Administrata e kaluar amerikane ka lënë pas vetes aq frikë sa ndoshta mund të shfrytëzohet si alarm për SHBA-në dhe Evropën: nëse nuk zgjidhen problemet, përfshirë edhe ato të Ballkanit Perëndimor, mund të vijë sërish Trumpi të përpiqet t’i zgjidhë në formën e vet
1.
Brenda një jave një prijës i një vendi ballkanik dhe një diplomat i lartë evropian më thanë pothuajse të njëjtën gjë në formulime të ndryshme. Prijësi, i brengosur me destabilizimin regjional të Ballkanit Perëndimor shprehu brengën në konstatim e pyetje të njëkohshme se a thua pas Trumpit “ do të bëjë më në fund gjë Amerika?”. Diplomati evropian, ndërkaq, pati një konstatim spirituoz që ia kishte dhënë personi përgjegjës për analizë të Amerikës në zyrën e tij: “Kam frikë se ndërsa Trumpi thoshte ‘America first’, Amerika e para, administrata e Bidenit po e zbaton në formë të heshtur”.
Hija e Trumpit është kaq e rëndë sa vazhdon të qëndrojë në vëmendjen e njerëzve posaçërisht në Evropë. Është kaq e rëndë sa tashmë është bërë një lloj kuti matës i më të keqes që mund të prodhojë Amerika; ministri i Jashtëm francez, pas problemit të shkaktuar me anulimin e kontratës për nëndetëse franceze në favor të një oferte amerikano-britanike, konstatoi se kjo gjë ia përkujton sjelljen e Trumpit. Hija e ish-presidentit amerikan është posaçërisht e pranishme në Ballkan: në Serbi ende përmendet si i vetmi president prej shumë kohësh që e ka përkrahur këtë vend. Në Kosovë emri i Trumpit ndërlidhet me traumën e madhe të kosovarëve që për herë të parë u thyen në përshtypjen kolektive se Amerika është aty vetëm për të përkrahur Kosovën, se nuk mund të ndodhë që të dalë dikush si Grenelli e ta bëjë lëmsh tërë skenën politike të Kosovës dhe marrëdhëniet në trekëndëshin Prishtinë-Beograd-Bruksel.
Hija e Trumpit është kaq e rëndë sa shumëkush në Evropë ende nuk mund të besojë se si ishte e mundur që Amerika të ketë një president që në mënyrë konsekuente ka krijuar avantazhe për Rusinë e Putinit në dëm të NATO-s e të partnerëve tradicionalë evropianë.
2.
Amerika nuk është ajo që ishte. Kosovarët e të gjitha moshave kanë ndërtuar një bindje - të krijuar prej ndërhyrjes së paprecedencë historike amerikane për ta mbrojtur vendin prej gjenocidit dhe për ta çliruar e pavarësuar atë - se në toplistën e agjendës së çdo administrate amerikane ndër vendet e para gjendet Kosova. Po të ishte e bazuar kjo bindje, që javën e kaluar SHBA-ja do të kishte një të dërguar të veçantë në regjion që do të merrej me pengimin e përshkallëzimit të “krizës së targave” në kufirin Kosovë-Serbi dhe me krijimin e një kornize negociatore që do të zgjidhte brenda pak kohe atë që po zvarritet prej dhjetë vjetësh në “dialogun e normalizimit” në Bruksel.
Por, kjo nuk ndodhi dhe nuk është paralajmëruar se do të ndodhë në të ardhmen. Në fakt, ka kohë që nuk po ndodh dhe për këtë nuk është përgjegjëse administrata e Trumpit. Herën e fundit kur SHBA-ja mori rolin prijës për pengimin e një konflikti dhe drejtimin e tij kah zgjidhja politike qe Marrëveshja e Ohrit më 2001, në bashkëpunim të ngushtë dhe efikas me Bashkimin Evropian. Ndërkaq, herën e fundit kur SHBA-ja ka përdorur peshën e vet politike për të avancuar një çështje që në kontekstin evropian do të merrte ritmin e natyrshëm të zvarritjes ishte me shtytjen që më në fund të përcaktohet statusi i shtetit të pavarur të Kosovës si fryt i një procesi negociator dhe marrëveshje shumëpalëshe, më 2005-2008.
