Populistët më të zgjuar se Trumpi e mbysin demokracinë ngadalë, nëpërmjet makinacioneve ligjore dhe kushtetuese. Por kleptokracitë djathtiste populiste që bazohen në fuzionimin e bizneseve të mëdha dhe në fanatizëm, sipas fjalëve të gazetarit indian Kapil Komireddi, mund të mos bien në qetësi
Liberalët anekënd botës po guxojnë të shpresojnë se ekziston njëfarë ane e ndritur në gjithë fundin e dhunshëm të presidencës së Donald Trumpit: përkatësisht, se largimi i përbuzshëm nga skena politike i kryenxitësit do t’i zbusë populistët autoritarë gjetkë.
Mjerisht, optimizmi i tyre është naiv.
Në kundërshtim të klishesë rreth një “dallge” populiste që po mbërthen botën viteve të fundit, ngritja dhe rënia e liderëve populistë priret që të mos ketë ndonjë ndikim domethënës transnacional.
Ashtu siç nuk ka nder midis plaçkitësve, nuk ka pasur as solidaritet mes të supozuarës “Populist International”, kur për të përnjëmend ka nevojë. Shokët e ngushtë të Trumpit, si kryeministri indian Narendra Modi, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe madje presidenti rus Vladimir Putin, në fund të fundit e pranuan fitoren zgjedhore të Joe Bidenit.
Ç’është më e rëndësishmja, derisa Trumpi ka qenë i gjithëpranishëm, ai kurrë nuk ka qenë një populist tipik. Populistët djathtistë në Qeveri priren të jenë më të kujdesshëm, kur vjen puna te ruajtja e fasadës së ligjshmërisë dhe shmangies së ndërlidhjes së drejtpërdrejtë me dhunën rrugore. Ngase bastisja në Capitolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës më 6 janar ishte qartazi një shenjë e dëshpërimit, ajo jodomosdoshmërisht e la në hije fatin e lëvizjeve populiste (dhe të krahut të djathtë radikalë) gjetkë. I vetmi opsion real është se kleptokratët e tjerë populistë mund gjithashtu të orientohen kah mobilizimi i dhunës rrugore, po qe se ndonjëherë janë përnjëmend të shqetësuar.
Liberalët rëndom pretendojnë se e vlerësojnë botën me gjithë kompleksivitetin e saj, teksa populistët janë thjeshtësues të shkathët. Ama janë liberalët ata që e kanë shtyrë këtë narrativë tejet thjeshtësuese të një valë globale populiste, sikur nuk është nevoja që të merren në konsideratë, shumë kujdesshëm, kontekstet e veçanta kombëtare.
Sipas kësaj domino teorie – e cila është përqafuar me shumë entuziazëm nga vetë populistët – triumfi i papritur i Trumpit më 2016-n ishte supozuar të nxiste fitoret e populistëve djathtistë në Australi, Holandë dhe në Francë. Në fakt, e kundërta ndodhi.
Në Austri, Norbert Hoferi, kandidat presidencial nga radhët e Partisë së Lirisë të së djathtës ekstreme, humbi pasi që i përqafoi çmenduritë trumpiste që e bënë të dukej i padenjë për president.
Në Holandë, demagogu djathtist Geert Wilders e kishte mbështetjen e Trumpit, por në fund performanca e tij nuk ishte e mjaftueshme. Dhe në Francë, humbja e Marine le Penit karshi Emmanuel Macronit në zgjedhjet presidenciale të 2017-s e konfirmoi atë që veçse ishte bërë e qartë: Euro-trumpizmi mund të mos ishte fare një strategji efikase.
Duhet nënkuptuar edhe pa e thënë se ajo që funksionon në një kulturë politike mund të mos funksionojë te tjetra. Shumëçka gjithashtu varet nga vendimet e akterëve që nuk janë vetë populistë: Në rastin e SHBA-së, Trumpi ka përfituar nga bashkëpunimi i elitave veçse të themeluara konservatore dhe Partia Republikane. Në fakt, mbase me përjashtimin e mundshëm të Italisë, asnjë parti djathtiste populiste nuk ka ardhur në pushtet në Evropën Perëndimore apo në Amerikën Veriore, pa ndihmën e vetëdijshme të akterëve të supozuar të së djathtës së qendrës (shumica e të cilëve kurrë nuk janë mbajtur përgjegjës për rolet e tyre në shpërfaqjen e së djathtës ekstreme).
