OpEd

Hotel “Promaja”

Në gjysmë të mandatit, nuk është turp të dilet e të thuhet se ndryshimet janë të domosdoshme dhe se disa ministra, nëse jo shumica, nuk e kanë vendin aty ku janë ulur. Cila është esenca e ekzistimit të një qeverie, e cila me gjithë fuqinë që e ka, nuk është në gjendje ta bëjë asnjë ndryshim të madh substancial në këtë shoqëri e shtet? Gjëja më e rrezikshme që mund t’i ndodhë një qeverie është vetëkënaqësia, e ndihmuar me shumë zemërgjerësi nga një opozitë absolutisht e paaftë, jokreative dhe tepër oportuniste

Nuk e di a ka në botë vend më të komplikuar për të jetuar se Kosova.

E kam humbur më llogarinë se sa vjet presim që gjërat të na përmirësohen, e që të mos merremi për çdo ditë të lume me politikën, me atë se çka tha ky e çka tha ai, e pse e tha, e çka bëri. S’di, s’di. Nuk e di bile a na kanë mbetur ende nerva, apo do të pëlcasim një ditë. Kemi probleme me tonelata, fundi nuk u shihet, e lëvizje fare pak.

Ka dy vjet që kjo qeveri mori pushtetin me një kiamet premtimesh se gjërat do të ndryshonin. Për dy vjet, nuk ka dyshim se ka një gjë që ka ndryshuar e kjo ka të bëjë me perceptimin për korrupsionin dhe krimin: ende nuk ka skandale të llojit çfarë i kanë pasur krejt qeveritë që nga fundi i luftës.

Është vështirë të besohet se korrupsioni është shuar krejtësisht, për shkak se kjo është e pamundur në një shtet si Kosova. Është shtet që e ka kultivuar atë me dekada; është shtet që ka një drejtësi tepër të ngadalshme dhe të paefektshme; kemi papunësi të lartë dhe numër të madh njerëzish që e braktisin shtetin në mungesë perspektive. Arsye boll për dallavere.

Pra meritokracia aq e proklamuar nuk funksionon, sepse nuk ka mbi çfarë të drejte të mbështetet. Për shkak se Kosova funksionon me inerci, e inercia tregon se pushteti ka nevojë për njerëz të besimit “që ia mbajnë zhagun”, pavarësisht a janë të aftë apo jo për të kryer punë.

Rezultatet e kësaj qeverie sipas dikastereve qeveritare nuk e besoj se mund të numërohen as me katër a pesë gishtërinj. Edhe nëse ia kanë dalë të realizojnë ndonjë sukses më të veçantë, vështirë do të jetë edhe të kuptohet se çka është ajo, ngase kjo është Qeveria absolutisht më jotransparente që ka pasur Kosova ndonjëherë. Mbyllja dhe mbajtja e informatave për vete lënë përshtypje se në këtë vend nuk ndodh asnjë gjë. Dhe se në fakt kemi hyrë në një fazë vegjetimi, me shpresën e vockël që dikur do të mund të këndellemi.

* * *

Pra, ajo që kemi është ngecje në ekonomi, në shëndetësi, në arsim. Në drejtësi kemi bile një përpjekje të vogël për një diçka, për një veting të premtuar prej kohësh, por gjërat nuk ecin. Në tregti vazhdojmë me deficitin tregtar; në infrastrukturë dhe mjedis nuk jemi askund hiç: kjo qeveri nuk ka pasur asnjë investim kapital përmbajtjesor qe dy vjet. Kjo do të thotë se asnjë rrugë e nisur para se të vinte kjo qeveri në pushtet, as që i ka nisur punët. Dëgjohet tek-tuk se problemi me to është shpronësimi i tokave, por kurrë asnjëherë, askush nuk doli të flasë me fakte. U mjaftuan me deklarata për kallëzime penale që nuk shohim se janë duke dhënë çfarëdo rezultati. Esenca mbetet se me mungesë të punëve publike, nuk ka as para në treg. E mungesa e parasë e bën të pamundur mbijetesën normale të kujtdo.

Filozofia e këtij pushteti, siç do ta thoshte një mik imi, është ai i kursimit të parasë. Filozofi e cila ka për efekt zhvlerësimin e parasë dhe mungesën e aktivitetit ekonomik. Kjo qeveri, e cila thotë se e ka ndalur korrupsionin, e ka pasur shansin e artë që të ofrojë garanci dhe lehtësi për firmat e huaja për të investuar në Kosovë. Dhe nuk ka pasur nevojë ta shpikë ujin e nxehtë: ka mjaftuar ta kopjonte shembullin e Maqedonisë për të kuptuar se si do të duhej vepruar për t’i joshur të huajt që të investojnë në Kosovë. E Kosovës nuk i vyejnë më shumë se dy a tri fabrika për t’u ringjallur ekonomikisht. Në vend të kësaj, sa herë e kemi përsëritur, funksionojmë me buxhet që krijon parazitë me pak para.

Në gjysmë të mandatit, nuk është turp të dilet e të thuhet se ndryshimet janë të domosdoshme dhe se disa ministra, nëse jo shumica, nuk e kanë vendin aty ku janë ulur. Cila është esenca e ekzistimit të një qeverie, e cila me gjithë fuqinë që e ka, nuk është në gjendje ta bëjë asnjë ndryshim të madh substancial në këtë shoqëri e shtet? Gjëja më e rrezikshme që mund t’i ndodhë një qeverie është vetëkënaqësia e ndihmuar me shumë zemërgjerësi nga një opozitë absolutisht e paaftë, jokreative dhe tepër oportuniste.

