Kjo është kështu, sepse çdo dështim amerikan dhe perëndimor për të bartur burime strategjike të energjisë në hapësirën e dizajnuar si strategjike nga rusët, nuk përbën pos një dështim kardinal në politikën e jashtme amerikane, devijim nga plani strategjik për sigurinë energjetike të aleatëve, rrezikim të sigurisë të Izraelit dhe të tjerëve në Lindje të Mesme dhe, në fund, ngecje serioze në politikat e balancimit të projektit imperial kinez. Kjo është arsye pse Kurti duhet të ndalojë gropimin në zorrët e amerikanëve dhe aleatëve të tyre!
Dy talljet e para: “Amelika – Amelika” dhe “Shtëpia e Bardhë e Shtëpia e Kuqe”!
Tallja me fuqitë e mëdha ka ndodhur gjatë historisë. Ajo është bërë nga vetë fuqitë e mëdha, që ndërmjet vete kanë këmbyer e përqeshur vetitë dhe politikat respektive në mënyrë reciproke. Lufta e Ftoftë mbahet mend për një gjë të tillë, kur rusët përmes gojës së përfaqësuesit të tyre të parë në OKB, Andrei A. Gromiko, kishin vënë rekordin me njëzet e gjashtë vënie të vetos në rezolutat dhe vendimet e Këshillit të Sigurimit, aq sa mbahet mend si “Nyet Man” (“njeriu i jo-së”). Këto “jo” shprehnin refuzimin e çdo gjeje që vinte nga Amerika.
Historia e marrëdhënieve ndërkombëtare në antikitet është përplot me këso talljesh reciproke në mes të shteteve dhe oborreve mbretërore, por edhe brenda vetë shtetit. Perandori Kaligula kishte hyrë në Senat me kalin e tij, një tallje kjo me nivelin mizërie të përfaqësuesve të popullit romak. Ne që kemi jetuar komunizmin, mbajmë mend një përpjekje të tillë të Enver Hoxhës, që ne na mbushte plot me energji dhe shpresë mjerane, kur e pati quajtur Sinan Hasanin “si qen që lehë, se për atë paguhet nga jugosllavet”, kurse ky i dyti menjëherë të nesërmen ia kishte kthyer xhevapin duke thënë se “Enveri ishte bë si cjapi me zhugë”. Apo kështu diçka! Nuk ka fort rëndësi nëse kam mbajtur mend saktësisht se me çfarë është tallur diktatori shqiptar në drejtim të mini-servilit kosovar të komunizmit jugosllav, Sinan Hasani. Ajo që ka rëndësi është modeli metaforik i fjalive dhe diskursi i zyrtarëve të lartë shtetërorë gjatë historisë, në përpjekjet e tyre për të përçuar mesazhe të vendosmërisë dhe vizionit, trimërisë dhe mençurisë së pashoqe kundër palës pranuese të mesazhit tallës, përbuzës e përçmues.
Kosova nuk ngeli vetëm pranuese e talljes, por u bë edhe prodhuese e saj. Na kujtohen mirë talljet si: “Amelika-Amelika” dhe “Shtëpia e Bardhë e Shtëpia e Kuqe”, me të cilat synohej neutralizimi i kundërshtarit të brendshëm politik, pa vrarë mendjen as edhe një sekondë mbi efektin e dëmshëm që mund të ketë për Kosovën dhe imazhin e saj në botë. Këtyre dy talljeve ua zuri vendin tallja më e re me gypat e gazit, që u bënë metaforë e një përqeshjeje të amerikanëve dhe politikës së tyre të jashtme, në fakt përqeshjeje të gjeostrategjisë globale të shtetit amerikan, strategjisë së tyre të madhe aktualisht në fuqi. Krejt irelevante është nëse kryeministri Kurti ka qenë koshient se me këtë po ofendonte dinjitetin e shtetit amerikan. Ne që ua mësojmë studentëve tanë të drejtën dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, në javën e dhjetë prezantojmë leksionin mbi dinjitetin shtetëror dhe tregojmë se dinjiteti i shtetit futet në menynë e lirive dhe të drejtave të shteteve sovrane dhe të pavarura, që i gëzon secili shtet anëtar i bashkësisë ndërkombëtare, jo vetëm superfuqitë çfarë është aleati ynë i pashoq – SHBA. U mor vesh, edhe Kosova e vogël, e pafuqi në këtë botë, gëzon të drejtën për dinjitet shtetëror me kuptim kërkesën ndaj shtetit e individit për të respektuar ashtu siç përcaktohet sipas të drejtës ndërkombëtare.