Për më tepër, edhe nëse partitë apo stilet qeverisëse të ndërlidhura me populizmin ekstrem djathtist përfundojnë duke i ngjasuar njëra-tjetrës, kjo nuk do të thotë se ngritja e populistëve ka të njëjtat shkaqe rrënjësore çdokund. Një shpjegim shumë më i mundshëm për ngjashmëritë është se liderët populistë kanë mësuar selektivisht njëri prej tjetrit.
Për shembull, tani është një praktikë standarde populiste që t’u ushtrohet presion organizatave të bezdisshme joqeveritare nëpërmjet ndryshimeve gjoja neutrale ligjore. Në atë që disa vëzhgues e kanë quajtur “legalizëm autokratik”, shumë populistë të së djathtës ekstreme në pushtet i ndjekin në mënyrë studioze rregullat dhe praktikat zyrtare për ta ruajtur një lloj prarimi të neutralitetit dhe për të krijuar mohueshmëri të besueshme për aktet politike. Për dallim prej Trumpit, këta liderë e kuptojnë se dhuna rrugore e një lëvizjeje të pakontrollueshme mund të gjenerojë kundërreagim, si përbrenda vendeve të tyre ashtu edhe mes audiencave ndërkombëtare.
Edhe aty ku dhuna de facto trimërohet, siç ishte rasti me persekutimin e myslimanëve në Indinë e qeverisur nga partia nacionaliste hinduse Bharatiya Janata, figurat si Modi tregohen të matura për të mos dalë haptas me deklarata që mund të interpretohen si nxitje e drejtpërdrejtë.
Po kështu, Qeveria hungareze trafikon pa pushim në trojet raciste dhe antisemitike, por kryeministri Viktor Orban është i kujdesshëm që të mos i dëgjohet kurrë fort zëri, ashtu që të mos i rrezikojë marrëdhëniet e tij me kristiandemokratët gjermanë dhe me industrinë gjermane të veturave.
Sa për dijeni, po qe se zihen ngushtë, gjithsecili populist mund t’i zbatojë metodat e fazës së fundit të Trumpit: duke u përpjekur që t’i shtrëngojnë elitat në kryerjen e mashtrimeve për ta parandaluar transferimin e pushtetit apo duke i angazhuar ekstremistët e së djathtës në terren për t’i frikësuar ligjvënësit. Këto akte të dëshpërimit e sinjalizuan dobësinë e Trumpit. Por është me rëndësi të ceket se shumica e republikanëve ende nuk e kanë mohuar Trumpin, edhe kur i janë kundërvënë shpërfilljes së tij flagrante të ligjit në ditën e 6 janarit.
Populistët e tjerë djathtiste munden fare lehtë të nxjerrjen mësim prej këtij fakti. Ngjarjet e fundit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë treguar se elitat, të cilat janë të gatshme të bashkëpunojnë me autoritarët, do të tolerojnë goxha shumë në fund.
Ky precedan poshtërues ka shumë gjasa që të dalë veçanërisht i vlefshëm në vendet e tjera, ku kapitalizmi i ngathët ka implikuar komunitetin e biznesit në sjellje të paligjshme.
Populistët më të zgjuar se Trumpi e mbysin demokracinë ngadalë, nëpërmjet makinacioneve ligjore dhe kushtetuese. Por kleptokracitë djathtiste populiste që bazohen në fuzionimin e bizneseve të mëdha dhe në fanatizëm, sipas fjalëve të gazetarit indian Kapil Komireddi, mund të mos bien në qetësi.
(Jan-Werner Mueller, profesor i shkencave politike në Universitetin e Princetonit, është anëtar i Institutit të Berlinit për Studime të Avancuara dhe autor i librit të ardhshëm “Democracy Rules”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë ndërkombëtare “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).