OpEd

Habermasi, Vuku dhe vëllezërit Osmani

Kurrë më shumë nuk kemi pasur qasje në informata, por kurrë më shumë nuk është shënuar rënie e të kuptuarit në lexim, në aftësinë për të kuptuar të kaluarën e afërt dhe në aftësinë për të dalluar të rëndësishmen prej të parëndësishmes. Pse?

1.

Qe një prej atyre trukeve që i bën jeta e sotme që të filloj ta lexoj librin e ri të filozofit gjerman Jurgen Habermas mbi sfidën bengosëse të teknologjisë informative për demokraci, duke u shërbyer me po atë teknologji informative. E gjeta tekstin e Habermasit në internet, e futa në makinën përkthyese të Google Translate dhe mbërrita me të shpejtë ta lexoja fillimin e pozicionimit të njërës prej mendjeve më të ndritura të së sotmes ndaj po kësaj së sotmeje.

Atëherë Habermasi, i cili u bë i njohur para mbi gjysmë shekulli me konceptin e “sferës publike”, pra të një lloj sheshi debati që e ka çdo shoqëri demokratike ku në medie, parlamente, shoqëri civile diskutohet dhe arrihet një pikë e përbashkët konsensuale, thotë që në titullin e librit të tij për një gjendje të re: “Ndryshimi i ri struktural i sferës publike dhe politika deliberative”.

Prapa këtij titulli të ndërlikuar për ne që nuk jemi studiues të filozofisë qëndron një shpjegim, i cili pak a shumë thotë se jetojmë në një kohë të re të transformimit teknologjik dhe ky transformim teknologjik në informim do të thotë një gjendje e re e “sferës publike”. Dhe, ky ndryshim në komunikimin digjital “fillimisht promovon tendencat drejt zhbërjes së kufijve, por po ashtu drejt fragmentimit të sferës publike” dhe ky fragmentim, thotë filozofi, sjell një perceptim publik të deformuar, rrjedhimisht edhe deformim në politikën deliberative.

2.

Thjeshtësuar: sot kemi shumë informata, posaçërisht nga rrjetet sociale dhe gjithnjë e më pak informata si produkt i punës profesionale të gazetarëve e redaktorëve. Ky vërshim informativ sjell “deformim të sferës publike”, pra të asaj që qytetari e konsideron të vërtetën objektive. Dhe, ky deformim sjell pastaj dëmtimin e mundësisë që në diskutim të një demokracie - me medie, shoqëri civile, parlament - të arrijmë tek konsensusi shoqëror.

Kur një gjë e tillë u ndodh demokracive të konsoliduara si Gjermania, mund të merret me mend çka u ndodh demokracive të reja si Kosova. Në to, për më tepër, zhvillohet një garë e varfërimit të mendjes individuale e kolektive. Gjatë dhjetë vjetëve të kaluar Kosova ka pasur depërtimin më të madh të teknologjive informative në Evropë - me penetrim të njëjtë apo më të lartë të internetit se shtetet më të zhvilluara evropiane - por ka pasur rezultatet më të ulëta në testet PISA. Në Kosovë sot jeton një gjeneratë që ka kapacitetin më të madh teknologjik për të marrë informata dhe aftësinë më të vogël për ta kuptuar atë informatë.

Në sferën e deformuar publike të Kosovës çdo natë zhvillohen debatet politike televizive që për rezultat kanë deformimin e mëtejmë të saj me mungesë njohurish, të drejtën e shqiptimit të çfarëdo budallallëku a të pavërtete dhe shpërblimin komercial për të.

3.

