OpEd

Hajde tash përvilini mëngët!

Uroj që turli ceremonish të kenë përfunduar më. Uroj që takimet politike të kalojnë me sa më pak pompozitet e me sa më shumë efikasitet. Kemi kaluar nëpër 20 vjet shumë të rëndë, ku kemi humbur edhe hapin e edhe perspektivën. E mbijetuam një vit të keq në të gjitha aspektet. Më shumë të tillë nuk na duhen

Kosova nuk do të ishte kjo që është po të mos e kishte pasur politikën kaq të koklavitur dhe të komplikuar për shkak të hireve e jo parimeve.

Do të mund të thuhej se java e kaluar "na e prishi skemën programore", për shkak se tri ditë rresht u desh të merreshim me komplikimet e panevojshme që u shfaqën në Kuvend derisa u mblodhën votat minimale për ta zgjedhur Vjosa Osmanin kryetare të Kosovës.

E gjithë kjo u zhvillua në situatën kur kishte të tillë që më parë do ta çonin Kosovën në zgjedhje të reja sesa të përpiqeshin të gjenin zgjidhje për një problem fare të panevojshëm, në kushtet kur numrat e të infektuarve dhe të të vdekurve për shkak të COVID-it vazhdojnë të jenë të lartë dhe, mund të thuhet, jashtë kontrollit. Veç sa për t'ua rikujtuar, prej zgafelles së shkuar janë infektuar edhe 5.491 veta dhe kanë vdekur 83 persona (gjithsej 96.896 të infektuar dhe 1967 të vdekur).

Derisa vazhdonte hallakama në Kuvend, u bë e ditur se nga 140 e ca mostrat e dërguara në laboratorë referentë jashtë vendit, 97% ishin me variantin britanik, që përhapet shumë më shpejt dhe që i sulmon edhe fëmijët.

* * *

Sidoqoftë, amendamentimi i famshëm i Ligjit për zgjedhjet u tërhoq në sirtar, dhe LDK-ja e mbajti fjalën dhe erdhi në seancë për ta bërë kuorumin. Megjithatë, Abdixhiku nuk ia doli t'i bindte Hotin, Veliun dhe Selmanajn që ta hidhnin votën me të cilën gjë do të përfundonte procesi i zgjedhjes që natën e parë.

U deshën ca lëvizje dhe negociata që të siguroheshin edhe votat e dy deputetëve nga radha e minoriteteve joserbe që të mbërrihej 80-i i nevojshëm. Megjithatë, në ndihmë Osmanit në rrethin e parë i doli Arbena Reshitaj e AAK-së, e cila sikurse tre deputetët e LDK-së e shkeli disiplinën partiake dhe e dha votën. Papritur, edhe në rrethin e dytë, votuesve iu bashkua edhe deputetja e PDK-së, Adelinë Grainca - kështu që më në fund në rrethin e tretë Osmani doli fituese.

Me sa mbaj mend, kjo ishte hera e parë që vota e 61-të për cilindo kryetar u përcoll me kaq shumë ovacione dhe duartrokitje. Osmani i mblodhi 71 vota dhe më pas e mbajti një fjalim të gjatë, që sado që dukej i balancuar, megjithatë la hapësira për kritika, për shkak se jo të gjitha familjet që flijuan në luftë gjetën vend në të. Sido që të jetë, mirë u bë që përfundoi edhe procesi i zgjedhjes së bartësve të institucioneve - sepse tash më nuk ka alibi për kriza politike të çfarëdo lloji.

* * *

Osmani e mori detyrën prej Konjufcës menjëherë të dielën por, të martën, megjithatë u organizua edhe inaugurimi i saj në sheshin para Kuvendit. Në një ceremoni që e kishte shpikur Thaçi, për t'ia dhënë vetes rëndësinë e një kryetari të një sistemi presidencial, Osmani arriti në shesh nën përcjellje të policisë në motoçikleta dhe në xhipin e zi të dedikuar për kryetarin e shtetit. Parakaloi para Gardës së FSK-së krah Glauk Konjufcës, i cili ia dorëzoi Kushtetutën dhe më pas me bashkëshortin dhe fëmijët u nis për në zyrë.

Sinqerisht, prej njerëzve që premtojnë ndryshim do të prisja që vërtet të nisnin ta bënin ndryshimin me veprime që janë të kundërta me ato që jemi mësuar të shohim deri më tash. Të kota janë arsyetimet se kështu e ka vendosur protokolli shtetëror dhe se "kjo është e pakthyeshme" - pra s'mund të kundërshtohet.

Sa herë i shikoj motorët e policisë tek u hapin në rrugë xhipave, dhe sa herë i shoh xhipat e zinj, rrethuar me xhipa të policisë, më kujtohet kryetari i derivonshëm i Uruguait. Jose Mujica kishte refuzuar të jetonte në Pallatin Presidencial, kishte refuzuar të ketë ndihmës për shtëpi dhe e kishte përdorur veturën e tij private, një VW nga 1987-a, për të shkuar në punë e prapa në fshat. Uruguai është shtet i pavarur që nga 1825-a, me protokoll shumë më të avancuar sesa Kosova, nëse për asgjë, atëherë për 196 vjet shtetësie.

