Ka mjaftuar një muaj grevë në arsim për t’u shpërfaqur shumë fytyra – që pushteti të tregojë arrogancë, SBASHK-u pazarin e inatin, opozita të mundohet ta shfrytëzojë për poenë politikë, që shoqëria të polarizohet e politizohet edhe më shumë, e që krejt në fund të mendohet seriozisht për rëndësinë e arsimit. Teksa duket se me një muaj përfundoi, pasojat i bart e vetmja viktimë në krejt këtë mes – e ardhmja e shoqërisë
Në fund të majit, Qeverisë i pati shkuar një letër në emër të ndërmjetësuesit mes Bashkimit të Sindikatave të Pavarur dhe Qeverisë. Letra u dërgua dy muaj pas afatit për të cilin Qeveria ishte zotuar se do ta çonte në Kuvend ligjin për paga. 15 ditë ishte afati për përgjigje. U vendos të injorohej. Të paktën shteti s’tregonte përgjigje tjetër në interesimin e mediave. Paralajmërimit të parë për greva shteti iu përgjigj me heshtje.
Alarmi nisi ta bënte zhurmën e lehtë në gusht. Shteti prapë thuajse asgjë s’po ndodh. U desh të vërehej efekti në terren që mekanizmi shtetëror të lëvizte. Kur e bëri, e ktheu në betejë me ata që do të duhej t’i kishte partnerë. Pa u takuar në publik – të bërë të ditur shumë më vonë nga kryeministri – nga 100 eurot sa i kërkonin grevistët në muaj deri në hyrjen në fuqi të ligjit për paga, Qeveria i ndau nga 50 euro në muaj në kuadër të pakos për përballje të inflacionit, deri në fund të 2022-s, jo deri në hyrjen në fuqi të ligjit. Në konferencë, kryeministri deklaroi se kjo pako ishte për përballje me inflacionin dhe jo për kërkesën e sindikalistëve për shtesa deri në ligjin për paga. Krejt në rregull, deri kur ua kujtoi se ¾ e fëmijëve në teste ndërkombëtare po dalin analfabetë funksionalë, duke shmangur përgjegjësinë e shtetit që ai udhëheq. Mund të mos e ketë përgjegjësinë për bazat e sistemit aktual të arsimit në shtet, por për vonesat në përmirësimin e tij padyshim që po. Mekanizmi rregullues është në duart e pushtetit. S’ka titull tjetër pos “Mospranim i përgjegjësisë”.
Pushteti po ashtu thoshte se po i ndan nga 50 euro për të gjithë në sektorin publik në shenjë barazie, deri kur në ditën e fundit të korrikut u sqarua se vlen për ata që kanë pagë bazë nën 1000 euro. Kryeministri e tha se “çmimet s’janë rritur vetëm për mësimdhënësit” e se sektori privat është në kushtet më të rënda. E pranoi se në sektorin publik punojnë vetëm 1 e 5-a e të punësuarve në Kosovë. Por lëvizjet për ta përmirësuar përballjen e punëtorëve të sektorit privat me inflacionin ishin pothuajse zero. Barazia arrihet me vepra, jo me fjalë.
Kur u kuptua se sindikatat nuk lëkunden lehtë, Qeveria doli me deklarata se ka bërë dhjetëra lëvizje në të mirë të kërkesave të grevistëve, por se tash greva është për inat. Ua shtoi edhe fjalët se janë sindikalistë të PAN-it e që sahati u ka ngelur vite mbrapa. Inat edhe mund të ketë një grumbull qytetarësh. Por e vërteta është se pati apo jo inat, për një muaj u afektuan të paktën 300 mijë nxënës. Derisa ata, që kanë përgjegjësi ta udhëheqin shtetin, merren me çështjet se a është inat apo jo, fëmijët humbin, e testet e PISA-s s’mund të dalin më mirë as në të ardhmen. Shkollimi është i obligueshëm e institucionet e kanë obligim ta ofrojnë të drejtën e garantuar me Kushtetutë. Pavarësisht kush është fajtori, përgjegjësia e dështimi i ngelin një emri - shtetit të Kosovës.
