OpEd

Gjithkush në parafushatë

Të shohim se çfarë tjetër na sjell parafushata. A thua do të dëgjojmë më shumë incizime? A do të shohim foto të tjera që nuk janë nga jahtet e Pacollit apo zyra e kryeministrit nga koha e Ramush Haradinajt? Apo mbase do të ndodhë edhe ndonjë burgosje spektakulare që do të përfundojë me arrest shtëpiak deri në ngritje të aktakuzës. Edhe sa deputetë do të kalojnë në parti të tjera dhe me çfarë çmimi?

Për nervat e qytetarëve të Kosovës, e besoj se më së miri do të ishte po të ndërrohej ligji zgjedhor dhe që në të gjitha rastet të veprohej sikur te zgjedhjet e parakohshme – që të shpallen 30 ditë më herët dhe që fushata të mos zgjasë më shumë se 10 ditë.

Fushata e radhës zyrtarisht do të nisë në janar, e jozyrtarisht ka nisur qe dy muaj, duke e intensifikuar ritmin me kalimin e ditëve. Përcjellja e të gjithë asaj që ndodhi gjatë javës së shkuar e vërteton nisjen e kamotshme të fushatës dhe na e zbulon se shumëkush është futur në fushatë politike.

Të shkojmë me rend.

Më 1 tetor, hyri në fuqi vendimi i Qeverisë që paga minimale në Kosovë të jetë fiks 350 euro bruto. Ky vendimi vjen një vit më vonë, ngase Ligji i pagave përfundoi në Kushtetuese, e derisa nuk përfundoi procedura, rroga minimale nuk mund të rritej. 

Porse, ligji i kontestuar kishte paraparë që minimalja të ishte në 264 euro. Dhe Qeveria nuk vonoi shumë që atë ta rriste në 350 euro. Me këtë vendim, të gjithë të punësuarit do të paguajnë më pak tatime (sado simbolike) në të ardhura, për shkak të shkallëzimit të ri të tyre.

Rroga prej 350 eurosh, natyrisht, nuk është e mjaftueshme për mbijetesën – por shumë më pak të mjaftueshme kanë qenë 130 (për ata nën 35 vjeç) dhe 170 eurot (për ata deri në 65 vjeç), shuma që kanë qenë në fuqi që nga 2011-a. 

Trembëdhjetë vjet të plota u deshën që të ndryshonte lartësia e rrogës minimale, ani që kjo ka mundur të ndodhte para disa vjetësh, kur ishte vendosur që pensionet e veteranëve të mos lidheshin për të.
Por ky vendim tash duhet përcjellë me zbatim në praktikë – duke nisur, për shembull, nga Kuvendi i Kosovës, që prej vitesh lidh kontrata me firma për mirëmbajtjen e objektit, të cilat punëtoret e veta i trajtojnë si skllave moderne. Ato paguhen nga 250 euro për tetë orë punë në ditë, ndërkohë që deputetët të cilëve ua mirëmbajnë objektin, e marrin dyfishin e kësaj vlere si shtesë për “punën” që e kryejnë nëpër komisione.

* * *

Rritja e dytë e minimales brenda një kohe të shkurtër qe uverturë për rritjet e tjera që do të pasojnë – dhe radhën e patën pensionistët. Pensionet u rritën për 20% kurse vendimi hyn në fuqi në janar 2025. Tamam kur nis fushata zgjedhore. 

Është vendim tipik zgjedhor, të cilin e kanë aplikuar të gjitha qeveritë e Kosovës, pra as kjo nuk mund të ishte përjashtim. Sepse nuk ka formë më të lehtë bindjeje të një votuesi, sesa rritja e një të ardhure, siç është pensioni ofendues që pensionistët e Kosovës e marrin që nga fundi i luftës. 

Nuk do të duhej befasuar nëse tash arrihet ndonjë marrëveshje e veçantë me arsimtarët – ashtu që të sigurohet edhe ajo pjesë e trupit votues.

Pra, Kosova ka 25 vjet që nuk është në gjendje t’i themelojë e operacionalizojë dy fonde jetike për popullatën e vet: fondin shëndetësor dhe atë pensional. Nuk ka shumë filozofi aty – këto dy sisteme kanë ekzistuar në të kaluarën, dhe derisa Millosheviqi nuk na i vodhi paratë prej fondit të pensioneve, kanë funksionuar mirë.