Pse duhen xhipat dhe mbrojtja e afërt, nëse përkrahja e votuesve qe kaq e madhe në zgjedhjet e shkuara? Si përherë, do ta shtroj pyetjen e njëjtë - kujt i frikësohen politikanët e Kosovës që duhen ecur nën përcjellje të katër truprojave? A njëmend ka indice se dikush ua kërcënon jetën, apo thjesht duhet të sillen në këtë formë për të frymuar autoritet. Nëse është kjo e fundit, atëherë nisja e qeverisjes së re nuk po ndryshon fare nga ato të kaluarat.

* * *

Në njërën kolumne të para disa javësh kisha shkruar se ajo që prisja nga një qeveri e cila thotë se do t'i ndryshojë gjërat për të mirë, është shkurtimi i madh i shpenzimeve për vetura, karburante dhe reprezentacion. Pra, edhe për udhëtime zyrtare që nuk janë të domosdoshme, plus për udhëtime zyrtare të domosdoshme me numrin sa më të vogël përcjellësish.

Përderisa momentalisht kjo e fundit nuk paraqet çështje diskutimi, këto të parat paraqesin nevojën për ta hartuar një plan të shpejtë dhe të efektshëm për zvogëlimin e veturave zyrtare në minimum. Dhe, siç do të sugjeronte miku im E. Robelli, në vend të këtyre të bliheshin disa vetura elektrike. Apo aso që e ndotin ajrin minimalisht. Atë që po e pres nga Ministria e Administratës Publike është që të na e bëjë të qartë se sa vetura janë në shërbim të të gjithë administratës, dhe sa do të duhej të ishin për t'i përmbushur nevojat optimale.

Nga ana tjetër, numri i zëvendësministrave që tash ka mbërritur në 18, dhe nuk po e di se ku do të ndalet. Nuk po e di se çfarë kanë vendosur për numra këshilltarësh politikë për ministra dhe zëvendësministra, porse ajo që nuk do të doja të shihja janë emra familjarësh e kushërinjsh, si dhe numër treshifror këshilltarësh. Për shkak se të gjithë këta paguhen nga buxheti i Kosovës, pra nga taksat që në këtë krizë, me shumë vështirësi po mbërrijmë t'i paguajmë.

* * *

Atë që pres nga kjo Qeveri e re është ndihma emergjente për sektorin privat. Më të zhurmshmit janë gastronomët, që thonë se janë më të prekurit me masat e kufizimit të lëvizjes dhe të mbylljes. Dhe për shkak të zhurmës së tyre është krijuar përshtypja se sektorin privat në Kosovë e bën vetëm gastronomia. Prandaj edhe të tjerëve nuk u vihet veshi fare.

Gazetarët (si nocion i gjerë që i përfshin të gjithë ata që janë pjesë e zinxhirit prodhues të lajmeve, informatave dhe emisioneve) janë një grup njerëzish që janë anashkaluar plotësisht në të gjitha aspektet gjatë pandemisë. Kanë raportuar gjatë gjithë kohës, edhe në kushte të rrezikimit të shëndetit vetjak dhe të familjarëve të tyre; janë sëmurë; e kanë paguar trajtimin e tyre shëndetësor vetë, vazhdojnë të punojnë - porse nuk i bie në mend asnjë komisioni që t'i klasifikojë si staf esencial. Krejt problemi, me gjasë, është se gazetarët nuk e kanë kryesindikalistin e arsimit në krye - i cili sa ora ishte kërcënuar me ndonjë grevë apo ndalesë që kushdo nga pushteti do të mund të paraqitej në media.

Mirënjohja e punës së gazetarëve do të duhej t'iu bëhej drejtpërdrejt në kontot personale, pa i përfshirë punëdhënësit fare, kurse punëdhënësit do të duhej të liroheshin nga pagesa e tatimit bile për gjashtë muaj. Nuk mjafton shtyrja e afatit, për shkak se në mungesë të të hyrave, njësoj është, si e shtyve si nuk e shtyve afatin. Ajo që nuk është njësoj është se ATK-ja mund të ta bllokojë llogarinë. E që kjo të mos ndodhë, punëtorët do të mund të mbesnin pa rroga.

Ky është vetëm një në masën e problemeve të cilat i ka ky vend. Dhe besomëni, janë probleme shumë më të rëndësishme sesa lufta në Kuvend, inaugurimi në shesh, apo edhe vazhdimi i vizitave nëpër varreza e memoriale.

Pra, në vend të gjitha këtyre, lufta kryesore duhet të bëhet për vaksina. Këto 24 mijë që kanë ardhur janë duke u administruar, dhe më se gjysma e stafit shëndetësor duket se e refuzon për shkak se është e “Astra Zenecas”. Shembull katastrofal ky, i cili megjithatë nuk do të duhej të na dekurajonte. Nuk është se kemi shumë alternativa.

* * *

Uroj që turli ceremonish të kenë përfunduar më. Uroj që takimet politike të kalojnë me sa më pak pompozitet e me sa më shumë efikasitet. Kemi kaluar nëpër 20 vjet shumë të rëndë, ku kemi humbur edhe hapin e edhe perspektivën. E mbijetuam një vit të keq në të gjitha aspektet. Më shumë të tillë nuk na duhen.

Pra, përvilini mëngët. Shumë keni premtuar. Urojmë që premtimet të mos mbeten vetëm fjalë.

[email protected]