Dikush që nuk e ka jetuar as gjysmën e jetës në këtë qytet, e që i parashutuar u bë kryetar i qytetit për shkak të marrëveshjes politike që të enjten u prish, e ka zor të kuptojë se interesi publik është shumë më i madh sesa ai personal. Dhe, se nuk duhet pasur asnjë agjendë të fshehur për t’i zbuluar manipulimet e dikujt që mendon se me tre renderë projektesh që duken të nxjerra me ndihmën e inteligjencës artificiale, mund t’ua marrë mendtë qytetarëve
Të enjten u mbajt seanca e jashtëzakonshme e Komunës së Prishtinës me vetëm një pikë rendi dite: anulimi i vendimit për këmbimin e tokave mes ish-klientëve të Ramës dhe vetë komunës në emër të projektit të dështuar në Badovc.
Para se të niste seanca, Rama i përshëndeti të gjithë asamblistët personalisht dhe u ul te karrigia e tij. Më pas e mbajti një fjalim njëkohësisht akuzues dhe shfajësues dhe në çastin kur u hodh çështja në votim, doli nga salla bashkë me përfaqësuesit e LDK-së.
Nja dy net para seancës kishte dalë në njërin televizion dhe e kishte elaboruar gjerë e gjatë çështjen e Badovcit. Rrugës e kishte akuzuar KOHË-n që kishte orkestruar këtë fushatë kundër tij për, po parafrazoj, 40 vende parkimi pas mbylljes së rrugës “Xhorxh Bush”.
Niveli i akuzës së kryetarit të Prishtinës e tregon logjikën me të cilën ai po e udhëheq qytetin: logjika e intrigës dhe e idesë se gjithkush është i “bleshëm” apo edhe i “shitshëm” në këtë qytet. Logjika e dikujt që nuk sheh përtej interesit të vet dhe e dikujt se beson se gjithkush punon kundër tij për shkak se e ka një agjendë të fshehur pas.
Dikush që nuk e ka jetuar as gjysmën e jetës në këtë qytet, e që i parashutuar u bë kryetar i qytetit për shkak të marrëveshjes politike që të enjten u prish, e ka zor të kuptojë se interesi publik është shumë më i madh sesa ai personal. Dhe, se nuk duhet pasur asnjë agjendë të fshehur për t’i zbuluar manipulimet e dikujt që mendon se me tre renderë projektesh që duken të nxjerra me ndihmën e inteligjencës artificiale, mund t’ua marrë mendtë qytetarëve.
Nisja e shumë projekteve në formë simultane e ka një logjikë pas: është shumë vështirë që të monitorohen që të gjitha, që të dihet nëse krejt shkojnë sipas planit ose jo; nëse të gjitha kanë kaluar nëpër procedurat e duhura ligjore dhe nëse janë përzgjedhur ofertat më të leverdishme për qytetarin. Pra, në një hallakamë projektesh, vëmendja e qytetarit duhet kthyer nga një diçka jo-monetare, përderisa të tjerat shkojnë rrjedhës së vet. Mbase për këtë Prishtinës i tepruan madje 30 milionë euro në linjën e shpenzimeve kapitale. Se mbase qëllimi nuk është avancimi i qytetit. Por vetëm hapja e shesheve, për shembull.
* * *
Ai i cili ka vendosur që të sillet me pronën komunale sikur të ishte e vetja private, në gjashtë muajt e fundit u ballafaqua me dy padi që në fazën e parë të procedurës sollën masën e përkohshme dhe pezullimin e zbatimit të vendimeve.
I pari vendim kishte të bënte me mbylljen e rrugëve “Qamil Hoxha” e “Rexhep Luci” që vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllura me gjithë masën e përkohshme, si dhe rruga e Biblioteka Kombëtare e cila tash menaxhohet nga UP-ja me një laurë te Fakulteti Filologjik.