***
Sindikatat kanë të drejtë për të hyrë në greva. Pjesëmarrja është vullnetare. Grevistët me vullnet të vetin kanë refuzuar mësimdhënien në shtator. Revoltës së tyre duhet përgjigjur, por jo me fyerje e përçmim. Duhet dëgjuar e kuptuar hallet. Padyshim që e drejta për të kërkuar pagë më të mirë u takon. E ajo merr jehonë e zemër në mes grevistëve edhe më shumë kur akterë politikë u thonë se për 50 euro po humb dinjiteti e ua kujtojnë kohën se si në luftë kanë punuar pa paga. E vërtetë, kanë punuar pa paga, por tash punojnë qe 20 vjet me pagë katërfish më të ulët se të deputetëve, që në raste as punën minimale të pjesëmarrjes në seanca s’e kryejnë. Megjithatë, sakaq kryeneçësia e Qeverisë, e pakuptimtë vazhdon të jetë edhe lista me disa kërkesa të sindikatave. Disa kërkesa duken sikur të jenë bërë vetëm sa për të rritur pazarin. Është e logjikshme të kërkohet pagë më e madhe në një kohë kur inflacioni ka mbërritur në gati 20 për qind. Por të kërkohet miratimi i dy ligjeve për pak muaj, (ndryshim i skemave pensionale dhe sigurimet shëndetësore) e kur ato s’janë bërë për vite të tera, është e palogjikshme. Veçse këto kamuflojnë përplasjen e vërtetë – ato të parave. Përpos kësaj, punëtorët e shtetit pritën t’i afroheshin fillimit të vitit të ri shkollor për ta dëmtuar më së rëndi punëdhënësin. Pasi u pa që edhe opinioni i publikut nisi të lëkundej, një muaj pasi hynë në grevë, befasisht u tërhoqën pa i marrë ato për të cilat e bllokuan mësimin. E për shkak të pazareve dhe inateve deri që Qeveria të lëvizte për shkak të trysnisë së tyre, sindikatat duhet të jenë të gatshme të përballen me të ardhmen. Orët e humbura duhet t’i zëvendësojnë, e të shtohet fokusi, sepse fëmijët tashmë kanë pësuar. Dështimi në rezultat duhet të përcillet edhe me kontrolle rigoroze e testime të mësimdhënësve. Sërish i mbetet shtetit ta kryejë punën e tij.
***
Sindikatat nuk u besojnë më qeveritarëve. Të mashtruara ndër vite për këtë ligj të shumëkërkuar, më s’u besojnë as zotimeve të Qeverisë aktuale për rritje pagash e koeficiente meritore. Për mosbesim nga sindikatat s’ka faj Qeveria, por ka përgjegjësi për mosgjetjen e zgjidhjes e barrikadim. E udhës do të ishte të merrej me ketë çështje qysh në mars. Inflacioni s’nisi në gusht, e paralajmërime për krizë pati qysh nga fillimi i vitit.
Ka mjaftuar ky muaj që të kuptohet se sa e politizuar dhe sa e polarizuar është shoqëria. Nga politika gjithçka mundohej të kthehej në poenë për vete. Pushteti i tashëm, sa ishte opozitë, përkrahte grevat. Tash mësimdhënësit po cilësohen aktivistë të PAN-it vetëm pse s’po kënaqen me ofertën e Qeverisë. E paraparë si kërkesë për jetë më normale në krizë të rëndë, gjithçka mori konotacion tjetër – atë politik.
Mësimdhënës që s’dihet se a janë me ish-partitë e pushtetit (edhe pse s’ka të drejtë askush t’ua mohojë) apo përkrahës të pushtetit aktual, u ofenduan e u fyen. Komunat ku udhëheq pushteti në nivel të përgjithshëm u munduan ta ndalin grevën, ato që janë nga opozita nuk bënë përpjekje për ta ndalur, sa për të treguar se gjithçka në këtë vend është politike. Edhe kur greva po mbyllet me një muaj, s’duhet të mendohet se cila palë fitoi, kur humbëse është krejtësisht një tjetër.
***
Përballë përplasjeve shoqërore, e rritjes së kritikës ndaj pushtetit, po qesh nën hije një opozitë nga ulëset në Kuvend e po përpiqet të fitojë pikë për vete. Po rri e heshtur sepse po e sheh se trendi i sondazheve po i shkon në favor. E vërtetë që s’ka asgjë në dorë, por të gjithë e kanë pasur mundësinë sa ishin në pushtet të bënin më shumë e s’bënë gjë. Sa herë publikohet një kritikë e ish-pushtetit, duhet kujtuar të pabëmat e tyre. Për hir të pushteteve të kaluara, tash opozitës, partia e re në pushtet erdhi falë pajtimit në popull se “për 20 vjet s’u bë asgjë”. Pushteti ndërroi, por kur po shkohet drejt dyvitëshit të parë, shpresa po zbehet. Nga 20 po bëhen 22.