Partitë opozitare, me mizën pas veshit, për shkak se janë fajtore edhe për korrupsionin masiv e edhe për dështimin më të madh politik në negociatat e Brukselit (rihapjen e pakos së Ahtisaarit), kanë shumë pak kredibilitet për të kritikuar këdo, pa dëshmuar vetë se janë reformuar. E reforma te to nuk ka ndodhur dhe nuk është proces që mund të kryhet brenda natës. Pushteti partiak që u barazua me shumë para për vete e për partinë në të kaluarën, i ka rrënjët e thella që zor se mund të priten shpejt. Sepse fundja edhe ardhja në pushtet pa para nuk ndodh.

Argumenti i vetëm i opozitës, që shndërrohet në kërkesën për zgjedhje të parakohshme, është se Kurti me politikën e vet është duke i prishur raportet me aleatët tanë.

Por fakt i pamohueshëm është se Kurti aktualisht po merret me pasojat e gabimeve trashanike politike që i kanë bërë udhëheqësit e partive tash në opozitë, e të cilat i lajnë duart thuajse asgjë të keqe nuk kanë bërë.

Në kohët kur presioni për Zajednicën bëhet i padurueshëm, në vend se të dalin me një qëndrim politik e madje edhe të ofrojnë përkrahje dhe ekspertizë, nëse e kanë, për ta krijuar një front të unifikuar në raport me Serbinë, rrinë në skaj, duke pritur se çfarë kanë për të thënë të huajt dhe për të dalë me ndonjë komunikatë.

* * *

Ka disa muaj tashmë që e gjithë jeta jonë sillet rreth veriut të Kosovës. Sidomos këta dy muajt e fundit – me gjithë ato që ndodhën me zgjedhjet komunale, me rrahjen dhe plagosjen e ushtarëve të KFOR-it, me shkatërrimin e veturave të mediumeve, me heshtjen e pabesueshme të ndërkombëtarëve karshi dhunës që e shkaktuan bandat serbe dhe në fund me sanksionet që na u imponuan.

Kjo situatë është duke na dërrmuar për shkak se nuk duket se do të mund të marrë zgjidhje të shpejtë, pa u qartësuar çështja e marrëveshjes së Brukselit mbi planin franko-gjerman. Përderisa Serbia vazhdon të thotë se nuk do ta nënshkruajë asnjë marrëveshje, e prej së cilës megjithatë, zgjedh një nen a dy që insiston që të zbatohen, qetësi në veri nuk do të ketë. Dhe përderisa nuk do të ketë sanksione edhe ndaj Serbisë, kokëfortësia e Kurtit nuk do të pësojë zbutje.

Kjo kokëfortësi dhe veprim me bindje të veten pa i marrë parasysh këshillat dhe sugjerimet e të huajve, për dikë do të mund të jetë vendosmëri, pavarësisht çmimit. Për dikë do të thotë mungesë e qartë e konceptit, idesë dhe synimit. Nëse synimi është vendosja e ligjshmërisë dhe sundimit të ligjit në veri, është zor të besohet se kjo do të mund të realizohet me njësitë speciale të Policisë. Kosova nuk ka policë mjaft sa për t’i luftuar të gjithë ata banditë që mund të vijnë nga Serbia. Nuk e ka as kapacitetin për t’i mbyllur hermetikisht kufijtë, dhe madje nuk mund ta përdorë as ushtrinë për veprim atje.

Kjo çon te përfundimi, pra, se zgjidhja e vetme është ulja në tavolinë bisedimesh – fillimisht me partitë politike parlamentare, e më pas me palën tjetër dhe lehtësuesit.

* * *

Këtij tensioni nuk i ndihmon fare Edi Rama.

Kurti ka shumë të drejtë të hidhërohet me Ramën dhe të refuzojë ta takojë përderisa ky mban qëndrim paternalist ndaj Kosovës. Koketimi i Ramës me Vuçiqin në “Open Balkanin” e dështuar e të vdekur tashmë dhe veprimet e njëanshme pa u konsultuar me Kosovën, nuk i japin të drejtë t’i kurdisë agjendat sipas qejfit të tij pa e respektuar asnjë procedurë diplomatike. E që më pas sjelljen e tij arrogante ta mbulojë me batuta për Kanunin. Është shumë bizare që një euroatlantik të jetë edhe kanunor njëkohësisht.

Zvarritja e mëtejme e kësaj situate do të na shterë për kot. Pra, meqë po pritet një lëvizje e Kurtit drejt depërshkallëzimit, le të kërkojë nga dy kryetarët e tij që të japin dorëheqjen. Çështja e peticionit është paksa e komplikuar dhe merr shumë kohë. Nëse e kam interpretimin e saktë, ani pse me t’i lexuar dy ligjet këtë nuk e pashë me qartësi, deri në zgjedhje, ata do të duhej të mbesin kryetarë në detyrë, dhe mund të vazhdojnë të qëndrojnë aty ku janë deri në shpalljen e kryetarit të ri.

Nga ana tjetër, nëse PDK-ja e do njëmend shtensionimin e situatës, të njëjtën gjë do të duhej ta kërkonte edhe Memli Krasniqi nga dy kryetarët e tjerë të zgjedhur në veri. Ata edhe ashtu kurrë nuk shkuan në ndërtesat komunale.

* * *

Të jetosh në kaosin e Kosovës është sikur të jetosh në hotel “Promaja”.

Si në një shtëpi ku politika i ka kalbur themelet e ku shtyllat janë të shtrembra ose nuk janë fare.

[email protected]