OpEd

Hipokrizitë të cilat kanë çmim

Tirana e shpallur “Kryeqyteti i Rinisë Evropiane”, me zhvendosjen aty të festivalit “Sunny Hill” do ta ketë një adut më shumë në mangët e saj dhe deri këtu nuk ka asnjë të keqe. Por unë e kam të vështirë që të bindem se €di Rampa nuk do ta mbështjellë edhe këtë ngjarje si pjesë të promovimit të “Open Balkanit” dhe të rinjve që nuk njohin kufij, përderisa në Serbi ndalohen edhe posterët e edhe këngët e Dua Lipës apo Rita Orës. Mbes me drojën se largimi i Festivalit shkaku i një problemi politik vetëm sa do të hasë në “përqafimin” e një problemi tjetër të ri politik. Shpresoj që z. Lipa të ketë qenë vigjilent dhe i përpiktë në kërkesat e tij kontraktuale me Bashkinë e Tiranës, si dhe me Qeverinë e Shqipërisë, ashtu siç ishte me Komunën e Prishtinës dhe me Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Të jetosh në Britaninë e Madhe dhe të mos flasësh për motin është paksa e pamundur. Andaj, Ditarin tim do ta nis me tone të gëzueshme verore, që më në fund po i përjetojmë edhe ne këtu në ishull.

Kësisoj gdhiu edhe mëngjesi i sotëm dhe planifikimi im ditor konsistoi me shfrytëzimin deri në maksimum të motit të bukur. Dhe kaq për sa i përket motit.

Ngjarje të shumta e shënuan javën që e lamë pas. Pa dyshim se ajo që bëri më së tepërmi bujë në media ishte vendimi i organizatorit - pronarit të “Sunny Hill Festival” për ta zhvendosur atë në Tiranë. Në një sërë keqmenaxhimesh të niveleve të shumta, si nga ana e bartësve në qeverisjen qendrore ashtu edhe në qeverisjen lokale, gjëja që është më se evidente është fakti se organizatori, pas dështimeve të dy vjetëve të fundit në organizimin e Festivalit shkaku i pandemisë COVID-19, tashmë e kishte edhe një plan B nën sqetull. Atë Dukagjin Lipa e bëri publik të martën, ditën kur ua kishte caktuar afatin e fundit të gjitha palëve kontraktuale për t’u kthyer përgjigje finale kërkesave të tij për mbajtjen e Festivalit.

Të shpejtë në reagime ishin edhe protagonistët e tjerë të planit B të z. Lipës, duoja tashmë e famshme tiranase - kryeministri €di Rampa* dhe kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj.

Edhe për naivët më të mëdhenj ishte e kuptueshme se bisedimet dhe pëlqimet paraprake janë zhvilluar shumë më herët. E përmbajtjen e këtyre pëlqimeve e marrëveshjeve nuk e dimë, për dallim prej përmbajtjeve kontraktuale dhe kërkesave të organizatorit për mbajtjen e Festivalit në Kosovë.

Pa dashur që të hyj në detajet e përmbajtjes së kontratës së Festivalit me Komunën e Prishtinës, një gjë e di sigurt se amendamentimi i kësaj kontrate do të përmbajë më vete mbajtjen e Festivalit edhe në Shqipëri në të ardhmen. Kështu që Kosova nuk do ta ketë ekskluzivitetin e tij dhe të drejtën e ekskluzivitetit e ka humbur nga papërgjegjësia institucionale për t’i dhënë përgjigje organizatorit të Festivalit në kohën e paraparë ligjore, ngase z. Lipa do t’ua bëjë "a offer which they cannot refuse".

A ka neglizhencë në vendimmarrje, si në nivelet lokale ashtu edhe në ato të qeverisjes qendrore?

