Vrasja e grave nuk është fenomen i njohur dhe i tmerrshëm vetëm në Kosovë. Disa raste të rënda në diasporën shqiptare në Zvicër janë po ashtu alarmante. Si në Kosovë, edhe në mesin e komunitetit shqiptar në Zvicër më shumë preferohet heshtja. Një heshtje që nuk zgjidh asnjë problem, po vetëm i thellon ato
1.
Gjashtë ditë para krimit Sh. S. u pyet nga një polic zviceran nëse e kishte ndërmend ta vriste gruan e tij. S. u përgjigj: “Jo, aktualisht jo. Por kur përballem me probleme, mendja më shkon”. S. ishte i dhunshëm, andaj autoritetet zvicerane e kishin larguar nga banesa e përbashkët me gruan e tij, të cilën e kishte kërcënuar me gërshërë. Më 15 gusht 2011 ai ia zuri pritën gruas së tij afër objektit të një komune afër Zürichut dhe ia shkrepi tre plumba në kokë. Gruaja vdiq në vend. Nga ndërtesa e komunës vrapoi një punëtore e entit social për ta qetësuar situatën, me gjasë pa e ditur se çfarë kishte ndodhur. S. e qëlloi edhe zviceranen me armë, edhe ajo vdiq. Në vitin 2013 ky kriminel u dënua me burgim të përjetshëm.
2.
Në shtator 2022 policia e gjeti të vdekur në banjë të shtëpisë së saj Sh., një grua 41-vjeçare, shtetase zvicerane, por e etnisë shqiptare nga Kosova. Një ditë pas vdekjes së saj u arrestua burri i saj, shqiptar nga Maqedonia e Veriut, po ashtu me shtetësi zvicerane. Ndërkohë dorasi e ka pranuar krimin. Ai gjendet në burg. Prokuroria ka përpiluar aktakuzën dhe kërkon 18 vjet burgim. Gjykimi nuk ka filluar ende, çifti kishte dy fëmijë.
3.
Në fund të majit të vitit të kaluar në Vevey në Zvicrën franceze një grua kosovare u gjet e vdekur në banesën e saj. Partneri i saj, po ashtu kosovar, u arrestua nën dyshimin se është autor i vrasjes. Kufoma e viktimës kishte disa shenja të goditjes me mjet të mprehtë. Pas arrestimit dorasi e pranoi se e kishte plagosur gruan. Ky çift kishte katër fëmijë.
4.
Në gusht të vitit 2019 një kosovar me banim në Zvicër e vrau bashkëshorten e tij gjatë pushimeve në Kosovë. Ata ishin prindër të një fëmije. Pas një fjalosjeje, dorasi e vrau gruan e tij me një revole 9-milimetërshe. Ai shkrepi ndaj saj 15 plumba. 61-vjeçari ishte shofer taksie në një qytet afër Zürichut.
5.
Në maj të vitit 2013 një kosovar 45-vjeçar u dënua në Zvicër me 20 vjet burgim, për shkak se e kishte vrarë gruan e tij në vitin 2009. Ai u akuzua se e kishte përgatitur me përpikëri, hap pas hapi, vrasjen e gruas. Në vitin 2008 ai u detyrua ta braktisë banesën e përbashkët. Gruaja 35-vjeçare insistonte të divorcohej, çifti kishte tre fëmijë. Sipas mediave zvicerane, burrin e pengonte vetëbesimi i madh i gruas së tij. Para gjyqit ai nuk u pendua për krimin. Vrasjen e kreu më 9 prill 2009, duke e vrarë me 5 plumba gruan e tij në fshatin Riniken.
6.
Më 9 mars 2009 kosovari S. I. dhe e dashura e tij zvicerane C.F. po rrinin në veturë në një vendparkim në fshatin V. afër Zürichut. Në një moment S. e pyeti C.: “A ta merr mendja se mund të të vras?”. Ajo u përgjigj: “Ndoshta, po”. S.I. ia vuri asaj revolen në qafë dhe shkrepi. Plumbi i depërtoi vajzës zvicerane nga qafa lart në kokë. Ajo vdiq. Para gjyqit S. u përpoq të gënjente duke thënë se rasti ishte një aksident. Gjykata e shkallës së dytë nuk i besoi dhe e dënoi me 16 vjet burgim. Këtë aktgjykim e konfirmoi edhe instanca më e lartë gjyqësore e Zvicrës, Gjykata Federale në Lausanne.