Gara mes teknologjive të reja dhe injorancës nuk është gara e vetme. Dhe, këtë ma kujtuan disa prej intervistave të Vuk Drashkoviqit, njërit prej liderëve opozitarë më të njohur të Serbisë të kohës së Millosheviqit, figurës më karizmatike që i printe një lëvizjeje milionëshe në vitet 1996-1997. Në njërën prej intervistave ai foli për demonstratat më të mëdha të organizuara në Beograd më 1991, të cilat e detyruan Millosheviqin që të nxjerrë tanket e APJ-së për t’i shuar. Në shkrim pas shkrimi, thotë Drashkoviqi, thuhet sot se dikush tjetër ishte në krye të këtyre demonstratave. Në shkrim pas shkrimi dalin fotografitë ilustruese të demonstratave të studentëve më 1996 e 1997, por nga balli i demonstruesve është prerë fotografia e Vuk Drashkoviqit.

Drashkoviqi vendosi që kësaj gare të të pabarabartëve t’i hyjë me një libër autobiografik me titullin “Vragat e jetës”. Libri, sa mund të kuptoja prej intervistave të tij, ka mbase dy qëllime madhore. I pari është që në sferën publike të ofrohet një rrëfim burimor, pra që për ngjarjet e jetës së tij dhe perceptimit të realitetit që jetoi të rrëfejë vetë ai, madje vetë ai që, pos të qenit lider politik, bëri tërë një jetë prej gazetari e shkrimtari. Dhe, i dyti, që ky rrëfim të jetë një autoreflektim, që do të zbulojë edhe perceptimet e gabuara dhe gabimet në veprime që kishte bërë, posaçërisht në vrullin nacionalist.

Vorbullës së shumë informatave, një rrethi të shpejtuar në të cilin hidhet çdo gjë, Drashkoviqi vendosi t’i vërë një karruseli të ngadalshëm në të cilin shihet ai dhe shoqëritë në të cilat jetoi në ritëm të ngadalësuar, aq të ngadalësuar sa të mund të kuptohet.

4.

Dhe, kjo, ngadalësimin për ta kuptuar momentin më duket se karakterizon ditën e promovimit të librit për vëllezërit Osmani. Fjala është për një prej familjeve më të spikatura shqiptaro-amerikane në New York e SHBA.

Në Kosovën e njëzet vjetëve të fundit është zhvilluar një garë e përditshme për të zënë sferën publike: Çdo ditë e çdo natë bëhen luftime për të zënë pozitat në histori, çdo ditë e natë përshkruhen meritat historike të kësaj dhe asaj partie, të këtij e atij lideri. Gara e çdo dite dhe çdo nate zhvillohet për shpërblime që shkojnë edhe më tej se historia: diku për të arsyetuar uzurpimet, vrasjet e krimet, e tjetërkund për t’u përpjekur për t’u shpërblyer me vota. Dhe, në modelin e shpjeguar prej Habermasit, e tërë kjo duhet të çojë tek fragmentimi i sferës publike, e me të edhe me deformim të politikës deliberative.

Familja Osmani, miq të mi prej dyzet vjetësh, është ndër familjet themeluese të Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane, atë që ne e njihnim si lobi shqiptar në Amerikë. Ishte lobi ai i cili ua çeli dyert e shumë adresave në Washingtonin zyrtar dhe i mbajti ato të hapura për shumë kohë për udhëheqjen e shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve nëntëdhjetë. Dhe ishte kjo familje që u mbajt afër me shqiptaro-amerikanët e tjerë të spikatur, të mbledhur e jo të fragmentuar, për të treguar përkushtimin unik, atë të dhënies së përkushtimit në mund e para për atdheun, kombin e demokracinë, pa pritur shpërblim.

Kurrë më shumë nuk ka pasur informata për qytetarin e Kosovës, por kurrë më shumë gjithashtu nuk janë mbuluar gjërat e rëndësishme me një vërshimë llumi të gjërave të parëndësishme.

Libri për familjen Osmani, që sot po botohet anglisht nga botimet “KOHA”, besoj se do të jetë njëra prej atyre ditëve ku e vëmë në spikamë vlerën e njerëzve me përkushtim e sinqeritet të parezervë. Pa njerëz si këta, e të këtillë nuk ka shumë, nuk do të ishte i mundshëm debati.