Amerika e mbrojtjes, çlirimit dhe pavarësimit të Kosovës ndërkohë është angazhuar në dy luftëra të gjata, në Afganistan e Irak. Ajo në Afganistan qe më e gjata në historinë e Amerikës dhe momenti i largimit nga ajo luftë la shije kolektive të dështimit në vetë Amerikën.
3.
“America is back”, Amerika është kthyer. Kjo qe motoja e presidentit Biden si përgjigje ndaj qëndrimit të presidentit Trump “America first”. Këtë e përsëriti presidenti Biden në fjalimin e tij në OKB, por realiteti jep indikatorë të tjerë. Prioriteti në politikën e jashtme amerikane të kësaj administrate është ai që qe formuluar nga administrata e presidentit Obama , e “harkut të Paqësorit” të një fronti të demokracive me tregje të lira karshi hegjemonit të ri, Kinës. Dhe, në këtë aspekt kjo administratë po qëndron konsekuente, duke forcuar aleancën e Katërshes (Quad) e përbërë nga SHBA-India-Japonia-Australia, madje aq sa edhe për të ndërhyrë që Australia të pajiset me nëndetëse bërthamore në vend të atyre diesel nga Franca.
Shtetet evropiane, aleate të SHBA-së, kanë shikuar me brengë jo vetëm këtë episod të veprimit krejtësisht jokonvencional të një aleati të NATO ndaj aleatit tjetër, por edhe më tepër fundin e pranisë së NATO-s në Afganistan, krejtësisht të pakoordinuar mes aleatëve.
Dhe këto veprime bëhen episode të parëndësishme në jetën politike amerikane, lajme që sfumohen pas një jave. “America is back” do të jetë moto më e rëndësishme në politikë të brendshme nëse administrata arrin të kalojë një plan investimi prej 3.5 trilionë dollarësh, që do të jenë infuzioni më i madh investues në shoqërinë amerikane në analogji me atë që bëri presidenti Roosevelt për të dalë nga kriza e madhe financiare botërore para gati njëqind vjetësh. Amerika pret rikthimin e vet, por jo domosdo në skenë botërore. Fillimisht dëshiron ta bëjë me para që duhet të sigurojnë çerdhe për të gjithë fëmijët amerikanë, reformim të arsimit, ura e aeroporte të reja, vende pune për biznesin amerikan.
4.
Po, edhe 3.5 trilionë dollarët kanë të bëjnë me hijen e Trumpit. Nëse këto para bëjnë punën që duhet ta bëjnë, qytetari amerikan nuk duhet të bjerë më në kurthin e demagogjisë, cektësisë mendore dhe nxitjes së ndarjeve racore e etnike në SHBA, që karakterizuan fjalorin politik që e solli Trumpin në pushtet. Nëse nuk e bëjnë punën e vet, zonat e Amerikës të goditura nga krizat ekonomike sërish mund t’u japin vota premtimeve të shpejta të Trumpit.
Dhe, ky mbase duhet të jetë udhëzuesi më i mirë kohor për vendet e Evropës, se nëse nuk arrijnë të vendosin parametra më stabilë të marrëdhënieve me këtë administratë, mund të ballafaqohen me atë që në fillim të këtij shekulli dukej e pamundur, që Amerika të ketë sërish një njeri si Trumpi në krye.
Ndoshta hija e Trumpit mund të ndihmojë në zbërthimin e dy çështjeve në marrëdhëniet transatlantike që duken të veçanta, por janë të ndërlidhura: si të krijohet një balancë e re brenda NATO-s që do të forcojë kontributin e shteteve evropiane në të dhe si të krijohet një Ballkan Perëndimor që zgjidh konfliktet e papërfunduara e do ta vendosë regjionin brenda arkitekturës së sigurisë e integrimit evropian.