“Vështrim i plotë”, rrëfimi i një kompetence që nuk thotë gjë
1.
Rrethi vicioz i krijuar rreth Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk zgjidhet me ofrimin e draft-statutit brenda kontekstit të “obligimit”. Ilustrim është Draft-statuti i FES-it, i cili u përpoq në formë mekanike të përmbledhë në një dokument Marrëveshjen e 2013-s, Aktgjykimin e Kushtetueses për parimet e Asociacionit të vitit 2015 dhe kornizën ligjore të Kosovës. Ndonëse me kujdes të madh dhe me punë të detajuar, u prodhua një draft-statut i cili mund të përligjë rrafshin e tretë të pushtetit në Kosovë.
Pikënisja e gabuar, në dokumentin e FES-it ilustrohet me nenin 3 të Draftit, ku thuhet se “në pajtim me Marrëveshjen e parë të ratifikuar dhe Kushtetutën, Asociacioni/Bashkësia do të ketë si qëllim kryesor dhënien e funksioneve dhe shërbimeve publike...”. Një formulim i këtillë nuk merr parasysh që Marrëveshja e parë dhe Kushtetuta e Kosovës në fakt janë në kundërthënie (siç ilustrova me etnifikimin e policisë dhe gjyqësisë, në pikat 7 dhe 9).
Kundërthënia është e dukshme edhe kur kemi të bëjmë drejtpërdrejt me natyrën e Asociacionit/Bashkësisë. Në pikën 2 të Marrëveshjes thuhet se “Asociacioni/Bashkësia do të themelohet përmes statutit. Shpërbërja e tij do të bëhet vetëm me vendim të komunave pjesëmarrëse. Do të ketë garanca ligjore përmes ligjit aplikues dhe të drejtës kushtetuese (përfshirë rregullën për shumicën prej 2/3)”. E përkthyer në praktikë, kjo do të thotë se
- do të themelohet një entitet legal përmes Statutit
- ai entitet legal është i amnistuar nga zhbërja prej ndonjë organi tjetër më të lartë (Qeveria e Kosovës, gjykatat, Kuvendi i Kosovës)
- fuqia juridike e atij entiteti legal është e barasvlefshme me institucionet, marrëveshjet a ligjet që mund të ndërrohen me vetëm 2/3 e votave në Kuvendin e Kosovës. Pra, shndërrohet në kategori kushtetuese të pushtetit.
2.
Një entitet i këtillë legal nuk është i paraparë në Kushtetutën e Kosovës. Dhe përderisa baza e vetme e tij ligjore është “Marrëveshja e parë” dhe shndërrimi i saj në ligj epëror ndaj ligjeve të vendit, çfarëdo elaborimi i mëtejmë në përshkrimin e fuqisë juridike të Asociacionit shkakton ndeshje me sistemin kushtetues. Por, tash duke u inkorporuar brenda sistemit kushtetues-juridik të Kosovës si një trup i huaj e në bazë të “obligimit”.
Vendosja e një trupi të huaj brenda Kushtetutës, madje një trupi që është themeluar nga një Kuvend konstituent e që nuk mund të shpërbëhet nga kush tjetër, nuk ka mekanizëm juridik/kushtetues sipëror. Pra, edhe po ta konsideronte si gabim në të ardhmen themelimin e një Asociacioni të këtillë dhe të donte ta korrigjonte, Kosova nuk do të mund ta bënte. Kështu, me natyrën vetëkonstitutive, bëhet po ashtu entitet mbikushtetues, sepse nuk mund të zhbëhet as me instrumentet e Kushtetutës.
Fakti se një “obligim” i këtillë po kërkohet nga diplomatët e shteteve demokratike evropiane dhe ata të SHBA-së, përkrahës të pavarësisë së Kosovës, me gjithë respektin të madh për ta, nuk është garanci e mjaftueshme. Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut vlerësoi se Kushtetuta e Bosnjë-Hercegovinës, e hartuar dhe e përkrahur nga SHBA-ja dhe nga shtetet demokratike, është në kundërshtim me nenin 14 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Verdikti në rastin Sejdiq-Finci u dha më 2009 dhe prej atëherë asgjë nuk ka ndryshuar në Kushtetutën e BH-së, sepse etnifikimi politik në Bosnjë- Hercegovinë bllokon zbatimin e verdiktit të Gjykatës evropiane, verdikt që duhej të ishte mbi ligjet e BH-së.