Tallja me gypat e gazit dhe shkrimtari kroat Miroslav Kërlezha
Nuk e di as vetë pse, por dy talljet e para, që u mbuluan nga tallja me gypat e gazit, më ikën disi pa vërejtur dhe fort nuk më shqetësuan. Një lloj frustrimi i papërfillshëm që më kapi në këto dy raste, më shumë kishte të bënte me një keqardhje të brendshme që ndjeva për gjendjen dhe nivelin shpirtëror të autorit të talljeve, jo për ndonjë implikim që mund të pasojë lidhur me pozitën e Kosovës në rajon dhe përtej. Kjo puna me gypat, ndërkaq, në tërë dimensionin e vet, kapi mendjen dhe koncentrimin tim intelektual, duke u kthyer në shqetësim për fatin e vendit dhe për ata që vijnë më pas. Kjo, sepse tani po bëhej fjalë për një tallje që shkon përtej naivitetit të autorit të saj: me të po shpërfaqej pikëpamja zyrtare e vendit tim mbi orientimin e politikës së jashtme dhe raportit tonë me aleatët. Këta të fundit përfaqësojnë bashkudhëtarët e çdo ekuacioni gjeostrategjik mbi pozitën e Kosovës në botë.
Kur e dëgjova talljen me gazin mu kujtua shkrimtari i mirënjohur kroat, Miroslav Kërlezha, i cili dikur u pati thënë serbëve, më duket nga një takim në Sarajevë, se ata, pra serbët, nuk duhej të groponin shumë në zorrët e shqiptarëve. Kjo, sepse, siç e pati thënë, “dihet se çfarë mund të gjejnë serbët aty”. Zorrët, nuk besoj se duhet filozofi e madhe për të kuptuar, kanë formën e gypave dhe, në fakt, janë një lloj gypi në trupin e njeriut.
Rrugët dhe gypat si indikatorë të matshëm të politikës së jashtme
Rrugët që kanë lidhur shtetet, arteriet rrugore në tokë e ujë, janë gjurmët dhe shenjat e politikës së jashtme të një kohe. Kjo, sepse ato flasin për marrëdhëniet ndërkombëtare të kohës, natyrën dhe kahet e tyre. Ato tregojnë për lëvizjet ideologjike e fetare, ndikimet kulturore e politike, mbi të gjitha tregojnë, pa asnjë ekuivoke, orientimin gjeostrategjik të atyre fuqive që kanë diktuar ndërtimin dhe drejtimin e tyre. Mjafton të kujtojmë këtu rrugët si Via Egnatia dhe Rruga e Mëndafshit. Kjo e fundit e lidhte Mesdheun me Azinë Lindore.
E para, Via Egnatia, në shekullin e dytë ishte ndërtuar për të lidhur Ballkanin romak me Bizantin që do të lind më vonë, përkatësisht Lindjen me Perëndimin.
Nga një lexim i shpejtë i Biblës do të shihet se gjeografia biblike që përshkruhet te “Letrat Efesianëve” nuk ka të bëjë me asgjë tjetër pos me një përshkrim të fazës së hershme të përhapjes së krishterimit në drejtim të Romës. Kjo e fundit u bë më vonë qendër e krishterimit dhe fe e saj zyrtare, e mori në mbrojtje me tërë fuqinë shtetërore, por pas tre shekujsh persekutimi të të krishterëve.
Shënimet e Marko Polos, në mënyrë të njëjtë, nuk flasin për biznes dhe ndikim kulturor, siç mund të fitohet përshtypja nga leximi i tyre i parë, por për konjukturat gjeopolitike të kohës kur ai ka jetuar. Ato konjuktura, të njohura më pas si “Rruga Mëndafshit”, për naivët mund të duken si rrugë tregtare. Për ata që shohin e kuptojnë si duhet, megjithatë, ato janë tregues thellësisht gjeopolitikë.
Kjo është kështu sot e kësaj dite dhe dëshmohet nga politika aktuale imperiale kineze, e njohur si “rripi dhe toka”, që përshkon në tokë atë që dikur është quajtur “Rrugë e Mëndafshit”, por tani me kahe të kundërta ndikimi – nga Lindja kineze në drejtim të Perëndimit euroaziatik. Përveç rastit kinez, në kontekstin ballkanik me Kosovën si pikë referimi, një gjurmë e njëjtë mund të vërehet edhe te “Rruga e Kombit”, e cila, kur del në Serbi, fiton një epitet tjetër. Sikur çdo projekt politik, kjo rrugë shfrytëzohet nga civilët dhe bizneset për përfitimet e tyre kryesisht komerciale. Gjeneza e saj, megjithatë, ka rrënjë gjeostrategjike dhe determinohet nga gjeopolitika e rajonit që u formësua pas luftës së Kosovës (1998-1999). A nuk tha Faik Konica, në një intervistë në SHBA pas okupimit fashist të Shqipërisë, se “rrugët që ndërtoi Italia tani po kuptohet se nuk ishin bërë për të lehtësuar ikjen e mbretit tim, por për të sulmuar fqinjët e Shqipërisë” (sic!).
