OpEd

Iluzioni i qytetit të fjetur

Ndonëse i gjithë qyteti i Brukselit duket që ka rënë në gjumin veror, mbrapa këtij iluzioni një grusht njerëzish janë duke punuar intensivisht në ngritjen e Komisionit të ri Evropian

Qyteti i Brukselit është nikoqir i disa prej institucioneve më të rëndësishme ndërkombëtare. Si i tillë, ai e ka fituar nofkën e kryeqytetit të botës së diplomacisë. Rrjedhimisht, shpesh Brukseli duket sikur një qytet që nuk fle. Njëzet e katër orë qyteti është i mbushur me konferenca dhe delegacione, të cilat janë duke i negociuar marrëveshjet dhe krizat më të fundit evropiane dhe ndërkombëtare. Por, këto ditë Brukseli është radikalisht ndryshe. Sot ai duket sikur pandemia COVID-19 është kthyer. Duket sikur qytet i fantazmave. Gjatë muajit gusht i gjithë qyteti zbrazet pasi që institucionet praktikisht mbyllen dhe stafi migron për pushime verore drejt Alpeve austriake dhe zvicerane apo bregdeteve grek, spanjoll dhe italian.

Sidoqoftë, mbrapa kësaj perdeje të gjumit të thellë të Brukselit është një grusht i njerëzve, të cilët janë duke punuar sikur asgjë nuk ka ndryshuar. 

Pas përfundimit të zgjedhjeve evropiane është konstituuar Parlamenti Evropian dhe njëzet komitetet respektive. Pas kësaj, Parlamenti e ka votuar znj. Ursula von der Leyen për mandatin e dytë në rolin e presidentes së Komisionit Evropian. Dhe pas kësaj Parlamenti ka shkuar për pushime, ndërsa topi ka kaluar tek presidentja e zgjedhur. Kjo është arsyeja përse Von der Leyeni është në Bruksel me ekipin e saj të ngushtë duke punuar intensivisht në përzgjedhjen e komisionerëve të rinj të Komisionit Evropian dhe dakordimin e programit të punës për pesë vjetët e ardhshëm. Menjëherë pas votimit të saj për presidente të KE-së, ajo u ka dërguar letër 27 vendeve të BE-së për t’i dërguar propozimet e tyre për komisionerë të rinj. Deri më sot njëzet vende kanë dërguar nominimet e tyre. Disa kanë rikonfirmuar komisionerët ekzistues, disa kanë propozuar emrat e rinj. 

I gjithë procesi i përzgjedhjes së komisionerëve përcillet me vëmendje të veçantë, pasi që akti i alokimit të portofolave dhe akti i përzgjedhjes së personit që do të jetë komisionere apo komisioner flet shumë për rëndësinë politike të portofolave respektive. I gjithë ky proces patjetër se është edhe proces negociator, i cili duhet të balancojë synimet e presidentes Von der Leyen, interesat e vendeve anëtare dhe qëndrimet e grupeve politike evropiane të përfaqësuara brenda Parlamentit Evropian. Në gjithë këtë mes fuqia më e madhe vendimmarrëse ngelet me vendet anëtare. Gjatë alokimit të portofolave presidentja Von der Leyen do t’i marrë parasysh interesat e secilit vend anëtar. Pas dakordimit të të gjithë portofolave dhe emrave të komisionerëve, ata do të intervistohen nga komitetet parlamentare përgjegjëse për dikasteret e tyre përpara se eurodeputetët ta votojnë përbërjen e plotë të Komisionit Evropian në seancë plenare. 

Arsyeja përse i gjithë ky proces do të vëzhgohet nga afër është, siç e thotë ajo fjala e vjetër, “Character is policy”. Me të parë emrin që do të propozohet për portofolin e caktuar do të kuptojmë rëndësinë politike të atij portofoli. Për shembull, për kohë të gjatë procesi i zgjerimit ka humbur rëndësinë politike që ka pasur. Vendet anëtare e kanë marrë atë portofol vetëm si plan B, nëse të gjitha planet për të marrë portofola të tjerë kanë dështuar. Emërimi në atë portofol është konsideruar si varrezë për karrierat politike. Kësisoj, në kohë moderne pamë një raund komisionerësh realisht të parëndësishëm - nga Stefan Fule deri tek Oliver Várhelyi. 

Sidoqoftë, kohërat kanë ndryshuar për procesin e zgjerimit. Që nga pushtimi rus i Ukrainës, zgjerimi është kthyer në epiqendrën e vëmendjes politike evropiane. Në kohë rekorde BE-ja i ka marrë vendimet kyç politike për procesin e zgjerimit, sikur hapja e negociatave me Ukrainën, Moldavinë, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Bosnja dhe Gjeorgjia fituan status të vendit kandidat, ndërsa Kosova e mori liberalizimin e vizave. Gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor e fituan Planin e Ri të Rritjes, në vlerë prej 6 miliardë eurosh. 

Tani pyetja është se a ishin këto vendime vetëm reagim momental politik i BE-së apo tregues serioz i vullnetit të BE-së për të përfunduar procesin e zgjerimit. Përgjigjen do ta kuptojmë me kohë, por një indikacion patjetër se do ta marrim me përzgjedhjen e komisionerit të ri të Zgjerimit. Nëse në këtë detyrë konfirmohet Oliver Várhelyi, ky nuk do të jetë indikacion optimist. Nëse, nga ana tjetër, zgjerimi do t’i shkojë një vendi të rëndësishëm evropian dhe një politikani me profil të respektueshëm, atëherë do të kemi vend për optimizëm.

Përtej komisionerit të Zgjerimit, vetë presidentja e zgjedhur Von der Leyen e ka vendosur zgjerimin në top prioritetet e saja politike. Në fjalimin e saj inaugurues para Parlamentit Evropian, ajo nuk ngurroi t’i paralajmëronte eurodeputetët për nevojën e ndërmarrjes së reformave të brendshme të BE-së për t’u përgatitur për zgjerimin e unionit. Ndërsa më konkretisht në programin e saj politik ajo është zotuar që brenda 100 ditëve të para Komisioni i ri Evropian do t’i publikojë “vlerësimet e parazgjerimit në sektorët sikur sundimi i ligjit, tregu i brendshëm, siguria e ushqimit, mbrojtja dhe siguria, energjia, migrimi dhe ndryshimet klimatike”. Këto analiza vlerësuese janë aktet burokratike që kanë për qëllim shtrimin e rrugës për vendimet politike në procesin e zgjerimit. Në këtë sens, Von der Leyeni qartazi ka vendosur tonin politik: procesi i zgjerimit është prioritet. 

Sidoqoftë, vetëm koha do të tregojë nëse BE-ja me të vërtetë ka vendosur që ta përfundojë procesin e zgjerimit. Sot askush nuk mund të fajësohet për të qenët euroskeptik. Shumë shpesh në kohë moderne BE-ja ka zhgënjyer edhe dishepuj të saj më fanatikë. Nga procesi i liberalizimit të vizave e deri tek dialogu, ne vetë i kemi kuptuar në lëkuren tonë vështirësitë e procesit të integrimit. Prandaj, koha na ka mësuar që në procesin e zgjerimit ta shohim gotën gjysmë të zbrazët. Së paku, derisa nuk bindemi për të kundërtën.