Ndryshimi në Kushtetutën e Kosovës do të ishte edhe më i vështirë, për shkak të natyrës vetëformuese-vetëshpërndarëse të Asociacionit.
3.
Në Draft-statutin e FES-it përsëritet, madje si pika e 5-të, përshkrimi i pikës 5 të Marrëveshjes së parë të Brukselit më 2013. Në Marrëveshje thuhet “Asociacioni/Bashkësia do të ushtrojë kompetenca të tjera shtesë siç mund të delegohen nga autoritetet qendrore”. Meqë autoritetet qendrore të pushtetit mund të delegojnë vetëm pushtet, “kompetencat shtesë” janë kompetenca pushteti, ndërsa pala së cilës i delegohen, pra Asociacioni/Bashkësia, është nivel i pushtetit. Në këtë rast, nivel i pushtetit mes atij të vetëqeverisjes lokale dhe pushtetit qendror.
Në Draft-statutin e FES-it formulimit të Marrëveshjes i shtohet se delegimi mund të bëhet “në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”. Ky formulim inkuadrohet në rrethin vicioz në të cilin gjendet Kosova (dhe bashkësia ndërkombëtare me të), ngase Kushtetuta e tanishme nuk parasheh një rrafsh të tretë të pushtetit të cilit mund t’i delegojë kompetenca, por një Kushtetutë e ardhshme do të mund ta bënte këtë.
4.
Duhet lexuar në kontekstin e Asociacionit/Bashkësisë si rrafsh të tretë të pushtetit edhe kompetencat e tij. Fillimisht, me kryefjalën e kompetencave të Asociacionit/Bashkësisë që është në versionin anglisht “full overview”. Kudo që përmenden fushat e veçanta (arsimi, shëndetësia, etj.), Draft-statuti, duke u mbështetur te Marrëveshja e 2013-s dhe në veçanti te ajo e 2015-s (në pjesët e pakontestuara nga Gjykata Kushtetuese) përcakton se Asociacioni/Bashkësia do të ketë “full overview” ndaj këtyre çështjeve.
“Full overview” nuk ka kurrfarë kuptimi anglisht në kontekstin e kësaj marrëveshjeje. Në kuptimin e vet burimor e të aplikueshëm ndaj teksteve të shkruara (letrare, publicistike, etj. të ngjashme) “full overview” do të thotë një “rezyme” të tekstit. “Full overview”, pra, në këtë kontekst do të ishte një emër e jo folje, do të përshkruante përmbajtjen e problematikës (të arsimit, shëndetësisë) e jo veprimin administrativ ndaj problematikës.
“Full overview” nuk ka sens as në versionin e vet shqip. Në marrëveshjen e vitit 2015 është futur një nocion që nuk ka përdorim në gjuhën shqipe, siç nuk ka përdorim administrativ “full overview”. Është fjala për “ushtrimin e vështrimit të plotë” të cilin duhet ta bëjë Asociacioni/Bashkësia. “Ushtrimi i vështrimit të plotë” nuk ka kurrfarë domethënie në gjuhën shqipe, në kontekstin administrativ, e as ka precedent që mund të tregojë ngjashmëri.
Gjuha e vetme e cila mund të shpjegojë këtë kompetencë në kontekstin e vet është ajo serbe. Në versionin serb të Marrëveshjes, versionet anglisht “full overview” dhe shqip “vështrim i plotë” quhen “puni nadzor”, që në anglishte do të ishte “full supervision” e në shqipe “mbikëqyrje e plotë”. Koncepti “puni nadzor” i përshtatet plotësisht përshkrimit të mësipërm të Asociacionit/Bashkësisë si një entitet të rrafshit të tretë të pushtetit. “Full overview” dhe “vështrim i plotë” mund të dalin vetëm si një përpjekje e dobët për të maskuar kompetencat e përshkruara tekstualisht në përmbajtjen e përcaktuar të Asociacionit/Bashkësisë.
(Nesër: Drejt centralizimit etnik-territorial)