Simotrat e rrugëve, trajektoret e gazit, që sot penetrojnë truallin evropian, kanë origjinë kryesisht ruse, për t’u rivalizuar më pastaj nga rrugët e gazit me origjinë nga vendet dhe konsorciumet perëndimore. Këto të dytat kanë qenë reagim ndaj gazit rus dhe projeksioneve politike që qëndrojnë në mbështetje të tij. Deri më sot nuk ka pasur pika ndeshjeje në mes të rrugëve ruse dhe rrugëve perëndimore të gazit, përveç në rajonin Nagorno Karabah, i pushtuar nga armenët në fillim të proceseve demokratike pas shpërbërjes së ish-BRSS. Fitorja e shpejtë e Azerbajxhanit ka lënë gojëhapur shumëkënd. Habia më e madhe, megjithatë, ka qenë me mosreagimin rus e atë amerikan rreth konfliktit, siç ndodh zakonisht kur ka fërkime në mes të fuqive të mëdha. Arsyeja!? Asgjë tjetër pos faktit të interesave amerikane në atë pjesë që kufizohet me Iranin, armikun e tyre politik numër një në atë pjesë të botës (edhe për shkak se Kina, mes të tjerash, në Iran ka pikën më të fortë të mbështetjes për politikën e saj imperiale që rivalizon Perëndimin). Interesat amerikane nuk ndalojnë në Iran, por vazhdojnë tutje në Ballkan, për t’u lidhur me gazin që në Kosovë u quajt gazi rus, në mënyrë krejt naive dhe të gabuar: këtu bëhet fjalë për një fragment të “strategjisë së madhe” amerikane në këtë pjesë të botës, fragment që lidhet me projektin global që nis në Baku të Azerbajxhanit.
Pika nismëtare e kësaj strategjie të madhe ka qenë rimarrja e Nagorno Karabahut. Kjo ka bërë që gazi i Detit Kaspik të jetë më i sigurt, duke hapur mundësinë edhe për një rrugë tjetër më të shkurtër për bartje të tij në Mesdhe, pa llogaritur këtu rivalizimin që u bëhet ambicieve eventuale të Iranit për të depërtuar në të ardhmen në të njëjtin treg të gazit (përmes mbështetjes dhe partneritetit konstant me Kinën). Kushdo që e kupton se çfarë nënkuptohet me “strategji të madhe”, të cilën amerikanët janë duke e ndjekur dhe diversifikuar, në veçanti pas mbarimit të angazhimit të tyre ushtarak në Siri, atëherë e ka të qartë se përpjekjet amerikane janë fokusuar për të bërë politikë të jashtme të racionalizuar me resurse të kufizuara me qëllim të plotësimit të interesave nacionale në një mënyrë optimale, si dhe gjetja e rrugëve sa më të shkurtra e më pak të kushtueshme, që sjellin profit, por, mbi të gjitha, siguri permanente energjetike për vendet në sferën e interesit nacional amerikan. Kjo përbën prioritetin amerikan në pellgun e Mesdheut dhe prapashpinës së tij në veriperëndim të tij. Nuk ka rrugë tjetër për të neutralizuar varësinë e Evropës nga gazi rus dhe bulizmi energjetik që rusët po e aplikojnë kohë pas kohe dhe që, në rrethana të krizës, mund ta bëjnë standard të politikës së tyre të jashtme.
Albin Kurti, mos gropo në zorrë!
Kompanitë dhe aksionarët që qëndrojnë prapa gazit Kaspik janë me origjinë nga SHBA-ja dhe aleatët e saj strategjikë. Nuk kemi ndërmend të theksojmë sa kanë kushtuar gypat që e përçojnë atë gaz në Mesdhe dhe sa zgjati puna në këta gypa. Ajo që duam të theksojmë është se tallja me këtë gaz vetë për vete nuk përbën një mëkat! Mirëpo kjo nuk përfundon këtu, sepse kur ai burim energjie nis rrugëtimin e vet për trojet shqiptare, duke futur hundët nga Greqia veriore në drejtim të Kosovës, intensifikohet identifikimi i tij me “strategjinë e madhe” të aleatit tonë kryesor dhe formëson shtyllën e dinjitetit të tij shtetëror në këtë pjesë të Evropës. Kjo është kështu, sepse çdo dështim amerikan dhe perëndimor për të bartur burime strategjike të energjisë në hapësirën e dizajnuar si strategjike nga rusët, nuk përbën pos një dështim kardinal në politikën e jashtme amerikane, devijim nga plani strategjik për sigurinë energjetike të aleatëve, rrezikim të sigurisë të Izraelit dhe të tjerëve në Lindje të Mesme dhe, në fund, ngecje serioze në politikat e balancimit të projektit imperial kinez. Kjo është arsye pse Albin Kurti duhet të ndalojë gropimin në zorrët e amerikanëve dhe aleatëve të tyre!
Autori është kryetari i parë i Gjykatës Kushtetuese dhe profesor i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare.