Nëse qëllimi, pas 20 vjetësh, është që Qirkuzi të futet në rend, atëherë duhet nisur me sanksionimin e të gjithë atyre që nuk janë në sallë, të nënshkruar apo jo, në kohën kur mbahet mbledhja plenare. Këtyre duhet futur disiplinën e shkollës në Kuvend – nuk ka me dalë pa lejen e mësuesit/arsimtarit, as në tualet bile, derisa nuk bie zilja e pushimit të gjatë apo të shkurtër, varësisht se sa cigare e kafe do t’i pinë në bufenë e Kuvendit. Aty ku, natyrisht, kjo është e ndaluar me ligj. Po këtyre s’u bëhet vonë as për këtë punë
Pra, u bënë tri javë grevë në arsim dhe viktimat më të mëdha vazhdojnë të jenë fëmijët. Krejt çfarë pamë e dëgjuam deri tash, qenë ankesat e përfaqësuesve të SBASHK-ut; thumbimet e ministrit të Financave, fjalosjet në Komisionin parlamentar për Arsim, nja dy-tri protesta të vogla dhe kokëfortësi maksimale, nga ta sjellësh.
Ndërkohë, situata ekonomike nuk është se po ndryshon për të mirë. Çmimet po vazhdojnë të rriten, pos derivateve që janë vënë nën kontroll; ministri i Shëndetësisë po vazhdon të sorollatet lart e poshtë; në FB po bëjnë gara kush ka dalë i pari në fotografi me Bidenin, e fëmijët po rrinë në shtëpi duke pritur që të rriturit që janë përgjegjës për bazat e shkollimit të tyre, të vendosin nëse duhen të kthehen të punojnë ose jo.
Dhe përderisa Ligji për grevën e parasheh edhe një dispozitë që nuk i detyron të gjithë të mbajnë grevë, meqë pjesëmarrja në të është vullnetare, po del që udhëheqësit e SBASHK-ut janë më të fuqishëm madje se edhe ndërgjegjja, dhe mësimi nuk fillon se nuk fillon.
Edhe një herë po më duhet ta them atë që e shkrova para dy javësh: kriza e ka kapluar krejt Kosovën, dhe përderisa sektori privat është ai që e mban sektorin publik, subvencionet në formë të asistencës për ta përballuar inflacionin kanë nisur t’u ndahen vetëm atyre që janë pjesë e sektorit publik. Ndër ta edhe mësimdhënësit që tash për nga 50 euro nuk pranojnë të kthehen në vendet e tyre të punës. E kështu me gjasë do të jetë deri më datën 1 tetor, kur ta kuptojnë se mund të mbesin edhe pa pagë për ditët sa kanë qëndruar në grevë. Kjo, nëse Qeveria e zbaton Ligjin për grevat ashtu siç është tash.
Po të ishte ndalur rryma nja dy ditë me restrikcione, jam më se e sigurt se gjysma e Kosovës do të ishte çuar në këmbë për të protestuar. I kishim mbushur edhe ndërtesat me ngjyra për t’i akuzuar pushtetarët se nuk dinë t’i menaxhojnë resurset dhe situatat emergjente. E për shkollë, nuk gjenden as 10 mijë prindër a gjyshër për të dalë në rrugë e për të kërkuar të drejtën më elementare që ne me dorë tonën sot ua mohojmë fëmijëve. Edhe në luftë është mbajtur mësimi, pa apo me pagesë minimale. E tash, drejtorët mbyllin dyert edhe në rastet kur lajmërohet ndonjë arsimtar për ta mbajtur mësimin. Kah jemi nisur a thua? Ndoshta Rrahmani na tregon.
* * *
Por protagonistët e tjerë, po aq të rëndësishëm të javës dolën të ishin ministri i Jashtëm i Shëndetësisë, Rifat Latif, dhe deputetët e Qirkuzit të Kosovës.
Latifi shkoi në Athinë - për të bërë diplomaci shëndetësore, apo qysh tashmë ka vendosur t’ia vërë emrin. Mediumet vazhduan ta kritikonin për amullinë me të cilën e udhëheq dikasterin në krye të të cilit erdhi para dhjetë muajsh, kurse ky u kundërpërgjigj me një konferencë për shtyp në të cilën tha një gjë që tashmë e kishte thënë në “Desku” në janar të sivjetmë: se Kosova mund ta ketë shëndetësinë e shkëlqyer brenda 5 apo 10 vjetësh dhe se duhemi pasur durim.
Nuk e di a ka në botë ndonjë popull që është treguar më i durueshëm se ne. Durim patëm gjatë, gjatë, durim po kemi tash e më shumë se dy dekada. Porse kjo nuk do të thotë se përderisa prognoza është kjo, se nuk duhet ndërmarrë asgjë për ta përmirësuar gjendjen aktuale.
Dje, hiç më larg, doli lajmi se për ta caktuar një termin për rezonancë magnetike në QKUK, rendi të vjen vetëm pas një viti, pra në gusht të 2023-s. Kjo, për shkak se QKUK-ja ka dy makina të rezonancës magnetike, prej të cilave vetëm njëra punon. E dyta nuk punon për shkak se kur ka pasur vërshime para një kohe në Prishtinë, hapësira ku gjendet makina e dytë ishte mbushur me ujë.
Problemi tjetër është, dhe ky është i lidhur direkt me punën e tij në Ministri, edhe pse rasti nuk ka ndodhur gjatë mandatit të tij, se shteti i ka humbur 630 mijë euro sipas vendimit të gjykatës së shkallës së parë, për një tender nga viti 2011. Për të qenë puna më tragjike, shteti nuk pati përfaqësim juridik në këtë proces, e hala më tragjik ishte fakti se komplet lënda e tenderit është avulluar. Do të thotë, ministria, e cila e ka menaxhuar procedurën e tenderit, nuk e ka lëndën në bazë të së cilës mbase edhe ka mundur të mbrohej nga padia.