Po ka dhe shumë bile. Për këtë festival ka vite që flitet. Suksesi i tij është që qe vendosur në hartën ndërkombëtare të ngjarjeve dhe që e promovonte Kosovën si në skenën kulturore ndërkombëtare ashtu edhe në joshjen e të rinjve evropianë për ta vizituar, qoftë edhe vetëm gjatë ditëve sa mbahej.

Njashtu nuk duhet që ta neglizhojmë edhe përfitimin e sektorit të hotelerisë dhe gastronomisë gjatë kohës sa mbahet Festivali e që është një ndihmesë e mirëseardhur ekonomike.

Kosova apo më saktësisht njerëzit që janë votuar për të udhëhequr me qytetet, me kuvendet e qyteteve, qeverinë, si dhe me kuvendin e shtetit duhet ta dinë se në 20 e sa vjetët e fundit ne nuk kemi dëshmuar se, kur është fjala te kultura dhe sporti, jemi në gjendje që ta bëjmë ndonjë organizim me peshë dhe që do t’i kalonte kufijtë e shtetit tonë. Ato rëndom do t’i organizojnë njerëzit privatë dhe të cilëve u duhet përkrahje në ofrimin e infrastrukturës dhe legjislaturës për lehtësimin e organizimeve, përderisa me detajet logjistike ditore të organizimeve të evenimenteve të tyre merren ata vetë.

A do të krijojnë ata organizatorë përfitime prej krejt kësaj? Medoemos se po, përndryshe cili do të ishte motivi për një organizim të tillë e për të cilin duhet të mendohet deri në hollësitë më të imëta. E jo rrallëherë edhe mësohet nga gabimet e mëparshme dhe ato përmirësohen në edicionet e radhës.

Dukagjin Lipa lojën e tij e luajti mençur. Topin e la në fushëlojën midis Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal. E aty VAR nuk ka, përveç masave të të pakënaqurve me dështimin e një Festivali që tashmë kishte shitur bileta për Prishtinë dhe të rinjve që edhe kishin bërë planifikime për muajin gusht.

Dështimi i Festivalit mbetet kryekëput dështim politik. Edhe sikur njeriu të mos dojë ta mendojë si të tillë, deklaratat kundërthënëse nga vetë ministri i Kulturës - ani se jo direkt përgjegjës për këtë organizim – brenda vetëm dy ditëve të fundit – se “Kosova ka tokë në kursim” dhe se “Qeveria nuk mund t’u nënshtrohet presioneve", pasuar nga deklarata e radhës: “Ne jemi të gatshëm që t'ia plotësojmë të gjitha kërkesat organizatorit” - janë paksa problematike. Aq më tepër kurse vetë organizatori veçse e ka vendosur zhvendosjen e edicionit të sivjetmë në Tiranë, duke e hedhur adresën e fajësisë së politikës ditore midis qeverisë qendrore dhe asaj lokale.

Kur jemi te €di Rampa, nuk kam se si të mos ndalem edhe te dy deklaratat e tij të fundit. E para ka të bëjë me adresimin e tij, në të cilin e luajti rolin më shumë të zëdhënësit të Serbisë sesa të kryeministrit të Shqipërisë, duke kërkuar nga udhëheqësit evropianë që të kenë mirëkuptim ndaj Serbisë dhe lidhjeve të saj të veçanta me Rusinë, dhe që kësisoj asaj të mos i bëhet presion mbi vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë. Gjithmonë e kam thënë se dreqi fshihet në detaje.

Çfarë e shtynë kryeministrin e Shqipërisë që ta bëjë një deklaratë të tillë? Cili është borxhi i tij ndaj Serbisë apo partnerit të tij në “Open Balkan”, presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq? Në kuadër të kësaj kërkese, a nënkuptohet edhe ajo për mosushtrimin e presionit ndaj Serbisë rreth njohjes së Kosovës, si përfundim i procesit të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sepse Evropa duhet që të ketë mirëkuptim për Kushtetutën e Serbisë që e parasheh Kosovën si pjesë përbërëse të Serbisë, si dhe për fjalimin e Vuçiqit gjatë betimit president, kur ai u zotua që të bëjë çmos që Serbia kurrë të mos e humbë Kosovën.

