Kosovës i duhet një babadimër diplomatik, kur si asnjëherë tjetër pas pavarësisë ka nevojë kritike për mbështetjen perëndimore, derisa Serbia dhe Rusia po mundohen të nxisin një konflikt të armatosur në veri për ta shpërqendruar mbështetjen e Perëndimit për Ukrainën dhe për arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Kosovën. Në këtë betejë të fortë, Kosovës i duhet edhe mbulimi pozitiv në mediat ndërkombëtare, që vetëm së fundmi raportuan për barrikadat. Por çfarë nuk po përpiqet fort ta bëjë shteti, e bëri aktiviteti vullnetar “Vrapo Babadimër”, që ktheu vëmendjen e agjencive evropiane e atyre amerikane të lajmeve me 1500 babadimrat e tij, kryesisht fëmijë, që do t’i gëzojnë për festë qindra fëmijë në nevojë
Kosova e vogël e rrok rrallëherë vëmendjen e mediave të mëdha. Për mirë shkruhet e lavdërohet për republikën më të re evropiane kur suksese nga arena ndërkombëtare i sjellin artistët e sportistët e kategorive individuale. Ta zëmë, për xhudistet që prarohen me medalje pas djersës së madhe që derdhin në palestrën e vogël në Pejë, nën komandën e trajnerit Driton Kuka, i cili ka tagrin të kritikojë vazhdimisht elitat lokale e qendrore politike për mungesë investimesh në vendin që krenohet me përqindjen e lartë të rinisë, por që, e dekurajuar, përherë e më shumë po merr në sy botën perëndimore për të nisur një jetë të re.
Dhe, studiuesit e diplomacisë publike i kushtojnë rëndësi të madhe mënyrës se si mediat e mëdha raportojnë për një vend, sepse janë informacionet më të shpeshta me të cilat ndeshen lexuesit e shikuesit e lajmeve. Edhe atëherë kur nuk kanë ndonjë interesim personal a profesional për vendin e caktuar. Prandaj, shtetet që nuk kanë suksese të shumta sportive, kulturore apo atraksione turistike, fuqi ekonomike a rëndësi gjeostrategjike, angazhojnë ekspertë vendorë e ndërkombëtarë për të përmirësuar imazhin e tyre.
Kosova duket se nuk ka haber në këtë punë. Imazhi nuk përmirësohet me reklama e njoftime në uebfaqen e Ministrisë së Jashtme dhe të Diasporës, ku edhe ashtu dominojnë njoftimet për aktivitetet nëpër zyra e salla konferencash të zyrtarëve të saj. Vetë ministrja bëhet lajm e kryelajm në mediat tona e të huaja me postimet e saj skandaloze, derisa në Twitter me gjuhë të ashpër i mban leksione Bashkimit Evropian si t’ia presë udhën Rusisë së Vladimir Putinit. Andaj, si mund t’ua kërkojë ajo njohjet kritike pesë vendeve anëtare të BE-së me qëndrim të tillë, që publikisht nuk e bëjnë as Shtetet e Bashkuara kundrejt aleatëve evropianë për pushtimin rus të Ukrainës.
Politikanët në takime me qytetarët – të cilët në kohë fushatash i numërojnë vetëm si vota për pushtet – flasin përciptazi edhe për rëndësinë e krijimit të imazhit pozitiv të Kosovës para syve të botës. Por krejt ndryshe sillen politikanë përgjegjës kur i kanë paratë e taksapaguesve për ta përmirësuar atë. Në një proces të gjatë gjyqësor – kafkesk, si shumica e rasteve në drejtësinë kosovare – lidhur me dyshimin për keqpërdorimin e 100 mijë eurove për lobim të Kosovës, janë të përfshirë një ish-ministre e Integrimeve Evropiane, tre ish-sekretarë të përgjithshëm dhe ish-shefi i prokurimit. Dëshmitari Valon Jonuzi, ish-zyrtar i Ministrisë së Integrimeve Evropiane, tha se paraqitja e Kosovës në artikujt e mediave ndërkombëtare ishte shpesh neutrale politikisht e madje kishte edhe shkrime që binin ndesh me promovimin e interesave të politikës së jashtme. Kjo është vetëm një pjesë e dëshmisë së 21 dhjetorit për rastin e kontratave të shtetit me kompanitë “Majorelle PR” dhe “Madison” që po gjykohet nga Gjykata Themelore e Prishtinës.
Për këtë afërmendsh se nuk interesohen mediat e huaja, për shkak të natyrës krejt lokale të temës. Ato sidomos gjatë ditëve të fundit i janë kthyer mbulimit të tensioneve nga veriu i Kosovës.
“Mediat si Reuters, Independent, BBC, Deutsche Welle, AP, Al-Jazeera, Voice of America, Politico, Washington Post, Le Monde e France24 po raportojnë lidhur me situatën pas vendosjes së barrikadave, derisa tensionet në Kosovë po rriten’”, përmblodhën kolegët e portalit koha.net raportimet në ballinat e mediave më të mëdha.
