Bashkëqeverisja ekzekutive: Në Irlandën Veriore, kabineti qeverisës formohet sipas modelit proporcional. Partia me më së shumti ulëse e merr pozitën e kryeministrit, e dyta pozitën e zëvendëskryeministrit dhe kështu me radhë ndahen edhe pozitat ministrore (12 sosh) sipas formulës proporcionale D’Hondt. Problemi në Irlandën Veriore është se në kabinetin ekzekutiv, ku dominojnë partia kryesore protestante dhe ajo kryesore katolike, ekziston e drejta e vetos. Zëvendëskryeministri, që është i barabartë me kryeministrin, mund ta përdorë veton në vendimet e ekzekutivit dhe kjo nuk është e përshtatshme për Kosovën, ku vendimet në ekzekutiv merren me shumicë votash. Po ashtu, mangësia e modelit të Irlandës Veriore është se opozitarizmi është i kufizuar në katolikë dhe protestantë, dhe duke qenë se partitë kryesore katolike dhe protestante marrin pjesë në ekzekutiv, asambleja mbetet pa opozitë serioze. Në Kosovë, me shumicë dërrmuese shqiptare dhe me më shumë parti politike, opozitarizmi nuk është domosdo etnik, kështu që modeli irlandezo-verior i bashkëqeverisjes ekzekutive nuk është i përshtatshëm.
E drejta e vetos: Edhe në Kosovë, e edhe në Irlandën Veriore ekziston e drejta e vetos, edhe pse në Kosovë të drejtën e vetos e kanë komunitetet joshumicë, kurse në Irlandën Veriore, të drejtën e vetos e kanë të gjithë. Përderisa në Kosovë e drejta e vetos së vendimeve në parlament është e definuar ashtu që kërkohet shumica e dyfishtë prej 50% për ligjet që prekin interesat vitale të komuniteteve joshumicë dhe shumica e dyfishtë prej dy të tretave për çfarëdo ndryshimi kushtetues, në Irlandën Veriore ekzistojnë tri lloje të veto parlamentare.
E para është Petition of Concern, që mund të aplikohet nga 30 deputetë dhe që për efekt ka mos marrjen e vendimit. Petition of Concern mund të aplikohet për çfarëdo çështje dhe është aplikuar 158 herë ndërmjet viteve 1998-2016 për çështje, siç janë barazia martesore, reforma e mirëqenies apo për çështjen e hetimit të ministrave, që nuk kanë pasur të bëjnë fare me interesat vitale. Kjo ka pasur efekt bllokues në Asamblenë e Irlandës Veriore dhe përdorimi i saj ka qenë aq i shpeshtë dhe frustrues saqë një komentues politik e ka quajtur “fjala më e ndyrë në politikë”.
Dy llojet e tjera të vetos janë Pëlqimi Paralel (Parallel Consent) dhe Shumica e Peshuar (Weighed Majorities), të cilat janë të nevojshme për të gjitha vendimet e asamblesë së Irlandës Veriore. Ky model jo që nuk është i përshtatshëm për Kosovën, por ka frustruar edhe Irlandën Veriore dhe të gjitha palët e interesit, duke përfshirë Britaninë e Madhe dhe Republikën e Irlandës. Në Kosovë, si shkëmbim për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, do të duhej të kërkohej që e drejta e vetos së komuniteteve joshumicë të reduktohen në 40% për ligjet e interesit vital dhe të hiqen plotësisht për ndryshimet kushtetuese, apo të paktën që kërkesa për shumicë të dyfishtë prej dy të tretash të reduktohet në 40%.
E fundit është autonomia. As Kosova e as Irlanda Veriore nuk kanë dispozita për autonomi territoriale, por që të dyja japin autonomi funksionale për komunitetet e tyre. Në Kosovë, për serbët kjo autonomi është rregulluar përmes kompetencave të shtuara për komunat me shumicë serbe dhe me pranimin që sistemi arsimor për komunitetin serb të jetë i lidhur me sistemin arsimor në Serbi, si dhe të pranohet financimi i institucioneve të caktuara në mënyrë direkte nga shteti serb. Përderisa nuk ka ende statut të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, nuk mund të thuhet se çfarë efekti do të ketë ai në ushtrimin e kompetencave të shtuara të komunave me shumicë serbe.
Si përfundim, shembulli i Irlandës Veriore është interesant, porse ka dallime të mëdha me Kosovën për nga konteksti i brendshëm dhe ai jashtëm. Kosova ka çka të mësojë nga rastet e tjera dhe të mendojë se rasti i Irlandës Veriore mund t’i japë Kosovës mësime të vlefshme se çka duhet bërë dhe çka nuk duhet bërë. Në këtë kuptim, bashkësia ndërkombëtare është duke u përpjekur që ta paqësojë Ballkanin Perëndimor përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë, e cila nuk pranon ta njohë Kosovën. Në këtë kuptim, pala e cila duhet të paqësohet është Serbia, e cila vazhdon të pretendojë se Kosova është territor i saj dhe e thotë hapur se po përgatitet për një luftë të re. Në këtë kuptim, bashkësia ndërkombëtare duhet t’ia bëjë të qartë Serbisë se një luftë e re nuk do të tolerohet. Hapi i parë afatshkurtër i paqësimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë është njohja nga pesë vendet mosnjohëse të Bashkimit Evropian, kurse në afat të mesëm është pranimi i Kosovës si anëtare me të drejta të plota në NATO, akt përmes të cilit do të zgjidhej dilema e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.