OpEd

Historia e çarë me daltë

Si të bëhesh gaz i botës? Ndërto një përmendore. Pastaj edhe një tjetër. Në këtë disiplinë sportive Kosova ka krijuar një përvojë të gjatë, të mërzitshme, qesharake

Festat e improvizimet për shënimin e 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës mbaruan nga mesi i këtij muaji. Nuk pati një fjalim që mbeti në mendjen e njerëzve pas 12 qershorit. Nuk pati një gjest që u shqua nga rutina e njohur e shënimit të përvjetorëve. Por pati diçka që zgjoi kureshtjen (apo më mirë të themi neverinë) e njerëzve: përmendorja e ish-kryeministrit britanik Tony Blair e zbuluar në Ferizaj. Artistikisht e dobët. Si e tillë, ajo u bë objekt ironie therëse në mediat angleze.

Nuk është hera e parë që Kosova përballet me përmendore e buste me dukje qesharake. Pyetja është se a ka një deputete apo deputet të guximshëm që merr iniciativën për propozimin e një ligji që ndalon ndërtimin e përmendoreve pa miratimin e një komisioni nacional të përbërë nga profesionistë të vërtetë? Edhe përmendorja e Bill Clintonit në Prishtinë është punim katastrofal sa i përket anës artistike. Ndodhet në sheshin me të njëjtin emër që nga viti 2009 dhe tashmë është bërë pjesë e imazhit të kryeqytetit të Kosovës. Ka pasur zgjidhje sigurisht më të mira po të mos ekzistonte një shpërputhje frapante mes entuziazmit dhe talentit të autorit të përmendores.

Ibrahim Rugova para Katedrales së Prishtinës - çka të themi përveç këtë: Rugova në oborrin e Katedrales, i veshur me kostum të verdhë, imitim i ngjyrës së alltënit, duket si anëtar i ndonjë bendi muzikor që në vitet 70-të apo 80-të këndonte nëpër restorante afër pompave të benzinës “INA” apo “Jugopetrol”. Kështu bën vaki kur dinjitarët fetarë e humbin rrugën, merren me simbole politike, sfidojnë ligjet dhe rendin urban. Kësisoj, një figurë nacionale shqiptare, reduktohet në “bari të grigjës” dhe “aktivist fetar” (që s’ka qenë kurrë). Mungojnë aty në oborrin e Katedrales vetëm edhe qengjat që Bashkësia Islame i blen për Bajram të Vogël për të bërë pak biznes. Do të ishte një bashkim mentalitetesh të njëjta kuazifetare me ambicie tyxharie ku përzihen pak citate Kurani e Bible dhe shumë euro. Këso absurdi as Samuel Beckettit s’do t’i kishte rënë ndërmend të shkruajë dhe vë në skenë. Shyqyr që së paku Anton Çetta pati pasardhës të denjë që e mbrojtën nga keqpërdorimi i figurës së tij që ka vend në zemrën e çdo shqiptari.

Qindra përmendore luftëtarësh të luftës çlirimtare janë punime tmerrësisht të dobëta, andaj janë edhe fyese ndaj atyre personaliteteve që pretendohet se po nderohen. Kështu nuk nderohet askush. Kosova po shndërrohet në një fabrikë përmendoresh qesharake, një film vizatimor absurd ku çdokush për të treguar gjenialitetin e vet të rrejshëm çohet skalit buste e përmendore që më shumë janë pështymë mbi çdo vlerë. Krim mbi historinë tonë. Krim mbi sakrificën. Krim mbi pamjen estetike. Krim mbi pamjen artistike.

A ka vërtet një deputete, një deputet që del e thotë: do të luftoj për një ligj që ndalon fushatën primitive të përmendorizimit të Kosovës me gjysmagjela? Ky turbofolk duhet të marrë fund. Gjasat që kjo të ndodhë janë të vogla dhe shpëtim i vetëm mbetet ndoshta ironia. Kështu disi: ndërsa populli nëpër kafehanet mondane të kryeqytetit të Republikës së Kosovës shijon makiaton e mëngjesit dhe qan hallet e botës, një skulptor në një qytet kosovar ka marrë daltën në dorë për të gdhendur përmendoren e radhës. Kush do të bjerë pre e gjahut? Ndonjë ushtar nepalez gurka me hanxhar në dorë dhe në shërbim të armatës britanike më 1999? Ndonjë helikopter me një pilot mbi helikopter si përmendore e shkollës kosovare të futurizmit në skulpturë? Mund të bëhet Kosova atraksion turistik: hajdeni, shikojeni shëmtinë e përmendoreve, hajdeni në festivalin e përmendoreve, hajdeni në vjeshtë, atëherë kur e mbjellim rasatin e përmendoreve, pastaj hajdeni në pranverë kur përmendoret rriten, mbështillen me gëzof dhe vendosen arbitrarisht në sheshe qytetesh, në sokakë, në qorrsokakë, në rrugica, në gjysmësheshe, në sheshe që tashmë i kanë dy përmendore, në trotuar. Hajdeni, urdhëroni, 2 euro hyrja në Kosovë, në parkun e përmendoreve, aty ku hapësira publike njihet vetëm si fushë për arbitraritet.

Në fund i kthehemi seriozitetit: përmendoret janë vetëm një medium për të kujtuar të kaluarën. Ka mënyra të tjera për të kujtuar dikë a diçka: nëpërmjet filmit, librit, ekspozitës, konferencave shkencore. Mund të bëhet kjo edhe nëpërmjet përmendoreve, por vetëm nëse ato kanë potencial që të inkorporohen si pjesë përbërëse e kujtesës së përgjithshme kulturore. Momentalisht këtë kriter e plotësojnë shumë pak përmendore në Kosovë. Historia e Kosovës është një histori e çarë me daltë.