Të rikujtojmë, me një vendim gjysmak dhe pa konsultime me palët e prekura nga vendimi, Rama pretendoi t’i bllokonte tri institucione, prej të cilave dy janë mjete të informimit me peshë për interesin publik.
Në vend se të merrej me qentë, të cilëve ua bëri “hapësirën e ushqimit” në mes të fushës së UP-së, Rama vendosi ta ndalte qarkullimin e veturave, sepse, po parafrazoj, hapësira duhet t’u kthehet qytetarëve, dhe se rrugët duheshin mbyllur që të gjitha, ashtu që qytetari të ketë mundësi të ecë prej Mensës së Studentëve e deri te Komuna e vjetër në njërën anë, e deri te “Bororamizi” nga ana tjetër. Kështu del se qytetarët në zonën 1 nuk duhen pasur vetura dhe se në të ardhmen do të mund të qarkullojnë nëpër qytet me balonë ose me dronë, varësisht se çka u bie më lirë.
Vendimi i dytë i gjyqit me masë të përkohshme erdhi të martën e shkuar, për këmbimin e pronave të Badovcit me ato në Prishtinën e Re. Arsyetimi: interesi publik dhe mungesa e konsultës me qytetarët, po qe se një këmbim i tillë është në interes të përgjithshëm. Konflikti potencial i interesit nuk u përmend në këtë vendim, për shkak se ky mund të jetë objekt i mëtejmë shqyrtimi gjyqësor.
Të të pezullohen dy vendime me vendim gjyqësor do të duhej të ishte shqetësuese për dikë që punën e tij do të duhej ta mbështeste mbi ligjin. Të citosh procedura e ta hedhësh fajin te institucionet e tjera është mbrojtja më e mirë. E nëse të qëllon përpara edhe një medium që t’i zbulon nënshkrimet, atëherë fajin gjithsesi duhet hedhur te mediumi dhe te gazetarja. Do të doje të mos ekzistonin, sepse ashtu nuk do të merrej vesh asnjë gjë.
Po ja që mediumi ekziston dhe do të ekzistojë, pati apo nuk pati qejf kryetari që mendon se është mbreti i qytetit.
* * *
Badovci i shërbeu si atu i nxjerrë nga mënga PDK-së, që pa pritur e pa kujtuar u bë mbrojtësja e pronës publike. Madje e kombinoi një hashtag: #PrishtinaNaBashkoi #BadociNaNdau dhe paralajmëroi se posa të përfundonte procedura për shfuqizimin e vendimit për këmbimin e tokës, do të pasonte prishja e koalicionit, ngase tashmë ishin shkarkuar Ilirik Musliu, drejtori i shërbimeve publike dhe nënkryetarja Donjeta Sahatçiu.
Dhe fakt qe, pa asnjë dyshim, se Musliu kishte qenë ndër drejtorët më aktivë të komunës edhe pse me një problem shumë serioz me mbledhjen e bërllokut, por me investime të dukshme në infrastrukturën e qytetit, posaçërisht në ndriçim.
Nga ana tjetër, Donjeta Sahatçiu, gruaja e parë nënkryetare e Prishtinës, në largim nga posti, e la një porosi jashtëzakonisht mbresëlënëse dhe plot dinjitet: nuk u mor me Ramën e as arsyet që e shkaktuan shkarkimin e saj. Iu drejtua pasardhëses së saj në post, Jehona Lushaku, me një porosi:
“Prishtinë deri herën tjetër, faleminderit!
Një copëz e misionit u arrit. Nga një grua të parë nënkryetare në historinë e Prishtinës, nesër vjen një tjetër grua nënkryetare.
Jehona, në zyre e gjen shenjë këtë mural të qëndisun me shumë dashni: gratë mbështesin njëra tjetrën. Të priftë e mbara, sytë katër!
Për të tjera, kemi kohë. Misioni vazhdon...”
Bukur.