Nga ana tjetër, fondi i sigurimeve shëndetësore nuk u jetësua kurrë që nga fundi i lutës – dhe arsyeja duket bajagi transparente: janë grupe të interesit që humbin shumë, po qe se sigurimet do të funksiononin. E pse shumica e popullsisë i sheh të zinjtë e ullirit ajo nuk ka asnjë lidhje. 

Ka minimum nja pesë vjet që Sistemi Informativ i Shëndetësisë nuk është aktivizuar, edhe mbasi janë bërë shumë investime edhe në softuer e edhe në harduer. Për pasojë, gjithçka vazhdon të evidencohet me dorë, në libra protokolli. 

Për shembull, ka gjashtë vjet me radhë që në këtë kohë shkoj në QKMF të Prishtinës për ta marrë vaksinën kundër gripit. Për çdo vjet m’i kërkojnë shënimet e njëjta: emri, mosha, emri i babës, adresa e numri i telefonit. I regjistrojnë me dorë në libër protokollimi. Prej aty të vetmen shifër që mund ta nxjerrin është numri i atyre që janë regjistruar, por jo edhe shënimet për moshën, as gjininë, as numrin e dozave të marra, as kush e ka administruar, as kur. Pra në shekullin 21, në erën e teknologjisë, QKMF mban evidencë me dorë. Dhe për fat të keq QKMF nuk është e vetmja.

Nëse askush nuk di se si duhen organizuar këto sisteme, mund të shkojë në Maqedoni e të shohë. Nga ana tjetër, ligjet e vjetra nga koha e autonomisë ekzistojnë dhe nëse hiqen atributet ideologjike prej tyre, mund të shërbejnë si bazë e mirë për ndërtimin dhe funksionimin e sistemeve. Nuk ka nevojë të zbulohet uji i nxehtë.

Dhe pavarësisht faktit se që të dy sistemet do të nënkuptonin ngarkesën e mëtejme të punëdhënësve dhe të të punësuarve me pagesa kontributesh, ato megjithatë, nëse menaxhohen si duhet, do të ishin kyç për mirëqenien e qytetarëve.

Asnjë arsyetim nuk mund të qëndrojë më, pos faktit se kurrë nuk pati vullnet të mjaftueshëm për t’i rikrijuar sistemet që dikur i kemi pasur.

* * *

Ndërkohë, me urdhër të Prokurorisë Speciale, policia arrestoi ushtruesin e detyrës së sekretarit të përgjithshëm të MMPH-së për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Pos që ia konfiskoi një armë, shumë usb, disa telefona, u sekuestruan edhe gjashtë banesa në Fushë-Kosovë dhe Prishtinë. Sekretari Bytyqi u dërgua në mbajtje 48 orë dhe më pas iu caktua paraburgimi shtëpiak për 30 ditë. Dy ditë më vonë u arrestua edhe një zyrtar tjetër, Naser Hafizi, ky përgjegjës për pellgje lumore.

Bytyqi ka karrierë të gjatë në shërbimin civil. Dikur kishte punuar si sekretar në Ministrinë e Punës si dhe në Ministrinë e Infrastrukturës, kur ministër, në të dy dikasteret kishte qenë Arban Abrashi i LDK-së. Njëherë ishte shkarkuar nga ky post po nga ky ministër. Vendimi ka qenë i kundërligjshëm, është anuluar, por përsëri është shkarkuar dhe prapë është kthyer në pozitë. Në këtë qeveri e ka ushtruar detyrën e sekretarit. Si një nga shumë sish që mbajnë parashtresën “ud” para titullit.

Prokuroria nuk dha detaje për arsyet e arrestimit, porse nëse ka të bëjë me ndonjë rrugë, do të kenë qenë për ndonjë rast të vjetër, për shkak se kjo qeveri nuk e di nëse ia ka dalë t’i shtrojë nja tre kilometra asfalt për tre vjet e gjysmë. Se për urën e Badovcit e dimë se nuk e ka nisur, lërë më përfunduar. Po ta kishte marrë një OJQ menaxhimin e atij projekti, ishte harruar ajo urë moti. 
Nëse është për hidrocentrale, apo eksploatim zhavorri – mbase ndjekja tashmë është e vonuar. Natyra është dëmtuar aq shumë dhe ata pak lumenj që i kemi janë futur nëpër gypa, me gjithë premtimet e ministrit Aliu se ato vendime do të prishen dhe gjendja do të kthehet si përpara. Në mungesë të informatave, këto janë vetëm supozime.