€di Rampa është piktor. Nuk jam i kualifikuar që ta vlerësoj aftësinë dhe mjeshtërinë e tij në art, porse për sa u përket deklarimeve të tij publike si kryeministër i Shqipërisë, këtu nuk nevojitet ndonjë kualifikim i caktuar, përveç një logjike të shëndoshë dhe kujtese jo të largët, e pushtimit dhe aparteidit serb në Kosovë të shndërruar më vonë edhe në gjenocid ndaj popullit shqiptar të Kosovës, të cilat €di Rampa i quan rrëmuja ballkanike.

Deklarata e dytë e €di Rampës ka të bëjë me takimin që e realizoi me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, dhe Dritan Abazoviqin gjatë qëndrimit të tyre në Kiev. Atje Rampa deklaroi se në Ballkanin Perëndimor është një vend i quajtur Kosovë, i cili përkundër faktit që Ukraina nuk e njeh dhe ka qëndrime zyrtare shumë kundërshtuese ndaj pavarësisë së Kosovës, e mbështet Ukrainën në luftën e saj të drejtë kundër pushtuesit rus dhe u është bashkuar vendeve perëndimore në vendosjen e sanksioneve kundër Federatës Ruse. Mirëpo €di Rampa nuk i tregoi Zelenskyyt se në Ballkanin Perëndimor është edhe një vend, të cilit Ukraina ia njeh pavarësinë dhe që ky vend në Kombet e Bashkuara e ka gjykuar pushtimin rus të Ukrainës, porse nuk pranon që Rusisë t’i vendosë sanksione. Gjithashtu nuk i tregoi se ky personalisht kërkon nga prijësit evropianë që të kenë mirëkuptim për lidhjet e veçanta të Serbisë me Rusinë. E sikur t'ia thoshte ato, jam i sigurt se Zelenskyy do të mund t'ia mbante edhe një leksion historie për lidhjet e veçanta ukrainase me Rusinë, porse ja ku ajo gjendet sot!

Kështu që, kërkesa e €di Rampës më shumë mbetet për konsum patriotik të brendshëm sesa që ka ndonjë impakt direkt te presidenti i Ukrainës, e veçmas në gjendjen në të cilën sot ajo dhe ku Rusia tenton që me anë të luftës t’ia heqë territoret e njohura ndërkombëtarisht si pjesë të saj.

E Zelenskyyt aq i kanë lënë mbresa vizita dhe kërkesat e Rampës, saqë edhe në statusin e bërë €di Rampës iu referua si kryeministër i Malit të Zi.

Për ta përmbyllur këtë Ditar, prapë do të kthehesha te festivali “Sunny Hill”. Tirana e shpallur “Kryeqyteti i Rinisë Evropiane” do ta ketë një adut më shumë në mangët e saj dhe deri këtu nuk ka asnjë të keqe. Por unë e kam të vështirë që të bindem se €di Rampa nuk do ta mbështjellë edhe këtë ngjarje si pjesë të promovimit të “Open Balkanit” dhe të rinjve që nuk njohin kufij, përderisa në Serbi ndalohen edhe posterët e edhe këngët e Dua Lipës apo Rita Orës.

Mbes me drojën se largimi i Festivalit shkaku i një problemi politik vetëm sa do të hasë në “përqafimin” e një problemi tjetër të ri politik. Shpresoj që z.Lipa të ketë qenë vigjilent dhe i përpiktë në kërkesat e tij kontraktuale me Bashkinë e Tiranës, si dhe me Qeverinë e Shqipërisë, ashtu siç ishte me Komunën e Prishtinës dhe me Qeverinë e Republikës së Kosovës.

P.S.

Merr-Jep

“Ndërroj banesën 4-dhomëshe në “Sunny Hill” me një të ngjashme rrëzë Parkut të Tiranës!”