Natyrisht se nuk mund t’ia veshim përgjegjësinë për humbjen e dosjes ministrit, sepse nuk është punë e tija që t’i ruajë dokumentet. Porse dikush duhet të merret në përgjegjësi, e ky është epror i këtij dikasteri dhe thjesht nuk mund të shtiret se asgjë nuk ka ndodhur me faktin se mbi gjysmë milioni nga taksat tona do të shkojnë në arkë të një kompanie farmaceutike.
Ministri do të bënte mirë të na e shpaloste itinerarin e udhëtimeve të tij deri në fund të vitit, e ta dimë nëse e ka ndërmend të ulet e të punojë diçka, apo këtë punë ka vendosur t’ia lërë në dorë superministrit të Shëndetësisë, Albin Kurti. Ashiqare, hiç nuk po i bëhet vonë për asgjë.
* * *
Ka disa ditë që në FB po qarkullojnë fotot e deputetëve të Qirkuzit nga Amerika që po marrin pjesë në “Programin Ndërkombëtar të Udhëheqjes së Vizitorëve”. Nuk e di sa anëtarë të Qirkuzit gjenden momentalisht atje, porse koha e përzgjedhur për këtë program duket të mos jetë më e përshtatshmja për ne. Se si i kanë pasur hesapet organizatorët, nuk e dimë, por atë që mund të konkludojmë është se prej kësaj vizite do të kthehen pa ndonjë ndryshim rrënjësor në qasjen ndaj obligimeve që i kanë në Kuvend.
Pra, për më pak se një javë, së pari dështon të mbahet mbledhja e kryesisë së Kuvendit, për shkak të mungesës së kuorumit. E më pas, kur mbahet seanca plenare, nuk mund të kalojnë as rezolutat e as ligjet për shkak të të njëjtit problem.
E tash, kur e sheh se si secila legjislaturë e ka problemin e njëjtë, pra problemin kronik të kuorumit, e kupton se ky është një shtet hajgare. Këtu askujt që e ka fuqinë e vendimmarrjes nuk i bëhet vonë thuajse për asgjë. Pra as për ligjin e pagave, as për marrëveshjet ndërkombëtare, as për rrymën që e nisin si temë duke marrë tupanët në dorë, e mandej e vazhdojnë duke mos qëndruar në seancë... Për të vetmen gjë që angazhohen me gjithë fuqinë, është të nënshkruhen në listën e pjesëmarrësve të seancës, t’i plotësojnë formularët e derivateve, e të marrin mëditje për shëtitje edhe deri në Shqipëri po qe se u jepet rasti.
Pra, këta janë ata që duhen ta votojnë Ligjin e Pagave, i cili, thuhet, do t’ua rrisë rrogën edhe pak. Nuk e di a i bie kjo konflikt interesi, por po të mundnim qytetarët t’ua votonim rrogat, me siguri se do t’ua përgjysmonim.
Nëse qëllimi, pas 20 vjetësh, është që Qirkuzi të futet në rend, atëherë duhet nisur me sanksionimin e gjithë atyre që nuk janë në sallë, të nënshkruar apo jo, në kohën kur mbahet mbledhja plenare. Këtyre duhet futur disiplinën e shkollës në Kuvend – nuk ka me dalë pa lejen e mësuesit/arsimtarit, as në tualet bile, derisa nuk bie zilja e pushimit të gjatë, apo të shkurtër, varësisht se sa cigare e kafe do t’i pinë në bufenë e Kuvendit. Aty ku, natyrisht, kjo është e ndaluar me ligj. Po këtyre s’u bëhet vonë as për këtë punë.
* * *
Dita e djeshme mbaroi me një postim të Albin Kurtit në FB – ku i thuri lavde punës së Qeverisë për 18 muajt sa mban pushtetin. Në atë postim asnjë fjalë e vetme për shëndetësinë. Që tregon se është i vetëdijshëm se aty e ka një problem të madh.
Kësaj radhe ishte më i kujdesshëm dhe nuk na tregoi se sa vende pune janë krijuar, për shkak se e di edhe vetë se vendet e punës nuk janë krijuar, por janë formalizuar kontratat e atyre që kanë punuar pa to deri më tani. Bizneset e investitorët i përmendi në kontekstin e Gjykatës Komerciale, por nuk tregoi se për një rast përmbarimi do të na duhet të presim mbase edhe nja dy vjet, për shkak se kësaj gjykate ia kanë hedhur 8 mijë raste që duhen zgjidhur 11 gjykatës. Nuk e përmendi as faktin se sektorin privat e la jashtë subvencioneve për ta luftuar inflacionin e nuk e përmendi as grevën trejavëshe.
Fakt për t’u lavdëruar është luftimi i korrupsionit - porse vetëm ky fakt nuk mjafton. Për shkak se kjo Qeveri dëshmon të ketë jo pak mangësi, ndërkohë që grupi i tij parlamentar është një lëmsh njerëzish që nuk janë gjetur aty për shkak se kanë besuar në programin e tij, por pse kanë kalkuluar se të jesh deputet në këtë vend, është të jesh person që nuk i jep përgjegjësi askujt.
Nëse e ka njëmend përmbushjen e mandatit deri në fund, Kurti do të duhej t’ia niste me ndryshime nëpër ministri. Do të duhej të gjente njerëz të përgjegjshëm dhe pak më të dijshëm se këta që i ka tash.