Ato shkruanin se si Serbia të hënën vendosi ushtri e polici në “gjendje gatishmërie të plotë luftarake” në kufirin me Kosovën, duke injoruar thirrjet e NATO-s për qetësimin e tensioneve midis dy vendeve. Raportimet formësojnë opinionin e qytetarëve dhe të diplomatëve kundrejt zhvillimeve ndërkombëtare. Kosova fuqizoi luftën për liri e pavarësi edhe falë mbulimit pozitiv që kishte veçmas në mediat perëndimore. E tash si asnjëherë pas pavarësisë i duhet mbështetja perëndimore pasi po cenohet seriozisht nga brenda e jashtë nga Serbia, që ende po e shantazhon Perëndimin me barrikadat në Kosovë, duke u munduar të ruajë strategjinë e lëkundur tashmë “edhe me Perëndimin, edhe me Rusinë”. Bashkë me mbështetësit serbë e kriminelë të gjykuar të luftës në Hagë, kufirin e Kosovës mësynë edhe anëtarët e grupit famëkeq rus, “Wagner”, i cili pos që i siguron Putinit mercenarë lufte, po ndihmon në përpjekjen për të nxitur vatra të reja lufte për ta devijuar vëmendjen e Perëndimit për Ukrainën.
Por në kohën kur bota është përqendruar në efektet e kaosit politik e ekonomik të shkaktuar nga pushtimi rus i Ukrainës dhe përballet me frikën që ngjall kërcënimi i herëpashershëm bërthamor i Putinit, Kosova pa investuar para ia doli të bëhej – për mirë - pjesë e raporteve të mediave të huaja me organizimin e garës bamirëse, “Vrapo Babadimër”. Në deklaratën për video-lajmin prej rreth dy minutash në agjencinë amerikane të lajmeve AP, organizatori fytyrëqeshur, Jusuf Islami, tregonte se me fondin vullnetar nga pjesëmarrja e 1500 babadimrave, kryesisht fëmijë, do të ndihmoheshin 200 familje në nevojë. Duhet kreativitet e jo qindra mijëra, nganjëherë edhe miliona euro, të shpenzuara nga Kosova për fushata promovuese.
“Vrapo Babadimër” tregoi se nuk është e zorshme të gjenden babadimra vullnetarë – ndryshe nga SHBA-ja ku disa kompani raportuan për krizë për punësimin e babadimrave shkaku i pasojave të pandemisë dhe krizës ekonomike. Por shumë fëmijë në Kosovë do të marrin thasë të shqyer me dhurata për shkak të inflacionit, e disa të tjerë nuk do të gëzohen fare pasi prindërit ua ndalojnë të drejtën e festës sherri i interpretimeve dogmatike fetare.
“Rritja e çmimeve, kryefjala e vitit 2022”, më thotë Sanie Jusufi, gazetare e ekonomisë, se kështu e ka titulluar përmbledhjen e vitit.
Si prind i ri menjëherë më shkon mendja te ngritja e çmimit të qumështit, vendor e atij të huaj, që ka shkuar nga 1 euro në fillim të vitit në 1 euro e 40 centë tani. Autoritetet thonë se inflacioni arriti vlera dyshifrore, duke rënduar gjendjen e qytetarëve, por derisa zyrtarët e japin shifrën e përgjithshme mesatare diku te 20-përqindëshi, produktet bazike kapin ngritjen e 40-përqindëshit.
“Viti 2022 do të mbahet mend për rritje të çmimeve të produkteve bazike. Inflacioni që arriti vlerën dyshifrore duke rënduar mirëqenien e qytetarëve. Paniku i krijuar tek qytetarët për mungesë të produkteve shkaku i luftës në Ukrainë, nxori në pah edhe abuzimin nga ana e tregtarëve”, shkruan Jusufi.
Më skandalozja ishte ngritja e çmimeve të vajit e naftës nga tregtarët abuzues kur bota ishte në ethe nga bllokimi i eksporteve nga portet ukrainase pas sulmeve ruse nga toka, uji e ajri.
Qeveria jonë pati fjalë shumë e vepra pak për të ndikuar në zbutjen e pasojave të krizës. Herë pas here, nën presionin e opozitës e odave ekonomike, zbuti përkohësisht tensionin me pakon e rimëkëmbjes për qytetarët në skema sociale, studentët e punëtorët e sektorit publik, por jo edhe për ata të kompanive private, të cilat janë shtylla ekonomisë së vendit. Qeveria krenohet me rritjen e të hyrave, por rritja ekonomike u ngadalësua. Ama si gjithnjë, Babadimri nga diaspora lëshon dorë sa herë që Kosovën e përfshin kriza. Ata, një shtytje të madhe po ia japin edhe këto ditë festive vendlindjes. Me shportat e stërmbushura për vete dhe për të afërmit, prekën ndërgjegjen tonë me vërshimin e qendrës tregtare, “Plus Market”, në Ferizaj, ku nuk ka asnjë produkt nga Serbia. Gjithnjë, të ndërgjegjshëm se Kosovës i duhet zhvillimi i qëndrueshëm për qytetarët e saj. Përkundër zhgënjimit për gjendjen ekonomike të Kosovës, nga pushimet në këtë dimër si verë, do të kthehen në vendet perëndimore edhe me përjetimet nga mikpritja e ngrohtësia e festës me njerëzit e zemrës. Edhe me urimet për një viti të ri më të mbarë. Për farefisin dhe Kosovën.
Gëzuar!