Pas anulimit të vendimit, u lajmërua shefi i PDK-së për Prishtinën, Uran Ismaili, dhe e bëri publike se koalicioni në Prishtinë u prish. Kjo tash e la Ramën në pozitën kur nuk e ka shumicën për t’i kaluar vendimet dhe në pozitën për të negociuar me krejt grupet secilin vendim që duhet ta kalojë Kuvendi Komunal. I hapi rrugë edhe për koalicion me ndonjë parti tjetër, që në këtë rast mund të jetë Vetëvendosja, sepse e ka numrin më të madh të këshilltarëve. Politikës nuk i dihet kurrë, pra edhe këtij koalicioni eventual.
Ashtu siç ia siguroi VV-ja kuorumin për ta kaluar vendimin e kontestuar, ashtu do të mund të pranonte edhe formimin e koalicionit me LDK-në në nivel komunal, si njëfarë testi para zgjedhjeve qendrore që do të ndodhin së shpejti. Kjo, për shkak se gjasat që një parti e vetme ta fitojë shumicën absolute në to janë minimale në konstelacionin politik të Kosovës.
* * *
Pra, nuk dihet se nëse do të ketë kësi koalicioni ose jo. Nuk dihet nëse LDK-ja do të kishte dëshirë për një koalicion të këtillë, për shkak se nga kryetari i LDK-së, krejt çfarë kemi dëgjuar në këta dy muajt e fundit në lidhje me Prishtinën, është një urim që ia bëri Jehona Lushakut kur Rama (apo vetë Abdixhiku) e emëroi nënkryetare të Prishtinës.
Është shurdhuese heshtja e Abdixhikut para skandalit të këmbimit të pronave me një konflikt interesi të kryetarit të cilin ai e solli nga Anglia për të garuar në Prishtinë. Është e pabesueshme që askush në atë parti të mos e ketë një qëndrim për çështjen, qoftë ajo të thuhet se “është në duart e institucioneve komunale a qendrore apo edhe të gjyqësisë dhe duhet lënë hapësirën që kjo punë të zgjidhet”.
Është tepër shurdhuese heshtja, sidomos pasi që kur u mor vendimi për ndalimin e përkohshëm të punimeve në Rrugën A, Abdixhiku kishte reaguar kështu në FB: “Sot, një gjykatëse vendosi ta ndalojë atë. Ta ndalojë punën e ndërtimit të rrugës ‘Jim Xhema’ në gjysmë të saj. Gjykatësja, del të jetë motra e deputetes në pushtet”.
Pra në vend se të heshtte për vendime gjyqësore, se fundja i takojnë një shtylle të pushtetit në të cilin politika nuk do të duhej të përzihej, me shumë zhurmë dhe hidhërim reagoi me një postim duke e akuzuar gjyqin mbi baza politike për pengimin e zhvillimit dhe të punës së LDK-së.
Pra përderisa nuk u mendua asnjë çast kur reagoi për Rrugën A, tashmë u bënë dy muaj që thuajse nuk i dëgjohet zëri për çështjen e këmbimit të pronës dhe konfliktit të interesit të Ramës.
Kjo nuk flet për parimësi.
Nuk flet për gatishmëri për të marrë përgjegjësi politike edhe për vendimet që nuk janë direkt tijat, por të dikujt të cilin ai vetë e shtyu si kandidat të tijin për zgjedhje komunale, të dikujt të cilin e ndihmoi me gjithë infrastrukturën partiake që të fitojë.
Ani pse Rama thotë se nuk është LDK dhe thotë se nuk e dëgjon partinë. E megjithatë, vendimin për këmbimin e tokave nuk ka mundur ta merrte vetë. Votat ia dhanë asamblistët e LDK-së... të njëjtët që dolën nga seanca të enjten, kur u shfuqizua vendimi.
* * *
Në vend se të merret me gafat e veta, Rama do të vazhdojë të merret me KOHËN. E Abdixhiku do të vazhdojë të heshtë.
Por, kjo heshtje do të faturohet në zgjedhje, pavarësisht përpjekjeve për t’i shpëlarë duart. Sepse as kjo e fundit nuk është e mundur në heshtje.