Pavarësisht se është më mirë vonë se kurrë, megjithatë, pse u desh të pritej kaq gjatë që të ndërmerreshin masa në ministrinë e cila që prej themelimit ka qenë problematike. Do të kujtojmë 53 milionëshin e paguar së koti e plot miliona të tjerë të tretur. Si u bë që aksioni i prokurorisë të ndërmerret mu tash? Për ta amortizuar gjykimin e 53-milionëshit, me të cilin rast prokuroria nisi të merrej vetëm pas raportimit të KOHËS dhe presionit të opinionit publik? Për të protestuar për shkak se kryetarja nuk e dekreton kryeprokurorin e shtetit? 

Ec e dije – por do të ishte shumë më e shëndetshme për këtë shtet e këtë shoqëri që ta kishim gjyqësinë e pavarur. E nuk e kemi.

* * *

Episodi i fundit zgjedhor lidhet për Mimoza Kusari-Lilën dhe bisedën telefonike me Radoiçiqin. 
Pra, ajo që supozohet është që këtë incizim e ka bërë Simiqi, i cili ka qenë në zyrë me Kusarin kur është zhvilluar biseda telefonike. Ajo që gjithashtu supozohet është se ky incizim i është dhënë një portali, i cili zgjodhi që incizimin ta copëtonte dhe ta komentonte. U bë hallakamë e madhe, por nuk u transmetuan më incizime, ani pse portali thoshte se material kishte me bollëk dhe shumëçka për të dëgjuar aty.

Javën e shkuar, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të VV-së, ministri i Brendshëm e bëri një deklaratë akuzuese ndaj pronarit të portalit, për bashkëpronësi tokash me shefat e krimit në veri. Nuk kaluan as tri ditë, dhe doli një copëz tjetër e incizimit për të cilin supozohet se është i njëjti, por në një portal tjetër – të cilit, gjithashtu mund të supozohet, se i është dhënë incizimi.

Transmetimi i incizimit të ri shkaktoi rrëmujë në Kuvend. Opozita nuk ishte e interesuar të merrej me ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, por në vend të kësaj kërkonte debat dhe shkarkimin e Kusarit, apo marrjen e mandatit prej deputetes. Kusari u përpoq ta mbronte veten. Tha se incizimi ishte i montuar dhe se, nga ana tjetër, ekzistonin edhe shumë fakte e fotografi që flisnin për lidhjet e politikanëve shqiptarë me Radoiçiqin. Fakti është se Kusari kishte biseduar me telefon me Radoiçiqin, i cili atëbotë kishte qenë në arrati, e këtë gjë e ka pranuar ajo vetë.

U mblodhën mbi 40 nënshkrime dhe dje u mbajt seanca, pa praninë e VV-së që i iku debatit për temën. Opozita u mblodh, shfryu mllefin, akuzat e ofendimet – dhe nuk ia doli ta kalonte rezolutën. Kusari u shpall “tradhtare”, që ka vepruar sipas urdhrave të “spiunit serb”, Kurtit. 

Pra, ky është niveli i diskursit politik që e përcjell Kuvendin qe 20 e kusur vjet dhe ku partitë nuk dallojnë fare me gjuhën që e përdorin, vetëm varet se a janë në pushtet apo në opozitë.

* * *

Javën tjetër do të shohim se çfarë elementesh të reja do të na i sjellë parafushata. A thua do të dëgjojmë më shumë incizime? A do të shohim foto të tjera që nuk janë nga jahtet e Pacollit apo zyra e kryeministrit nga koha e Ramush Haradinajt? Apo mbase do të ndodhë edhe ndonjë arrestim spektakular që do të përfundojë me arrest shtëpiak deri në ngritje të aktakuzës. Edhe sa deputetë do të kalojnë në parti të tjera dhe me çfarë çmimi? 
Presim e shohim.

[email protected]